Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Deklaratë e Ministres së Shtetit për  Marrëdhëniet me Parlamentin, Ermonela Felaj:

Neni 158 i Kushtetutës së Shqipërisë përcakton një detyrim të qartë për Qeverinë, paraqitjen në Kuvend brenda sesionit të vjeshtës, të projektligjit për Buxhetin e Shtetit. Sesioni i vjeshtës nuk mund të mbyllet pa miratimin e projektbuxhetit të shtetit, kështu shprehet Kushtetuta. Pra, Qeveria, nga njëra anë dhe Parlamenti, në anën tjetër, si rrallë herë më parë, këtë herë bashkëveprojnë për të plotësuar jo thjesht formalisht një kërkesë të Kushtetutës, por, më së pari, një detyrim përkundrejt qytetarëve dhe institucioneve të këtij vendi, që ndryshe nga sa më parë meritojnë të buxhetohen në kohën dhe në mënyrën e duhur për nevojat e tyre financiare.

Buxheti i Shtetit, sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, përfshin të gjitha shpenzimet e shtetit dhe ju e kuptoni sesa i rëndësishëm është shfrytëzimi i kohës për të vendosur sëbashku me institucionet, me personat ose grupet e interesuara, se sa dhe si do të shpenzohet në vitin 2015, si do të mund t’i përdorin, me sa më shumë efektivitet, të ardhurat e mbledhura prej taksave, tatimeve dhe detyrimeve të tjera financiare gjatë këtij viti, për të vijuar me investime të rëndësishme në arsim, në shëndetësi, në bujqësi dhe në infrastrukturë.

Miratimi buxhetit 2015 brenda sesionit të vjeshtës do të thotë që ky buxhet, ndryshe nga sa më parë, të bëhet aktiv që në fillim të muajit janar 2015. Qeveria, duke dorëzuar projektligjin për buxhetin brenda afatit kushtetues, i jep mundësi Parlamentit, që brenda një kohe tërësisht të arsyeshme, nëpërmjet dëgjesave publike të marrë mendime, vërejtje nga institucionet dhe publiku, me qëllim përmirësimin e projektit dhe konsolidimin e tij.

Në ditët në vijim, konform rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, neneve, si 78 dhe vijues, do të zhvillohet Konferenca e Kryetarëve, në të cilën do të prezantohet përmbajtja e projektligjit për Buxhetin, sëbashku me paketën fiskale. Ky prezantim do të bëhet nga Ministri Financave dhe më tej do të vendoset edhe për kalendarin e veçantë të punimeve në komisionet e përhershme parlamentare dhe në seancë parlamentare. Dhënia e mundësisë, grupeve të interesit dhe e zgjedhësve për t’u përfshirë në diskutimin e projektbuxhetit, është konfirmim i shpënies deri në fund të angazhimeve që Aleanca jonë për Shqipërinë Europiane ka marrë përkundrejt qytetarëve shqiptarë.

Ju faleminderit.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.