Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Nënshkruhet Memorandumi i Mirëkuptimit midis Shqipërisë dhe Izraelit bazuar në vullnetin e përbashkët për të çuar më tej bashkëpunimin ndërinstitucional, duke përcaktuar kuadrin e përgjithshëm të bashkëpunimit teknik dypalësh dhe shumëpalësh midis dy vendeve.

Memorandumi i Mirëkuptimit u nënshkrua nga Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC), Ilir Beqaj dhe nga Ambasadorja e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg për Agjencinë Izraelite për Bashkëpunimin Ndërkombëtar për Zhvillim (MASHAV).

Sektorët prioritarë, subjekt i marrëveshjeve të mëvonshme specifike për programet dhe projektet zhvillimore janë asistencë teknike në bujqësi, turizëm, shërbimet publike, arsim, energji; çështjet gjinore dhe fuqizimin e gruas; mbështetje në shëndetësi për emergjencat dhe traumën; transferimin e teknologjisë për zhvillimin dhe instalimin e novacioneve; mbrojtjes nga katastrofat, etj..

Instrumentet e dakordësuara për realizimin e objektivave të bashkëpunimit në fushat e mësipërme janë nëpërmjet ndarjes së praktikave më të mira, mbështetjes teknike, shkëmbimit të ekspertëve dhe shkencëtarëve, organizimin e konferencave, ekspozitave dhe krijimit të qendrave kërkimore.

Grupi i përbashkët i punës për zbatimin e Memorandumit të Mirëkuptimit do të mblidhet për të diskutuar programet dhe projektet konkrete, identifikimin e tyre, përcaktimin e kushteve dhe vlerësimin e rezultateve me qëllim maksimizimin e përfitimeve reciproke dhe rekomandime për përmirësime të mëtejshme nëse do të jetë nevojshme.

Ky Memorandum Mirëkuptimi lidhet për një periudhë 5-vjeçare, me mundësi rinovimi.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.