Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama:

Përshëndetje të gjithëve!

Sigurisht që, në gjithë këtë periudhë janë bërë shumë gjëra, por ajo çka ende nuk është bërë, sepse kërkon kohë, por edhe sepse kërkon qasje tërësisht të re, është përmirësimi rrënjësor i cilësisë së shërbimit për qytetarët.

Ne jemi shumë të vetëdijshëm se, në rast se në shumë aspekte, qytetarët mund ta shohin dhe mund ta prekin ndryshimin që po sjellim, në aspektin e cilësisë së shërbimeve jemi larg jo vetëm asaj që qytetarët aspirojnë, por ambicies sonë për shtetin.

Sot këtu, është me fort rëndësi të theksohet se nuk po bëhet një përurim rutinë dhe as po përurohet ndryshimi i pamjes së një godine, edhe pse besoj të paktën në këtë pikë s’ka konstatime, për fasada nuk na e kalon askush. Këtë e pranon me plot gojën edhe opozita, duke kujtuar se na thotë që thotë ndonjë gjë që nuk na pëlqen, por ne na pëlqen shumë që të përmirësojmë pamjen e gjërave, sepse, në fund të fundit, ne kemi një ndryshim të madh në mënyrën si e kuptojmë shprehjen: “Mos i shiko gunën, por shikoji punën”. Dhe guna ka rëndësinë e vet, sidomos kur vjen puna për shtetin, kur vjen puna për shërbëtorët e shtetit, kur vjen puna për Policinë e Shtetit. Nuk ka pikë dyshimi se në këtë aspekt, ne jemi shumë të zotë.

Por ajo që sot na ka sjellë këtu, nuk është thjesht transformimi fizik i kësaj godine, që prej vitesh është Drejtoria e Policisë së kryeqytetit dhe prej vitesh ishte shëmbëlltyra e një rrënimi, që në fakt nuk ishte thjesht rrënimi i godinës, por rrënimi i Policisë së Shtetit.

Unë kam edhe fatin që të jem fare pranë, çdo ditë, sepse banoj këtu, 50 metra nga kjo godinë dhe kam pasur mundësinë në mënyrë të vazhdueshme të shikoj sesi qytetarët mblidheshin të gjithë grumbull tek një frëngji dhe se çfarë pamje dëshpëruese kishte drejtoria kryesore e policisë, si Drejtoria e kryeqytetit.

Ajo që vlen më shumë sesa pamja dhe sesa transformimi fizik i godinës është transformimi i shërbimit brenda saj. Sepse kalohet nga një shërbim i degraduar dhe i dhënë nëpër këmbë, në një shërbim që do të funksionojë 24 orë në 24. Jo vetëm kaq, por një shërbim që do të jetë unik, pra, shumë procedura që deri dje qytetarët ishin të detyruar t’i bënin në disa sportele,- sepse nuk mjaftonte sporteli i Drejtorisë së Tiranës,- do t’i kryejnë të gjitha këtu, në një sportel.

Ky është një transformim shumë i rëndësishëm në rrugën drejt rritjes së cilësisë së shërbimit. Është një transformim i rëndësishëm që na jep mundësi të luftojmë realisht atë korrupsion që ua ka sjellë në majë të hundës gjithë qytetarëve, që është korrupsioni në jetën e përditshme, është korrupsioni i ryshfetit dhe i çuarjes përpara të përpjekjes për një të drejtë vetëm nëpërmjet parasë. Sepse tanimë kalojmë në një shërbim tërësisht transparent dhe qytetari në këtë procedurë shërbimi është jo më përballë nëpunësit të radhës, që i bie ta vonojë apo ta paguajë, por është përballë një strukture transparente ku depoziton dokumentacionin dhe merr në dorë, kopjen e dokumentit të nënshkruar për aplikimin dhe në bazë të gjithë procedurës që zhvillohet në rrugë dixhitale, merr përgjigje në afatin caktuar. Mospërgjigja në afatin e caktuar bën menjëherë me përgjegjësi zyrën përkatëse dhe nëpunësin përkatës. Dhënia e një numri unik për zyrën e shërbimit krijon kushtet që të ndiqet ligjërisht edhe çdo çështje e kallëzuar. Jo siç mund të ketë ndodhur deri dje.

Nga ana tjetër nuk është më e nevojshme që të aplikohet në drejtori qarku, pastaj për të vazhduar aplikimin në Drejtorinë e Përgjithshme, për një sërë procedurash me rëndësi, por bëhet një aplikim i drejtpërdrejtë në Drejtorinë e Përgjithshme.

Të gjitha këto janë një arsye shumë e fortë, për t’u ndjerë sot të lehtësuar nga barra e pamundësisë që, gjatë kësaj periudhe që kemi kaluar, kemi pasur për të dhënë një shërbim të denjë në këtë qendër të rëndësishme të Policisë së Shtetit.

Jemi të lehtësuar sot, sepse bëjmë një eliminim drastik të burokracisë, kursejmë në mënyrë të konsiderueshme kohën e qytetarit. Ajo çka është ende më e rëndësishme, rrisim jo vetëm cilësinë e shërbimit ndaj qytetarit, por rrisim në mënyrë të ndjeshme edhe cilësinë e punës së Policisë së Shtetit në ndjekje të kallëzimeve që bëjnë qytetarët. Mos harrojmë që kemi të bëjmë me 75 lloje shërbimesh të ndryshme, jo thjeshtë me një lloj shërbimi. Kemi të bëjmë me një numër të jashtëzakonshëm qytetarësh, që është edhe më i madh po të llogarisësh numrin e atyre që falë shërbimit cilësor do të fitojnë besim dhe do të vijnë tek kjo derë me besim se përpjekja e tyre nuk do të shkojë kot, se kallëzimi i tyre nuk do të refuzohet, apo se për të marrë një të drejtë që u takon në këtë zyrë, nuk do të kenë me nevojë të paguajnë asgjë.

E pra, ky është një moment i bukur. Është një moment për të përgëzuar përzemërsisht Ministrin e Brendshëm që i ka qëndruar në kokë këtij projekti, si një projekt themelor për transformimin e mëtejshëm të gjithë sistemit të shërbimit të Policisë së Shtetit. Për të falënderuar Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Drejtorin e Policisë së Tiranës, të cilët pa asnjë dyshim, kanë përballuar një ngarkesë shumë të madhe, në kushte të vështira, në mungesë të kësaj strukture, gjatë kohës së rindërtimit. Patjetër, për të falënderuar të gjitha ata sipërmarrës që kanë kontribuuar që ky transformim të bëhet pa asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit.

Jam i bindur që këto investime të sipërmarrjes, në formën e donacioneve për të rritur përgjegjësinë sociale të sipërmarrjes, kanë një impakt të jashtëzakonshëm në rritjen e përgjegjësisë së shtetit ndaj qytetarëve dhe patjetër në përmirësimin e jashtëzakonshëm të asaj klime ku sipërmarrja mbledh frytet e investimeve të veta.

Në fund, dua të them se ky është vetëm fillimi!

Ky është vetëm fillimi, sepse projekti ynë i transformimit të shërbimeve është shumë më i madh se kaq, është shumë më ambicioz se kaq dhe shkon shumë më përtej shërbimeve të Policisë së Shtetit. Duke pasur si qendër graviteti Ministrinë e Brendshme dhe duke pasur si pikë mbështetje Policinë e Shtetit, por padyshim, duke synuar që t’i përfshijmë të gjitha sportelet ku sot shkojnë qytetarët, – absolutisht të gjitha, nuk flas vetëm për sportelet e policisë, – në një sistem unik. Për të bërë të mundur që çfarëdo shërbimi qytetarët të kërkojnë, nga hipoteka tek marrja e pensioneve, nga shërbimet policore tek shërbimet e tjera, të mund ta marrin në një kontakt të vetëm. Për ta bërë të mundur fizikisht në një pikë të vetme. Për ta bërë këtë të mundur edhe virtualisht nëpërmjet sistemit dixhital. Ne po punojmë për këtë projekt. Do të kërkojë ende kohën e vet, por padyshim, qytetarët do të fillojnë të shohin ndryshime shumë të rëndësishme në këtë drejtim. Lehtësimi i tyre nga barra e tmerrshme e burokracisë, e ecejakeve, e zvarritjeve, e ryshfeteve do të jetë i vazhdueshëm.

Territori ku sot gjendet struktura e dikurshme e Gardës së Republikës do të transformohet në një territor të shërbimeve më cilësore në rajon, pa as më të voglin dyshim, por nga më cilësoret në Europë, që do t’i japë Ministria e Brendshme dhe që do t’i japë shteti shqiptar. Kjo është ambicia jonë! Ne po punojmë për projektin dhe jam besimplotë që do të jemi përsëri sëbashku për të parë frytin e parë të këtij projekti, por sigurisht, kjo do të kërkojë ende kohën e vetë.

Ndërkohë që në një kohë relativisht shumë të shkurtër, transformimi që është bërë këtu na jep mundësinë që nga nesër qytetarët do të trokasin në derën e Drejtorisë së Policisë së Tiranës të shërbehen si qytetarë të Europës. Padyshim, edhe njerëzit që janë brenda të ndihen pjesë e një transformimi të madh ku kushtet e punës janë tërësisht të ndryshuara për mirë, kushtet për t’i dhënë shërbim qytetarëve janë tërësisht të ndryshuara për mirë dhe kushtet për ta përfaqësuar me dinjitetin më të lartë Policinë e Shtetit janë tërësisht të ndryshuara për mirë.

Edhe një herë, shumë faleminderit të gjithëve!

Faleminderit edhe të gjithë atyre që po nda ndjekin duke qëndruar në këmbë. Besoj që është momenti për të parë nga afër dhe nga brenda këtë transformim. Pasi kemi shijuar fasadën, që s’ka dyshim që është shumë më e bukur se ajo e para. Sepse siç e thashë për fasada ne jemi të parët, por s’ka pikë dyshimi që edhe pas fasadave, prapë të parët jemi!

Faleminderit!

***

Krijimi i Sportelit unik standardizon marrëdhënien e qytetarit me Policinë e Shtetit. Komunikimi i qytetarit në këto zyra, që do të ofrojnë shërbim të pandërprerë, 24 orë në 24, do të bëhet nëpërmjet regjistrimit elektronik të kërkesave, ankesave apo kallëzimeve. Pas regjistrimit të kërkesës, qytetarit i jepet numri unik i çështjes. Dokumentacioni që e shoqëron kërkesën kalon elektronikisht, në kohë reale, në zyrën vendimmarrëse. Numri unik do t’i mundësojë qytetarit të ndjekë ecurinë e çështjes, në çdo moment.

Zyra e parë e këtij lloji u promovua në prani të Kryeministrit Edi Rama, në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, për t’u shtrirë më pas, edhe në çdo drejtori dhe komisariat të vendit.

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri theksoi se hapja e zyrës së parë në sistemin “One stop shop”, për të gjitha shërbimet policore vendos një marrëdhënie të re ndërmjet qytetarit dhe Policisë së Shtetit. “Të tilla zyra, – u shpreh Ministri Tahiri – do të hapen në çdo komisariat dhe drejtori kudo në Shqipëri, për t’i rikthyer Policisë së Shtetit mentalitetin e shërbimit ndaj qytetarit, për të rikthyer besimin e qytetarëve, për të luftuar korrupsionin dhe për të ndërtuar policinë moderne që presim të gjithë.”

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.