Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Në prag të ndeshjes së radhës të ekipit Kombëtar të Futbollit, Kryeministri Edi Rama inspektoi përmbylljen e punimeve në stadiumin “Elbasan Arena”, ku do të luhen ndeshjet e ekipit tonë kombëtar.

Pasi vizitoi ambientet e jashtme dhe të brendshme të stadiumit, Kryeministri u shpreh i kënaqur nga standardet e punimeve, ndërsa njoftoi vijimin e projektit me shndërrimin e “Elbansa Arena” në një stadium Olimpik, i cili të mikëpresë edhe evente sportive ndërkombëtare.

“Siç e shihni, jemi pothuajse gati për ndeshjen e 11 tetorit. Me një stadium që është i pari në Shqipëri që plotëson gjithë standardet e UEFA-s dhe siç thoshte edhe Presidenti i Federatës, edhe standardet e Champions League, nga pikëpamja e të gjithë normave. Ndërkohë që, ne duam që mos të jetë vetëm një stadium futbolli, por të jetë edhe një stadium Olimpik. Për këtë arsye, menjëherë pas këtij evenimenti do të bëjmë edhe punë për të shtruar pistën e parë të standardeve ndërkombëtare, me tartan, në mënyrë që Elbasani të jetë edhe një vend që të mikëpresë aktivitete ndërkombëtare të atletikës, rajonale minimalisht dhe pastaj, pse jo, edhe kampionatet europiane të të rinjve dhe kështu me radhë. Siç e shihni, duam që Elbasani të jetë një qendër e rëndësishme graviteti, për jo vetëm futbollin dhe skuadrën kombëtare, por edhe për sportin në tërësi.”

Rikonstruksioni i stadiumit “Elbasan Arena” është një investim i përbashkët i Qeverisë dhe Federatës Shqiptare të Futbollit, me vlerë rreth 5.5 milionë euro. Punimet kanë përfshirë rikonstruksionin e tribunave, ndërtimin e të gjitha rrjeteve inxhinierike, rikonstruksionin e fushës së lojës, vendosjen e sistemit të kontrollit elektronik të biletave në të gjithë sektorët e stadiumit, vendosjen e dy ekraneve LED në fushë, përfundimi i sistemit të ndriçimit, vendosjen e stolave në të gjitha tribunat dhe mobilimi i të gjitha ambienteve të stadiumit. Pjesë e rëndësishme e projektit ishte edhe rikonstruksioni i sheshit përpara stadiumit dhe rrugës rreth tij, duke i pastruar edhe nga të gjitha ndërtimet kaotike në hapësirën përreth stadiumit.

Në përfundim të vizitës në Elbasan Kryeministri së bashku me kryetarin e Bashkisë dhe deputetët e qarkut kanë parë edhe ecurinë e punimeve të kryera në këtë qytet, të cilat janë financuar nga qeveria përmes Fondit të Zhvillimit të Rajoneve.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.