Dita e Verës, me festimet tradicionale në nderim të natyrës dhe bukurisë së jetës nisi edhe këtë vit nga Elbasani, qyteti simbol i festës, për t’u shtrirë në të gjithë vendin me një larmi aktivitetesh të gëzueshme që bënë bashkë qytetarët e të gjitha moshave.
Në respekt të traditës, Kryeministri Rama uroi Ditën e Verës për mbarë shqiptarët nga Elbasani, ku i shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë së qytetit Gledian Llatja, si dhe ministra të kabinetit e deputetë të zonës u ndal në disa prej eventeve të organizuara enkas për këtë ditë.
“Është një ditë e bukur që lajmëron pranverën. Ju uroj të gjithëve një rikthim të mbarë në ditët me diell dhe në stinët që sjellin më shumë optimizëm, por në Shqipërinë turistike që po zhvillohet vit pas viti të sjellin patjetër dhe më shumë ekonomi.
Ndërkohë që, më vjen mirë që pikërisht në pragun e kësaj stine ne kemi disa lajme shumë të mira për ata që punojnë dhe që besojnë tek puna, duke filluar nga paga minimale, e cila përtej të gjitha programeve elektorale të të gjitha partive për këtë mandat dhe përtej parashikimeve më optimiste është e mundur sot, që të ngrihet në 40 mijë lek dhe vendimi është marrë, zbatimi është duke filluar nga muaji prill për të gjitha kompanitë në të gjithë sipërmarrjen private dhe pa diskutim në të gjitha strukturat shtetërore.
Njëkohësisht kemi gati projektligjin për të mbajtur dhe premtimin e dhënë kahera që nuk do të kenë më tatimfitimin mbi pagën deri në 50 mijë lek të reja.
Ashtu sikundër, kemi dhe një proces të vetvetishëm, që me rritjen e pagës minimale duhet të rrisim të gjitha pagat e tjera për të pasur një pagë mesatare më të lartë sesa ajo që kemi sot. E kemi nisur si vrima e fundit e kavallit në rajon. Sot me pagën minimale të riparë shkojmë në një pozicion më të mirë edhe në rajon, duke lënë pas disa vende dhe sigurisht duke synuar të ngjitemi më lartë në vende të tjera.
Shpresoj shumë që kjo verë të na sjellë më në fund dhe lajmin e shumëpritur për rezervën e re të zbuluar të naftës dhe të gazit në Shpirag, çka do të na japë një frymëmarrje të re dhe sigurisht do të ndikojë drejtpërdrejtë në nivelin e jetesës, do të ndikojë drejtpërdrejtë në buxhetin tonë, në investime, por dhe në pagat.
Ndërkohë që, dua t’u bëj një urim shumë të veçantë pensionistëve dhe t’ju them që përtej të gjitha thashethemeve të përditshme dhe krejt të kota të politikës dhe të mediave, jo vetëm që nuk e kemi harruar premtimin për t’ju rishpërndarë pensionistëve një tjetër mbështetje speciale, duke shfrytëzuar si burim taksën e jashtëzakonshme mbi kompanitë e mëdha të energjisë që eksportojnë, por përkundrazi siç e kemi thënë, taksa mblidhet kësti i parë në prill dhe me t’u mbledhur taksa do të shikojmë menjëherë sesi kryesorja në administrimin e atyre të ardhurave do të jenë për pensionistët. Urime dhe gëzuar të gjithëve ju dhe paçi një stinë me diell, me dritë dhe mbi të gjitha me sa më shumë dritë në mendje dhe në zemër!” – uroi Kryeministri Rama.