Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në konferencën e dytë ndërkombëtare “Bashkë kundër kancerit të gjirit”:

Përshëndetje të gjithëve!

Dua ta nis me një projekt artistik, ndërkombëtarisht të famshëm, në kuadër të të cilit u fotografuan gra dhe vajza, nga 18 deri në 35 vjeç, që i ishin nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale për shkak të kancerit të gjirit.

Të shoqëruara nga pamjet e gjirit para dhe pas ndërhyrjes, dëshmitë e këtyre grave dhe vajzave që patën kurajën të tregojnë realitetin e kancerit me trupat e tyre ishin mjaftueshmërisht rrëqethëse për të kuptuar sesa pak duhet për ta shmangur atë transformim të dhimbshëm të trupit të gruas dhe sesa shumë thellë mund ta shënjojë trupin e gruas pasoja e mungesës së vëmendjes për aq fare pak sa kërkon depistimi. Bëhet fjalë për një realitet që shoqëria apo shoqëritë refuzojnë ta shohin, në përgjithësi, dhe që shkon shumë përtej asaj ç’ka përcjell tek njeriu fjala kancer në tërësinë e vetë, kur është fjala për heqjen e kancerit të gjirit, që është heqja e një pjesë të trupit dhe lënia në vend të tij e një plage dramatike që është shprehja më drithëruese fizike në trupin e një njeriu dhe posaçërisht gruas, e një plage që është shumë më e thellë dhe që është shpirtërore.

Nuk ka dyshim që beteja që fitohet, apo që shmanget krejtësisht me depistim ose kapje të hershme të kancerit të gjirit nuk është vetëm një betejë për jetën, siç është beteja për çdo kancer, por është edhe për feminilitetin, pa asnjë dyshim.

“Përpjekje përherë e ndryshme e çdo gruaje për trupin e vet, botëkuptimin të cilin duhet ta rindërtojë, pavarësisht plagës, e cila edhe mund të zhduket nga trupi, por lë një vragë të pashlyeshme në shpirt,” thoshte një nga pjesëmarrëset në projektin e lartpërmendur.

Ky projekt më ka mbresuar shumë thellë, – kam folur për të edhe në fjalën time, në Ditën e Depistimit të Kancerit të Gjirit, vitin e shkuar, – për ta nisur nga më e rëndësishmja që është ndërgjegjësimi dhe parandalimi, si mënyra më e mirë, më e shpejtë, më e lehtë për të evituar një betejë që askush nuk do të donte ta bënte dhe që askush nuk e bën sepse e zgjedh. Ndërkohë që, depistimin dhe parandalimin gjithkush mund ta bëjë, sepse e zgjedh ta bëjë. Gjëja e parë që kanë bërë shumë nëna, të cilat e kanë fituar betejën pa e zgjedhur vetë, ka qenë që të çojnë vajzat e tyre për kontroll të kancerit të gjirit, pikërisht sepse ajo betejë të zgjedh dhe ti nuk e zgjedh. Por, mund të zgjedhësh që ta ndalosh të të zgjedhë. I çojnë menjëherë vajzat e tyre për kontroll, sipas të gjitha statistikave, një kontroll që vetë nuk e bënë asnjëherë, sepse befasia e të gjendurit përballë asaj sfide, thuhet se lë një shenjë shumë të forte. Të gjitha gratë që kalojnë përmes asaj sfide.

Pse nuk e bëjnë?! Unë jam i bindur që edhe këtu, – më falni për ndërhyrjen në këtë intimitet, – shumica e grave që janë mjaftueshmërisht të qarta lidhur me gjithë sa po themi dhe që me siguri mund të marrin edhe fjalën për të thënë, nuk e kanë bërë. Këtë përgjigje e kam marrë nga një njeri shumë i dashur dhe shumë i afërt që e ka kaluar sfidën me kancerin e gjirit, duke qenë edhe mjeke. Më ka thënë që përveç faktit që s’bëhet asnjëherë mbarë, të duket e pamundur që kjo mund të ndodhë ty. Mbase kur mendon se mund të të ndodhë, ke frikë ta marrësh vesh. E, sfida me frikën të ndalon që të shkosh edhe të bësh kontrollin parandalues, të cilin e shtyn sa herë të shkon ndërmend, sepse duket, edhe në mënyrë shumë të rëndomtë, që më mirë ta marr vesh pak më vonë, se tani kam ca punë. Por, historitë, në fakt, të panumërta të grave që janë gjendur përballë me këtë sfidë dhe që kanë udhëtuar me këtë fuqi të tmerrshme deformuese për trupin dhe për shpirtin brenda vetes, tregojnë se nuk ka asnjë arsye të vlefshme për të mos u kontrolluar dhe se nuk ka asnjë ndjesë të mundshme për asnjë grua të vetëdijshme për këtë rrezik dhe që ka mundësi të bëhet zëdhënëse e këtij rreziku edhe për të tjerët, që të mos kontrollojë as veten e vetë.

Besoj se, po ashtu, nuk ka arsye që ne të gjithë, Qeveria, organizmat e ndryshme jo qeveritare apo aktorët shoqërorë, të mund të angazhohen me mënyra tradicionale apo me mënyra inovative për të rritur nivelin e informimit. Sepse të gjithë bien dakord, në nivelin e ekspertëve, por dhe ne që jemi krejt profanë kemi mësuar pikërisht për shkak të këtij fakti, se ky është një kancer që luftohet me informacion, përpara se të luftohet me terapi. Për të rritur nivelin e informimit për kancerin e gjirit dhe për ta ngulitur në vetëdijen e grave dhe vajzave të vërtetën e këtij kërcënimi, që është real në çdo 75 sekonda. Në çdo 75 sekonda, statistikisht, kanceri i gjirit godet trupin e një gruaje ose një vajze. Pikërisht për këtë, në kuadrin e aksionit të ripërtëritjes së sistemit shëndetësor apo të reformës rrënjësore të transformimit të sistemit shëndetësor, ne jemi angazhuar qysh në fillim të këtij viti për t’u përgatitur lidhur me këtë muaj dhe për të filluar të vendosim disa piketa hapash konkret që parandalimi, shumë i rëndësishëm për të fituar betejën jo vetëm me kancerin e gjirit, por me një sërë sëmundjesh, kryesisht me tumoret, të mos mbetet vetëm në kuadrin e fushatave ndërgjegjësuese, që janë të domosdoshme, por nismat të shoqërohen me mundësi të shtuara.

Të mund të kemi një bilanc mundësish të shtuara të përvitshme. Këtë muaj besoj se Ministria e Shëndetësisë meriton të përgëzohet për faktin se e ka parë problemin në 180 gradë, besoj dhe për fatin se ka ardhur në këtë moment me disa hapa të kryer. Që nga miratimi i një ligji për kujdesin e gjithanshëm që do të transformojë sistemin shëndetësor, duke konsoliduar këtë si sistem përkujdesje, për të cilin janë miratuar dhe fondet afatmesme për vitin 2015-2017. Po ashtu, listën e barnave të rimbursueshme ku janë përfshirë katër barna për kujdesin e gjithanshëm, paliativ- i thonë këta të sektorit, që janë barna të rimbursueshme 100%. Janë 8 mamografë stacionarë janë jashtë Tiranës. Ka një ritëm ekzaminimesh, e përmendi Karlo Bolino, që nga 1 deri në 15 Tetor është 85% e ekzaminimeve që janë bëra nga 1 Janari deri në 30 Shtator. Sigurisht që, çdo grua që nuk ka shkuar akoma drejt një mundësie ekzaminimi apo nuk është ndeshur me një mundësi të tillë, ka nevojë të informohet dhe këtu ne kemi shumë punë për të bërë, që;

Gjatë këtij muaji s’ka tarifë të mamografisë,

S’ka sistem referimi, domethënë mjafton dëshira, nuk ka nevojë për një letër të mjekut;

Janë zgjatur oraret e ekzaminimit deri pasditeve në 8-të të mbrëmjes dhe është rritur numri i onkologëve në QSUT dhe në 4 spitale të tjera.

Nuk është asnjëherë i tepërt dhe i ripërsëritur inkurajimi për ekzaminim. Nuk është asnjëherë e tepruar një fushatë ndërgjegjësimi për këtë të keqe të madhe që, siç thashë, e prek trupin e shoqërisë sonë përmes gjirit të gruas, në çdo 75 sekonda. Është 1 prej 4 kancerëve që i kërcënojnë jetën të gjitha grave e vajzave në botë pa dallim moshe. Pa dallim moshe dhe pa dallim stadi zhvillimi të vendit ku jetojnë.

Ka një slogan shumë të bukur të një fushate për ndërgjegjësim kundër kancerit të gjirit, që thotë: “Kanceri është një fjalë, nuk është një fjali”. Duke nënvizuar se kanceri është fjala, ndërkohë që fjalinë secili e shkruan vetë, kur i bie që të luftojë me kancerin.

Ashtu sikundër edhe çdo Qeveri dhe çdo shoqëri e ka në dorë ta shkruajë vetë fjalinë lidhur me kancerin, kur vjen puna tek raporti i përgjegjësisë me domosdoshmërinë për informacion dhe për ndërgjegjësim. Ne sot jemi posaçërisht të lumtur dhe me gjithë respektin për Karlo Bolinon, dua ta them se arsyeja kryesore pse unë kam ardhur me shumë kënaqësi sot, do vija, gjithsesi, është se sot kemi këtu të pranishëm disa që janë një vlerë e madhe e shtuar në përpjekjen tonë dhe që vijnë nga Instituti i famshëm i Tumorit në Milano dhe nga Instituti Europian i Onkologjisë. Duke sjellë eksperiencën botërisht të admiruar të Profesor Umberto Veronesit, me të cilin kemi pasur  privilegjin e madh të takohemi në Instituti e krijuar dhe të drejtuar prej tij për vite me radhë dhe më të cilin kam pasur mundësinë e jashtëzakonshme të komunikoj dhe të marr shprehjen e vullnetit për të bashkëpunuar me ne, në funksion të kësaj luftë që ka qenë lufta e jetës e Umberto Veronesit.

Eksperienca, dija dhe angazhimi i tij ka përmasa globale, botërisht të njohura. Studimet revolucionare të tij në parandalimin, diagnostifikimin dhe mjekimin e kancerit të gjirit janë absolutisht një kontribut i madh për njerëzimin. Tanimë do të jenë pjesë edhe e njohjes dhe e përpjekjes sonë, në Tiranë, përmes institucioneve tona, në betejën me kancerin e gjirit dhe në mbështetje të çdo gruaje dhe vajze që gjendet përballë kësaj sfide.

Kjo është një nismë, meritën për të cilën e ka Karlo Bollino, se pavarësisht se e takuam edhe ne të tjerët profesorin, ai besimin e mori nga Karlo, jo nga ne. Unë jam shumë mirënjohës që sot Karlo erdhi njësoj si vitin e kaluar, si organizator i kësaj ngjarjeje, por me këtë vlerë të madhe të shtuar. Qoftë nisma e Karlos, qoftë angazhimi i Profesor Umberto Veronesit, në fakt, duhen parë edhe si bashkimi i forcave, i njerëzve të ndryshëm, nga fusha krejtësisht të ndryshme, në funksion të një beteje që kërkon pikërisht bashkim forcash. Që nuk bëhet dot vetëm, as nga gruaja e prekur në gjirin e vetë prej kancerit, as nga një strukturë spitalore, as nga një qeveri sado e vetëdijshme apo sado e vendosur që të jetë, as nga organizata apo individë të ndërgjegjësuar për këtë, por mund të bëhet vetëm nëse të gjitha këto forca bashkohen dhe krijojnë një energji dhe një sinergji kritike, në funksion të të çuarit përpara me cilësi statistikash të kësaj beteje.

“Mos e harro – i thosha vetes, – qelizat kanceroze e urrejnë të qeshurën, i urrejnë shakatë, këngët dhe kërcimet. Kanceri ikën kur ka të tilla. Qelizave të mallkuara u pëlqen trishtimi, u pëlqen depresioni, u pëlqen hidhërimi dhe u pëlqen shumë frika. Kurse gëzimi i përzë.” Këto fjalë i shkruan në një letër një grua e diagnostikuar me kancer në gji, e cila tregonte eksperiencën e vetë dhe tregonte sesi rruga për ta fituar këtë betejë nuk kalon nga shmangia, nga fshehja apo nga dorëzimi përpara kësaj të vërtetë të re në trupin e gruas, por kalon nga e kundërta e saj. Ajo letër ishte edhe shtysa kryesore e nismës që ndërmorëm bashkë me Karlon për t’ia dorëzuar gjinjve të grave fasadën e Kryeministrisë dhe për të hapur një debat për trupin e gruas. Sepse, ai shpesh përbën privilegjin ose pengesën që jo rrallë herë kushtëzon statusin social dhe karrierën, dhe disfatën, dhe fitoren apo humbjen në shumë beteja, përfshi dhe atë me sëmundjen. Asnjë shoqëri, faktikisht, nuk është aq e zhvilluar sa duhet, nuk është aq demokratike sa duhet nëse nuk arrin dot të debatojë lirshëm për këtë dhe nëse nuk arrin dot të tejkalojë diskriminimin, t’i tejkalojë privilegjet apo t’i tejkalojë kufijtë për gratë dhe për vajzat, për shkak të trupit të tyre. Që parafytyroni këtë gjë, në momentin që për fasadën e Kryeministrisë, të pushtuar nga trupat e grave, pati shumë komente kontroverse, imagjinoni nëse ne aty do të kishim vënë gjokse burrash dhe trupa burrash, askush s’do ishte marrë fare. Ose, maksimalisht, do kthenin kokën nga ana tjetër dhe do thoshin ç’është kjo shije pa shije. Nuk do të kishin faj, në fakt, por thjeshtë për të kuptuar që në këtë rast nuk do të ishte diskriminuese po të kthenim kokën nga ana tjetër, përballë trupave të burrave dhe gjokseve të burrave, por është diskriminues fakti që nuk e kthejnë kokën nga ana tjetër, përkundrazi tregojnë me gisht dhe bëjnë gjithfarë komentesh vulgare kur vjen puna për trupin e gruas. Komente vulgare konsideroj edhe ato që medemek e marrin në mbrojtje trupin e gruas si diçka e patregueshme dhe e pashfaqshme.

Dua ta mbyll me një letër që e shkruan një tjetër grua, vajzë, e prekur nga sëmundja e kancerit të gjirit që ka një paragraf jashtëzakonisht mbresëlënës. Jo vetëm mbresëlënës, por edhe nxitës për reflektim, lidhur me sapo thashë: “Mos u çudit që në çdo letër që unë u dërgoj shoqeve, në fund vë gjurmët e buzëve të mia. Ato i ke dhe ti në këtë letër. Ato janë shenjë e triumfit mbi vdekjen. Kur të më përgjigjesh, të lutem, mi dërgo gjurmët e buzëve të tua.”

Faleminderit!

***

Tetori është muaji i ndërgjegjësimit për rritjen e kujdesit shoqëror për diagnostifikimin në kohë të kancerit të gjirit dhe apelohen gratë e vajzat se kryerja e kontrolleve është shumë e rëndësishme për trajtimin më efikas të saj dhe shpëtimin e jetës.

Ky ishte edhe mesazhi që doli sot nga konferenca e dytë ndërkombëtare “Bashkë kundër kancerit të gjirit”, së cilës iu drejtua edhe Kryeministri Edi Rama.

Angazhimi i Ministrisë së Shëndetësisë në këtë fushatë sensiblizuese ka sjellë rritjen e numrit të kontrolleve, ku vetëm për periudhën 1-15 tetor janë kryer 85% e ekzaminimeve që janë kryer në periudhën nga 1 janari në 30 shtator.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.