Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Konferencë për mediat e Kryeministrit Edi Rama me Presidentin e Republikës së Serbisë, Aleksandar Vučić, pas takimit tête-à-tête që zhvilluan mes tyre, në kuadër të turit dy ditor që kreu i qeverisë shqiptare zhvilloi në kryeqytetet e vendeve të Ballkanit Perëndimor:

 

Presidenti i Republikës së Serbisë, Aleksandar Vučić: Mirëprita kryeministrin shqiptar Edi Rama!

Besoj që pas dekadash të qenit të heshtur midis marrëdhënieve, midis Serbisë dhe Shqipërisë dhe midis serbëve dhe shqiptareve, ishim pikërisht ne të dy që nisëm të ndryshimin këtë trashëgimi të keqe politike dhe mendoj që në vitet e shkuara e kemi dëshmuar me rezultate konkrete dhe të prekshme se vendet tona, qytetarët tanë, popujt tanë mund të ecin përpara shumë më shpejt dhe të kemi bashkëpunim më të ngushtë. Po të hedhësh një sy shifrave dhe nivelit të shkëmbimit tregtar midis 2019 dhe në fund të 2022 do të shihni se sa ndjeshëm është rritur shkëmbimi tregtar midis dy vendeve tona si në import dhe në eksport nga njëri vend, në tjetrin.

Gjithmonë kemi mbështetur aktivitetet në kuadër të këtij formati mjaft të dobishëm rajonal dhe besojmë se do kontribuojë në bashkëpunimin e mëtejshëm dhe përmirësimin dhe rritjen e procesit të pajtimit si edhe të tejkalimit të problemeve të trashëguara nga e kaluara.

Ne jemi të angazhuar për të kontribuar në mënyrë aktive në periudhën që vjen për përmbushjen e objektivave në kuadër të planit të veprimit për tregun e përbashkët rajonal dhe me gjasë ju duhet ta dini që Parlamenti i Serbisë ka ratifikuar marrëveshjen për të lëvizur përmes kartave të identitetit dhe për njohjen e kualifikimeve profesionale në prill të 2023, që hyn në fuqi në 1 qershor të 2023.

Përveç kësaj besojmë që kryeministri Rama do të investojë mjaft energji për të arritur rezultate shumë të rëndësishme në periudhën që vjen.

Duke folur për Ballkanin e Hapur në shkallën apo mirë në pikën deri sa mundemi në këtë periudhë të shkurtër duke qenë se do të vazhdojmë diskutimin tonë gjatë darkës dhe do të kemi edhe disa orë të tjera në mbrëmje për ta diskutuar këtë, natyrisht nuk do të kemi diskutime të lehta, por besoj që do të kemi diskutime të frytshme me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut nisëm të treja Ballkanin e Hapur. Solli shumë përfitime për të tre ne dhe ne besojmë së pari përfitim për qytetarët tanë. Besoj se ka shumë gjëra që kjo nismë që e pati fillesën nga rajoni, ndihmoi për t’i sjellë njerëzit më pranë për tw kontribuuar për një jetë më të mirë të qytetarëve tanë.

Në periudhën që vjen do të kemi takime të përbashkëta gjithashtu lidhur me nismën e Ballkanit të Hapur. Ju e dini që ne po përgatitemi dhe do të kemi panairin e tretë në nivel europian, që është panairi i vizionit të verës në tetor në Beograd dhe mendoj që do të jetë në fakt me një rëndësi në nivel botëror.

I diskutuam të gjitha çështjet e rajonale dhe folëm për pikëpamjet tona shpesh të ndryshme sa i takon situatës në Kosovë, por nuk mendoj se do të ishte e drejtë për të thënë diçka këtu në prani të kryeministrit shqiptar dhe as nuk besoj se ai do ta bëjë këtë gjë. Dallimet tona apo ideja e pikëpamjeve tona se si do t’i zgjidhim problemet, ta lëmë këtë gjë për ne, pra do ta lëmë gjënë  për ato që i takojnë vendeve tona dhe do ta vazhdojmë diskutimin më tej gjatë mbrëmjes. Dua dhe një herë që ti uroj mirëseardhjen kryeministrit shqiptar Edi Rama. Ai gjithmonë është i mirëpritur në vendin tonë, pavarësisht pikëpamjeve të ndryshme që kemi për disa çështje, Serbia do të bëjë më të mirën për të vazhduar dhe për të zhvilluar marrëdhënie të vërteta dhe miqësore me Republikën e Shqipërisë.

 

Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama: Shumë faleminderit për mikpritjen dhe për mundësinë për tu takuar në kuadër të vizitave në të gjitha kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor lidhur me temën e Procesit të Berlinit në Tiranë dhe natyrisht për të diskutuar edhe më gjerë se kaq për tema të interesit të përbashkët.

Duke qenë se kryeministrja e Serbisë nuk ishte e pranishme, takimi me Presidentin është edhe më i gjatë sesa ç’do të ishte. Kjo do të na japë mundësinë që të diskutojmë në mënyrë shteruese lidhur jo vetëm me siç thashë, temën kryesore që është Procesi i Berlinit, domosdoshmëria për tu fokusuar të gjithë së bashku në mënyrë që Samiti i këtij procesi në Tiranë të jetë një sukses dhe sukses do të thotë që ne të arrijmë që të bashkojmë planin e ri të Komisionit Europian për të rritur financimet për vendet e Ballkanit Perëndimor mbi tavanin aktual të fondeve IPA, plus për të hapur disa rrugë të reja për integrimin e vendeve tona në tregun e përbashkët europian dhe nga ana tjetër, sigurisht për të ballafaquar pikëpamje që siç e tha dhe Presidenti, nuk janë gjithnjë të njëjta dhe në ndonjë aspekt janë konvergjente mjaftueshmërish, por ne jemi mjaftueshmërish të mësuar tanimë që t’i ndajmë opinionet tona në mënyrë të hapur, të drejtpërdrejtë, të biem dakord që nuk jemi dakord me të gjitha, ama kjo të mos na pengojë që të vazhdojmë të përpiqemi që të bëjmë më të mirën në funksion të atyre qëllimeve që besoj duhet të jenë qëllimet e të gjithëve në rajonin tonë për ta çuar më tutje një proces bashkëpunimi dhe paqeje që është detyra jonë ta bëjmë të pakthyeshëm.

Pikërisht, për të punuar konkretisht dhe për të bashkëpunuar konkretisht për të bërë më të mirën duhet në momente si ky që e dimë shumë mirë që është moment specifik me një tension shumë të lartë në veriun e Kosovës, të evitojmë që ndarja e të gjithë pikëpamjeve në publik të përkeqësojë pastaj klimën dhe të kthehet në arsye për të stimuluar në vija të ndryshme e madje për ta devijuar qëllimin e ndarjes së këtyre pikëpamjeve. Me kaq unë besoj se mjafton.

 

– I nderuar kryeministër Rama. Ju ndodheni në Beograd sot për të promovuar Procesin e Berlinit. Ju kërkoj ndjesë, por është e paevitueshme pyetja për sa i përket qëndrimeve tuaja shqetësuese në Tiranë. Keni deklaruar, citoj “veriu i Kosovës nuk mund, larg qoftë, të kthehet në një Donbas të ri në Europë”. Pas takimit që keni patur me presidentin Vuçiç pak më parë, ndjeheni më i qetësuar, pikërisht nga shqetësimi që keni shprehur në Tiranë?

Për Presidentin e nderuar Vuçiç, të gjithë ne e dimë ose më saktë, pritshmëritë janë që Djokovic ta fitojë Wimbledon, por ajo çfarë nuk dimë dhe unë lutem të kemi një përgjigje është se a ka shpresë, a ka një mundësi që ju t’i riktheheni dialogut me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti?

Kryeministri Edi Rama: Për sa i takon pyetjes që mu drejtua mua, unë dua që ta përsëris atë që kam thënë edhe këtu në mënyrë shumë të qartë, që rruga e vetme sipas meje, është jo rruga e rritjes së tensioneve, por rruga e dialogut dhe e dakordësisë mbi marrëveshjen që buron nga i ashtuquajturi plani franko-gjerman dhe nuk dua të përsëris këtu në Beograd çfarë kam thënë në Prishtinë drejtuar autoriteteve të Kosovës por këtu dua të shtoj se askush nuk duhet ta nënvlerësojë rrezikun e përshkallëzimit të atij tensioni deri në pikën ku të gjendemi në kushtet ku pastaj një lëvizje e armatosur të marrë përsipër atë që në asnjë mënyrë ne nuk duhet të lejojmë të ndodhë dhe kjo do ta bënte situatën të atillë, të krahasueshme me atë që unë kam thënë lidhur me Donbasin, duke krijuar një territor brena për brenda rajonit ku pastaj do ishte e pamundur që të mos humbitnim kohë dhe energji të pafundme me pasoja që nuk i llogarisim dot sot për ta rikthyer situatën në gjendjen e mëparshme.

Ndërkohë që sot situata është ende shumë e kontrollueshme në rast se pikat e përcaktuara qartësisht nga e gjithë bashkësia ndërkombëtare për de-eskalimin zbatohen pa por, pa sikur, pa njëherë kështu e pastaj ashtu. Kjo është shumë e qartë, që do të thotë që i duhet hapur rruga arsyes dhe pastaj duhet të kalohet në procesin e dialogut normalisht.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç: I dashur Muhamed. Po, të gjithë në Serbi po shpresojmë që Novak Djokovic, që është krenaria e vendit dhe e popullit tonë do të fitojë Wimbledon dhe dua t’i urojmë fat, edhe po ndodhi, edhe po nuk ndodhi, nuk i dihet asnjëherë, por po, ne serbët shpresojmë që do të jetë kështu.

Nëse mundem, dua të them vetëm se nuk mendoj se askush që është normal po kërkon të shohë llogore të tjera kombëtare apo mundësinë e një konflikti të çfarëdo lloji dhe nuk thashë rastësisht që jam i sigurt që askush që është normal, duke folur për planin e shtensionimit për të cilin foli Edi Rama e njoh përmendësh, i njoh të gjithë zërat e pikat e planit të referuara në Beograd, që referohen Beogradit, Prishtinës dhe ato që i referohen komunitetit ndërkombëtar.

Nga tre pikat më të rëndësishme kemi realizuar dy si Serbi dhe nuk mund të vazhdojmë me të tretën sepse duhet të ndodhë njëkohësisht me Prishtinën. Për t’iu thënë për çfarë bëhet fjalë, është tërheqja e kryetarëve të bashkive, të komunave që morën 3,4% të votave dhe personave rreth ndërtesave të bashkive. Sa i takon çdo gjëje tjetër, Serbia do t’i realizojë ato dhe Serbia ka përmbushur çdo lloj gjëje.

Jo vetëm duan paqe. Ne duam paqe dhe kjo nuk është një deklaratë, është diçka për të cilën punojmë, pavarësisht se sa e vështirë që mund të jetë kjo për ne dhe unë e di se si në Tiranë dhe në Prishtinë do ketë prej tyre që e shohin Serbinë si e keqja apo ajo që është fajtorja për nuk e di se çfarë. Dua që ju të dini se situata është shumë e vështirë në Serbi lidhur me këtë çështje dhe nuk do t’iu them juve dhe askujt tjetër sa të vështira janë problemet me të cilat përballemi, cilat janë reagimet e njerëzve, qoftë në veri, në Kosovë në veri apo qoftë në pjesën e sipërme jashtë. Ajo çfarë na mbetet është të bëjmë gjithçka mundemi për të ruajtur paqen.

Sa i takon takimit apo për të parë Albin Kurtin, nuk kam patur asnjëherë problem të diskutoj apo ta takoj atë, qoftë nga Tirana dhe nga Prishtina që unë kam marrë pjesë për 11 vjet në diskutime.

I vetmi që nuk kam, pra unë kam folur me të gjithë, me Hashim Thaçin, me Ramush Haradinaj, me Hotin dhe diskutimet me të gjithë jam përpjekur të gjej zgjidhjet paqësore për problemet e popujve tanë, të vendeve tona që të jetojnë më mirë që ne të ofrojmë standarde më të mira jetese.

Më pyesni se kur do ta shoh Albin Kurtin dhe ju as nuk e dini se as ata që janë më afër tij kur do ta shohin, por më mirë të mos bëj asnjë koment për këto gjëra.

Për mua dhe për ne gjëja më e rëndësishme është që të ruajmë paqen, të vazhdojmë të punojmë e të mendojmë për rritjen ekonomike. Unë nuk jam  aq optimist sa ç’është Edi, por gjithmonë ia lë atij këtë pjesë sepse ai ka ditur më mirë sesa unë se si t’i trajtonte burokratët e Brukselit. Ka ditur më mirë se si të fliste me ta. Edhe duke folur për më shumë para për rajonin shpresoj që ai do të më sjellë lajmin që do të jetë i suksesshëm, që ne do të jemi të suksesshëm sepse kjo është ajo me të cilën jetojnë qytetarët këtu.

Do t’ju kërkoj gazetarëve nga Beogradi nëse munden, që të mos na pyesin mua dhe Edin për këtë, jo sepse po u ikim përgjigjeve, por në fakt nuk është e drejtë sepse nuk është e vështirë që unë të flas në praninë e tij dhe ai të flasë në praninë time për Kosovën e Metohinë sepse nuk ka nevojë që t’i bëjmë gjërat më keq se ç’janë aktualisht dhe përfundimisht gjërat nuk janë mirë mjaftueshëm.

– Duke pasur parasysh kërkesën e presidentit  në fakt pyetjet janë për Kosovën e Metohinë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç: Pyet për çfarëdo gjëje të duash. Nuk duam t’ju censurojmë por po të më dëgjosh mua, është e mira të mos e përmendësh. Po nëqoftëse doni, ma bëni.

–   Pra ajo që dua të pyes presidentin është duke pasur parasysh që Edi Rama një muaj më parë doli me një draft të asociacionit të komunave dhe ndërkohë dje nga Prishtina u tha që ky propozim ka shumë autonomi për serbët dhe Kryeministri Rama e hodhi poshtë këtë dhe tha se ata nuk e kanë parë këtë propozim. A ka qenë kjo një pjesë e diskutimeve tuaja dhe a keni më shumë detaje. A ka një propozim të pranueshëm për Beogradin në përputhje me marrëveshjen e Brukselit dhe për zotin Rama, presidenti tha dje se një nga përgjigjet për krizën në Kosovë e Metohi do të ishte kërkesa për një seancë të Këshillit të Sigurimit ku duhet diskutuar situata në provincën jugore. Nëqoftëse kjo do të ndodhë, duke pasur parasysh që Shqipëria është anëtare e Këshillit të Sigurimit,  kur bëhet fjalë për të votuar për ta vënë këtë në agjendë, cili do të jetë qëndrimi i Shqipërisë? Do të votojë pro apo kundër kësaj? Dhe sqarimet lidhur me Ballkanin e Hapur. Në Podgoricë morët të njëjtën pyetje, por nuk qetë shumë konkret. Përgjigjja juaj, cili është qëndrimi i Shqipërisë  sa i takon të ardhmes së kësaj iniciative. A do të tërhiqeni ndoshta nga kjo nismë përkatëse?

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç: Ne diskutuam Ballkanin e Hapur, diskutuam situatën në Kosovë e Metohi. Nuk e kam parë propozimin e Edi Ramës. Ka njerëz që mund të thonë, kemi parë, s’kemi parë gjë, ndërsa unë po e pashë them e kam parë. Kur s’e kam parë, them s’e kam parë. Megjithatë do të referohesha marrëveshjes së Brukselit dhe planit franko-gjerman që qartësisht thotë që asociacionit i komunave serbe duhet të krijohet në bazë të asaj çfarë është pranuar dhe është nënshkruar në Bruksel në 2013 dhe 2015. Kemi negociuar për thuajse dy vjet e gjysmë për këtë. Dy vjet e gjysmë negociata të vështira me Hashim Thaçin dhe Isa Mustafën kur nënshkruam në fillim parime.

Ne nuk kërkojmë sot më shumë sesa aq. Vendosni vetëm në statut parimet dhe gjithçka që duhet të jetë pjesë e veprimtarisë së asociacionit të komunave sepse kemi pranuar çdo gjë tjetër; policinë, gjyqësorin, pjesëmarrjen në zgjedhje e shumë gjëra të tjera, edhe mbrojtjen civile që nga disa më vonë u deklarua si grup terrorist. Çështja është se asociacionit i komunave duhet të formohet. Duhet të ishte krijuar 10 vjet më parë edhe më përpara sesa kaq. Megjithatë duket se nuk ka vullnet mjaftueshëm për ta bërë. Nuk e kam parë këtë propozim. Folëm për Ballkanin e Hapur dhe besoj që shumë besnikërisht fola se si ishte konkluzioni për të dy ne.

Kryeministri Edi Rama: Duke qenë se u përmend këtu propozimi, duhet ta përsëris edhe një herë që propozimi i një draft statuti është një kontribut nga ana ime që besoj që është një kontribut shumë pozitiv në përmbajtje, por që nuk pretendon të jetë një kontribut që palët duhet ta marrin dhe ta pranojnë apo nuk është një kontribut i konsultuar me asnjërën nga palët.

Jam pyetur për këtë në mënyrë të përsëritur në Tiranë, jam pyetur dhe gjatë këtij turi dhe më vjen keq që disa nuk duan ta kuptojnë që nëse ky do të ishte një kontribut në emër të Kosovës, atëherë ky kontribut nuk do kishte asnjë vlerë dhe unë nuk do ta merrja përsipër pasi për Kosovën dhe në emër të Kosovës flasin ata që e përfaqësojnë, ashtu sikundër nuk mund të ishte kurrë një kontribut që unë ta konsultoja me Presidentin e Serbisë. Ky është një kontribut i shkruar i cili i është dorëzuar dy kumbarëve të planit franko-gjerman, presidentit të Francës dhe kancelarit të Gjermanisë dhe presidentit të Këshillit Europian për dijeni dhe kaq.

Iu takon pastaj palëve ta kërkojnë, ta lexojnë apo mos ta lexojnë, ta konsiderojnë apo mos ta konsiderojnë. Unë besoj që është një kontribut pozitiv, unë besoj që tërheqja zvarrë e asociacionit të komunave me shumicë serbe është një gabim strategjik dhe po ashtu është një gabim strategjik edhe tërheqja zvarrë e krijimit të kushteve për serbët e Kosovës për të ushtruar të drejtat e tyre fetare dhe për kishën për të pasur ato që i takojnë brenda kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës. Ashtu sikundër unë besoj se këmbëngulja për të mbajtur nëpër godina bosh të mbushura me policë, kryetarë komunash të cilët u zgjodhën në kushteve e një bojkoti, por nuk mund të vazhdojnë të qëndrojnë duke u kthyer në pengesë për zgjidhjen është një tjetër gabim strategjik. Këto i kam thënë publikisht, i përsëris dhe këtu dhe nga ana tjetër unë shpresoj që presidenti dhe Serbia nga ana e vet do ta thotë qartë dhe shkoqur që në momentin që hapet rruga për zgjedhje, aty do bëhen zgjedhje dhe do të garantohet pjesëmarrja. Kjo është e gjitha për këtë pjesë.

Përsa i përket pyetjes që bëtë lidhur me Këshillin e Sigurimit, po ne jemi anëtarë të Këshillit të Sigurimit, por ne jemi dhe anëtar të NATO-s, por ne jemi në të njëjtën kohë një vend i vetëdijshëm për përmasën e tij, pra ne as nuk jemi superfuqi dhe as nuk kemi kapacitetin të sillemi si superfuqi, por kemi fatin të jemi në një aleancë me superfuqitë dhe për këtë arsye çdo gjë që ne bëjmë në Këshillin e Sigurimit e konsultojmë.

Nga ana tjetër unë dua të njihem me këtë ide se kam dëgjuar, kam mundur të lexoj nga mediat për këtë ide, por nuk e njoh në përmbajtje se çfarë ka parasysh Presidenti kur thotë se Këshilli i Sigurimit duhet të merret me çështjen e veriut të Kosovës dhe sigurisht që mbasi të njihem me këtë ide do krijoj një opinion për këtë. Në të gjitha rastet qëndrimi ynë në Këshillin e Sigurimit është një qëndrim i harmonizuar plotësisht me SHBA dhe me vendet e tjera aleate dhe shqetësimi im kryesor në gjithë këtë fazë tensionesh është që ne të mos humbasim sensin e drejtimit dhe mbi të gjitha që tensionet në veri të mos shihen si një eksluzivitet i asnjërës nga palët e përfshira, por të shihen si një çështje që duhet trajtuar me të gjithë partneret dhe aleatët dhe natyrisht me Bashkimin Europian pasi të gjitha vendet e përfshira në këtë rajon janë të përkushtuara në rrugën e integrimit europian, përfshirë dhe Serbinë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç: Në fakt ata të cilëve iu është paraqitur statuti nuk janë kumbarë, nuk janë ata, por ekipi i menaxhimit të Serbisë në përputhje me marrëveshjen e Brukselit dhe gjithçka që është arritur në gusht të 2015. Nuk ka askënd tjetër në përputhje me rregullat e ligjshme që është e detyruar të paraqesë në statut apo të marrë pjesë në hartimin e këtij statuti përveç ekipit drejtues serb. Kaq është gjithçka dhe ne do ta vazhdojmë më tej diskutimin tonë. Faleminderit shumë. Edhe një herë i uroj mirëseardhjen miqve nga Shqipëria!

Kryeministri Edi Rama: Ata janë kumbarë të planit franko-gjerman, jo të statutit. Janë kumbarë të planit. Pra presidenti i Francës dhe kancelari i Gjermanisë janë kumbarët e panit franko gjerman. Se planin franko-gjerman e ka bërë Franca dhe  Gjermania s’besoj që ta ketë bërë Serbia dhe atë.

Ndërkohë që përsa i përket propozimit të draft statutit e përsëris është një kontribut i pa kërkuar për të ndikuar pozitivisht në këtë proces. Nuk ka asnjë qëllim tjetër dhe nuk ka asnjë pretendim që palët ta pranojnë, por unë besoj që nëse palët do interesohen për ta lexuar do të gjejnë shumë arsye për ta pranuar qoftë dhe pjesërisht. Shumë faleminderit!

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç: Edi, në Serbi i zgjedh vetë kumbarët dhe i fton të vijnë në pagëzim a në dasmë, këtu nuk quan kumbarë njerëz që imponojnë disa vendime. Faleminderit shumë!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.