Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

U nënshkrua sot kontrata për blerjen e flotës së Avionëve ushtarakë pa pilot (UAV) Bayraktar produkt i Partneritetit Strategjik me Republikën e Turqisë, në kuadër të modernizimit të Forcave të Armatosura shqiptare si anëtare të NATO-s.

Një nga projektet e modernizimit, është pajisja me sistemin e avionëve pa pilot të armatosur. Kompletimi me këtë sistem ka rëndësi të veçantë për sigurinë kombëtare dhe atë të Aleancës, si dhe për respektimin e detyrimeve që rrjedhin nga Strategjia e Sigurisë Kombëtare dhe Strategjia Ushtarake, Objektivat e Kapaciteteve të NATO-s, të deklaruara.

Dronët Bayraktar, përfaqësojnë teknologjinë më e lartë të fluturimeve për misione ushtarake, policore dhe civile, dhe do të vihen në funksion të sigurisë kombëtare, të luftës kundër krimit e kultivimit të paligjshëm të hashashit, të emergjencave civile, mbrojtjes së territorit dhe mbledhjes së informacioneve gjeohapësinore.

Kontrata për blerjen e flotës së Avionëve ushtarakë pa pilot (UAV) Bayraktar u nënshkrua në  Sallën e Hartave, në Kryeministri, me pjesëmarrjen e Kryeministrit Rama, Ministrit të Mbrojtjes Niko Peleshi, Drejtuesit të lartë të Kompanisë turke Bayraktar, Lütfü Haluk Bayraktar dhe të ftuar të tjerë.

* * *

Shumë të dashur miq nga Turqia!

Do doja ta nisja duke thënë se unë kam qenë vetëm një herë dëshmitar në dasëm në jetën time. Ndodh që martesa ku kam qenë dëshmitar, ka qenë martesa e shpikësit të “Bayraktarit”, vëllait të drejtuesit ekzekutiv që është këtu.

Unë shpresoj që si dëshmitar, së paku nuk kam sjellë mungesë fati, me mundësi shpresoj kam sjellë fat, por sigurisht ‘’dhëndri’’ po i sjell ca fat ushtrisë sonë e vendit tonë dhe jam shumë, shumë i lumtur sot. Ndërkohë dua t’ia nis andej nga duhet nisur, për të falenderuar presidentin Erdogan, i cili ka qenë thelbësor në këtë proces sepse të gjithë ne e dimë që kur vjen fjala për mjetet pa pilot, “bajraktar” apo dronët siç njihen sot, nuk ka të bëjë vetëm me të pasurit e parave, por ka të bëjë dhe me faktin që të jesh i aftë që të kalosh edhe të hysh, të kalosh e të shtysh në radhë sepse radha është shumë e gjatë dhe nga ana tjetër është fakti i të qenit nga ana e duhur.

Ne jemi shumë krenarë që së bashku me Republikën e Turqisë dhe me presidentin Erdogan, të jemi nga ana e duhur, të rreshtuar në aleancën më të madhe ushtarake, atë të bashkësisë euroatlantike, të NATO-s dhe në të njëjtën kohë, të jemi të rreshtuar në një partneritet mjaft strategjik, midis nesh dhe Republikës së Turqisë.

Sot është një ditë shumë e mirë për marrëdhënien tonë, është një ditë shumë e mirë për forcat tona të armatosura dhe është po kështu një ditë shumë e mirë për bashkëpunimin midis Ministrisë shqiptare të Mbrojtjes dhe forcave të mbrojtjes dhe gjithashtu edhe Ministrisë Turke të Mbrojtjes dhe forcave të saj të mbrojtjes.

Kjo është një marrëdhënie e cila po bëhet gjithmonë e më e mirë, është një marrëdhënie që është e natyrshme dhe është ndërtuar përgjatë viteve. Sot është në pikën e saj më të mirë por ne duam ta bëjmë edhe më mirë.

Jam kësisoj i sigurtë që me këtë marrëveshje nuk po sjellim thjeshtë këtu në Shqipëri teknologjinë më të mirë të lartë në këtë fushë, por po kështu po sjellim në Shqipëri një fushë të re njohurish. Dhe është shumë mirë që marrëveshja nuk është vetëm, sicc e tha dhe ministri, për të blerë dronët, por po kështu ka të bëjë dhe me ndërtimin e një ure midis forcave tona të armatosura dhe kompanisë Bajraktar, e cila do kujdeset për trajnimin e njerëzve dhe nuk flasim për pak njerëz, flasim më shumë sesa 30 persona të cilët do të përzgjidhen me shumë shumë kujdes. Me ndihmën e kompanisë Bajraktar dhe që do të vihen nën një regjim trajnimi, të nxëni, do të japin provime e do të përgatiten për të marrë përsipër funksiononim e qendrës së kontrollit që do të jetë objekti i teknologjisë më të lartë në bazën ajrore të Kuçovës, që është baza e re ajrore e NATO-s që po ndërtojmë ku përfaqësohet gjithashtu edhe trupat turke që kanë qenë aty për shumë vite, që kanë punuar e ndihmuar aty.

Më pas do të nisim të punojmë me dronët. Sepse siç e shpjegoi zoti Bajraktar këtu, nuk është diçka që lidhet vetëm me kohë lufte.

Ne do nënshkruajmë për paketën e plotë. Tre dronët që do të vijnë së pari, do të jenë të armatosur dhe do të jenë të gatshëm për çdo rast, ku dhe kur dhe shpresoj të mos ndodhë kurrë, por nuk jetojmë në kohë fort të sigurta, kur pra dhe ku siguria jonë kombëtare të jenë nën kërcenim, në këtë rast do të jemi gati për luftë, por ndërkohë ato do të jenë gati dhe për një gamë të plotë aktivitetesh që do të jenë mjaft dobiprurëse për mirëqeverisjen në vend, për sundimin e ligjit në vend, për sigurimin e pronave në vend dhe po kështu dhe për personat që për shkak të situatave të emergjencave civile mund të jenë të rrezikuara.

Pra, dronët do të na ndihmojnë që të montojmë trafikun, do të na ndihmojnë për të ndjekur personat e kërkuar, pra do t’i shërbejnë dhe policisë dhe për të monitoruar tërësisht territorin dhe të arrijnë kapacitet të fjalës së fundit për të luftuar kultivimin e narkotikëve në terren, për të monitoruar zjarret dhe pyjet e po kështu për të vazhduar dhe për të siguruar që lufta që ka qenë dhe po vazhdon ende nga toka ku vijnë partnerët tanë, nga lufta kundër ndërtimeve të paligjshme, gjithashtu dhe shfrytëzimit të pronave ndonjëherë si të thuash në dëm të pronës publike dhe ndonjëherë në dëm të personave privatë të vazhdojë.

Nuk dua të marrë më shumë prej kohës suaj këtu, por sërish dua të them që është e pamundur të falënderoj mjaftueshëm zotin President, mikun tonë të dashur dhe mikun e shkëlqyer të këtij vendi dhe të këtij kombi Presidentin Erdogan, ministrin e mbrojtjes, i cili ka qenë mjaft i prirur të na ndihmojë sepse i gjithë operacioni nuk ishte i lehtë, sa i përket ndërtimit të kanaleve të duhura ligjore nga ana financiare.

Po kështu, dua të falënderoj me zemër drejtorin ekzekutiv, të cilit nuk i kam qenë dëshmitar në dasmë, por i cili është treguar kaq i sjellshëm dhe kaq i hijshëm sa të na ofrojë kushte shumë të mira.

Ka qenë shumë e rëndësishme për ne që të kishim këtë fleksibilitet që na është treguar nga kompania dhe nga drejtori ekzekutiv, ndërkohë që e dimë shumë mirë që aktualisht ata nuk mund të prodhojnë, jo vetëm çdo gjë që iu kërkohet, por nuk di sa përqind mund të prodhojnë sepse kërkesat për Bajraktar janë në rritje.

Fjala e fundit që kam është se duhet të jetë mjaft e çuditshme, po, dhe argëtuese të përdoresh diçka të cilën njerëzit i këndojnë këngë, ndërkohë që këngët i këndohen heronjve, ushtarëve, u këndohen njerëzve. Ndërkohë që vëllezërit Bajraktari janë siguruar që të kenë një produkt për të cilin hyn në youtube dhe gjen këngë, këngë për Bajraktarin dhe kemi parë se sa shumë gjen, janë emërtuar Bajraktar në Ukrainë së fundi, të mëdhenj te vegjël, të njerëzve, të policëve.

Është një markë që jep shumë fuqi, që jep shumë besim, dhe po kështu dhe mjaft vetë respekt. Kjo është ajo çfarë po i jepni Shqipërisë sot zotëri. Më shumë fuqi, më shumë besim në forcat e veta dhe sigurisht më tepër respekt për veten dhe sa më shumë të kemi kapacitet për respekt ndaj veten, aq më të respektuar do të bëhemi.

Ndaj Zoti ju bekoftë dhe shpresoj që Tirana të jetë bindëse mjaftueshëm për ju që të ktheheni dhe pres me padurim të nis e të punoj me ju për të zgjeruar fushën e ndërhyrjeve dhe të bashkëpunimit sepse në fund të fundit Shqipëria është shtëpia juaj e dytë dhe ju e dini.

Faleminderit shumë!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.