“Rilindja e qyteteve” bëri sot protagonist Durrësin, me një sërë projektesh që kanë nisur të zbatohen. Këto projekte do t’i dhurojnë qytetit, imazhin e ri europian. Kryeministri Edi Rama ishte sot mes realizuesve të veprave urbane në Durrës për të inspektuar nga afër ecurinë e punimeve.
13 milionë dollarë akorduar nga qeveria, për bashkinë e Durrësit për vitin 2014 do të jetësohen në një sërë projektesh të rëndësishme, për cilat kryetari i Bashkisë Vangjush Dako tha se do të rilindin jetën në qytet, duke krijuar më shumë hapësira publike dhe gjallëri në lëvizjen e komunikimin mes njerëzve.
Projekti për rikualifikimin e nënkalimit të zonës së Plepave është një investim që shtrihet në një sipërfaqe prej 30 mijë metra katrorësh. 30 mijë metra katrorë rrënim, mbeturina të gjithfarë llojeve që do të pastrohen. Një transformim rrënjësor në hyrje të qytetit dhe në rrugën kombëtare të turizmit në vend.
Në bisedë me drejtuesin e punimeve, i cili e informoi kryeministrin lidhur me sipërfaqen ku do të realizohet projekti, kryeministri vërejti me keqardhje se kjo sipërfaqe nuk ishte gjë tjetër veçse një masiv hedhurinash.
Me ndërhyrjet infrastrukturore të bazuara në arkitekturën moderne e bashkëkohore, kjo zonë do të transformohet tërësisht në funksion të qytetarëve e të pushuesve që vijnë në Durrës.
Një projekt tjetër është projekti për rrugën e plazhit dhe shndërrimin e saj në një rrugë urbane me elementë të peizazhit dhe ato dekorativë. Risia që ky projekt sjell për qytetarët është pista prej 7 kilometrash, e parashikuar për lëvizjen me biçikleta.
Kryetari i bashkisë Vangjush Dako shpjegoi se nga ndërhyrjet do të çlirohen edhe trotuaret, të cilat deri më sot janë të penguara nga shtyllat e vendosura pa kriter. “Çdo 12 metra do të ketë dy vende parkimi dhe lirohet pista e biçikletave dhe njëkohësisht lirohen edhe trotuaret.”
Kryeministri kërkoi që paralelisht në nisë puna edhe për prishjen dhe pastrimin e të gjithë ngrehinave pa leje, për t’ua lënë vendin ndërtimeve të ligjshme dhe integrimit të tyre në peizazhin e ri urban. “Me këtë ndërhyrje transformohet rrënjësisht si rrugë. Më pas paralelisht duhet të fillojmë me të gjitha prishjet dhe pastrimet e të gjithë çfarë ka pa leje, plus gjithë këto tabela të sistemohen, pastaj të vazhdojmë me ndërtimet me leje për t’i adoptuar, për t’i rregulluar, për t’i sistemuar dhe të bëhet vërtet një transformim i madh,” u shpreh ai.
Kryeministri inspektoi nga afër edhe punimet për rikualifikimin e hapësirës prej 11 mijë metër katrorë të Urës së Dajlanit. Edhe këtu një zonë plot me mbeturina inertesh e papastërti. Projekti do ta rikthejë këtë hapësirë të shfrytëzueshme për qytetarët dhe në të do të mbillen rreth 30 mijë rrënjë pemë dhe shkurre dekorative, si dhe do të vendoset ndriçim.
Një prej projekteve të shumëpritura për qytetarët është edhe ai i rrugës paralel me rrugën e Portit, i cili vjen tashmë si një realitet për qytetarët, falë bashkëpunimit mes qeverisë dhe pushtetit vendor. Ndërsa ndërhyrja në Sheshin “Iliria” parashikon rikualifikim të tij, ndriçim, shtrimin e sheshit, shatërvanë, stola etj. Pra, shndërrimin në një shesh modern të jetës sociale të durrsakëve, por edhe të të gjithë turistëve të këtij qyteti.
Ndërsa në një takim me durrsakët e mbledhur në qendër të qytetit Kryetari i Bashkisë Vangjush Dako dhe deputeti Blendi Klosi u shprehën se të gjitha këto projekte qytetarët e Durrësit kanë kohë që i presin. Duke folur për projektin e rikualifikimit të nënkalimit të zonës së plepave, Dako tha se “Është një investim i cili do ta transformojë atë nga një zonë, sot me një pamje të zymtë dhe shumë të trishtë, në një zonë për qytetarët, për pushuesit që vijnë në Durrës.”
Duke iu drejtuar banorëve, Kryeministri Rama tha se puna e deritanishme tregon se zotimi për të transformuar Durrësin në një kohë të shkurtër, është në rrugë të mbarë. Kryeministri tha se të gjitha këto projekte, sidomos ato për zonat informale janë një premisë e jashtëzakonshme për një transformim europianizues. “Në bazë të zotimit tonë, këtu në Durrës, që në 4 vjet do bëjmë për Durrësin sa nuk është bërë në 20 vjet të marra sëbashku, praktikisht, me këto kantiere, ne që vitin e parë po bëjmë për Durrësin sa ç’nuk është bërë në 20 vjet të marra sëbashku, nga pikëpamja e volumit të investimeve dhe nga pikëpamja e impaktit që këto investime do të kenë drejtpërdrejtë në cilësinë e jetës së qytetarëve. Me këtë projekt transformues, për herë të parë në vendin tonë dhe në mënyrë kuptimplotë në një zonë intensive turistike ndërtohet një korsi biçikletash prej 7 kilometrash, duke bërë të mundur që çdo qytetar, çdo djalë apo vajzë që do që të shkojë në plazh me biçikletë ta ketë rrugën të hapur e të papenguar nga Durrësi deri në plazh,” – u shpreh ai.
Kryeministri Edi Rama lajmëroi edhe një tjetër ndërhyrje që do të nisë shumë shpejt për formalizimin dhe urbanizimin e një prej zonave informale të qytetit bregdetar. “Për të vazhduar me një ndërhyrje urbane shumë kuptimplotë në vijim dhe për të ecur më tutje me fazën e dytë që çelet pas pak javësh, me një numër si asnjëherë më parë, në një zonë informale, kantieresh për urbanizimin e Durrësit të ri, apo siç e quani ju të ish Kënetës së Durrësit. Të gjitha këto projekte janë një premisë e jashtëzakonshme për një transformim rrënjësor. Transformimi rrënjësor që ne kemi premtuar ka nisur.”
Gjatë fjalës Kryeministri rishprehu edhe njëherë vendosmërinë e qeverisë për t’i dhënë fund epokës së vjedhjes së energjisë në vend. “Të gjithë të bëjmë çfarë mundemi për të nxitur këdo që kemi rrotull nesh, për t’i dhënë fund epokës së vjedhjes së vetvetes përmes vjedhjes së energjisë elektrike. Sa më shumë ne të nxitojmë në këtë drejtim, aq më shumë do t’i japim vetes mundësi për të bërë investime që janë bërë të pamundura për vite me radhë, pikërisht sepse paratë janë tretur në gropën e zezë të hajdutërisë së energjisë elektrike,” u bëri kështu Kryeministri një apel të drejtpërdrejtë të gjithë qytetarëve nga qyteti i Durrësit.