Sipërmarrësit shkodranë dhe përfaqësues të sektorit privat në zonat përreth Shkodrës ishin sot, së bashku me kryeministrin Rama, në një takim të zhvilluar në Shirokë, mbi potencialet zhvillimore të kësaj zone të mirënjohur turistike, por edhe mbi problematikat vendore që duhet të marrin zgjidhjen e duhur, si dhe ambicien së qeverisë për t’i dhënë një vrull ekonomik të gjithë zonës, përmes fuqizimit të turizmit dhe jo vetëm.
* * *
Shumë faleminderit për mundimin që keni marrë për të ardhur këtu dhe për kohën që po shpenzoni me ne!
Është kënaqësi kur vij këtu sepse është një vend shumë i bukur dhe një atmosferë shumë relaksuese ndërkohë që këtë herë jam bashkë me Benetin përsëri, por në një cilësi tjetër; këtë herë për të kërkuar nga Shkodra që ta shikojë ndryshe mundësinë për të zgjedhur njeriun e duhur në krye të bashkisë sepse realisht është bërë një kohë shumë e gjatë që Shkodra provon të njëjtën gjë duke kërkuar një rezultat tjetër, por nuk mund të marrësh një rezultat tjetër duke përsëritur të njëjtën gjë kur ajo gjë nuk funksionon.
Për hir të vërtetës, unë besoj që këtë herë janë të gjitha arsyet për ta bërë këtë provë tjetër, por them edhe për faktin që ne kemi sjellë këtu një kandidat për kryetar bashkie i cili nuk na përfaqëson në ngjyrën tonë. Beneti thotë që, “siç bën shaka ndonjëherë kryeministri” edhe i përmend, Beneti e thotë jo me emër por edhe “Me zotin B” se unë as emrin nuk ia përmend. Në fakt, ky ishte me zotin B kur ka filluar punën si menaxher publik dhe unë, kur pashë që ia kishin vënë syrin për ta eliminuar, “si i zotit B” e thirra dhe i thashë “Benet, unë kam dëshirë të vazhdosh punën sepse të vlerësoj si menaxher; je një ndër shumë të paktët që e kanë merituar vendin e punës kështu që unë dëshiroj që ti të vazhdosh punën” dhe ky me qetësinë më të madhe më tha “Unë këtë punë di të bëj. Nëse ju dëshironi që të punojmë bashkë, unë jam në dispozicion, unë nuk kam ndonjë problem të punoj edhe me ju”. Me një fjalë, unë jam andej por do punoj edhe për ju por votën, kuptohet, nuk jua jap. Edhe nuk na e ka dhënë votën madje, që ta them deri në fund, dyshoj a ia ka dhënë votën PS-së në zgjedhjet kur u bë deputet me PS-në se nuk ia bën dora, e ka problem.
Edhe kur u fut në skuadrën tonë, kemi pasur një bisedë shumë interesante sepse Beneti e ka pasur gjithmonë problem politikën dhe unë i kam thënë, nuk të dua për politikë se e di që nuk i ke qejf mikrofonët, nuk i ke qejf kamerat, nuk të vjen për mbarë të flasësh, të vjen shumë më për mbarë të bësh, të drejtosh, tu flasësh kolegëve por jo. Të dua sepse dua që të bëjmë për Shkodrën diçka ndryshe dhe dua që të provojmë të shtyjmë përpara projektet dhe mbase ti mund t’i hapësh dyert në bashkinë e Shkodrës më kollaj sesa ne komunistët”. “Dakord”, tha dhe derisa iu mbush mendja që ajo derë hapet vetëm po të hysh vetë për të qenë kryetar bashkie se ndryshe…
Për shembull, ja sot këtu, unë nuk e di se kush është Dauti këtu nga ju por, Daut, ju keni nevojë për ujë këtu, apo jo, për ujësjellës?
Ju keni nevojë për ujësjellës, ne e kemi bërë projektin e ujësjellësit, ne kemi bërë tenderat për ujësjellësit, edhe të Shirokës edhe të Zogaj, ne kemi lidhur kontratën për të filluar punën, bashkia e Shkodrës nuk na jep lejen. Ky është fakti, i fundit, i freskët fare. Nuk na jep lejen, pra, jo mua, jo Partisë Socialiste, se si me lejen e bashkisë Shkodër si pa lejen e bashkisë së Shkodrës, ne jemi në pushtet dhe do jemi në pushtet. Nuk jep lejen që të vijë uji, Daut, dhe uji, mesa mua më rezulton, jo vetëm që shkon nëpër çezmat e të gjithëve, përfshirë dhe demokratët, por mua nuk më rezulton që demokratët kur pinë ujë, e duan blu; unë e di që e duan pa ngjyrë ujin, e duan të pastër, të pijshëm, pa ngjyrë, kurse bashkia e Shkodrës preferon që demokratë e socialistë të kenë etjen blu, ujë jo.
Këtu jemi. Kjo është mesjeta e thellë në mendjen e atyre që drejtojnë sot bashkinë e Shkodrës; nuk japin leje për ujësjellësin. Më thonë mua që mos kërcëno që nuk do e mbështesësh Shkodrën apo cilëndo bashki që mund ta fitojnë ata të tjerët. Jo, unë nuk kërcënoj që nuk do e mbështes, unë po ju them që nuk e mbështes dot. Çfarë domethënë kjo që nuk e mbështes dot? Domethënë kjo që po ju them.
Ana tjetër thotë diçka tjetër, ana tjetër e medaljes; që kudo ku kemi pasur mundësi që të bëjmë punë për Shkodrën që nuk kanë qenë në dorën e bashkisë, ne i kemi bërë dhe bashkia na ka penguar sa ka mundur.
Kur kam ardhur në fillim në Shkodër si kryeministër thonin: “bëj Shkodër-Velipojën, i ke bërë të gjitha”. Shkodër-Velipojë e bëmë; është rruga që na ka marrë më shumë kohë nga të gjitha rrugët që kemi bërë brenda për brenda qarqeve të Shqipërisë sepse na kanë penguar sa kanë pasur mundësi për letrat e shpronësimeve, na e kanë marrë shpirtin për të bërë letrat, jo për të paguar shpronësimet se shpronësimet i ka paguar një më një qeveria, por me letrat, me qëllim “Më mirë pa rrugë sesa ta bëjnë rrugën kundërshtarët”.
Por mua rruga Shkodër-Velipojë më është dashur nja tre herë, personalisht, a katër kurse shkodranëve, qofshin të djathtë qofshin të majtë i duhet çdo ditë, sidomos në periudhën e verës. Unë nuk e di sesi funksionon në mendjen e një të djathti këtu por mua nuk ma ha mendja që llogaria të jetë e saktë kur ti thua “Më mirë të vazhdojmë kështu siç jemi dhe të mos kemi në bashki një njeri që e ka caktuar Edi Rama dhe punë e madhe se po shkojmë në Velipojë duke u futur nëpër gropa”. Nuk besoj se funksionon kështu. dhe e bëmë rrugën Shkodër-Velipojë.
Bëmë rrugën e Thethit, ne e bëmë; as Shkodër-Velipojën, as rrugën e Thethit nuk e bënë ata që kur kishin mundësi ta bënin, pasi kanë marrë votat e këtij mileti këtu pa pushim dhe pa ndryshim asnjëherë, por e bëmë ne që nuk i kemi marrë kurrë votat këtu për të drejtuar bashkinë e Shkodrës.
Bëmë dhe i bëjmë sepse na intereson Shqipëria, na intereson zhvillimi dhe këtu mund të ndërtohet një motor shumë i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik të Shqipërisë por nuk të lënë.
Rruga sot ka shkuar në Theth. Tani rruga shkon në Theth deri lart dhe ka një destinacion që është dhe Boga. Tani mund të ma shpjegoni dot ju mua, është i njëjti popull, s’ka asnjë ndryshim. Pse Boga është e pastër dhe Thethi është pisllëk? Jo në shtëpi, kur futesh nëpër shtëpi si në Bogë, si në Theth shtëpitë janë të pastra, po flas pastërtia në Rrugë. Shiheni këtu. Shiheni atë copën atje dhe më bëri përshtypje është bërë moli i ri. Moli është bërë për varka, nuk ka asnjë varkë. Tani dhe varkat do t’i sjell unë nga Tirana? Varkat aty duhet t’i vërë bashkia që është e interesuara të zhvillojë turizmin këtu, që kur të shkojnë tek Dauti ata për të ngrënë e për të pirë, të dalin, të marrin varka me qira edhe të bëjnë xhiro.
Belshi është sa është Shiroka. Ka një liqen që është sa një nga ato pjatat e mëdha të krapit që bën Dauti. Ka varka. Varka që i ka vënë bashkia e Belshit dhe në Belsh shkojnë më shumë turistë seç vijnë në Shkodër, për turp, por në Belsh ka një bashki që punon për turizmin, këtu ka një bashki që është e vetmja bashki në Shqipëri, ma besoni këtë gjë, ku kazanët e plehrave mbulohen nga plehrat. Nuk ka më të tilla në Shqipëri, ka pasur, s’ka më. Do vijmë ne nga Tirana t’i pastrojmë rrugët e Shkodrës, do vijmë ne nga Tirana ta pastrojmë shëtitoren? 100 metra shëtitore atje mbushur me plehra, e pamë qëparë. Majlinda tha, “jo sot e kanë pastruar”. Nëse ai quhet pastrim atëherë unë nuk di më çfarë të mendoj kur ai s’është pastrim. Në fakt ishin grumbull, i kishin mbledhur grumbull por nuk i kishin marrë me vete, i kishin lënë aty.
Tani, jo vetëm rrugën e Thethit dhe rrugën e Velipojës por dhe bypass-in e Shkodres dhe bypass-i i Shkodrës është e vërtet që ishte nisur, por ishte lënë rrugëve dhe edhe projektin e di Beneti, ishte problem i madh si të gjitha rrugët që ishin lënë rrugëve dhe megjithëse është një vepër shumë më e vogël nga pikëpamja e gjatësisë sesa plot vepra të tjera, na ka marrë më shumë kohë, pse? Zvarritje prapë. Nuk bëjnë një copë letër, nuk dinë ta bëjnë, nuk duan ta bëjnë apo nuk e ndiejnë fare që kjo është puna e tyre ose të treja bashkë, kjo është fakt, për një copë letër.
Rrugën Velipojë-Shëngjin po e bëjmë. Kemi hequr të zinjtë e ullirit dhe nuk po mbarojmë akoma tani që flasim me letrat e shpronësimit. Të gjithë bashkitë e tjera mezi presin që të bëhet një vepër dhe vrapojnë të bëjnë letra, sepse letra bëjnë nuk bëjnë asgjë tjetër, paratë e shpronësimeve i bën qeveria, i nxjerr qeveria. Nuk po mbarojmë dot që ajo rrugë Velipojë-Shëngjin është një arterie e re zhvillimi dhe do pompojë ekonominë e Shkodrës dhe të Lezhës në një mënyrë të hatashme, nuk e bëjnë. Është tmerr. Duhet të shkosh tu lutesh. Vijnë njerëzit luten nëpër dyer: aman na bëni këtë letër të vazhdojmë punën. Urën që lidh këtë anë me anën tjetër, nga Velipoja nga ana tjetër në Mal të Zi, urën do ta bëjmë nuk na pengojnë dot, s’kanë si të na pengojnë. I kemi filluar procedurat me qeverinë e Malit të Zi, do të vëmë dhe financimin, projektin e kemi bërë ne dhe do ta ndërtojmë urën. Problemi është që nëqoftëse vijnë nga Mali i Zi në Velipojë është mirë të shkojnë deri në Shëngjin, presim bashkinë e Shkodrës. Unë nuk e di domethënë.
Kemi bërë dhe në Shkodër brenda gjëra që s’na kanë penguar dot se s’kishin si na pengonin. Teatrin Migjeni, krenarinë e Shkodrës e kemi restauruar se kishin dalë kabllot si zorrë nga të katërta anët. Marubin, se këta mbrojnë Shkodrën nga komunistë akoma, por vlerat reale të mëdha historike kulturore që nuk janë të Shkodrës, janë të gjithë Shqipërisë falë Shkodrës as nuk dinë të dinë fare, Marubi që është kartëvizita e kulturës shqiptare, dinastia Marubi ia kishin lënë thesarin nëpër thasë, nëpër bodrume me lagështirë që do ishin zhdukur përfundimisht nëse s’do i kishim nxjerrë nga lagështira dhe i kemi bërë muze kombëtar të Marubit. Pse? Se nuk na pengonin dot. Bashkëpunimi zero.
Stadiumi, është i vetmi stadium në botë, ju garantoj për këtë, i standardeve të FIFA-s dhe të UEFA-s që përballë tribunës VIP ka ofiçina dhe lavazhe në distancë dhe i jam lutur UEFA-s dhe FIFA-s mos ta vinte në listë të zezë se nuk kishim ku të conim ndeshjet për shkak të atyre ofiçinave dhe të atyre lavazheve. Për të prishur dy lavazhe, dy ofiçina stadiumi i Shkodrës.
Po i jap këto shembuj që t’ju them që është e pamundur, se kjo historia ‘sdua Edi Ramën është histori kot’. Unë kam gjak nga Shkodra, si nuk e dua se për të filluar nga kjo, për të vazhduar me kulturën e Shkodrës e me figurat e Shkodrës janë mësuesit e mi. Pa ta nuk do isha ky që jam. Dhe pastaj për ekonominë shqiptare çdo pjesë ehtë e rëndësishme, Shkodra është shumë e rëndësishme, por në vend që të jetë motor për ekonominë është pjesa më e dobët e ekonomisë për potencialin që ka.
Në Tropojë nuk na ishte dhënë asnjëherë mundësia, s’di a do ta kemi prapë, shpresoj që po. 4 vjet na u dha mundësia për shkak se ata ikën, nuk morën pjesë në zgjedhje, shkoni shiheni shkoni pyesni. Në 4 vjet Tropoja ka parë ndryshe sa nuk kishte parë në gjitha vitet e tjera bashkë. Ka shumë njerëz të zotë, edhe djathtas por nuk iu vjen radha të shkojnë në krye sepse nuk i duan të zotë, i duan qorra, shurdhë dhe me gojën shpatë për të luftuar politikisht dhe nuk i duan që të drejtojnë dhe të menaxhojnë qytete, i duan që të luftojnë me qeverinë. I duan që t’i marrin të gjithë si skllevër t’i fusin nëpër autobusë, t;i nisin për të bllokuar rrugët, t’i nisin për të bërë protesta, të nisin për të bërtitur Rama ik. Kjo është arsyeja, se të zotë ka plot por nuk iu vjen radha dhe s’ka për t’iu ardhur ndonjëherë. Më besoni për këtë. Se nuk iu intereson puna, nuk iu interesin zhvillimi, nuk iu intereson se nuk e shohin, iu pëlqen papastërtia, nuk e kanë problem. Me plehra dhe çfarë pastaj? Demokraci jemi! Njerëz e plehra bashkë, ecin përpara dhe në fakt shkojnë vetëm prapa. Unë di të them kaq, që ne jemi shumë të disponuar të bëjmë për Shkodrën siç kemi bërë për gjithë bashkitë e tjera nga Tropoja deri në Konispol.
Nëqoftëse na japim mudnësinë, ne do ta bëjmë. Nëqoftëse s’na jepni mundësinë, ne do bëjmë aq sa mundemi, po ajo që mundemi është shumë pak për atë që duhet.
Kaq e thjeshtë është kjo sepse edhe bashkëpunim me ta nuk ka dot, nuk është problemi se s’duam. S’duan. S’dinë. S’e kanë mendjen aty. Nuk janë aty për atë punë.
I duan bashkitë si kështjella lufte politike, nuk i duan si qendra ku projektohet e ardhmja dhe nga ku zbatohen planet e të ardhmes dhe prej ku monitorohen zbatimet e planeve të së ardhmes. Nuk i duan.
Tani për ta gjetur edhe demokrat, edhe punëtor, edhe që shkon mirë me ne, edhe kështu edhe ashtu, i kemi rënë rrotull dhe ja ku e kemi gjetur. Tani merreni, për veten tuaj.
S’e morët, e marim prapë ne në Tiranë po nuk ua pastrojmë dot plehrat nga Tirana.
Faleminderit shumë!