Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Në Elbasan vijoi sot takimi informues i Kryeministrit Rama me sipërmarrës, drejtues e punonjës të kompanive private mbi reformën e qeverisë për rritjen e pagave në sektorin publik dhe domosdoshmërinë për ecjen në të njëjtën korsi edhe të sektorit privat, për ta bërë tregun më tërheqës dhe krahun e punës më të mirëpaguar kudo në vend.

* * *

Faleminderit dhe shumë respekt dhe realisht mirënjohje që megjithëse është një ditë pushimi edhe ju, jam i vetëdijshëm keni shumë pak mundësi të bëni pushim, prapëseprapë jeni këtu për të dëgjuar ne dhe kjo realisht më bën t’ju falënderoj me gjithë zemër!

Ne jemi këtu për t’ju folur ju dhe përmes jush dhe përmes syrit të kamerave dhe gjithë komunitetit të biznesit, por jo vetëm në Elbasan sepse janë disa aspekte që janë të lidhura drejtpërdrejtë me Elbasanin, por janë të tjera që janë të lidhura me gjithë biznesin, për faktin që jemi në një moment shumë interesant të rrugës sonë të zhvillimit ekonomik dhe social sepse kemi krijuar kushtet duke dalë nga një kthesë shumë e rrezikshme 3 vjeçare, e cila na futi në tunele tërmetesh e pandemish e luftërash për të shkuar në një rritje historike të pagave në sektorin publik, e cila meriton një shpjegim dhe një kuptim të drejtë, qoftë në aspektin e mundësive sepse është një rritje pagash, e cila bazohet tek rritja e mundësive për ta bërë këtë gjë.

Kjo do të ishte e pamundur vetëm disa vite më parë dhe jam i sigurt që asnjë nga ju nuk mund të çohet dhe të thotë, “po jo se unë e kam imagjinuar që kur ra tërmeti qe pas 2 ose 3 vitesh do ta kemi pagën mesatare 900 euro”. Që do të thotë që u rritën mundësitë. Si u rritën mundësitë? Sepse u rrit baza ekonomike e vendit. Para se të hynim këtu, me Oltën, bashkë me Damianin, me Gledin ishim në një diskutim me bashkëpronarët e kësaj zone ekonomike se kjo është një zonë ekonomike ku shteti është në bashkëpronësi me një partner privat. Janë 25 hektarë, të cilat deri kur ne firmosëm këtë kontratë bashkëpronësie ishin një territor ferrash, plehrash, ndryshku, rrënimi. Skandal!

Ju, disa prej jush janë këtu, e dinë shumë mirë këtë gjë dhe dëgjuam që janë dy kompani të tjera që janë me njërën këmbe brenda tanimë zonës ekonomike, kompani që funksionojnë globalisht deri dhe kompani nga Indonezia që përgatisin gjithë mobilierinë e hoteleve me 5 yje nëpër botë. Gjëra këto që deri përpara disa vitesh as nuk mund të imagjinoheshin që do ndodhnin në Shqipëri dhe pamë dhe gjithë listën e kërkesave për t’u instaluar në këtë zonë ekonomike. Dhe sot që flasim, tani pa llogaritur ata të listës së kërkesave a do vijnë a s’do vijnë, është një potencial prej 5000 vendesh pune, ndërkohë që po të fusim dhe ata pastaj bëhen shumë më tepër.

Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë që Shqipëria është në një nivel tjetër totalisht në perceptimin e botës për ne. 

Nuk është vetëm çështje perceptimi politik që ka ndryshuar 100%, jo 99%, 100%. Ju e keni parë vetë. Kush do ta mendonte që në Shqipëri Bashkimi Europian do të vinte dhe të bënte samitin e vet për herë të parë jashtë kufijve të Bashkimit Europian apo që Gjermania do vinte të bënte procesin e Berlinit siç do bëjë në tetor në mos gabohem, apo që Shqipëria do të organizonte kupën, një nga kupat e finales europiane dhe këtu kalojmë tani nga politika tek një perceptim që shkon përtej politikës.

Para se të vinim këtu dhe para se të bënim takimin me atë bashkë-ortakun e shtetit në këtë investim, ishim tek kantieri i auto motoparkut dhe unë ju them ne do sjellim çmimin e madh të Formula 1 në Elbasan brenda 2030-ës. 

Kush mund ta imagjinonte në atë fushën atje që ishin ato kodrat e plehrave të Elbasanit që e dini shumë mirë ju se i keni gjurmët e kodrave të plehrave në mushkëri dhe largqoftë do tua shihni dhe zararin ndonjëri, kurrë mos ndodhte në të ardhmen, që mund të mendohej se aty mund të kemi një pol zhvillimi ekonomik të super fuqishëm. Nuk është çështja një garë e Formula 1. Një garë e Formula 1 ka 1 miliard shikues, është gara sportive që ka numrin më të madh të shikuesve në planet. Por nuk është kjo. Është gjithë çfarë sjell mbrapa. Llogaritet që një garë e Formula 1 sjell mesatarisht vetëm gara, efekt direkt 100 milionë në cirkuitin nga përgatitja deri tek largimi i njerëzve që vijnë këtu. Pa llogaritur  pastaj se çfarë vjen mbrapa e mbrapa, por fakti është që ai pol atje do të ketë shumë gara ndërkombëtare, do të ketë shumë evente ndërkombëtare, do të jetë një pol punësimi i një cilësie tjetër komplet dhe është i vetmi i kësaj natyre në gjithë rajonin tonë dhe prandaj ne e kemi imagjinuar këtë në Elbasan për të pasur një ofertë rajonale, ballkanike këtu në Shqipëri dhe po ju them që jemi në kontakt me autoritetet e këtyre organizmave, me FIA-n. Njerëzit e FIA-s kanë qenë një Elbasan dhe njerëzit e FIA-s ishin në Elbasan por ishin njerëzit e FIA-s, jo një konsulent nga Bari që erdhi të bëjë një kontratë këtu për 400 milionë euro investim me një kompani që nuk e kishte dhe siç ishte e paimagjinueshme që do ndodhte  ndonjëherë në Shqipëri një kupë europiane, sot mund të jetë dhe më e paimagjinueshme që do ndodhi, që Elbasani të jetë bashkë me Hungaroringun, me Montekarlon e ku di unë, me Bakunë në kalendarin e Formula 1, por kjo do të ndodhë, do ta bëjmë patjetër.

Po shkoj në këtë ekstrem për të thënë që ne jemi në një rrugë ku realisht kemi vënë në lëvizje potencialin e Shqipërisë. Mirëpo të gjitha këto bien, bum, në rast se ne nuk arrijmë t’i mbijetojmë luftës më të egër që sapo ka filluar në Europë, që është lufta për krahun e punës. Është lufta më e egër, një luftë si ato zhvillimet e ciklit të Darvinit.

Kam takuar Kancelarin gjerman. I fola për çështjen e mjekëve dhe infermierëve, më pa në sy dhe më tha: të kuptoj shumë mirë, por që Gjermania të jetë kjo është që është duhet që deri në vitin 2030 të ketë 7 milionë plus krah pune prurje. Që do të thotë është në mendjen e çdo dite të Gjermanisë dhe të gjitha vendeve të zhvilluara, tani ka filluar Italia pavarësisht se nga një anë Italia lufton me emigracionin siç e shikoni të paligjshëm, ka filluar të flasë për hapje dyersh për punëtorë.

Ishim në panairin e Verës në Verona, Venetto, rajoni më i madh i Italisë me një GDP 152 miliardë. Rajoni më i pasuri dhe desha të them jo më i madhi në gjeografi se nuk e di, po më i pasuri, 152 miliardë GDP-në dhe e pyes guvernatorin edhe i them: “cili është problem më i madh që ke ti sot që flasim”? “Ikja e mjekëve dhe infermierëve nga Venetto në Gjermani, Suedi e Danimarkë e ku di unë ku shkojnë, në veriun e Evropës”.

Spanjës sot i mungojnë 14 mijë mjekë. Pra është një spostim i madh prioritetesh drejt marrjes së njerëzve. Këtu ne duhet të mbijetojmë dhe që të mbijetojmë, miqtë e mi, duhet të kuptojmë që krahu i lirë  punës nuk është më avantazh kokurrues, ka mbaruar. Është e tejkaluar dhe nëqoftëse biznesi shqiptar nuk do të kuptojë këtë, do të gjendet një ditë si ai që tha: “po si ka mundësi, mor vëlla, gomari më vdiq tamam kur e mësova pa ngrënë?”

Do të gjendet, i rrofshin të gjitha çfarë kanë dhe ju rrofshin të gjitha çfarë keni bërë deri tani me kaq shumë mund dhe ju rrofshin 2, 3, 4 veturat dhe 2,3,4 vilat nëqoftëse do ju lënë punëtorët pushkën në faqe dhe do ju thonë; “auf wiedersehen’’. Kjo është arsyeja pse duhet të shpejtojmë në rritjen e pagave. Natyrisht do të ishte një aventurë që ne të rrisnim pagat jashtë mundësive sepse është si puna e shpenzimit në shtëpi jashtë mundësive dhe pastaj një ditë gjendesh që duhet të shesësh gjithë shtëpinë. Kjo nuk mund të bëhet.

Olta tha jemi të tretët tani me pagën më të ulët minimale, apo jo, por njëri nga të dy vendet në rajon që e kanë pagën minimale më të lartë se ne, e ka borxhin 103% dhe ka një problem përpara dhe jo vetëm minimalen po ka edhe pagat e tjera dhe kanë një problem përpara rrugës, si do ta financojnë ndërkohë që ne i kemi bërë llogaritë që jo vetëm të financojmë këtë angazhim kaq madhor që është një injektim masiv paraje në të ardhurat e familjeve, por edhe ta rrisim më tutje.

Shikoni ushtrinë tonë. Ushtria jonë ishte qameti i këtij klubi të madh të NATO-s. Jemi aty me vendet më të pasura të botës dhe ishim qamet. Sot ushtria jonë është në rajonin tonë ku ka faktikisht 3 anëtarë të NATO-s, është e para, për nga pagat dhe është vetëm e dyta pas Serbisë ndërkohë që ne do vazhdojmë t’i rrisim pagat për ushtarët tanë. Ne na duhen ushtarët tanë, na duhet t’i kemi njerëzit tanë të motivuar për të kryer misionet këtu dhe të jesh në ushtrinë shqiptare është mision, nuk është thjesht punë apo të jesh në shërbimin e inteligjencës shqiptare është mision, nuk është thjesht punë, ashtu sikundër të jesh në shërbimin spitalor shqiptar është mision, nuk është thjesht punë se është shëndeti i njerëzve tanë dhe prandaj ne bëmë rritjen e pagave të mjekëve tanë specialistë. Do vazhdojmë ta bëjmë. Kjo është domosdoshmëri. Pra duhet të kemi një aleancë shumë të qartë që nuk duhet të jetë e bazuar as në gjoba, as në masa, as në shtrëngesa, jo po do bëj kështu, do bëj ashtu, këto janë të gjitha të tejkaluara. Kjo është luftë, po ju them dhe kjo luftë duhet t’i mbijetojmë të gjithë së bashku dhe nëse në një pjesë të gjësë, të kohës, biznesi duhet të dalë jek e jek, duhet të jetë shumë i lumtur me jek e jekun që të kapërcejë pastaj në një nivel më lart, në krahasim me daljen me kokë poshtë.

Paga minimale sot e jona u bë 40 mijë lekë dhe shikoni sa interesante. U bë 40 mijë lekë, në vitin 2023, tani, ndërkohë që në parashikimin programatik të Partisë Socialiste po dhe të asaj partisë tjetër që duke qenë se, ju e dini shumë mirë, që ata që s’kanë gjë në dorë mund të zgjidhin çdo gjë, se s’kanë gjë në dorë. Thonë do bëjmë këtë e do bëjmë atë, nuk i vjen në dorë dhe thonë ‘’po të ma kishit lënë mua në dorë, do e bëja”. Po provën nuk e kemi, pra mund ta kishin vënë dhe ata, pagën minimale thoshin,  në programin elektoral ku kishte trena me energji elektrike, ku kishte e ça s’kishte, paga minimale ishte 38 mijë lekë në 2025.

Ne e bëmë 40 mijë lekë sot. Pse ? Sepse është domosdoshmëri, përndryshe jeta është ajo që ndodh kur ne bëjmë plane të tjera dhe ajo që do të kishim pëprara do të ishte një katastrofë. Dhe do ta rrisim, do ta çojmë në 45 mijë lekë. Vitin tjetër 42 mijë dhe në 2025, 45 mijë dhe jam i bindur që po nuk shkoi 60 mijë ne jemi duke luftuar me kohën. Po nuk shkoi 60 mijë paga minimale ne jemi duke luftuar kundër kohës dhe lufta kundër kohës është e tmerrshme.

Kemi dyfishuar pothujase të ardhurat për frymë, e kemi filluar me 3300 euro se këto janë shifra konkrete për ata që flasin; jo po s’e kemi qenë kështu. Sot jemi në 6400. Por po nuk shkuam në 10 mijë euro për frymë, nuk kemi të ardhme. Dhe ajo që Olta la pa thënë por që është një nga aspektet  e punës që merret Olta në mënyrë të veçantë, është që po shikojmë një element interesant edhe kthimesh në Shqipëri. Kthimesh në Shqipëri të atyre që kanë vite në emigracion dhe vite të atyre që shkojnë dhe kthehen.

Po ju jap një rast, ju mund të keni rastet tuaja, por po ju jap një rast. Në Vlorë, një familje , unë i njoh, janë njerëz shumë punëtorë, merren me kështu shtrime pllakash, natyrisht jemi dobët, nuk kemi ndonjë gjë të madhe. Fitojmë 5 milionë të vjetra në muaj. Iku çuni për të shtruar pllaka në Gjermani, u kthye për 6 muaj. ‘’E ça të bëja unë aty- tha, 2 mijë euro e kisha.  “Po unë nuk dija shpenzimi për të ndejtur aty.  Se t’i kisha 2000 mijë euro këtu, unë personalisht me shpenzimet që kam, kështu që u ktheva”-tha, “dhe i kam këtu. Më del më mirë këtu se atje.” Pa llogaritur pastaj që këtu janë shumë gjëra të tjera që atje s’i gjen, atje s’gjen dot një njeri për të bërë muhabet.

Të shkosh atje punëtor, nuk gjen dot një njeri që të bësh muhabet. Do takohesh me shqiptarët për të bërë muhabet dhe duhet ta lësh takimin nuk e di se kur në një orë të caktuar të javës se edhe tjetri është në punë etj, etj. pa llogaritur faktin që nuk e pi dot një kafe se nuk është kafe. Po i them në mënyrë simbolike për të thënë që janë shumë elementë këtu, por ama në fund të ditës, është e sigurtë që sot, të përdoresh krahun e punës  si avantazh konkurrues, është t’i besosh qorrazi një skllavëri e cila nuk ka për të funksionuar. Ne kemi detyrën që në këtë përpjekje të bëjmë çmos që ta shtyjmë biznesin të vrapojë më shpejt. Edhe vetë rritja e pagave nga ana jonë për sektorin publik është një shtysë patjetër, se po shikojmë që tani që kanë filluar njerëzit që janë edhe nëpër banka që janë me paga shumë të larta, duan të kthehen e të punojnë këtej kështu që do detyrohen  nga ana tjetër të vendosin edhe ca norma, për shembull shoh këtu Gim Hysën, të madhin, legjendarin Gim Hysa që është një nga sipërmarrësit e infrastrukturës, nuk e di se cfarë bën tjetër, por të paktën në infrastrukturë e di që kanë kompaninë e tyre dhe kam respekt por do t’i themi Gim Hysës “Vëlla, po nuk pate këto paga, nuk merr më dot tendera publikë, të deklaruara për punonjësit e tu”. 

Pra, kompanitë e ndërtimit, se e solla Gimin si shembull meqë e kam përballë, kompanitë e ndërtimit duhet të përmbushin disa kritere në raport me trajtimin e punonjësve dhe punonjësit duhet të marrin atë që u takon. 

Ne jemi në një sistem që nuk mund t’i caktojmë ne kompanive të ndërtimit rrogën, por ne e dimë shumë mirë, se nuk është e vështirë për ta ditur se, e para, sa informalitet ka, pra sa para u jepet nën dorë punonjësve për të mos paguar sigurimet shoqërore dhe shëndetësore që është turp më vete sepse praktikisht, të jesh sipërmarrës dhe t’i grabisësh punonjësit tënd pensionin dhe ndërkohë të lësh me pension të parritur më shumë të gjithë pleqtë e vendit sepse në qoftë se ti nuk i jep punonjësit tënd atë që i takon, atëherë ti çfarë bën? Ti heq nga arka e shtetit që ka kontributet e sigurimeve për të paguar pensionistët e sotëm. Pra, bën dy goditje; një skandal. 

Së dyti, normat bazë. Në qoftë se nuk i plotëson këto, ti mund të vazhdosh se nuk të ndalojmë dot, është ekonomi tregu, kapitalizëm e të tjerë, por nuk merr asnjë lek nga taksat tona që të ekzistosh si kompani që përfiton kontrata publike po qe se nuk je shembull në mënyrën sesi trajton punonjësit.

Leje ndërtimi po ashtu. Nuk ka shans të hipësh ti në skelë, në të ftohtë e në të nxehtë punonjësin dhe të ma deklarosh pagë minimale; nuk ka shans. Ti mund ta bësh, por leje ndërtimi nuk merr më.

Dhe kështu për shërbime të tjera që po i studiojmë dhe do t’i fusim të gjitha në një listë të kritereve për hyrje në tendera apo për marrjen e lejeve apo licencave të caktuara. Është e domosdoshme.

Ashtu sikundër, do të thellojmë dhe reformën që duhet bashkë me zotërinjtë e bashkive për të operuar si duhet gjithë sistemin parazitar të ndihmës ekonomike, të gjithë lodrave që bëhen atje. Të njerëzve që ankohen “Nuk kemi punë” dhe pastaj kur i ofron punë thonë “Jam sëmurë” a ku di unë se çfarë, por kjo është një temë që nuk dua t’iu marr kohë.

E fundit që kam, duke ju falënderuar sinqerisht që jeni këtu dhe po duroni dhe shpresoj që të jeni, jo duke duruar, por duke dëgjuar, shpresoj të mos jem duke ju rrokanisur shumë; unë kam shumë besim, që sinqerisht nuk e kam pasur të tillë për një kohë të gjatë tek ekonomia shqiptare si një ekonomi që mund të zhvillohet në mënyrë të shëndetshme dhe mund të sjellë një rritje të konsiderueshme të mirëqenies për njerëzit ose më saktë, e kam pasur besimin, por nuk e kam parë me kaq optimizëm sa e shoh sot, e kam parë vetëm me atë ndjenjën që duhet patjetër t’i mbijetojmë goditjeve. Sot e shoh me optimizëm. 

Më besoni që ka vend për optimizëm. Industria jonë e turizmit është pasqyra për të buzëqeshur për të ardhmen dhe gjithë kjo që ndodh rreth e rrotull është ajo që pastaj e ushqen atë që është industria jonë kryesore, se në fund të ditës ne nuk do prodhojmë raketa në Shqipëri, në fund të ditës ne do të arrijmë, siç kanë arritur vendet që i ka dhuruar Zoti bukuritë, i ka dhuruar Zoti pozicionin, ne jemi në mes të Europës, edhe ne të transformojmë dhuratën e Zotit në një benefit për njerëzit.

Jetojnë nëpër fshatra super turistikë dhe të zotët e shtëpisë hapin derën dhe fitojnë nga ata që vijnë në shtëpi. Kjo është Shqipëria e të ardhmes në sensin që nuk është se ne duhet të bëjmë ndonjë gjë, por na duhet të bëjmë gjithë këto të tjerat.

Na duhet të prodhojmë ushqim ekselent, na duhet të agropërpunojmë në mënyrë ekselente, na duhet të rrisim eksportet bujqësore, por gjithmonë e më shumë eksporte bujqësore që janë me vlerë të lartë, jo thjeshtë shkule mollën dhe nise por bëje dhe reçel dhe nise dhe merr më shumë nga ajo.

Na duhet të eksportojmë, patjetër, minerale, por gjithmonë e më shumë të përpunuara, jo merr krom e çoje atje, por përpunojë dhe shite shumë më tepër, e kështu me radhë.

Jemi duke i bërë këto gjëra, hap pas hapi, kemi sot shumë më tepër sesa ç’kemi pasur. Shikoni agroturizmin se çfarë ka sjellë. Është kthyer në një degë të industrisë së turizmit shumë e suksesshme; është aty me 200 e disa shembuj. Nuk kishim asnjë, kemi 200 e ca sot shembuj që kush ka para mënjanë në emigracion dhe ka një hu në fshat, kudo që të jetë, mund t’i sjellë ato para, të investojë, të hapë një derë dhe të rrijë e të presë vizitorë, t’u shërbejë e të bëjë lekë.

Nëse do kemi dhe bekimin e Zotit, se kjo më është bërë si fiksim i përditshëm dhe çdo ditë mendoj për këtë gjë, që të marrim dhe lajmin e madh që ai zbulimi në Shpirag është OK sepse eksplorimi e ka nxjerrë aty atë që mund të jetë një fuqi e paimagjinueshme transformuese, nga pikëpamja financiare, e Shqipërisë, naftën dhe gazin, por testimet vazhdojnë për të konfirmuar komerciabilitetin. Nëse do ta marrim edhe këtë, atëherë do flasim pastaj për gjëra të tjera.

Unë e shoh me optimizëm dhe nuk është puna se është vetëm Shpiragu, por gjithë zona e Dumresë, ka filluar puna prej kohësh, është pak më mbrapa ajo, është dhe pjesa tjetër nga ana tjetër që vazhdon me Shell-in ndërkohë në Dumre është ENI, kështu që patjetër, në harkun e këtyre viteve drejt 2030 do kemi lajme të mira nga ai sektor dhe kjo në kushtet e sotme të Europës dhe të botës është bekim i madh dhe dhëntë Zoti që të gjithë llahtarat e 500 vjetëve, me ato dhëntë Zoti ta kemi paguar ne atë, kushedi se çfarë kemi bërë kur kemi qenë në atë kohën kur majmuni u bë njeri, nuk e di, që duhej të vuaje, por më duket se jemi në kohën kur Gjergj Luca ka të drejtë, më duket, se e pashë kafkën e Gjergj Lucës që doli andej nga fundi i detit.

Shumë faleminderit, shumë respekt. Ishte kënaqësi e veçantë dhe nëse ndonjëri prej jush ka akoma kohë për të humbur me mua këtu, unë jam në dispozicion nëse doni të thoni diçka.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.