Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 13 Mars 2023:

 

VENDIM
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË MALIT TË ZI, PËR NDËRTIMIN E URËS NDËRKUFITARE MBI LUMIN BUNA/BOJANA”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutësdhe tënenit 17, të ligjit 43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I :

Propozimin e projektligjit “Përratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Malit të Zi, për ndërtimin e urës ndërkufitare mbi lumin Buna/Bojana”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

###

P R O J E K T L I GJ
PËR

RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË MALIT TË ZI, PËR NDËRTIMIN E URËS NDËRKUFITARE MBI LUMIN BUNA/BOJANA

Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Neni 1

Ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Malit të Zi, për ndërtimin e urës ndërkufitare mbi lumin Buna/Bojana, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij ligji.

Neni 2

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA

***

P R O J E K T L I GJ
PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.69/2012,“PËR SISTEMIN ARSIMOR PARAUNIVERSITAR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Në ligjin nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

Neni 1

1. Pas pikës 5, të nenit 2, shtohen pikat 5/1, 5/2 dhe 5/3, me këtë përmbajtje:

“5/1. “Shkollë e bashkuar” është institucioni arsimor parauniversitar publik, që përfshin nxënës të disa niveleve arsimore, sipas përcaktimeve të këtij ligji;
5/2. “Qendër Burimore” është institucioni arsimor parauniversitar, që ofron arsim special dhe shërbime të veçanta për fëmijët me aftësi të kufizuara;
5/3. “Shkollë me status të veçantë” është institucioni arsimor parauniversitar publik, i arsimit të orientuar me drejtim artistik dhe sportiv.

Neni 2
Në nenin 22 bëhen këto ndryshime:

1. Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“3. Shkollat e arsimit të orientuar nisin në klasa të arsimit bazë, duke siguruar formimin e nevojshëm të nxënësve në lëndët e kulturës së përgjithshme.Në shkollat e arsimit bazë mund të krijohen klasa të arsimit të orientuar, sipas rregullave dhe procedurave, të përcaktuara me udhëzim të ministrit përgjegjës për arsimin.”.

2. Fjalia e parë dhe e dytë, e pikës 4, ndryshohen, si më poshtë vijon:

“Arsimi bazë me kohë të plotë është i detyrueshëm për të gjithë fëmijët me banim në Republikën e Shqipërisë, nga mosha gjashtë deri në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeç, me përjashtim të rasteve të parashikuara në këtë ligj. Nxënësi ka të drejtë ta ndjekë arsimin bazë me kohë të plotë, kur mbush moshën gjashtë vjeç edhe pas fillimit të vitit shkollor, deri më 31 dhjetor të po atij viti kalendarik, deri në moshën shtatëmbëdhjetë vjeç.”.

Neni 3

Pas pikës 4, të nenit 24, shtohet pika 5, me këtë përmbajtje:

“5. Shkollë me status të veçantë është institucioni arsimor publik parauniversitar, me strukturë organizimi, kurrikul dhe mënyrë financimi të ndryshme nga institucionet arsimore publike parauniversitare. Kriteret e posaçme dhe procedurat për përfitimin e këtij statusi përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”.

Neni 4

Pas nenit 24 shtohet neni 24/1, me këtë përmbajtje:

“Neni 24/1
Shkolla e bashkuar

Shkolla e bashkuar është institucioni arsimor parauniversitar publik, në të cilën përfshihen nxënës nga nivelet arsimore me kodet 1, 2, 3 ose vetëm disa prej tyre. Në këto shkolla mund të përfshihen edhe grupe të arsimit parashkollor. Mësimi në këto shkolla realizohet në një ose disa godina mësimore me vendndodhje të ndryshme.”.

Neni 5

Pas shkronjës “ç”, të pikës 2, të nenit 28, shtohet shkronja “d”, me këtë përmbajtje:

“d) planifikimin e nevojave për ndërtimin dhe rikonstruksionin e godinave të institucioneve arsimore parauniversitare, pas marrjes së mendimit të ministrisë përgjegjëse për arsimin për planifikimin dhe shpërndarjen e nxënësve në territorin e njësisë së vetëqeverisjes vendore përkatëse.”.

Neni 6

Pika 1, e nenit 38, shfuqizohet.

Neni 7

Në nenin 42 bëhen këto shtesa:

1. Në titull, pas fjalëve “… institucioneve arsimore private” shtohen“… dhe institucioneve arsimore plotësuese private.”.

2. Në pikën 1, pas fjalëve “Institucionet arsimore private …” shtohen “… dhe institucionet plotësuese private …”.

3. Në pikën 2, pas fjalëve “… institucioneve private …” shtohen“… dhe institucioneve plotësuese private …”.

4. Në pikën 3, pas fjalëve “… institucioneve arsimore private …”shtohen“… dhe institucioneve arsimore plotësuese private …”.

5. Në pikën 7,pas fjalëve “Institucioni arsimor privat …” shtohen “… dhe institucioni arsimor plotësues privat …” dhe pas fjalëve “… institucionit arsimor privat …” shtohen “… dhe institucionit arsimor plotësues privat …”.

Neni 8

Neni 55 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 55
Emërimi, ulja në detyrë, pezullimi dhe shkarkimi i drejtuesit të institucionit arsimor parauniversitar

1. Drejtori i institucionit arsimor publik emërohet nga titullari i institucionit rajonal arsimor përkatës, përgjegjës për arsimin parauniversitar, pas propozimit të dy kandidatëve që vlerësohen me konkurrim të hapur nga komisioni i vlerësimit. Komisioni përbëhet nga një përfaqësues i njësisë bazë të vetëqeverisjes vendore, një përfaqësues i institucionit arsimor vendor përgjegjës për arsimin parauniversitar, kryetari i bordit të institucionit, kryetari i këshillit të prindërve të institucionit dhe dy mësues të institucionit arsimor, të zgjedhur nga këshilli i mësuesve. Njëri prej dy mësuesve, me përvojën më të gjatë në atë institucion arsimor, drejton komisionin e vlerësimit.

2. Nëndrejtori i institucionit arsimor publik emërohet nga titullari i institucionit publik arsimor parauniveristar (IPAP) përkatës, pas propozimit të dy kandidatëve, që vlerësohen me konkurrim të hapur nga komisioni i vlerësimit. Komisioni përbëhet nga kryetari i bordit të IPAP-së, kryetari i këshillit të prindërve të IPAP-së, dy mësues të IPAP-së, të zgjedhur nga këshilli i mësuesve dhe një përfaqësues i ZVAP-së, i caktuar nga drejtori i institucionit vendor përgjegjës për arsimin parauniveritar, pas njoftimit zyrtar të drejtorit të IPAP-së. Njëri prej 2 (dy) mësuesve, me përvojën më të gjatë në atë IPAP, drejton Komisionin.

3. Kandidati për drejtor dhe nëndrejtor i institucionit arsimor duhet të ketë, të paktën, kategorinë “Mësues i kualifikuar” dhe të jetë i pajisur me certifikatën e drejtuesit të institucionit arsimor parauniversitar. Certifikimi i kandidatit për drejtor dhe nëndrejtor i institucionit arsimor kryhet pas zhvillimit të trajnimit të detyrueshëm përgatitor në shkollën e drejtorëve, për drejtimin e institucionit arsimor. Në rastet kur asnjë nga kandidatët për drejtor ose nëndrejtor nuk është i pajisur me certifikatën e drejtuesit të institucionit arsimor parauniversitar, komisioni propozon dy kandidatë që vlerësohen, sipas pikave 1 dhe 2 të këtij neni. Titullari i institucionit përkatës emëron një nga kandidatët për një periudhë 1-vjeçare, me kushtin që kandidati të jetë pranuar në shkollën e drejtorëve. Pas përfundimit të kësaj periudhe, rishpallet procedura për përzgjedhjen e drejtuesit të institucionit arsimor, sipas pikave 1 dhe 2, të këtij neni.

4. Drejtuesi i institucionit arsimor nuk mund të jetë anëtar i forumeve drejtuese të partive politike.

5. Titullari i institucionit rajonal arsimor përkatës, përgjegjës për arsimin parauniversitar, ul në detyrë, pezullon, shkarkon apo përfundon marrëdhëniet e punës për drejtorin e institucionit parauniversitar arsimor publik në rastet, si më poshtë vijon:

a) Drejtori i IPAP-së ulet në detyrë në rast se, pas vlerësimit vjetor të performancës, nga ana e institucionit vendor përgjegjës për arsimin parauniveritar, rezulton me performancë jo të kënaqshme. Ndaj tij merret masa disiplinore e uljes në detyrë nga titullari i institucionit rajonal përgjegjës për arsimin parauniversitar dhe kalon në pozicionin e punës si mësues në profilin e tij, brenda të njëjtit institucion arsimor ose në institucionin arsimor më të afërt, brenda të njëjtit institucion vendor përgjegjës për arsimin parauniversitar.”.

b) Për drejtorin e IPAP-së pezullohen marrëdhëniet e punës dhe efektet financiare, deri në shpalljen e vendimit të formës së prerë ndaj tij nga gjykata kompetente, në rastet kur:

i. gjykata ka vendosur masat e sigurimit personal ndaj tij ose;
ii. është në proces hetimi për kryerjen e një vepre penale, sipas nenit 60/1, të këtij ligji.

c) Drejtori i IPAP-së shkarkohet në rastet, si më poshtë vijon:

i. Ka një vendim të formës së prerë ndaj tij nga gjykata kompetentepër kryerjen e një vepre penale, sipas nenit 60/1, të këtij ligji, apo të një vepre penale që dënohet me burgim;
ii. Pas rekomandimeve të institucioneve përgjegjëse për inspektimin, sigurimin e cilësisë, vlerësimin, menaxhimin, ndjekjen dhe kontrollin e institucioneve të arsimit parauniversitar, për pajtueshmërinë e veprimtarisë së tyre me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi, për parregullsi ose dobësi të theksuara në menaxhimin e IPAP-së;
iii. Ka rast të përsëritur të shkeljeve, për të cilat është ende në fuqi masa e vendosur nga Komisioni i Disiplinës “paralajmërim për largim nga puna”;
iv. Ka kryer shkelje të procedurave të zhvillimit të provimeve kombëtare të arsimit bazë dhe/ose të Maturës Shtetërore;
v. Ka organizuar ose ka lejuar gjatë procesit mësimor pjesëmarrjen e mësuesve apo tënxënësve në veprimtari partiake ose ka marrë pjesë në to;
vi. Konstatohet se pas emërimit, drejtori i IPAP-së bën pjesë në forumet drejtuese të partive politike. Në këtë rast, drejtori i institucionit vendor përgjegjës për arsimin parauniversitar i kërkon zyrtarisht institucionit rajonal përgjegjës për arsimin parauniveristar shkarkimin e drejtorit të IPAP-së nga funksioni që kryen. Ky vendim merret jo më shumë se pesë ditë pas kërkesës;
vii. IPAP-ja që ai drejton ka dy vlerësime të njëpasnjëshme “Dobët”, nga institucioni vendor përgjegjës për arsimin parauniversitar;
viii. Kur ka kryer veprimtari në kundërshtim me aktet nënligjore të nxjerra nga ministri përgjegjëspër arsimin parauniversitar.

ç) Përfundimi i marrëdhënies së punës së drejtorit të IPAP-së bëhet në këto raste:

i. Jep dorëheqjen;
ii. Mbush moshën e pensionit;
iii. Me vendim të komisionit mjekoligjor provohet paaftësia për kryerjen e detyrave;
iv. Merret masa disiplinore e largimit nga puna.

6. Titullari i institucionit arsimor përkatës ul në detyrë, pezullon, shkarkon, apo përfundon marrëdhëniet e punës për nëndrejtorin e institucionit parauniversitar arsimor publik në rastet, si më poshtë vijon:

a) Nëndrejtori i IPAP-së ulet në detyrë në rast se pas vlerësimit vjetor të performancësnga drejtori i IPAP-së, rezulton me performancë jo të kënaqshme. Ndaj tij merret masa disiplinore e uljes në detyrë nga titullari i IPAP-së dhe kalon në pozicionin e punës si mësues në profilin e tij, brenda të njëjtit institucion arsimor ose në institucionin arsimor më të afërt, brenda të njëjtit institucion vendor përgjegjës për arsimin parauniversitar;
b) Për nëndrejtorin e IPAP-së pezullohen marrëdhëniet e punës dhe efektet financiare, deri në shpalljen e vendimit të formës së prerë ndaj tij nga gjykata kompetente, në rastet kur:

i. gjykata ka vendosur masat e sigurimit personal ndaj tij ose;
ii. është në proces hetimi për kryerjen e një vepre penale, sipas nenit 60/1, të këtij ligji.

c) Drejtori i IPAP-së shkarkon nëndrejtorin e IPAP-së kur:

i. ka një vendim të formës së prerë ndaj tij nga gjykata kompetente për kryerjen e një vepre penale, sipas nenit 60/1, të këtij ligji, apo të një vepre penale që dënohet me burgim;
ii. pas rekomandimeve të institucioneve përgjegjëse për inspektimin, sigurimin e cilësisë, vlerësimin, menaxhimin, ndjekjen dhe kontrollin e institucioneve të arsimit parauniversitar, për pajtueshmërinë e veprimtarisë së tyre me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi, për parregullsi ose dobësi të theksuara në realizimin e detyrave të ngarkuara për menaxhimin e IPAP-së;
iii. ka rast të përsëritur të shkeljeve, për të cilat është ende në fuqi masa e vendosur për “paralajmërim për largim nga puna”;
iv. konstatohet se pas emërimit, nëndrejtori i IPAP-së bën pjesë në forumet drejtuese të partive politike. Në këtë rast, drejtori i IPAP-së merr vendimin përfundimtar për shkarkimin e nëndrejtorit të IPAP-së, jo më vonë se 5 (pesë) ditë pas konstatimit;
v. ka kryer veprimtari në kundërshtim me aktet nënligjore të nxjerra nga ministri përgjegjës për arsimin.

ç) Përfundimi i marrëdhënies së punës së nëndrejtorit të IPAP-së bëhet kur:

i. jep dorëheqjen;
ii. mbush moshën e pensionit;
iii. me vendim të komisionit mjekoligjor provohet paaftësia për kryerjen e detyrave;
iv. merret masa disiplinore e largimit nga puna nga drejtori i IPAP-së.

7. Masat e sipërcituara të dhëna ndaj drejtorit dhe nëndrejtorit të institucionit arsimor parauniversitar publik jepen në proporcion me shkeljen dhe bazohen në kriteret e mëposhtme:

a) shkallën e pakujdesisë;
b) shpeshtësinë e kryerjes së veprimit ose mosveprimit apo sjelljes;
c) përvojën dhe pozicionin në sistemin arsimor;
ç) dëmtimin, mundësinë e shkaktimit të dëmtimit ose shkallën e pasojave që kanë ardhur ose mund të vijnë nga veprimi apo mosveprimi.

8. Drejtori dhe nëndrejtori kanë të drejtë të dëgjohen nga titullari i institucionit përkatës, para se të merret njëra prej masave të sipërcituara. Seanca dëgjimore dokumentohet me procesverbal.

9. Emërimi dhe/ose shkarkimi i drejtorit dhe nëndrejtorit në institucionin arsimor privat kryhet sipas procedurave të përcaktuara nga vetë institucioni në rregulloren e tij. Kriteret e kualifikimit, të përcaktuara për drejtorin dhe nëndrejtorin e institucionit arsimor publik, janë të njëjta edhe për drejtorin dhe nëndrejtorin e institucionit arsimor privat.
10. Rregullat dhe procedurat për emërimin, uljen në detyrë, pezullimin dhe shkarkimin e drejtorit dhe nëndrejtorit të institucionit përcaktohen me udhëzim të ministrit.”.

Neni 9

Në nenin 55/1 bëhen këto shtesa:

1. Në pikën 2, pas fjalës “… mësues…” shtohen fjalët “… në arsimin parashkollor …”.

2. Pas pikës 2 shtohet pika 2/1, me këtë përmbajtje:

“2/1.Në rastet kur asnjë nga kandidatët për drejtor nuk është i pajisur me certifikatën e drejtuesit të institucionit arsimor parauniversitar, komisioni propozon dy kandidatë që vlerësohen, sipas pikës 1, të këtij neni. Kryetari i njësisë së vetëqeverisjes vendore përkatëse emëron një nga kandidatët për një periudhë 1-vjeçare, me kushtin që kandidati të jetë pranuar në Shkollën e Drejtorëve. Pas përfundimit të kësaj periudhe, rishpallet procedura për përzgjedhjen e drejtuesit të institucionit arsimor, sipas pikës 1, të këtij neni.”.

3. Në pikën 4, në fund të fjalisë së parë, shtohenfjalët “… i cili konfirmohet nga institucioni përgjegjës për licencimin.”.

Neni 10

Pas pikës 5, të nenit 57, shtohet pika 6, me këtë përmbajtje:

“6. Për nevoja të procesit mësimor, institucioni vendor përgjegjës për arsimin parauniversitar emëron mësues në dispozicion, që plotësojnë kriteret e këtij neni.”.

Neni 11

Në nenin 60 bëhen këto ndryshime:

1. Titulli i nenit ndryshon dhe bëhet “Pranimi, pezullimi dhe largimi nga puna i mësuesit”.

2. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Në institucionin arsimor publik, përfshirë dhe atë parashkollor, pranimi dhe emërimi i mësuesit në një vend të lirë pune mbështetet në parimin e meritës dhe të drejtën për zgjedhjen e institucionit arsimor. Emërimi i mësuesit bëhet nga drejtori i institucionit arsimor, sipas renditjes në portalin “Mësues për Shqipërinë”, përveç mësuesit në dispozicion, i cili emërohet nga titullari i institucionit arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar, sipas renditjes në portal.”.

3. Pas pikës 2 shtohet pika 2/1, me këtë përmbajtje:

“ 2/1. Drejtori i IAP-së merr masën e pezullimit ndaj mësuesit, në rastet kur:

a) gjykata ka vendosur masat e sigurimit personal;
b) mësuesi është në proces hetimi për kryerjen e një vepre penale, sipas nenit 60/1, të këtij ligji.”.

4. Pas pikës 3 shtohet pika 4, me këtë përmbajtje:

“4. Procedurat e pranimit, pezullimit dhe të largimit të mësuesit dhe mësuesit në dispozicion nga një vend pune, si dhe administrimi i portalit “Mësues për Shqipërinë” përcaktohen me udhëzim të ministrit.”.

Neni 12

Pas nenit 60 shtohet neni 60/1, me këtë përmbajtje:

“Neni 60/1
Ndalimi për të punuar në sistemin arsimor parauniversitar

Punonjësi arsimor, si dhe çdo punonjës tjetër i sistemit arsimor, që punon me fëmijët, nuk mund të punësohet dhe, kur është i punësuar, përfundon marrëdhënien e punës, në rast se:

a) është i regjistruar në Regjistrin Kombëtar të të Dënuarve për Krime Seksuale; ose
b) është dënuar me vendim penal të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale, që, për shkak të natyrës së veprës së kryer, diskrediton pozitën dhe figurën e punonjësit arsimor ose dëmton rëndë besimin e publikut në sistemin arsimor, pavarësisht, nëse është rehabilituar sipas parashikimeve të Kodit Penal.”.

Neni 13

Pas nenit 64 shtohet neni 64/1, me këtë përmbajtje:

“Neni 64/1
Arsimimi i fëmijëve me aftësi të kufizuara në qendra burimore

1. Qendër Burimore është institucioni i arsimit special, që ka për qëllim të mbështesë arsimimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara, duke përmirësuar në vijimësi rezultatet e të nxënit dhe t’i përgatisë ata për gjithëpërfshirjen dhe aftësimin për jetën, duke zhvilluar aftësitë e duhura në të gjitha fushat e përditshmërisë së tyre, sipas legjislacionit në fuqi për aksesueshmërinë dhe mosdiskriminimin.

2. Me urdhër të ministrit përgjegjës për arsimin krijohen qendrat burimore, si institucione arsimore parauniversitare që ofrojnë arsim special dhe shërbime për fëmijë me aftësi të kufizuara, sipas legjislacionit në fuqi për aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuara.

3. Qendrat burimore kanë punonjës të specializuar në aftësinë e kufizuar, si mësues të arsimit special, mjekë, punonjës të shërbimit psikosocial, terapistë, që ofrojnë shërbime mbështetëse dhe rehabilituese të specializuara për fëmijët me aftësi të kufizuara edhe në shkollat e zakonshme.

4. Qendrat burimore sigurojnë mbështetje për gjithëpërfshirjen, në kuadër të burimeve që kanë në dispozicion, në bazë të kërkesave të institucioneve arsimore parauniversitare, që arsimojnë nxënësit me aftësi të kufizuara.

5. Kriteret dhe procedurat për hapjen, mbylljen dhe riorganizimin e institucioneve të arsimit special në qendra burimore, si dhe mënyra e organizimit dhe funksionimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”.

Neni 14

Pika 2, e nenit 69ndryshohet, si më poshtë vijon:

“2. Vendimi për dënimin e kundërvajtësit, sipas pikës 1, të këtij neni, është në kompetencën e institucionit përgjegjës për ofrimin dhe sigurimin e shërbimit arsimor dhe merret në vend me konstatimin e shkeljes nga inspektori i autorizuar nga institucioni përgjegjës për ofrimin dhe sigurimin e shërbimit arsimor, sipas legjislacionit për inspektimin.”.

Neni 15

Në nenin 70 bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

1. Kudo në këtë nen, fjalët “… institucioni përgjegjës për sigurimin e cilësisë …” zëvendësohenme “… institucioni përgjegjës për ofrimin dhe sigurimin e shërbimit arsimor …”.

2. Në pikën 1,pas fjalëve “… që konstatohet dhe dënohet nga …” shtohen“… inspektori i autorizuar nga …”.

3. Në pikën 2,pas fjalëve “Kur është e nevojshme …” shtohen “… inspektori i autorizuar nga …”.

4. Në pikën 3,pas fjalëve“… për institucionin arsimor privat …,” shtohen “… nëse inspektori i autorizuar nga …” dhe pas fjalëve “… nëse është e nevojshme …” shtohen “… institucioni përgjegjës për ofrimin dhe sigurimin e shërbimit arsimor …”.

5. Pas pikës 3 shtohet pika 3/1, me këtë përmbajtje:

“3.1 Procedura që ndiqet nga inspektori i autorizuar nga institucioni përgjegjës për ofrimin dhe sigurimin e shërbimit arsimor, sipas pikave 1,2 dhe 3, të këtij neni, rregullohet nga legjislacioni për inspektimin.”.

Neni 16

Në nenin 71 bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

1. Në pikën 1, të nenit 71, fjalët “… institucioni përgjegjës për sigurimin e cilësisë në arsimin parauniversitar …”, zëvendësohen me “… inspektori i autorizuar ngainstitucioni përgjegjës për ofrimin dhe sigurimin e shërbimit arsimor, sipas legjislacionit për inspektimin …”.

2. Në pikën 3, të nenit 71, fjalët “… institucioni përgjegjës për sigurimin e cilësisë …” zëvendësohen me “… institucioni përgjegjës për ofrimin dhe sigurimin e shërbimit arsimor …”.

Neni 17
Dispozitë kalimtare

Kriteri i trajnimit dhe pajisjes me certifikatën e drejtuesit të institucionit arsimor, si dhe drejtuesit të institucionit arsimor parashkollor, sipas pikës 3, të nenit 55,dhe të pikës 2, të nenit 55/1, të ligjit, nuk zbatohet deri në 2 vite nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

Neni 18
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

KRYETARI
LINDITA NIKOLLA

###

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.69/2012, “PËR SISTEMIN ARSIMOR PARAUNIVERSITAR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

P R O J E K T L I GJ
PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.15/2019,“PËR NXITJEN E PUNËSIMIT”

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Në ligjin nr.15/2019, “Për nxitjen e punësimit”, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

Neni 1

Në nenin 3 bëhen këto shtesa:

1. Në shkronjën “h”, të pikës 4, pas fjalëve “… të rinjtë me moshë nën 29 vjeç …” shtohen “… që nuk janë në punësim, arsim ose formim profesional…”.

2. Pas pikës 20 shtohet pika “21”, me këtë përmbajtje:

“21. Kuponi për financimin e formimit profesional” është kuponi që u jepet punëkërkuesve të papunë, të cilët ndjekin një kurs formimi profesional në subjektet private të formimit profesional.”.

Neni 2

Në nenin 11 bëhenndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:

1. Në pikën 2 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

a) Shkronja “gj” riformulohet, si më poshtë vijon:

“gj) programe sipas skemës së garancisë rinore;”.

b) Shkronja “k” riformulohet, si më poshtë vijon:

“k) këshillimin për punësim për grupet e veçanta;”.

c) Pas shkronjës “k” shtohet shkronja “l”, me këtë përmbajtje:

“l) skemën e kuponit për financimin e formimit profesional.”.

2. Në pikën 4, fjala “ … vendim …” zëvendësohet me “…vendime…”.

Neni 3

Pas nenit 11 shtohet neni 11/1, me këtë përmbajtje:

“Neni 11/1
Skema e garancisë rinore

1. Skema e garancisë rinore është pjesë e programeve të punësimit që mbështet të rinjtë, sipas nenit 3, pika 4, shkronja “h”, të këtij ligji.

2. Në kuadrin e skemës së garancisë rinore, të rinjve, sipas nenit 3, pika 4, shkronja “h”, të këtij ligji, u ofrohet një ofertë punësimi/arsimimi të vazhdueshëm/praktika profesionale, brenda një periudhe prej katër muajsh nga momenti i regjistrimit në zyrën përkatëse të punësimit.

3. Ministria përgjegjëse për politikat e punësimit dhe formimit profesional është përgjegjëse për hartimin e planit të zbatimit të skemës së garancisë rinore dhe koordinon zhvillimin e kuadrit ligjor të nevojshëm për zbatimin e tij.

4. Programet, sipas skemës së garancisë rinore, dhe procedurat e zbatimit përcaktohen nga Këshilli i Ministrave.”.

Neni 4

Në pikën 2, të nenit 14, bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:

1. Në shkronjën “d” hiqen fjalët “nxitjes së”.

2. Pas shkronjës “dh” shtohet shkronja “e”, me këtë përmbajtje:

“e) “… shërben si sekretariat teknik i Fondit Social të Punësimit, në përputhje me përcaktimet e legjislacionit në fuqi…”.

Neni 5

Pika 2, e nenit 20, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“2. Punëdhënësi, i cili nuk punëson numrin e përcaktuar të personave, sipas pikës 1, të këtij neni,derdh një kontribut për llogari të Fondit Social të Punësimit, në masën e 100 për qind të pagësminimale në shkallë vendi, për çdo muaj, për çdo person që i përket grupeve të përcaktuara në nenin 3, pika 4, shkronja “c”, të këtij ligji, që ai duhet të kishte punësuar, sipas këtij neni. Kontributi derdhet nga punëdhënësi dhe pasqyrohet në listëpagesën mujore të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, të deklaruar në sistemin on-line të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, institucion i cili luan rolin e agjentit tatimor për mbledhjen e kontributit. Procedurat dhe mënyra e derdhjes së kontributit përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për financat.”.

Neni 6

Në pikën 3, të nenit 21, në fund të fjalisë së dytë shtohen fjalët “… me përjashtim të të ardhurave nga buxheti i shtetit.”.

Neni 7

Pika 3, e nenit 24, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“3. Ngarkohet ministri përgjegjës për financat, që brenda datës 31.12.2023, të miratojë aktin nënligjor për procedurat dhe mënyrën e mbledhjes së kontributit për Fondin Social të Punësimit, në zbatim të nenit 20, pika 2, të këtij ligji.”.

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA

###

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.15/2019, “PËR NXITJEN E PUNËSIMIT””

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.15/2020, “Për nxitjen e punësimit””, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.