Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Ditën e dytë të turit dy ditor që Kryeminsitri Rama po zhvillon në vendet e Ballkanit Perëndimor e nisi nga Sarajeva, ku pas takimit bilateral me Kryetaren e Këshillit të Ministrave të Republikës së Bosnje dhe Hercegovinës, Borjana Krišto, zhvilluan një deklaratë të përbashkët për mediat:

 

Kryetarja e Këshillit të Ministrave të Republikës së Bosnje dhe Hercegovinës, Borjana Krišto: Përshëndetje të gjithëve!

Përshëndetje për mediat posaçërisht!

Përshëndetje për Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama.

Në këtë takim kemi biseduar lidhur me marrëdhëniet tona të cilat janë në rregull, janë të mira, nuk kemi kurrfarë problemi lidhur me marrëdhëniet tona dhe në të ardhmen tonë si duhet t’i zbatojmë më tutje marrëdhëniet tona mes këtyre dy shteteve.

Ky bashkëpunim duhet të përmbajë dhe dialogun e përbashkët dhe të jetë një dialog i mirë dhe shpresoj se në të ardhmen do kemi një bashkëpunim njëri me tjetrin të mirë.

Në këtë takim informova kryeministrin e Republikës së Shqipërisë lidhur me situatën politike dhe aktuale tek ne dhe sesi funksionojnë çështjet dhe marrëdhëniet të tjera lidhur me politikën tek ne.

Bashkëpunimi mes dy shteteve duhet të jetë me konsensus, duhet të ketë dialog të mirë dhe shpresoj se dhe në të ardhmen të dy shtetet do të bashkëpunojnë në mënyrë të rregullt dhe të mirë lidhur me tërë situatën politike aktuale në rrethin tonë.

Kemi theksuar 14 çështje më të rëndësishme për të paraqitur Komisionit Europian dhe edhe më tutje duhet të merremi me këtë që të theksojmë dhe të shprehim interesat tona Komisionit Europian.

Kemi parashikuar 5 çështje të cilat duhet të paraqiten dhe me këtë Këshilli i Ministrave po përgatitet që më 19 Korrik të paraqitet në mënyrë sa më të mirë dhe adekuate Këshillit Europian. Theksohet dhe bashkëpunimi rajonal dhe me theks të veçantë në Procesin e Berlinit.

Lidhur me këtë, ne kemi informuar presidentin, lidhur me masat e ndërmarra dhe iniciativat të cilat i kemi ndërmarrë lidhur me Procesin e Berlinit dhe me takimin i cili do të ndodhë në Tiranë.

Dy iniciativa nuk kemi arritur t’i bëjmë dhe nuk jemi ende të gatshëm për t’i aprovuar, lidhur me lëvizjen e lirë ndërmjet shteteve dhe tregut të përbashkët. Jemi duke i bërë dhe këto iniciativa që edhe këto të bëhen aktuale.

Pas këtij takimi do të bëjmë në intensivitetin e marrëdhënieve edhe prezantimin si në marrëdhëniet mes dy shteteve ashtu dhe në rajon.

 

Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama: Shumë faleminderit për mikpritje dhe realizimin e kësaj vizite në një kohë rekord falë disponimit të kryeministres.

Në radhë të parë e urova kryeministren për konsensusin për ndalimin e duhanit këtu në këtë godinë dhe uroj që ky të jetë një shembull sesi të gjithë vendimet dhe proceset kaq të rëndësishme për mirëqenien e përbashkët duhet të merren dhe të zbatohen. Ne dëshirojmë që t’i forcojmë marrëdhëniet me Bosnje Hercegovinën dhe po ashtu informova kryeministren se jemi duke përgatitur hapjen e ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Sarajevë.

Në Bosnje Hercegovinë jeton një komunitet shqiptar dhe mua më vjen shumë mirë të them që komuniteti boshnjak në Shqipëri i ka të garantuara të drejtat e veta gjuhësore, kulturore, fetare që janë të garantuara nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në ligjin e minoriteteve të Republikës së Shqipërisë.

Nga ana tjetër nuk është sekret që Republika e Shqipërisë mbron edhe interesat e shqiptarëve në Kosovë dhe në vende të tjera dhe unë ia thashë dhe kryeministres që ne jemi shumë të interesuar që marrëveshjet e Procesit të Berlinit dhe në radhë të parë marrëveshja për lëvizjen e lirë, me kartë identiteti për qytetarët shqiptarë të Republikës së Kosovës të mundësohet sepse është e pakuptimtë që ne të kemi problematika të kësaj natyre që zbresin deri në nivelin e qytetarëve, ndërkohë që politika duhet t’iu shërbejë në radhë të parë të gjithë qytetarëve pa dallim.

Unë dëshiroj të besoj që ashtu sikundër vetë Serbia i ka firmosur ato marrëveshje edhe Bosnjë Hercegovina do e bëjë këtë gjë.

Nga ana tjetër erdha këtu për ta informuar kryeministren për çka ne duhet të bëjmë në samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë në muajin tetor dhe sesi ne dëshirojmë që të ndërtojmë një qëndrim të përbashkët të të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor për ta shfrytëzuar samitin e Tiranës si një samit ku të marrë jetë edhe plani i një financimi të ri dhe një mbështetje të re ekonomike nga ana e Bashkimit Europian për këto 6 vende.

Qysh nga dita e parë e çeljes së negociatave me BE ne kemi nisur këtë përpjekje dhe na vjen shumë mirë që ne nivelin e BE ka një ndjeshmëri dhe ka dhe një proces i cili është lajmëruar edhe nga presidentja von der Leyen lidhur me një mbështetje të re në funksion të rritjes së bashkëpunimit rajonal në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Pa diskutim ne e mirëkuptojmë plotësisht dhe e mbështesim plotësisht mbështetjen që BE i jep në çdo aspekt Ukrainës dhe nuk ka vend për të bërë asnjë krahasim, por nga ana tjetër është e domosdoshme që në raport me Ballkanin Perëndimor, me të gjashtë vendet tona të ndërtohet një qasje e re. Nuk besoj se ne duhet të fillojmë ndonjë luftë apo të na vijë ndonjë agresor për të marrë më shumë mbështetje.

Bashkimi Europian duhet të na mbështesë dhe më shumë duke dhënë edhe një provë tjetër se sjellja e mirë shpërblehet, se vullneti për të shpërblyer paqen shpërblehet, se vullneti për ta lënë pas të shkuarën dhe për të përqafuar së bashku të ardhmen shpërblehet.

Kryeministrja po ashtu u informua që së shpejti rreth mesit të korrikut unë do organizoj një takim informal mes liderëve të rajonit dhe përfaqësuesve të Komisionit Europian për të diskutuar pikërisht për këtë plan të ri dhe ndërkohë për të ndërtuar së bashku një qëndrim lidhur me Procesin e Berlinit duke synuar që të forcojmë bashkëpunimin me kancelarinë në Berlin për ta transformuar Procesin e Berlinit në një makineri shumë më produktive.

Edhe një herë shumë faleminderit për mikpritjen!

Urime për zgjedhjen dhe suksese dhe sa më shumë konsensus dhe harmoni mes jush!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.