Për herë të parë, Bashkia e Gramshit ka marrë mbështetjen financiare të Qeverisë për rigjallërimin urban dhe social të qytetit. Me një fond të përgjithshëm prej 40 milionë lekë kanë nisur njëherësh punime intensive në disa drejtime.
Për të inspektuar ecurinë e këtyre projekteve ishte sot në Gramsh, Kryeministri Edi Rama, sëbashku me Ministrin e Energjisë Damian Gjiknuri, të cilët të shoqëruar edhe nga Kryetari i Bashkisë Dritan Bici dhe qytetarë të shumtë vizituan punët e kryera dhe ato në proces.
Ka filluar rikonceptimi urban i qytetit të Gramshit me ndërtimin e një sheshi të ri në afërsi të tregut të qytetit, si dhe me rehabilitimin e dy lulishteve.
Projekt i rëndësishëm është rikualifikimi urban i një prej lagjeve kryesore të qytetit, ku deri më sot nuk është kryer asnjë ndërhyrje për sistemimin e saj. Po ndërhyhet në të gjithë infrastrukturën nëntokësore, asfaltimin e rrugëve të brendshme, trotuaret, sinjalistikën, ndriçimin, gjelbërimin dhe hapësirat çlodhëse.
Kryetari i Bashkisë Dritan Bici tha se këto janë fondet e para që akordohen për Bashkinë e Gramshit. “Është një gjë shumë e madhe për këtë qytet dhe aq më mirë që fillojnë nga sistemimet dhe gjelbërimi. Na shtohet sipërfaqja e gjelbër për çlodhjen e qytetarëve. Në një vit na akordoi 40 milionë lekë të reja qeveria, ndërkohë që në 3 vjet që kam si kryetar bashkie, nga qeveria kam parë zero lekë.”
Kryeministri Rama theksoi se mbështetja do të jetë e vazhdueshme, duke siguruar për zgjerimin e projektit për rehabilitimin urban, edhe me ndërtimin e pedonales, rinovimin e fasadave dhe ndërtimin e rrugëve hyrëse në qytet, nga të dyja drejtimet, nga Elbasani dhe nga Korça.
“Rruga e re fillon së shpejti. Është një rrugë realisht piktoreske, që lidh Gramshin ashtu si duhet me pjesën e poshtme, nga ana e Elbasanit dhe më pas do të bëjmë edhe lidhjen tjetër me Korçën. Kështu që, nuk do ketë një hyrje dhe një dalje, por keni edhe hyrje dhe dalje nga të dyja anët. Ndërkohë që, ne biseduam që menjëherë të vazhdojmë me projektin e qendrës. Tani që u ndërhy në këtë zonë që ishte një tmerr dhe praktikisht bëhet si një qendër e vogël e qytetit, këtu të bëjmë edhe një shtesë tjetër, me një projekt të vogël, për të rehabilituar të gjithë godinat e vjetra, në mënyrë që të marrë një pamje shembullore. Të jetë një qendër që rrezaton shpresë dhe besim edhe te të tjerët. Pastaj, paralelisht fillojmë qendrën e Gramshit. Tani ju takon të gjeni një vend edhe për Antonio Gramshin, por mos na bëni nga ato monumentet e realizmit-demokratik, se nuk i duam ato. Të bëjmë edhe rrugën pedonale,” – nënvizoi Kryeministri.
Gramshi, i cili shtrihet në luginën e Devollit dhe të Tomorricës, vlerësohet një rreth me potenciale në disa fusha. Për këtë, Kryeministri theksoi se edhe me ndarjen e re administrativo-territoriale, ky është vetëm fillimi që do ta shndërrojë Gramshin në një vend me shumë atraksion.
“T’i japim një mesazh shumë të qartë të gjithë atyre që janë qytetarët e Bashkisë së re të Gramshit, sepse nuk është më bashkia e mbyllur këtu në një unazë të vogël, por është një bashki me shume potenciale. Me shumë potenciale edhe në zhvillimin bujqësor, edhe në zhvillimin turistik, edhe në rritjen e cilësisë së mjedisit, për ta bërë realisht një vend me shumë atraksion. Është plotësisht e mundur. Ky është vetëm fillimi,” – u shpreh Kryeministri.
Rëndësinë e rrugës hyrëse në qytet e veçoi edhe Kryetari i Bashkisë, për të cilën u shpreh se ajo do t’i shërbejë gjithë rrethit të Gramshit. “Është një vepër e madhe rruga e re për qytetarët e Gramshit. Me projektin e qeverisë së shkuar i binte që nga Gramshi të ikje nëpër male që të dilje në Elbasan. Tani është projektuar një rrugë shumë piktoreske. Jo vetëm unë, por të gjithë qytetarët falënderojnë për këtë ritëm dhe për këto investime që i jepni qytetit dhe të gjithë rrethit të Gramshit,” – u shpreh Bici.