Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Piramida, i rikthehet sot Tiranës me një dimension të rilindur dhe një madhështi ndryshe nga më parë, si zemra e Shqipërisë së Re të Inovacionit dhe destinacioni më i madh i teknologjisë digjitale në rajon.

Projekti ambicioz për rijetëzimin e saj është finalizuar me sukses në kantier, duke e transformuar si kurrë më parë këtë hapësirë, në një stoli për kryeqytetin me perspektivën e një prej pikave më të vizituara në të ardhmen për të gjithë turstët që vijnë në Shqipëri.

Në mbrëmjen e veçantë dedikuar çeljes së Piramidës dhe hapësirës së re për publikun  përshëndeti edhe Kryeministri Rama.

* * * 

E kam pasur ëndërr të më shohin nga kaq lartë poshtë, kështu që më vjen shumë mirë që jam unë në rolin e atij që sheh nga poshtë lartë.

Kjo është një nga ëndrrat e mia më intensive që sot bëhet realitet. Ka qenë një pikëpyetje e madhe prej shumë e shumë vitesh, që kur unë u bëra ministër i Kulturës dhe kjo quhej qendra ndërkombëtare e kulturës, në fakt ishte një hapësirë në degradim e ndarë me kioska brenda për shërbime të ndryshme dhe ajo që i mungonte ishin njerëzit, ishte jeta e vetë dhe nuk ka qenë aspak e lehtë për të ardhur në këtë zgjidhje dhe në këtë rezultat sepse këto godina që mbartin kaq shumë histori dhe një histori aspak të lehtë për t’u mbajtur si pjesë e kujtesës, gjithmonë ngrenë dilema dhe pikëpyetje të mëdha se çfarë duhet bërë me to.

Pati një moment kur qeveria e mëparshme tentoi ta shembte për të bërë një parlament të ri këtu në vend te saj dhe atje ka qenë një tjetër moment shumë interesant dhe i befasishëm për mua sepse Piramidën e mbrojtën të rinjtë, e mbrojti një masë e madhe vajzash dhe djemsh që nuk ishin të nxitur nga partitë politike dhe përgjithësisht ishin bashkuar thjeshtë dhe vetëm sepse nuk donin t’iu ikte ky objekt. 

Fakti që ata ishin përgjithësisht në një moshë pa asnjë lidhje me komunizmin kryesisht të lindur në vitet ’80 dhe pa ngarkesë dhe fakti që ndërkohë e donin Piramidën ishte shumë domethënëse për të vazhduar për të reflektuar se çfarë mund të bëhej ky objekt, i cili natyrisht nuk mund të ishte dot një objekt statik në programin e vet, por gjithsesi kjo që sot duket kaq e thjeshtë, kaq e natyrshme, kaq organike me piramidën është rezultat i një periudhe shumë të gjatë përsiatjesh, reflektimesh, dyshimesh, dilemash. 

Pastaj, pati një tentativë tjetër po aq absurde për ta bërë teatër kombëtar, ku u bë një investim goxha i konsiderueshëm nga Ministria e Kulturës dhe përsëri një dështim i madh i qeverisë së mëparshme. U harxhuan afro 5 milionë euro dhe ajo që rezultoi ishte që piramida u grabit dhe në ato që kishte. Iu morën gjithë pllakat e mermerit, iu shqyen të gjitha gjërat që i kishin mbetur dhe mbeti një skelet që me demek do të ishte skena e Teatrit Kombëtar. 

Kështu pak nga pak erdhëm tek ideja që kjo duhet të ishte një hapësirë për të gjithë. 

Ka qenë një bisedë me Winy Maas që ishte dhe embrioni i gjithë këtij zhvillimi të madh kur tha që kjo duket si një turr drush, si një vatër që ka zjarrin brenda dhe duhet ta bëjmë të tillë që të ketë zjarrin brenda.

Faktikisht sot jemi këtu, një bashkëpunim intensiv dhe shumë produktiv, flet puna vetë, me bashkinë dhe me Fondin Amerikan Zhvillimit që na ka sjellë në këtë rezultat falë projektit shumë vizionar dhe shumë tërheqës të studios MVRDV dhe Winy Maas si arkitekt. Tani sfida tjetër është popullimi me gjithë aktivitete që kanë të bëjnë me startup-et, që kanë të bëjnë me botën digjitale, që kanë të bëjnë me fëmijët, që kanë të bëjnë me të rinjtë, por patjetër kjo duhet të jetë një hapësirë dhe për moshat e tjera dhe për moshën e tretë, për gjyshërit, për gjyshet dhe besoj që këtu lali Eri dhe grupi i tij do ta menaxhojnë së miri këtë fazë të dytë.

Ne patjetër këtu jemi në mbështetje, e kemi thënë, s’ka nevojë ta përsërisim që lali Erin e kemi me këmishë, kështu që nuk ftohet kurrë, faleminderit shumë edhe Fondit. 

Faleminderit shumë të gjithë atyre që morën pjesë në realizimin, kompanisë realizuese, gjithë të tjerëve që e ndoqën këtë, që gjëja natyrisht më fantastike e këtij projekti për mua janë këto shkallët që e bëjnë ngjitjen shumë të lehtë, nuk është ajo që përpjeta simbolizon pamundësinë për të arritur në majë. 

Godina është kthyer, ajo guacka e piramidës që u krijua për kultin e një njeriu të vetëm tani është shpina që mban mbi kurriz gjithë këta njerëz sot dhe që parafytyroheni që shpina e kësaj Piramide do të jetë shpina që unë jam i bindur do të hyjë në Guinness sepse do të mbajë miliona e miliona njerëz në jetën e vet dhe nuk besoj se ka dhe do ketë godinë tjetër në botë, e cila funksionon si një godinë, si gjithë godinat për aktivitete brenda vetes, por që shpina e saj mban dhe do të mbajë nuk e di sesa miliona njerëz.

Kështu që, ta gëzojnë qytetarët e Tiranës, ta gëzojnë shqiptarët që jetojnë këtu, që jetojnë në Kosovë, që jetojnë kudo tjetër.

Qendra do të jetë një qendër që do të jetë përtej kufijve tanë, do të kemi vend edhe për të tjerë. Synimi është të bëhet një qendër, është qendra më e madhe rajonale për sa i përket fuqisë që ka, tani do ta kthejmë në qendrën më të madhe rajonale për sa i përket aktivitetit të vet.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.