Konferenca për shtyp e zëvendëskryeministrit Niko Peleshi:
Dëshiroj të ndaj me publikun një informacion lidhur me situatën mbi situatën emergjente të krijuar nga kushtet e motit në vend, deri në orën 09:00 të mëngjesit të sotëm, të datës 19 Nëntor.
Të gjithë jemi dëshmitarë të situatës së rënduar, dje, në pjesën dërrmuese të territorit të vendit si pasojë e reshjeve dhe e stuhive të forta. Përpara se të paraqes një pasqyrë të situatës dhe masave të marra për normalizimin e saj, më lejoni të shpreh ngushëllimet në emër të Qeverisë shqiptare për familjarët e tre jetëve të humbura gjatë natës së djeshme.
Menjëherë, pas gjendjes së krijuar nga reshjet e dendura të shiut në disa zona të vendit, u ngrit grupi koordinator në Kryeministri për të vlerësuar nevojat dhe për të përcaktuar masat për normalizimin e shpejtë të situatës.
Si rrjedhojë e angazhimit maksimal, me njerëz e mjete logjistike nga Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Energjisë dhe Industrisë, Ministria e Bujqësisë dhe Ministria e Shëndetësisë, që janë anëtarë të grupit koordinativ, sot situata në vend paraqitet normale në shumicën e qarqeve, si dhe po shkon drejt normalizimit të plotë në qarqet Lezhë dhe Fier.
Nga informacionet e grumbulluara në Drejtorinë Operacionale të Drejtim Koordinimit të Emergjencave Civile, situata paraqitet si më poshtë:
Në qarkun e Lezhës reshjet kanë pushuar në orën 01:00 pas mesnate. Në nënstacionin e Lezhës u arrit që me një punë intensive të forcave të zjarrfikësve, të KESH-it dhe OSSH-së të largohen ujërat dhe të rilidhet energjia për të gjithë operatorët, si të hidrovorëve, ashtu edhe të njësive vendore.
Në të gjithë qarkun e Lezhës, situata është normalizuar dhe po punojnë intensivisht, forcat dhe mjetet e Bordit të Kullimit për largimin e ujërave nga tokat bujqësore tw zonws. Mjete zjarrfikëse po vazhdojnë largimin e ujërave nga banesat e përmbytura.
Sot në orën 10:00, nën drejtimin e Prefektit të Lezhës është kryer një takim tjetër të Komisionit të Emergjencave të qarkut, për të analizuar gjendjen e krijuar pas rivënies në punë të hidrovorëve dhe pompave në Balldre, Shëngjin dhe Lezhë, si dhe marrjen e masave për dhënien e ndihmës banorëve, të cilëve iu prekën banesat nga përmbytja.
Në komunat Balldren, Blinisht dhe Shëngjin, reshjet kanë pushuar dhe situata është drejt normalizimit për shkak të largimit të ujërave nga puna e hidrovorëve, me kapacitet të plotë të pompave thithëse.
Për normalizimin e situatës në Lezhë operuan 80 trupa ushtarake për bllokimin e ujërave që futeshin, si dhe dhjetëra mjete për pastrimin e ujërave. Gjithashtu, këto forca vendosën edhe barriera në disa biznese dhe banesa, për të mos lejuar përmbytjet.
Është paraqitur një situatë problematike lidhur me furnizimin me ujë në Spitalin Rajonal të Lezhës, problem i cili tani është adresuar plotësisht, duke garantuar ujin e pijshëm nëpërmjet autoboteve deri në normalizimin e situatës.
Kryetarët e Njësive të Qeverisjes Vendore po bëjnë vlerësimet e dëmeve nëpërmjet Komisioneve të Planifikimit dhe Përballimit të Emergjencave Civile dhe po raportojnë për masat e marra për rivendosjen e normalitetit në territoret e njësive që kanë përgjegjësi, pasi shtabet e emergjencës, nën drejtimin e prefektëve janë ngritur dhe funksionojnë në çdo qark të vendit, edhe në ato qarqe që kanë patur prekje të lehtë, ose nuk janë prekur nga përmbytjet, por çdo përmbytje të mundshme, sot qarqet janë në gjendje ta përballojnë atë.
Në qarkun e Tiranës, reshjet janë ndërprerë në orën 24:00 dhe situata është normalizuar. Zjarrfikëset po punojnë për largimin e inerteve dhe ujërave në disa banesa njëkatëshe dhe në katet e para të pallateve në rrugën “Don Bosko”, “Komuna e Parisit”, “Medar Shtylla”, “Kombinat”, “Kodra e Priftit”, “Sami Frashëri” dhe në rrugë të tjera.
Në Paskuqan dhe Laknas është normalizuar situata dhe po punohet për adresimin e atyre problemeve që paraqitën disa toka bujqësore që janë përmbytur nga reshjet.
Përsa i përket Qarkut të Fierit, në këtë qark ka pasur probleme në një fshat të Komunës Libofshë dhe 3 fshatra të komunës Allkaj, ku ka pasur prezencë uji në disa banesa dhe përmbytje vetëm në 5 prej tyre. Familjarët në këto banesa fillimisht u evakuuan dhe më pas u punua për largimin e ujit.
Në Qarkun Gjirokastër ka pasur reshje, por jo intensive dhe nuk pati përmbytje. Në rrugën hyrëse të qytetit të Gjirokastrës, inertet zbritën nga pjesa e Kalasë bllokuan rrugën kryesore dhe që në orët e para të mëngjesit po punohet intensivisht për hapjen e saj.
Në Qarkun e Durrësit, reshjet e rëna në qytetin e Durrësit kanë shkaktuar probleme në rrethrrotullimin e Shkozetit, rrugën e Currilave, rrugën e Kënetës dhe në afërsi të Portit. Por në mëngjes, situata është normalizuar.
Qarqet Shkodër, Elbasan, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër nuk kanë paraqitur probleme të tjera me reshjet e shiut.
Ndërkohë që, Grupi Koordinator do të vazhdojë të ndjekë situatën nga afër, deri në adresimin e plotë të problemeve të shfaqura.