Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e firmosjes se marrëveshjes 150 milionë dollarëshe mes qeverisë dhe Bankës Botërore për financimin e sektorit energjetik:
Mirëdita të gjithëve,
Në radhë të parë dëshiroj të falënderoj jo vetëm për praninë, por edhe për mbështetjen e paçmuar, përfaqësuesit e Bankës Botërore. Ky është një falënderim që shkon shumë përtej falenderimit protokollar, sepse ajo çka kemi përjetuar qysh nga momenti i parë i fillimit të punës sonë, ka qenë puna si një skuadër. Arsyeja themelore, pse unë nuk do të resht së falënderuari Bankën Botërore, Drejtoren Rajonale, zonjën Goldstein, Drejtoren e Zyrës në Tiranë dhe gjithë ekipin e saj, është fakti se ne punojmë sëbashku, në frymën e një dialogu shumë të shëndetshëm, në frymën e një partneriteti shumë të dobishëm dhe në frymë e një dëshire për t’i konsultuar pikëpamjet tona, jo vetëm me njëri-tjetrin, por edhe më gjerë, me të tjera institucione dhe me ekspertë të nivelit më të lartë ndërkombëtar, ku do të veçoja sot, për ndihmesën e jashtëzakonshme që na kanë dhënë, ekspertët e Qendrës për Zhvillim Ndërkombëtar të Harvardit dhe profesor Ricardo Hausmann-in, të cilët janë pjesë e kësaj përpjekjeje të përbashkët, për t’i dhënë sensin e duhur, ritmin e duhur dhe thellësinë e duhur reformave të munguara për vite të tëra, por të domosdoshme për të nesërmen e vendit, sot më shumë se asnjëherë tjetër.
Kjo e energjisë është një reformë padyshim jetike. Një reformë e shtyrë në kohë nga qeveritë paraardhëse. Njësoj si reforma e pensioneve, njësoj si gjithë zinxhiri i reformave modernizuese, mungesa e të cilave ka bërë që në vend se Shqipëria ta lërë pas tranzicionin dhe t’i kapërcejë në kohë problemet, thjesht të shtyjë zgjidhjen e tyre duke ia lënë pasardhësve. Pasardhësve në qeveri, pasardhësve si gjeneratë.
Sot, ne jemi përpara detyrimit për të bërë jo vetëm zgjedhjen e duhur, por të gjithë atë volum pune këmbëngulëse në të gjitha planet, për të mos ia lënë Qeverisë pasardhëse, faturën e rritur të borxheve dhe të problemeve në sektorin e energjisë dhe për të mos i faturuar gjeneratës pasardhëse, një kosto e cila kërcënon integritetin jo vetëm ekonomik, por edhe social të vendit tonë.
Sigurisht që një reformë e vonuar është një reformë e dhimbshme dhe sa më shumë vonohet, aq më të mëdha janë dhimbjet. Por dua t’i siguroj të gjithë se dhimbjet e kësaj reforme që ne kemi ndërmarrë sot, janë asgjë në krahasim me dhimbjet që secili do të kishte, çdo familje, çdo sipërmarrje, kompania, kompanitë e sektorit, në rast se kjo reformë do të shtyhej qoftë edhe për një vit më tutje.
Falënderoj zonjën Goldstein për fjalët e mira në adresë të Qeverisë. Besoj janë të merituara dhe nuk janë komplimente të rastit. Por e falënderoj në mënyrë të veçantë për specifikimin e mprehtë të problematikës që ka ky sektor dhe për faktin se vuri theksin tek ajo çka ne kemi arritur të shmangim në vitin tonë të parë, krizën e thellë, me rrezik kolapsin e gjithë sistemit tonë energjetik dhe për pasojë, edhe të një zinxhiri të tërë që është i lidhur me të dhe që ka të bëjë me kompani dhe institucione financiare. Ky kolaps u shmang falë zgjidhjes së konfliktit ligjor, të trashëguar nga Qeveria paraardhëse, me kompaninë private, të cilës iu la në dorë, një rrugë tërësisht të shtrembër, administrimi i kompanisë së shpërndarjes dhe e cila rrezikonte që përmes konfliktit ligjor të na kthente të gjithëve si popull e si vend, në peng të një krize të thellë dhe realisht, me dhimbje të tmerrshme sociale në sektorin elektroenergjetik.
Ne jemi të vetëdijshëm që ende jemi larg asaj që duhet të arrijmë. Ndërkohë që koha nuk pret dhe ne do të bëjmë çmos që ta arrijmë një orë e më parë. Që do të thotë një sektor elektroenergjetik ku vjedhja e vetvetes, sepse e tillë është, vjedhje e vetvetes, do i përkasë të shkuarës dhe ku çdokush do të paguajë atë që konsumon. Njerëzit duhet të kuptojnë se këtu bëhet fjalë për të ardhmen, por jo për një të ardhme abstrakte të shtrirë në dekada, por për të ardhmen tonë pas një viti, pas dy vjetësh, pas pesë vjetësh, për të ardhmen e ekonomisë sonë kombëtare, për të ardhmen e ekonomisë së tyre familjare, për të ardhmen tonë si shoqëri. Dhe njerëzit duhet të kuptojnë se nuk është përgjegjësia jonë, nëse gjërat u lanë të degjenerojnë deri në këtë pikë ku ne e gjetëm sektorin. Përgjegjësia jonë është e kundërta, të mos lejojmë degjenerimin e mëtejshëm të gjërave.
Dhe duke ndjekur me vëmendje reagimet ndaj operacionit të nisur së fundmi, kur u krijuan kushtet për të kaluar në këtë fazë intensive të betejës me hajdutërinë në sektorin elektroenergjetik dhe me hajdutët e energjisë elektrike, kam vënë re nga njëra anë, një mbështetje të konsiderueshme të opinionit publik, sepse atyre që janë mësuar të paguajnë gjithnjë dhe gjithnjë të respektojnë ligjin u ka ardhur realisht shpirti në majë të hundës nga kjo padrejtësi e madhe e kthyer në sistem, që kush paguan është detyruar më shumë se një herë të paguajë më shumë, edhe për shkak të atyre që s’paguajnë, dhe kush nuk paguan, e ka pasur jetën fort të lehtë dhe i ka lejuar vetës që edhe kur fle, dritat e oborrit t’i lërë ndezur. Dhe nga anën tjetër kam vënë re edhe reagimet negative. Nuk dua të merrem me to, kur ato vijnë për arsye politike. Por dua të merrem me to, kur ato vijnë për arsye të natyrshme, për arsye të kuptueshme, për arsye që lidhen me vështirësinë e njerëzve. Dhe kam ndjekur me vëmendje, shumë që thonë: “hapni një herë vende pune, pastaj ndërtoni shtetin ligjor, hapni një herë vende pune, pastaj prishni ndërtimet që kanë zënë trotuaret, apo që bllokuar rrugët, apo detyroni njerëzit të paguajnë faturat e energjisë.”
Por si mund të kemi ne, një Shqipëri që krijon besim dhe që hap vende të reja pune përmes gjeneratorit kryesor të vendeve të reja të punës, që janë investimet e huaja, nëse sipërmarrësit e huaj, sipërmarrësit e huaj seriozë, ndeshen qysh në muajin e parë me dy probleme: ligjshmëria dhe energjia?! E kundërta është e vërtetë! Duke zgjidhur një herë e mirë këtë problem të mbartur, ne i zgjidhim vetes, i zgjidhim vendit këmbët, dhe e bëjmë shoqërinë tonë të eci shumë më shpejt dhe i bëjmë hapësirat tona të zhvillimit shumë më të gatshme për të thithur investime të huaja, për të rritur investimet e brendshme dhe për të gjeneruar punësim, për të gjeneruar mirëqenie, për të gjeneruar progres.
Nga ana tjetër, zonja Goldstein solli këtu një shifër që ne nuk kemi preferuar ta kemi shifrën e betejës dhe foli për 800 milionë dollarë, që në fakt janë humbje dhe detyrime, të cilave po t’i shtosh edhe kreditë e bankave me operatorë apo mes operatorësh, shkojnë në 1.1 miliardë. Megjithatë, unë do t’i qëndroj shifrës sonë, 150 milionë euro, që ne i humbasim çdo vit, pikërisht sepse preferojmë ta shtyjmë problemin më tutje, pikërisht sepse kemi preferuar gjithë këto vite, që t’i lëmë në gjumë shqiptarët, t’ua bëjmë të lehtë edhe kur s’paguajnë dhe të ecim thjesht me një qëllim, të zgjasim sa më shumë pushtetin, pavarësisht kostos që krijojmë për vendin dhe për njerëzit, kur pushteti ynë të mos jetë më.
E pra, ne nuk jemi këtu për të zgjatur jetën e pushtetit ekzekutiv që buron nga vota e 23 qershorit të shkuar, duke stërzgjatur litarin e problemeve në fytin e popullit shqiptar. Ne kemi bërë zgjedhjen tonë, shumë qartë. Ne jemi këtu, për të bërë zgjedhjet e duhura, me çdo çmim politik. Por, nga ana tjetër, unë jam i bindur që jo vetëm opinioni publik e kupton, por opinioni publik e dëshiron që më në fund, në Shqipëri të vendoset shteti ligjor, të vendoset shteti që shërben dhe që paguhet për shërbimet që bën, të vendoset shteti ku të gjithë janë të barabartë përpara detyrimeve dhe jo kush i trembet apo e respekton ligjin paguan dhe kush nuk i trembet dhe nuk respekton ligjin nuk paguan.
Ne nuk e kemi luksin që çdo vit të humbasim 150 shkolla të standardeve europiane, që mund të ndërtoheshin vetëm e thjesht duke mos lejuar që energjia të vidhej dhe duke mos lejuar që këto para të humbisnin në gropën e këtij sektori të degraduar deri ku s’thuhet. Ne nuk e kemi më luksin që të humbasin çdo vit, për shkak të kaosit të trashëguar në këtë sektor dhe për shkak të mungesës së reformës, një shumë të barabartë me shumën që mbledh shteti ynë nga tatim-fitimi i kompanive. Humbasim një shumë që është e barabartë me shumë që vjen nga kompanitë që paguajnë për tatim-fitimin. Njësoj sikur të dyfishonin kompanitë, thjesht e vetëm duke evituar vjedhjet dhe humbjet. Ne nuk e kemi luksin që të paguajmë për hajdutët një faturë të barabartë me çka paguajmë për njerëzit në nevojë, me çka paguajmë për personat me aftësi të kufizuar dhe për gjithë kontributin tonë si shoqëri për shtresat në nevojë. Kaq është shumë! Ne nuk e kemi luksin të humbasim çdo vit, gjashtë spitale moderne rajonale. Sepse duhet të mbajmë në kurriz, hajdutët e energjisë elektrike. Ashtu sikundër, ne nuk e kemi luksin që çdo vit t’i privojmë vetes 100 kilometra rrugë nacionale, sepse duhet të zgjasim pushtetin tonë duke bashkëjetuar me hajdutët e energjisë elektrike. Por jo vetëm kaq. Ne nuk kemi luksin t’ia zgjasim ende tranzicionin, t’ia zgjasim ende mundimet e Shqipërisë informale, qytetarëve të këtij vendi.
Kjo nuk është betejë thjesht për një sektor. Kjo është betejë shembullore për t’i dhënë fund Shqipërisë informale. Një vend në mes të Europës, një vend kandidat për në Bashkimin Europian, që vjedh veten e vet në këto përmasa marramendëse dhe ku ende gjenden zëra që vazhdojnë ta përfaqësojnë me ngulm Shqipërinë informate, si të ishte ajo zgjidha e problemeve dhe ku ende gjenden zëra që vazhdojnë të pretendojnë se zgjidhja e këtij problemi është ta shtysh këtë problem në kohë.
Nga ana tjetër kemi pasur dy alternativa. Një alternativë të rrisim çmimin në mënyrë uniforme për të gjithë. Alternativa tjetër të heqim fashën 300 Kw, e cila u vu për të mbrojtur të varfrit dhe u bë mburoja e abuzuesve dhe hajdutëve. Debati ka qenë intensiv, konsultat kanë qenë intensive. Me Bankën Botërore kemi dialoguar për të kuptuar efektet dhe dobinë e të dyja alternativave dhe ne kemi zgjedhur alternativën e heqjes së fashës dhe jo atë të rritjes uniforme të çmimit për të gjithë. Por ka një kusht. Dhe kushti është që të gjithë të kuptojmë se heqja e fashës do të na mjaftojë, nëse do t’i japim fund vjedhjeve dhe nëse paralelisht do të ecim shpejt dhe me cilësi për implementimin e paketës së mbështetjes financiare që firmosim sot. Në të kundërt, do të jetë e pamjaftueshme.
Prandaj thirrja ime për çdo qytetar, thirrja ime për gjithë shoqërinë është: Nëse duam të mos kemi përpara, më nevojë për të bërë zgjidhje shumë më të dhimbshme, duhet sot t’i dalim për zot vetes, t’i dalim për zot vendit, t’i dalim për zot ligjit dhe sensit të barazisë para ligjit në pagesën e çdo fature të energjisë elektrike.
Nga ana tjetër, të gjithë duhet ta dini se firma e sotme nuk do të kishte ndodhur një vit më parë. Banka Botërore nuk do të financonte 150 milionë dollarë. Financimi më i madh i bërë gjithë këto vite për të financuar sektorin elektroenergjetik, në rast se Qeveria nuk do të kishte marrë përsipër të zgjidhte konfliktin ligjor me CEZ-in, të hynte në rrugën e një reforme reale dhe t’i jepte fund shtyrjes së këtij problemi për Qeverinë pasardhëse dhe të tregonte vendosmërinë që po tregon në ligjzbatimin nga të gjithë konsumatorët familjarë apo sipërmarrësit, në pagesën e energjisë elektrike. Por të gjithë e dinë, të gjithë e shohin, se ne këtë betejë nuk e kemi filluar as nga të varfrit dhe as nga konsumatorët familjarë, të cilëve u kemi dhënë dhe po u japim kohën që të shkojnë të paguajnë detyrimet dhe të jenë në rregull me shtetin dhe me veten, se, në fund të fundit, shteti nuk është një entitet i ndarë nga interesat e secilit dhe çdo familjeje, ndërkohë që ne jemi marrë e do të merremi intensivisht me ata që kanë dhe nuk paguajnë dhe që kanë shumë më tepër se të tjerët dhe që e vjedhin shumë më tepër energjinë, që janë bizneset dhe me hajdutët brenda kompanisë, që janë bashkëpunëtorët, pa të cilët kjo vjedhje masive nuk mund të ndodhi.
Shoh me habi që ngrihen zëra të një institucioni kaq të rëndësishëm siç është opozita, që pse njerëzit po ndëshkohen me bujë. Po mirë, e kemi sjellë ne masën që kush vjedh, shkon në burg, apo është një masë me të cilën shoqëritë njerëzore kanë rënë dakord, qysh kur nuk mbahet mend, për të siguruar bashkëjetesën e tyre? Dhe, nga ana tjetër, si mund të pajtohemi ne me idenë që, nëse askush, asnjë i varfër, sado i varfër nuk shkon në dyqan, të marrë bukën dhe të iki pa paguar se ka uri, askush nuk shkon në dyqan të marrë ujin dhe të iki pa paguar se ka etje, të marrë energjinë, të mos e paguajë dhe ta konsiderojë këtë një të drejtën e vet! E, në ndërkohë, të gjithë atyre që flasin në emër të të varfërve, unë u them se ndër personat me aftësi të kufizuar, që janë pjesa më vulnerabël e shoqërisë, faturimi është 93%.
93% është niveli më i lartë i faturimit i të gjitha kategorive shoqërore, përveç pensionistëve kryefamiljarë që janë më të dobëtit, që janë afro 100% . Pra, dy kategoritë më të varfra, jo vetëm që nuk ngrenë zërin, për të thënë që ne duam ta vjedhim energjinë se kjo nuk është vjedhje, por është e drejtë e njeriut, janë kontributorët më të rregullt në sistem.
Prandaj do tu lutesha të gjithë të tjerëve, që të mos flasin në emrin e tyre, por të marrin shembullin e tyre. Ajo çka kërkojnë pensionistët, ajo çka kërkojnë personat me aftësi të kufizuar, ajo çka kërkojnë njerëzit që kurrë nuk e kanë çuar ndërmend ta vjedhin energjinë elektrike, është të mos paguajnë dhe për ata që e vjedhin, por që të gjithë të paguajnë pjesën e tyre të detyrimit.
Sigurisht që heqja e fashës mund t’i rëndonte këto kategori dhe për këtë arsye, paralelisht me heqjen e fashës, kemi vendosur paralelisht me buxhetin që është çuar sot në Kuvend, rritjen e pensionit për pensionistët kryefamiljarë, rritjen e pagës për aftësi të kufizuar, për të gjithë personat me aftësi të kufizuar dhe rritjen e ndihmës ekonomike, për të gjitha familjet që përfitojnë ndihmë ekonomike, në mënyrë që asnjëri të mos ndjejë heqjen e fashës.
Katër herë është rritur në mënyrë dramatike, çmimi i energjisë elektrike ne Shqipëri. Të katër herët është thënë që Qeveria do t’i rimbursojë shtresat në nevojë. E të katër herët, ata që e kanë ngrënë më keq rritjen e çmimit kanë qenë shtresat në nevojë, sepse mekanizmat e rimbursimit kanë qenë joefikas.
Ndërkohë që ne nuk kemi ngritur një mekanizëm rimbursimi, por do të çojmë drejtpërdrejtë në librezën e pensionit, në librezën e aftësisë së kufizuar, në librezën e ndihmës ekonomike, paratë, për të rritur fuqinë paguese të këtyre shtresave. Këtu mbyllet biseda, mbyllet debati dhe çdo spekulim është i kotë dhe qesharak. Sepse askush nuk do të marrë përsipër të justifikojë vjedhjen me varfërinë, për më tepër që nuk janë më të varfrit që ndezin një llambën në një fshat të largët, apo që ndezin televizorin në një periferi të varfër, problemi ynë kryesor.
Katër gropat më të mëdha janë Tiranë, Durrës, Shkodër dhe Fier, aty ku është dhe aktiviteti më i madh ekonomik. Intensifikimi i operacionit do të vazhdojë aty ku është dhe aktiviteti më i madh ekonomik. Hajdutëria më e madhe vjen nga njësitë e bizneseve dhe njësitë tregtare. Aty ne do të vazhdojmë intensivisht, pastrimin e skemës së vjedhjes, në bashkëpunim me faturistët dhe me specialistët e OSHE, që janë hajdutë me damkë dhe që njerëzit kanë të drejtë të madhe kur ngrenë zërin dhe thonë: “Ata janë shkaku kryesor i kësaj batërdie”. Një korporatë hajdutësh e ngritur në vite të tëra, jo për të shërbyer publikun, por për të fryrë xhepat duke bërë lidhjet e paligjshme, në vend që të sigurojë që nuk ka lidhje të paligjshme.
Së fundi, dua të përsëris se plani ynë është shumë i qartë. Është një plan i ndërtuar me një vizion dhe objektiva afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë. Objektivi afatgjatë është që në 5 vjet, ne ta kthejmë energjinë nga një telash i madh në një burim fitimi, ta kthejmë kompaninë nga një gërmadhe ku të gjithë mundohen të shkulin ndonjë copë, në një kompani fitimprurëse dhe të shërojmë të gjithë zinxhirin e kompanive brenda sistemit, duke bërë që energjia të jetë burim real i rritjes ekonomike për vendin tonë, të jetë burim real për punësimin në vendin tonë, të jetë burim real transformimi.
E kam sjelle disa here shembullin e Norvegjisë. Besoj që është shembulli më kuptimplotë për t’i dhënë fund kësaj fjale. Norvegjia është vendi më i pasur me burime hidrike dhe potencial hidroenergjitik në Europë. Shqipëria figuron të jetë e dyta, mbas Norvegjisë. Norvegjia e ka transformuar këtë potencial në fuqi ekonomike, të atillë që sot është një nga vendet më të fuqishme jo vetëm në Europë, por dhe në botë. Shqipëria është e para, nga mbrapa.
Të gjithë i shikojnë me zili pasuritë tona ujore dhe potencialin tonë elektroenergjitik dhe askush nuk mund ta kuptojë dot, se si ky vend, në shekullin e 21-të lëngon i kapur për fyti nga gjithë sistemi i lidhjeve të paligjshme dhe gjithë sistemi i vjedhjes së vetvetes, duke e transformuar gjithë këtë pasuri të madhe në një telash të madh.
Të gjithë duhet ta kuptojnë se çfarë po bëjmë sot, është të mbjellim për të arritur të korrim diçka krejt tjetër nga pasojat që kemi korrur në 20 vjet, për shkak të politikave dritëshkurtra, afatshkurtra, “shtyje ta shtyjmë”, “ç’na duhet ne”, “prit se kjo do ta shkaktojë kosto elektorale”, “do humbasim vota këtu, do humbasim vota atje”, “nuk do rrimë më dot në pushtet”.
Në rast se zgjedhja është të rrimë më gjatë në pushtet, duke e zgjatur zinxhirin e problemeve, apo të rrimë më shkurt në pushtet, duke e këputur zinxhirin e problemeve, ne nuk kemi asnjë dileme që i përkasim me mish e me shpirt, të dytës.
Nuk kemi ardhur këtu të mbretërojmë, as të rrimë për pjesën e mbetur të jetës në karrige, por kemi ardhur këtu, për të bërë një detyre. Kemi marrë një mandat, kemi lexuar qartë votën e 23 qershorit dhe mbi të gjitha, në momentet kur duhen marrë vendimet e vështira, detyra jonë është të udhëheqim dhe jo të udhëhiqemi nga fryma populiste, apo nga frika se vendimet e drejta mund të na kushtojnë votat.
Unë jam i bindur se shqiptarët kanë ndjeshmërinë e mjaftueshme dhe zgjuarsinë e mjaftueshme, për t’i kuptuar vendimet e drejta. Jam i bindur që shqiptarët janë gati për të bashkuar energjinë e tyre në funksion të zbatimit të vendimeve të drejta. Nuk kam pikën e dyshimit, që shqiptarët e zakonshëm të dyshojnë se ka ardhur koha që kjo rrumpallë 20 vjeçare në të gjithë sektorët të marrë njëherë e përgjithmonë fund dhe që ky tranzicion i pafund, që na është shitur si sukses i madh botëror, të marrë njëherë e përgjithmonë fund. Dhe që gjithë lëngata që pason me papunësinë, me varfërinë e me probleme nga më të ndryshmet të marri fund. Jo për ta bërë Shqipërinë të dytën, pas Gjermanisë, se nuk e kemi këtë ambicie, pasi s’kemi ndërmend të dorëzohemi në krahët e propagandës, po duam të flasim me gjuhën e rezultateve, por për ta bërë Shqipërinë një vend të aftë që të shfrytëzojë aftësitë e veta dhe t’i transformojë ato, në histori suksesi ekonomik dhe shoqëror.
Faleminderit!
***
Qeveria e Shqipërisë dhe Banka Botërore nënshkruan sot, paketën prej 150 milion USD për financimin e projektit të rimëkëmbjes së sektorit energjetik.
Në këtë ceremoni morën pjesë Kryeministri Edi Rama, Drejtoresha Rajonale për Ballkanin Perëndimor në Bankën Botërore, Ellen Goldstein, Drejtoresha e Bankës Botërore në Shqipëri, Tahsin Sajed, Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, ai i Financave, Shkëlqim Cani dhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj.
Për Bankën Botërore, marrëveshja u firmos nga Drejtoresha Sajed, ndërsa për palën shqiptare nënshkruan Ministri i Financave Shkëlqim Cani, administratori i Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare, Agron Hetoja, administratori i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, Arben Seferaj dhe ai i Operatorit të Sistemit të Transmetimit, Ëngjëll Zeqo.
Projekti përbëhet nga katër komponentë. Komponenti i parë prej 30 milion USD mbështet KESH-in për plotësimin e nevojave për energji elektrike. Ky komponent synon të garantoje në terma afat-shkurtër për dimrin e ardhshëm sasi të mjaftueshme energjie për plotësimin e nevojave të tregut të rregulluar, ndërsa në periudhën afatmesme, ky komponent nuk pritet të jete i nevojshëm si rezultat i reformave të pritshme.
Komponenti i dytë prej 93 milion USD shkon si mbështetje për OSHEE, për zvogëlimin e humbjeve, rritjen e arkëtimeve, rritjen e sigurisë së furnizimit të energjisë nëpërmjet blerjes dhe instalimit të pajisjeve e komponentëve të sistemit të shpërndarjes, financimit për kryerjen e investimeve në nivele të ndryshme tensioni dhe pajisjes së tyre me sistemin përkatës të matjes, instalimin me matësa te konsumatorëve të cilët nuk janë të pajisur me to, si dhe përgatitjes dhe përdorimin e një sistemi të përmirësuar të faturimit dhe arkëtimit, duke ofruar edhe trajnimet përkatëse për stafin zbatues.
Komponenti i tretë në vlerën 20 milion USD do të mbështesë në rritjen e kapacitetit të OST-së, nëpërmjet pajisjen me matëse të energjisë dhe përmirësimin e qendrës së të dhënave, si dhe furnizimin dhe instalimin e një sistemi IT për qendrën e të dhënave të OST.
Komponenti i katërt në vlerën 7 milion USD shkon për zbatimin e projektit dhe mbështetje për reformat në sektorin energjetik, duke lehtësuar rimëkëmbjen e sektorit, përmirësuar menaxhimin e shoqërisë së shpërndarjes dhe ofrimin e shërbimeve teknike këshilluese. Data e mbylljes së Projektit është parashikuar 1 Gusht 2019.
Ministri Gjiknuri, duke folur për qëllimin dhe përmbajtjen e Marrëveshjes, u shpreh se synohet që të kthehet sektori energjetik nga një sektori i zhytur në borxhe sot, në një sektor financiarisht të qëndrueshëm, duke filluar nga viti 2018.
“Reformat që do të ndërmarrim synojnë shëndoshjen dhe qëndrueshmërinë financiare, liberalizimin e tregut, që do të nxisë rritjen e investimeve në tregun e energjetik,” – u shpreh ministri Gjiknuri.
Ndërsa Ellen Goldstein, së pari, falënderoi për arritjen e kësaj Marrëveshjeje, Qeverinë shqiptare e cila, sipas saj, mori masat e nevojshme për të parandaluar krizën në sektorin energjetik.
“I jam mirënjohëse Qeverisë shqiptare që e kuptoi situatën, i kuptoi vështirësitë dhe mori masat nevojshme. Sot, humbjet në sektorin energjetik janë 55 miliardë lekë dhe kjo pritet që në vitin 2015 të shkojë në 80 miliardë lekë, nëse nuk do ndërmerren reforma serioze, që do të thotë që Qeveria në vend t’i investojë këto lekë për rrugë e shkolla, do t’i derdhë në këtë sektor.”
Znj.Goldstein i quajti mungesë përgjegjshmërie, problemet historike në këtë elektroenergjetik, duke përfshirë edhe konfliktin me CEZ-in, ndërsa shprehu mbështetjen për masat e Qeverisë për t’i dhënë fund abuzimeve në këtë sektor.
“Si mund të jetë ky sektor i qëndrueshëm, nëse gjysma e energji vidhet, nëse institucionet publike nuk paguajnë energjinë e tyre? Më inkurajojnë të gjitha masat që janë marrë për t’i dhënë fund abuzimeve në këtë sistem. Fasha 300 KW ka qenë gjithmonë një element që ka gjeneruar abuzime dhe heqja e saj është e domosdoshme, në mënyrë që të sigurohet edhe aksesi në sektorin energjetik, nga të varfrit dhe ata që janë me mungesa të burimeve,” – u shpreh Drejtorja e BB.
Për znj. Goldstein, reformat e vonuara e bëjnë dhimbjen më të madhe dhe minojnë prosperitetin. Prandaj, ajo apeloi: “përqafojeni sot, reformën”.
“Në raportin “Të bësh biznes” Shqipëria për herë të parë arriti të jetë 41 vende më lart në listën e vendeve. Shqipërisë i mbeten shumë reforma për të bërë, por të paktën kemi parë disa zhvillime pozitive deri tani, sidomos në fushën e energjisë. Të gjitha masat që qeveria ka marrë po krijojnë kushtet për rritjen e qëndrueshme dhe stabilizimin fisklat vendit. Në këto 14 muajt e fundit kemi parë progres në prioritete kryesore të Shqipërisë. Janë arritur shumë gjëra, por ajo që mund të themi është se në këtë moment, ky është një rast që mund të shfrytëzohet për më tej. Shqipëria është një vend që udhëheq me reformat në Ballkan. Reformat e vonuara vetëm sa e bëjnë dhimbjen më të madhe dhe situatën më të keqe dhe minojnë prosperitetin. Prandaj, ju lutem përqafojeni sot, reformën,” – u shpreh Drejtorja e Bankës Botërore për Rajonin.