Pagat e punonjësve, si një prioritet kombëtar i përbashkët, ishte bashkëbisedimi informues mbi reformën e rritjes së pagave në sektorin publik, i zhvilluar në Libohovë me përfaqësues të sektorit privat, nga i gjithë qarku, nga taksapaguesit më të mëdhenj, deri tek bujtinat më të vogla, të mirënjohur si sipërmarrës guximtarë e inovatorë, që me punën e tyre të palodhur dhe trajtimin dinjitoz të punonjësve, e kanë transformuar të gjithë zonën në një destinacion të agroturizmit.
* * *
Kryeministri Edi Rama: Mirëdita dhe shumë faleminderit! Shumë faleminderit për mikpritjen dhe do përpiqem që të mos e zgjas më shumë sesa mund të zgjasë durimi juaj nën diell dhe pse është shumë ditë e bukur me thënë të drejtën edhe personalisht më shijon shumë dhe ky dielli, por sidoqoftë më mirë të përpiqemi të jemi sa më konciz.
Më kujtohet kur kam ardhur herën e parë këtu në Libohovë edhe nuk i kam besuar dot syve, nuk i kam besuar dot syve përballë një realiteti që dukej sikur ishte film. Film nga një kohë shumë e largët, në një vend të braktisur, të harruar, gjithçka ishte e zymtë, çfarë shikojmë këtu sot nuk ekzistonte dhe realisht kam pasur një angështi të madhe dhe pyeta vetën, jo vetëm këtu në fakt, por edhe në vende të tjera, por Libohova ishte një nga këto që si ka mundësi që kishte akoma njerëz që mund të vazhdonin të rrinin këtu në një lloj kurthi nga ku ishte absolutisht gjëja më e natyrshme që të dilje dhe të vazhdojë të rrije ishte diçka e pabesueshme.
Ndërkohë duke parë gjithë këtë mrekulli rreth e rrotull që qoftë natyra apo Zoti, qoftë paraardhësit i kanë lënë kësaj zone, qysh atëherë e kisha të fiksuar që Libohova ishte një nga pikat ku ndërhyrjet tona do të sillnin jetë, do të sillnin shpresë, do të sillnin ardhmëri dhe nga ana tjetër ashtu siç ka ndodhur në fakt në shumë vende, do të sillnin edhe farat e para të agroturizmit dhe të një mundësie të re për t’i kthyer këto mrekulli të natyrës, për t’i kthyer këto monumente fantastike të trashëgimisë kulturore, për ti kthyer edhe shtëpitë bashkë me to në mekanizma të ardhurash për arkën e familjes. Sot unë jam i bindur që gjithëkush që investon në agroturizëm në rast se është në emigracion në Greqi, po marrim gjënë më të thjeshtë, fiton më shumë duke investuar këtu investimet e veta, duke hapur derën për të mikpritur njerëz këtu sesa duke bërë një punë atje dhe duke marrë një rrogë.
Ndërkohë që ne kemi vazhduar dhe do të vazhdojmë të mbështesim zhvillimin e mëtejshëm të gjithë kësaj zone të qarkut Gjirokastër që është e bekuar nga Zoti dhe që është njëkohësisht e bekuar edhe nga paraardhësit që i kanë lënë xhevahire të panumërta gjithë kësaj zone. Deri dje jo vetëm Libohova por edhe Gjirokastra, edhe Dropulli, për të mos folur për Memaliajn dhe për Tepelenën që po e po, apo për Këlcyrën dhe Përmetin, ishin realisht në një gjendje agonie, në një gjendje zvarritjeje, sepse askush, askush nuk kthente kokën për të parë se çfarë potenciali të madh ka kjo zonë. Jo vetëm kaq, por edhe monumentet e kulturës ishin të gjitha në degradim të vazhdueshëm. Ju e mbani mend shumë mirë kishën sesi u shpëtua në zgrip, në buzë të varrit, në moment të fundit përpara dhënies së lamtumirës së kësaj bote. Një nga monumentet më të bukur të kulturës që është dhe një nga magnetet më të forta për të sjellë njerëzit këtu në Libohovë dhe sot ne duam që të vazhdojmë këtë punë mirëpo që të vazhdojmë këtë punë duhet që libohovitët të na japin këtë mundësi sepse po të mos kishim Lizën këtu ne nuk do bënim dot gjë për Libohovën. Është fale faktit që kishim Lizën këtu që ishte njeriu i punës, që ishte njeriu i komunitetit, që ishte njeriu i familjes tonë politike që ne mundëm të çojmë përpara këtë projekt. Ju e keni dëgjuar, unë e kam përsëritur dhe do vazhdoj ta përsëris shpesh, që kthimi mbrapa me një votë që shkon qorrazi tek tuk, se kjo në pjesën më të madhe të bashkive nuk ka për të ndodhur, por tek tuk një votë që shkon qorrazi tek ata të cilët nuk kanë ardhur këtu për të vazhduar punën dhe për të ndriçuar më tutje rrugën e së ardhmes së Libohovës, por kanë ardhur këtu ta marrin peng. Ta marrin peng Libohovën prapë nga e para, siç e kishin peng, do të bëjë që ne do mundemi dot ta mbështesim, por jo se ne nuk duam ta mbështesim, jo se ne do të hakmerremi politikisht për një votë qorre, jo, por është e pamundur, nuk e bën dot sepse ata as nuk dinë dhe as nuk duan.
Tani do thoni ju, “po mirë pse s’dinë”? Po s’kemi ne në 31 vite që kur janë bërë zgjedhjet e para pluraliste vendore një shembull të vetëm që të provojë të kundërtën e kësaj që po them, përkundrazi kemi shembuj të pafundëm që provojnë këtë që po them. Libohovën e kishin ata, e drejtuan Libohovën? Çfarë bënë këtu? Atë që kanë bërë kudo dhe atë që bëjnë kudo. Marrin pushtetin, marrin zyrat, fusin brenda çetën e tyre dhe nuk ka më asgjë për komunitetin, mbaron aty me ca mediokër, me ca fanatikë, me ca dembelë që bëhen bashkë edhe shohin vetëm punët e tyre. Edhe ato pak fonde që janë në dispozicion nga pushteti vendor i harxhojnë rrush dhe kumbulla, ndërkohë që fondet e tjera as mund t’i marrin dot se janë të paaftë, janë totalisht të paaftë. Plus në kontekstin e sotëm është edhe më keq, sepse as donatorët nuk do vijnë më të financojnë asnjë kokërr leku për bashki të cilat merren peng për qëllime politike nga dy njerëz të cilët ju i njihni shumë mirë dhe të cilët janë hall për Shqipërinë sepse hallet e tyre duan t’i zgjidhin përmes marrjes peng çfarë të munden nëpër Shqipëri. Vetëm shajnë, vetëm kërcënojnë, vetëm dhunojnë me gojë, vetëm konfliktohen, sherri, shamataja kudo.
Ndërkohë që ju e shikoni shumë mirë fushatën tonë. Ne kemi ardhur këtu, disa karrige për tu ulur ju dhe ne. Nuk ka as postera të ngjitur nëpër mure, as ekrane të mëdha për të bërë bujë, nuk ka as skenë për tu ngritur mbi të tjerët, nuk ka asgjë nga këto. Do t’i kemi vetëm në fazën e fundit për takimet e mëdha e aty është e paevitueshme, por të gjitha këto janë para të fushatës elektorale që ne i kemi kursyer dhe po i kursejmë për të blerë pemë për t’ia dhuruar çdo bashkie dhe për të lënë pas kësaj fushate jo sherrin dhe shamatanë, jo thjesht erdhëm, ju pamë dhe ikëm, por mbi 25 mijë pemë të cilat do t’i shtohen pasurisë së gjelbër të qyteteve tona.
Për të vazhduar më tutje, sepse për ne kjo nuk mund të jetë një kohë fjalësh por duhet të vazhdojë të jetë një kohë punësh. Këtu nuk kishte një pikë ujë dhe as nuk kishte për të ardhur ndonjëherë ndërkohë që sot, jo vetëm në Libohovë por në të gjithë Shqipërinë, furnizohet me ujë 24orë një pjesë e madhe dhe janë në rrugë, jo nesër, por janë duke u ndërtuar, edhe ato ujësjellësit e tjerë që do të garantojnë që më në fund kjo plagë e tmerrshme të mbyllet, por të mos sharrojmë që ne nuk e kemi gjetur rrugën shtruar. Jo vetëm nuk e kemi gjetur rrugën shtruar, se nuk po i kthehem më gropave që kishin hapur ata që duan të vijnë prapë për të bërë gropa se kudo ku do marrin votën do bëjnë gropë. Ta dini. Doni ta fusni Libohovën në gropë? Jepini votën, e keni gropën të sigurt; në gropë bashkë me ta. Nuk keni për të parë më gjë këtu të ndodhë, do shikoni vetëm sesi do fillojnë të bien suvatë nga të katërta anët. Harrojeni që të zëvendësohen më llambat këtu, harrojeni që të mblidhen plehrat në mënyrë normale dhe që të jetë qyteti pasqyrë siç është sot. Të gjitha qytetet tona janë sot qytete të pastra, të gjitha, përjashto një; Shkodrën. Në Shkodër vazhdon avazi i deridjeshëm i plehrave që mbushin kazanët, mbulojnë dhe kazanët dhe rrinë nga dy-tre ditë e qelben në mes të lagjes; sepse ata nuk kanë asnjë sens të dhembshurisë, dashurisë dhe kujdesit. Bashkëjetojnë me pisllëkun si me një anëtar koalicioni, e kanë papastërtinë pjesë të koalicionit dhe vetë koalicioni i tyre është një papastërti e gjallë dhe këto nuk janë simbolika letrare, kjo është e vërteta.
Ndërkohë që, duke qenë se jemi këtu me ju që jeni përfaqësues të sipërmarrjes, jemi në një kohë kur ne po bëjmë hapa shumë të mëdhenj përpara falë faktit që jo vetëm mbushëm gropat, një pjesë të madhe të gropave që na lanë, por dhe arritëm të kapërcejmë malet e pengesave që na dolën përpara, sa tërmeti, sa pandemia, sa inflacioni i luftës që vazhdon të mbahet nën kontroll, së bashku me çmimin e energjisë që vazhdon të mbahet nën kontroll sepse në çdo faturë që ju vjen juve në shtëpi, nuk ka asnjë cent më shumë sesa ç’kishte përpara se të fillonte lufta pasi në çdo faturë është dora e qeverisë sonë që paguan diferencën dhe prandaj juve dhe gjithë familjarët, bashkë me biznesin e vogël nuk ndjejnë asnjë rritje të energjisë elektrike ndërkohë që energjia elektrike është rritur dhe e paguan qeveria. Pavarësisht të gjitha këtyre, jemi në momentin më të bukur të qeverisjes sonë, për mua personalisht, pasi po bëjmë rritjen më të lartë të pagave historike e cila ka nisur tani dhe e cila do të përmbyllet përfundimisht në prillin tjetër duke e çuar pagën mesatare në sektorin publik në 900 euro nga 530 euro që ishte dhe duke bërë që dhe paga në sektorin privat të shtyhet fort përpara.
Këtu unë dua të vazhdoj pak në ato që preku Olta, e cila është zëvendës ministrja që kujdeset drejtpërdrejtë për punën, për sektorin e punës dhe mbarëvajtjes së sipërmarrjes në aspektin e marrëdhënies me punonjësin, ku ne duam të vëmë një theks shumë të fortë, duke e nisur nga paga minimale e cila sot është rritur 40 mijë lekë, përtej parashikimit në programin elektoral jo vetëm të Partisë Socialiste, por edhe të këtyre të tjerëve që, ju e dini shumë mirë, shkruajnë në program çfarë duan se e dinë që nuk kanë gjë në dorë dhe premtojnë nënë e babë se në fund asnjërit nuk do i kërkohet llogari, por edhe ata e kishin parashikuar 38mijë lekë nderi në 2025. Sot është 40mijë lekë dhe ne do ta çojmë 45 mijë lekë deri në 2025 dhe ambicia jonë është të shkojë në 60mijë lekë më tutje sepse pa një pagë minimale 60 mijë lekë ne nuk e kemi përmbushur detyrën tonë.
Ashtu sikundër ne duam që të ardhurat për frymë, të cilat thuajse i kemi dyfishuar, nga 3300euro për frymë në 6400 euro, duhet t’i çojmë patjetër në 10 mijë euro. Të gjitha këto bëhen bashkë dhe rritja e pagave duhet konsideruar jo një prioritet qeveritar, por një prioritet kombëtar, jo një ambicie e qeverisë, por një ambicie e përbashkët e qeverisë dhe sipërmarrjes sepse ju e dini shumë mirë që sot gjëja më e rëndësishme se kurrë ndonjëherë është kapitali njerëzor dhe forca e punës në dispozicion.
Ajo që unë nuk dua kurrë të shikoj është që sipërmarrësit shqiptarë të gjenden në pozitën e atij që tha “po si ka mundësi, më ngordhi gomari kur e mësova pa ngrënë”. Duhen rritur pagat miqtë e mi, duhen rritur pagat në sektorin privat siç po bëjnë shumë kompani sepse ai punonjësi kushton shumë më shumë sesa çfarë ti e paguan. Në momentin që ai të lë bluzën, përparësen, dorashkat e kapelën e punës dhe të ikën, ajo është një goditje nga e cila është shumë e vështirë të rikuperosh sot sepse e ke marrë, ke investuar tek ai, e ke trajnuar, e ke bërë pjesë të familjes tënde sipërmarrëse dhe pastaj pa prit e pa kujtuar duhet të fillosh prapë nga e para.
Sot jemi në një moment shumë kritik për gjithë Europën. E gjithë Europa ka filluar të hyjë në një garë e cila do të kthehet në një luftë për kush i merr tjetrit krahun e punës dhe ne duhet të jemi absolutisht të vetëdijshëm që ne këtë luftë nuk mund ta humbim; ne duhet t’i mbijetojmë kësaj lufte dhe prandaj ne po shtyjmë përpara dhe po komunikojmë intensivisht me kompanitë për t’iu thënë që duhet të bëhemi bashkë, siç po bëjmë ne.
Ne nuk mundet dot më të rrinim të prisnim për të rritur në mënyrë të konsiderueshme pagat e mjekëve specialistë dhe sot, me rritjen e pagave të mjekëve specialistë që kanë marrë në fund të prillit dhe janë në rrugë për të marrë pagën e parë me plus 50mijë lekë të reja në muaj, ne kemi krijuar një imunitet më të madh dhe një mburojë më të fortë në këtë garë për të marrë forca të punës të kualifikuara.
Po kështu për gjithë të tjerët dhe kështu duhet të bëni të gjithë dhe kështu duhet të ecim përpara së bashku. Kjo është e vetmja rrugë dhe nuk kemi asnjë kohë për të humbur; kemi humbur kaq shumë kohë, kemi humbur kaq shumë dekada, shekuj. Ne nuk kemi kohë për të humbur, ne nuk kemi kohë që të kthehemi prapë mbrapa, e prapë ta kthejmë sherrin e ta fusim sherrin nëpër qytete, e të fillojë lufta bashki me qeveri; nuk kemi kohë për këtë. Jua përsëris, jo sepse ne do ta braktisim një komunitet që do të gjendet nën kthetrat e atyre të paudhëve, por sepse do jetë e pamundur për ne ta mbështesim; kijeni parasysh këtë gjë.
Ne këtu, thashë, kemi bërë punë falë Luizës, se kemi pasur një derë të hapur, kemi pasur një person që e ka pasur gojën e hapur dhe ka pasur derën ku të trokasë, ka gjetur veshët për të dëgjuar dhe që nuk ka menduar për politikë por ka menduar për komunitetin. Të njëjtën gjë do bëjë dhe Nardi, përsëri.
Ndërkohë që, po na vutë ndonjë xhagajdur këtu, çfarë do bëjmë ne, t’i mësojmë shqip? Të fillojmë kurset kundër analfabetizmit politik? Nuk funksionon! Kini parasysh në këtë periudhë 4-vjeçare kemi pasur mundësi të vëmë dorë në ndonjë vend që se kemi pasur kurrë atë shans, në Tropojë. 4 vjet. Shkoni shikoni. Pyesni njerëz që shkojnë. Pyesni njerëz që kanë qënë më përpara. Tropoja, vendi qe ka votuar historikisht me sy të mbylllur, as ka dashur të dijë fare as për alternativë e as për gjë tjetër. Gjiithmonë votën në një drejtim. Gjithmonë në drejtimin e kundërt me interesin e vet.
Sepse interesi i një votuesi nuk është interesi i një tifozi, i një skuadre që vë bluzën atje edhe shkon edhe bën tifozllëk për Luftëtarin. Edhe sikur Real Madridi të vijë këtu, prapë, kush është tifoz i Luftëtarit, prapë me Luftëtarin është edhe sikur Luftëtari të hajë 17 gola. Po ky nuk është futboll. Ky është interes.
Ore, kë do marrim në punë në datën 14 që kur të dalim nga shtëpia ta kemi të pastër rrugën, që kur të çoj fëmijët në çerdhe, çerdhja të jetë në rregull, kopshti të jetë në rregull, shkolla të jetë në rregull. Që kur të vijë natën vajza me shoqet, rrugët të jenë të ndriçuara, që kur të ecin më të moshuarit, mos bien nëpër gropa, që qendrat shëndetësore të funskionojnë, që puna me infrastrukturën, me shërbimin me ujë e me të gjitha të tjerat, të ecë.
Kjo është zgjedhja. Tani kur shkoni ju te mjeku, ça e pyesni? Më trego teserën e partisë se po të jesh i partisë tjetër, unë s’të jap, s’ta lë në dorë veshkën po jam gati të ngordh?
Jo. Te mjeku shkoni dhe i thoni “më bëj derman, vëlla” dhe as do të dish fare se me kë është mjeku. Po kur merrni një hidraulik për çezmën,si i thoni “ti je komunist, unë nuk të marr se jam i djathtë?’’
Do marr atë karrocierin e lagjes që është i djathtë të ma rregullojë çezmën? Jo. E njëjta gjë është për kryetarin e bashkisë.
Këtu çështja është shumë e thjeshtë në 14 maj. Ata kanë ca njerëz të cilëve duan t’u gjejnë punë. Punë, duke prishur punën e gjithë dynjasë, duke e konsideruar zyrën e kryetarit të bashkisë si një vend pune për një njeriun tonë.
Ne duam punës t’i vëmë njeriun mbi kokë. Tani si bëhet më mirë? Duke i vënë një njeri që s’është për atë punë, punën në kurriz dhe duke marrë në qafë të gjithë komunitetin apo duke i gjetur punës njeriun?
Dhe në fund fare për ta mbyllur, unë mendoj që gjithë ky qark ka një vlerë të shtuar përsa i përket kontributit të PS sepse ka një drejtuese të qarkut që është e përkushtuar deri në fund. I thashë dhe atje poshtë kur ishim, një Gjiro që paska lindur me fshesë në dorë, por s’e kemi parë dhe ka marrë fshësen dhe shikoni se çfarë pune të jashtëzakonshme ka bërë për pastërtinë në Shqipëri, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit falë Mirelës dhe tani ça doni tani? Doni që të na kapet për flokësh Mirela me ndonjërin këtu që mund të vihet e të lërë plehrat rrugëve?
Të lëmë nam tani? Tani mos na ngatërroni.
Në 14 maj të vendosim këta njerëz në punë e të vazhdojmë punën, e të ecim vetëm përpara se për sherr e shamata e për të bërë politikë të madhe në një vend të vogël si Libohova, nuk e di se kush mund të ketë këtu. Edhe i djathti më i djathtë duhet ta kuptojë që më mirë pak djathë me pak raki atë ditë, se sa të shkojë të votojë edhe të sjellë sherrrin këtu brenda. Kështu mendoj unë. Megithatë secili ka mendjen e tij.
Do shikojmë vendimin që do marrë Libohova në 14 maj dhe që do marrin të tjerët por kijeni parasysh që nëse vendos një shumicë për t’u kthyer prapa, qeveria do ta ketë të pamundur ta ndalojë që ta çojë mbrapa një komunitet të tërë.
Faleminderit!