Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në konferencën “Letërnjoftimi, siguria juaj për shërbimet elektronike”:

 

Me falënderimet për parafolësit, dua të them disa fjalë nga një kënd tjetër. Pasi s’kam çfarë t‘i shtoj shpjegimeve të natyrës teknike që u bënë këtu dhe po ashtu, edhe lançimit të një faze të re lidhur me shtrirjen e procesit të modernizimit përmes inovacionit në vendin tonë.

Dua të sjell këtu në vëmendje armikun kryesor të kësaj shoqërie që, besoj fort, përmes këtij procesi krijohet mundësia ta luftojmë me shumë më tepër efektshmëri dhe shumë më në rrënjë, korrupsionin. Në fund të fundit, korrupsioni nuk është asgjë tjetër, përgjithësisht, përveçse alternativa e një shërbimi të cilin qytetari e pret nga shteti. Kur ky shërbim që qytetari e pret nga shteti dhe që shteti ka detyrimin t’ia japë qytetarit është i avashtë, është jocilësor dhe është shkak për të hyrë në procese tërësisht të turbullta, atëherë korrupsioni paraqitet si një alternativë e shpejtë, efikase, përkundër faturës.

Këtë, sot, qytetarët tanë e përjetojnë kudo në jetën e tyre të përditshme, sa herë që duhet të trokasin në dyert e shtetit për të marrë një shërbim. Në thelb, korrupsioni cenon sigurinë në të gjitha marrëdhëniet midis qytetarit dhe shtetit, çka do të thotë edhe sigurinë në gjithë sistemin e bashkëjetesës shoqërore. Korrupsioni cenon rëndë sigurinë si rend ligjor, por edhe si rend publik. Cenon rëndë sigurinë si psikologji e përgjithshme shoqërore, por edhe si prirje individuale e gjithsekujt që nuk ka një rrugë të shkurtër për ta kapërcyer gjithë procesin ligjor. Padyshim, korrupsioni cenon rëndë sigurinë bazike në raport me jetën, në raport me pronën, në raport me të gjithë sistemin me të cilin individi apo familja janë të detyruar të bashkëjetojnë. Për të qenë më konkret dhe për të zbritur në nivelin e diskutimit të sotëm, lidhur me çfarë risish sjell ky proces inovacioni, dua të vendos një theks tjetër. Ky proces inovacioni i jep qytetarit mundësinë që të jetë më aktiv dhe që të jetë më i dobishëm në një luftë me këtë armik të madh dhe të përbashkët, që është korrupsioni, dhe që nuk mund të fitohet në rast se këtë luftë çdo qytetar e delegon tek shteti. Nuk mund të fitohet lufta me krimin, nuk mund të fitohet lufta me këtë pasiguri të përgjithshme, në rast se qytetari e delegon betejën tek policia, tek Ministria e Brendshme, tek Ministri i Brendshëm. Ende më pak mund të fitohet lufta me padrejtësinë, në rast se gjithë ai sistem padrejtësie që është sot i kudondodhur në dyert e prokurorive dhe të gjykatave delegohet nga qytetari tek Qeveria dhe tek Kryeministri. Rastet nuk kanë munguar dhe nuk mungojnë, kur shoqëria thellësisht e tronditur nga padrejtësitë, padrejtësi të mëdha, spektakolare, –  që nga vrasjet e njerëzve me armët e shtetit në bulevard dhe deri tek grabitjet e mëdha, –  është kthyer me fytyrë nga Qeveria dhe i kërkon Qeverisë të bëjë drejtësi. Kjo, është pak por e sigurt, nuk na çon aty ku të gjithë bashkë duam dhe na merr kohë, energji dhe konsumon potenciale të mëdha, në ndërkohë.

Ndërsa përmes këtij sistemi, qytetari e ka shumë më të lehtë të afrohet dhe e ka shumë më të sigurt rrugën për ta çuar kontributin e tij, në formën e një denoncimi, për të luftuar këtë armik të përbashkët që është korrupsioni, por për të luftuar edhe shkeljen e ligjeve në tërësi. Pasi nuk ndesh në idiotësinë tradicionale të sportelit të radhës, ku shfaqet nëpunësi dembel dhe parazit i radhës dhe ku kërkohet bakshishi i radhës, por denoncimi shkon drejt aty ku duhet. Sigurisht, në atë moment, barra i mbetet tërësisht shtetit. Barra i mbetet tërësisht strukturës përkatëse për të reaguar. Ne, këto ditë, jemi duke punuar intensivisht për një fazë të re të betejës kundër korrupsionit. Ne besojmë shumë fort se do ta mundim korrupsionin si një sistem që çdo ditë thith gjakun e qytetarëve, e familjeve, duke thithur prej xhepit të tyre para që nuk duhet të dalin për shërbimet që qytetarëve iu takojnë me ligj dhe me zakon.

E, në këtë proces, ne besojmë shumë fort se krijimi i një hapësire përmes teknologjisë, ku ndërveprimi të jetë i drejtpërdrejtë, pa ndërmjetës, pa filtra, pa sekserë, pa pengesa, do të na japë mundësinë që ta përballim përgatitjen tërësore të pasigurisë në marrëdhëniet mes qytetarit dhe shtetit, bashkërisht dhe me shumë më tepër efikasitet.

Së treti, më lejoni të zbres ende më konkretisht. Ne e dimë shumë mirë që pavarësisht shumë ndryshimeve pozitive që kanë ndodhur gjatë këtij viti, ende jemi larg ndryshimit themelor për qytetarin, në raport me sportelin ku duhet të marri certifikatën, ku duhet të marri dokumentin përkatës për të ushtruar më pas një aktivitet që e kërkon këtë dokument. Janë shumë dokumente të tilla. Janë shumë licenca, janë shumë leje, janë shumë të drejta të kësaj natyre që burojnë nga dokumente shërbimesh, duke filluar nga e drejta për të pasur dokumentin e pronës tënde.

Unë e di shumë mirë që aty ku kërkohen dokumentet e pronës është edhe një nga vatrat më të infektuara të këtij korrupsioni sistemik, për të cilin flasim. Në ndërkohë, ne dimë shumë mirë edhe tjetrën, që nuk është ndryshimi i njerëzve që sjell kapërcimin e kësaj faze historike që e ka bërë korrupsionin “Zot” të vendit këtu në Shqipëri, sa herë qytetari përballet me nevojën për të marr një shërbim, por është përmbysja e një sistemi. E këtij sistemi që trashëgojmë vit pas viti si një kancer që shtrihet me metastazat e veta kudo ku mund të prekë xhepin e qytetarit dhe kalimin në një sistem që e bën shërbimin in-personal. Thjeshtë fare, nëpërmjet Komisariatit Dixhital duhet të merren të gjitha shërbimet. Nëpërmjet sistemeve online, në pika të caktuara që nuk janë domosdoshmërisht zyrat e shtetit, duhet të merren të gjitha shërbimet. Dhe duhet të merren në kohë shumë më të shpejtë. Por për të arritur këtë duhet të përgatisim mbrapa, në prapavijë, gjithë pikat e furnizimit të këtij sistemi. Pra që të mund ta japim hipotekën në mënyrë dixhitale dhe të arrijmë në momentin kur për të marrë hipotekën qytetari të mos shkojë fare në zyrën e hipotekës, por të mund ta marrë hipotekën në qendrën tregtare ku shkon për të bërë pazaret; të mund ta marrë hipotekën në zyrën e Postës, aty ku nuk ka zyrë hipoteke në komunën “X”, e kështu me radhë. Kemi nevojë, ndërkohë, që të bëjmë të gjithë dixhitalizimin e pronës dhe ta bëjmë të pamundur manipulimin e hartave dhe lojën me mbivendosjet. E njëjta gjë vlen për të gjitha shërbimet e tjera. Në këtë drejtim, ky është një hap i parë dhe shumë shpejt ne do të çojmë një numër të konsiderueshëm shërbimesh, jo të mjaftueshëm, jo shterues, nëpër të gjithë qendrat tregtare të vendit. Do të bëjmë të mundur shumë shërbime.  Pensionet. Pensionistët të mos shkojnë më në ato kioskat e tmerrshme, mbrapa atyre sporteleve me hekura, të mbajnë radhën, kur u vjen data e pensionit, por të mund ta marrin pensionin drejtpërdrejtë, nëpërmjet automateve, nëpër qendra tregtare. Në ndërkohë, ne po punojmë për të ngritur qendrën e madhe të shërbimeve. Për të pasur në Tiranë një qendër që është njësoj si një qendër tregtare, që nuk tregton produkte të tjera, por jep shërbime. Produktet janë shërbimet. Aty, çdo qytetar që ka nevojë për një shërbim të çfarëdolloj, nga të gjitha shërbimet që i jep shteti, ka pikën e duhur për ta bërë këtë gjë në kohë rekord. Kjo nuk është utopi. Ky është një projekt që e kemi shpikur ne. Ne thjesht po punojmë për ta importuar dhe për ta vendosur në vendin tonë. Ky do të jetë momenti i një çlirimi të madh nga makthi i ryshfeteve dhe nga makthi i atij korrupsioni që u nxiu jetën njerëzve, për kaq shumë vite, në Shqipëri. Nga i cili do të çlirohemi jo duke menduar që të zëvendësojmë djajtë me engjëjt, sepse nuk ka engjëj dhe djaj, – jemi të gjithë shqiptarë dhe jemi të gjithë, pak djaj dhe pak engjëj, se siç thotë edhe ajo shprehja: “Aty brenda tek i gjalli, jeton dhe engjëlli dhe djalli”. – por  duke transformuar sistemin.

Gjë që po e bën Policia e Shtetit, që është në avangardë të këtij procesi, ku inovacioni është prioritet. Dhe kalimi nga polici që ha fara, në ndërkohë që pret që qytetari  të nxjerr farat nga xhepi për të shtuar farat në xhepin e tij, tek polici që është  i lidhur në mënyrë dixhitale me qendrën, që ka në trup mikrofonin dhe kamerën dhe që monitorohet gjatë gjithë kohës së shërbimit të tij, me zë dhe me figurë, në gjithë komunikimin me qytetarin, duke bërë që të monitorohet gjithë lëvizja e gjithë trupave që janë në terren,  sjell një transformim rrënjësor. Sepse, nga një anë është e pamundur që polici të justifikohet me njëmijë e një rrugët që gjen njeriu kur duhet të justifikohet  në mungesë të dëshmitarëve, pasi dëshmitari është dixhital dhe nga ana tjetër, është e pamundur që qytetarët ta ndajnë veten në të kategorisë së parë dhe të kategorisë së dytë. Njëri duke thënë unë jam vëllai i Ministrit të Brendshëm, tjetri duke thënë jam daja i Ministres nuk e di se çfarë dhe hape rrugën se unë nuk ndaloj fare, apo tjetri duke thënë unë jam deputeti dhe nuk pyes fare për ty. Sepse të gjitha këto janë brenda një sistemi të teknologjisë së re. Sa për t’ju sjellë një shembull.

Së fundi, e gjitha kjo, në fund fare nuk është vetëm çlirim nga një sistem gjakpirjeje që është i shtrirë kudo në rrugët e bashkëjetesës sonë, por është e rritje e garantuar ekonomike dhe sociale. Sepse përmes inovacionit vijmë në një progres konkret që s’ka të bëjë vetëm me lehtësimin e barrës së korrupsionit, por ka të bëjë edhe me çlirimi e shumë energjive që lidhen me konkurrencën e ndershme, që lidhen me meritën, që lidhen me barazinë para ligjit, që lidhen me drejtësinë që jep drejtësi, e kështu me radhë. Ju siguroj që kjo nuk është utopi dhe për këtë arsye, kjo konferencë është një moment i rëndësishëm për të cilin ia vlen të harrosh që është ditë e shtunë. Unë, përgjithësisht, i refuzoj ftesat për të shkuar nëpër konferenca, sepse besoj që jemi vendi me numrin më të madh të konferencave për frymë, në këto 20 vjet dhe jam i bindur që jemi vendi me numrin më të madh të seminareve për metër/katror hoteli dhe restoranti në këto 20 vjet. Besoj që nëse masim se sa shumë para janë shpenzuar për konferenca e për seminare, për të luftuar korrupsionin dhe sesa pak kemi përfituar nga këto, me siguri nuk dalin mirë. Por kjo është një nga ato konferenca që nuk na mbledh vetëm për të folur, por për të bërë një bilanc, për të pasur përpara syve disa zhvillime konkrete dhe për të lançuar disa ide që nuk janë dëshira, por janë ide mbi të cilat po punohet intensivisht nga Ministrja e Inovacionit, po punohet intensivisht nga Ministri i Brendshëm, po punohet intensivisht nga Ministri për Çështjet Vendore, që është edhe Koordinatori Kombëtar i Antikorrupsionit në Qeverinë tonë dhe po punohet intensivisht nga të gjithë ne, në bashkëpunim me partnerë serioze ndërkombëtarë, në rastin konkret në bashkëpunim me një grup partnerësh që ka bërë të mundur pikërisht ato që u thanë këtu më parë. Nuk po e përsëris atë që kemi pasaportën më të sigurt në botë. Edhe pse kjo, në këtë rast, i bie që të jetë e vërtetë, unë e kam shumë problem këtë krahasimin me botën. Mendoj gjithmonë as jemi, as kemi qenë, as do jemi ndonjëherë të dytët pas Gjermanisë, por shpresoj, sot, të jemi të parët, para Danimarkës.

Faleminderit!

 

*** 

Në konferencën “Letërnjoftimi, Siguria juaj për Shërbimet Elektronike”, u prezantuan sot një seri shërbimesh elektronike, të cilat kanë si bazë përdorimin e letërnjoftimit duke garantuar siguri dhe cilësi në ofrimin e tyre ndaj qytetarëve, si dhe minimizim të korrupsionit.

Ministrja e Inovacionit Milena Harito theksoi se dixhitalizimi i shërbimeve publike dhe nënshkrimi elektronik jo vetëm i hap rrugën thjeshtimit të shërbimeve, por krijon mundësinë për të gjurmuar rezultatin, shmang korrupsionin dhe rrit transparencën.

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri njoftoi zbatimin, nga janari i vitit 2015, të dy projekteve të para, atë të “Komisariati dixhital”, ku përmes një automati ofrohet shërbimi i deritanishëm i një sporteli policor dhe të projektit “e-Gate”, që është kontrolli përmes fotografimit dhe krahasimit të të dhënave me bazën e të dhënave, në pikën kufitare.

Punimeve të konferencës iu bashkuan Kryeministri Rama, Drejtori Ekzekutivë i SAFRAN Morpho, Philippe Petitcolin, Presidenti i Fondit Shqiptaro – Amerikan të Zhvillimit, Michael Granoff, drejtusi i ALEAT, etj..

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.