Shërbimi i Urgjencës Kombëtare, një prej shërbimeve me rëndësi vendimtare në ofrimin e ndihmës së parë dhe shpëtimin e jetëve njerëzore, u fuqizua edhe këtë fillim viti me autoambulanca të reja, të cilat do të sigurojnë një mbulim dhe menaxhim më të mirë të rasteve të urgjencës në të gjithë vendin.
Autoambulancat e reja, moderne dhe të mirëpajisura me të gjitha mjetet jetëshpëtuese janë investimi më i ri që do të reduktojë kohën e mbërritjes në vendngjarje, si dhe do të rrisë ndjeshëm cilësinë e shërbimit shëndetësor të ofruar për qytetarët, duke shërbyer, jo thjeshtë si transportuese të pacientit në spital, por si mini-spitale të lëvizshme që garantojnë të gjitha shërbimet në rastet e urgjencës.
Kryeministri Edi Rama ishte sot në mjediset e Qendrës Kombëtare të Urgjencave, së bashku me Ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu për të parë në terren mjetet e reja që i shtohen flotës aktuale.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu tha se gjatë katër viteve të fundit, fuqizimi i flotës së autoambulancave për shërbimin e Urgjencës ka qenë përparësi në investimet e kryera, për një përgjigje më të mirë dhe më të shpejtë në territor.
“Ne kemi shtuar flotën e ambulancave kombëtare të urgjencës mjekësore. Janë 8 njësi të reja që i janë shtuar flotës sonë. Tashmë, jo vetëm bëhen operacionale, duke filluar nga nesër, por rrisim shërbimin ndaj qytetarëve dhe gjithashtu reduktojmë kohën e pritjes. Ne e kemi përgjysmuar që prej angazhimit që ne kemi marrë. Këto autoambulanca janë të tipit C. Praktikisht janë të pajisura me të gjitha aparaturat, duke filluar nga respiratorët, defibrilatorët. Prej 2018 deri sot janë 110 ambulanca të reja. Ne kemi 127 stacione në të gjithë vendin. Praktikisht kemi arritur të përgjysmojmë kohën e mbërritjes në vendngjarje. Kemi më shumë se 119 mijë misione që bëjmë çdo vit, gjysma prej të cilave janë shërbime që ofrohen në banesë dhe kjo ka ndryshuar tërësisht shërbimin, por dhe ka rritur besimin e qytetarëve në shërbimin e urgjencës duke tashmë patur vetëm një referencë, 127 si numër për çdo emergjencë shëndetësore.” – u shpreh Ministrja Manastirliu, teksa shtoi se zgjerimi i mëtejshëm i flotës është parashikuar edhe në buxhetin e këtij viti, me përparësi në zonat bregdetare. “Këtë vit ne kemi parashikuar serish që me buxhetin 2023 të zgjerojmë flotën tonë sepse duke qenë se kemi një numër turistësh të lartë gjatë periudhës së sezonit turistik kemi nevojë të fuqizojmë të gjithë spitalet dhe stacionet në vijën bregdetare. Ndaj dhe këto njësi të reja, por edhe ato të cilat ne planifikojmë që të shtojmë këtë vit do të shërbejnë pikërisht në zonat bregdetare të vendit.” – u shpreh Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Më pas, në terren u bë një demonstrim i ndihmës së shpejtë nga ekipet mjekësore të pranishme.
Me riorganizimin e shërbimit të urgjencës dhe ngritjes së Njësisë së Koordinimit, është garantuar që çdo shërbim të regjistrohet online dhe të shkurtohet koha e dhënies së ndihmës së parë nga maksimumi 45 minuta që ishte para ngritjes së njësisë së koordinimit, në 15 minuta koha maksimale sot. Pra një reduktim me 30 minuta. Po ashtu për herë të parë do të ofrohet edhe këshillimi online menjëherë nga një mjek i njësisë së koordinimit gjë e cila më parë nuk ekzistonte.