Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Tirana Industrial Park, është jetësimi i një projekti ambicioz, i pari i këtij lloji në Shqipëri, i cili ndërthur konceptin e parkut logjistik me administrimin e biznesit, duke formuar një Park Industrial. Tashmë Tirana Industrial Park është një realitet i bukur kompanish shqiptare me standarde të larta, paga dinjitoze dhe mundësi punësimi për të rinjtë.

Kryeministrit Rama vizitoi sot Parkun e ri Industrial, ku sipërmarrjet kanë ambiente ekspozuese për produktet e tyre, si dhe ambiente magazinimi. Parku i jep përparësi aktivitetit tregtar duke ulur kostot dhe procedurat administrative, si dhe bashkon shitjen me shumicë dhe pakicë. 

“Çdo kapanon është i konceptuar me një showroom ku ekspozojmë produktet dhe pastaj  kanë magazinat mbrapa nga ku paketohen.”, – u shpreh administratori i parkut.

Bizneset që operojnë në këtë park të ri industrial përfitojnë edhe nga lehtësirat fiskale të parashikuara në ligjin për parqet industriale.

“Po shpjegoja pak për lehtësirat fiskale që ofron ligji për parqet industriale; në momentin që aplikojnë për të qenë përfitues, edhe zhvillues edhe përdorues, përdoruesit janë të gjitha bizneset që vijnë dhe investojnë kështu; ka një numër të madh lehtësirash siç është përjashtimi nga TVSH-ja dhe taksat e eksportit, pra 50% pagese tatim-fitimi për 5 vitet e para, i njihen shpenzimet për pagat dhe kontributet shoqërore dhe shëndetësore për vitin e parë fiskal në masën 150%. Pra, ka disa lehtësira që e ndihmojnë biznesin”, – u shpreh zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Olta Manjani.

Kryeministri Rama vuri theksin tek rëndësia e rritjes së pagave të punonjësve. “Nëse do të mbijetosh sot në biznes, nuk ka cilësor e jo cilësor, po nuk i dhe pagën që të jetë pagë dinjitoze, kuptohet e arsyeshme në standardet e ekonomisë sonë, por dinjitoze, nuk do mbijetojë dot. Nuk ka mbijetuar asnjë. Paga është shumë e rëndësishme, ne e kemi shumë merak në këtë fazë sepse është bërë shumë kritike puna dhe ju e dini shumë mirë që po luftojnë të gjithë për krah pune”, – theksoi kryeministri, teksa shtoi se  “Ajo që është e rëndësishme, që po shoh edhe unë këtu, është që janë të rinj shumë punonjësit dhe kjo është bazë e rëndësishme shumë sepse ajo që po ndodh sot me industrinë e fasoneve, fasonet ishin hapi i parë që u hodh në atë kohë, paga që ishte më e larta në Shqipëri ishte 10 mijë lekë të vjetra dhe filluan fasonet me 50 mijë lekë të vjetra dhe ishte gjë shumë e madhe. Gjithë ato vajza në atë kohë që kanë hyrë dhe tani janë bërë gjyshe e po dalin në pension pak nga pak e po lënë makinën qepëse. Kush ulet tek makina qepëse nga vajzat e reja po t’i japësh 300 mijë lekë? Ata thonë, “ne nuk bëjmë dot ndryshe se falimenton”. Jo, do bësh ndryshe patjetër; do ndërrosh lojën siç po bëjnë disa që po kalojnë me cikël të mbyllur, po kalojnë me “Made in Albania”, siç bën kjo vajza këtu që i kishte pagat top dhe që ndërkohë prodhon makinën. Do ndërrosh lojën! Nuk mund të vazhdojë Shqipëria garën kush e ka punonjësin më skllav, kush e shfrytëzon më shumë e kush e ka më të ulët. Nuk është aftësi konkurruese krahu shumë i lirë i punës, ta merr gjermani e nuk ke më njeri. Punonjësit janë zemra që qarkullon gjithë gjakun në organizëm”.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.