Konferencë e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Edi Rama dhe Komisionerit për Zgjerimin Stefan Fyle, pas përfundimit të takimit të katërt, të Dialogut të Nivelit të Lartë Shqipëri – BE
Kryeministri Edi Rama:
“Përshëndetje!
Sot është një ditë e veçantë. Jo vetëm sepse e veçantë është çdo ditë që na angazhon të gjithëve në Dialogun e Nivelit të Lartë, por edhe sepse kjo është dita e lamtumirës së Stefan Fyles nga Shqipëria si Komisioner për Zgjerimin.
Unë dua ta falenderoj Komisionerin për gjithë këto vite marrëdhëniesh intensive, shpeshherë të tendosura mes tij dhe nesh, ku herë, ne, qeveria e sotme dhe opozita e djeshme, dhe herë opozita e sotme dhe qeveria e djeshme, jemi ankuar sepse Stefani ka anuar nga pala tjetër.
Në fakt, besoj se të pëlqehesh njëkohësisht nga të dyja palët në Shqipëri, duhet të jesh Papa i Romës ose Kancelarja e Gjermanisë, prandaj Komisioneri duhet të jetë shumë i kënaqur për punën e tij me ne, jo sepse e kanë duartrokitur të dyja palët, por se të dyja palët janë ankuar për të, në kohë të ndryshme.
Nuk ka qenë një periudhë e lehtë për Shqipërinë, koha e shërbimit të Stefan Fyles si Komisioner për Zgjerimin. E cila, ka nisur fill pas zgjedhjeve të kontestuara të 2009-s dhe ka vazhduar mes konfliktesh dhe arritjesh për të mbërritur në zgjedhjet e lira dhe të pakontestuara politike të qershorit 2013 dhe ka kulmuar me marrjen e statusit të vendit kandidat, qershorin që sapo shkoi.
E përtej kujtimeve të hidhura, ku 21 janari mbetet ende një plagë e hapur deri në ditën kur drejtësia do të bëjë drejtësi, bilanci i punës sonë të përbashkët me Brukselin e përkatësisht me Komisionerin Fyle, mund të konsiderohet pa as më të voglin dyshim, një bilanc shumë pozitiv.
Kjo konsideratë për bilancin, nuk do të ishte e tillë sot, pa kontributin, përpjekjet, këmbënguljen, mbi të gjitha përkushtimin me durim të Stefan Fyle ndaj Shqipërisë dhe ndaj ecurisë së vendit tonë në rrugën e integrimit europian.
Ja pse në emër të popullit dhe të vendit tonë e falënderoj me mirënjohje Komisionerin e Zgjerimit për gjithçka bëri për të na ndihmuar dhe mbështetur.
I uroj nga zemra, shëndet, fat dhe sukses në detyrat e reja dhe në sfidat e ardhshme.
Duke u kthyer tek sesioni i sotëm i Dialogut të Nivelit të Lartë, i katërti në radhë, por i pari pas marrjes së statusit të vendit kandidat, dua të theksoj se ky sesion vlejti në radhë të parë për t’u takuar me opozitën, si dhe për të rishprehur me forcë vullnetin tonë për reformat.
Ne mbetemi shumë të vendosur për të bërë reformat që janë vonuar apo kanë munguar me vite, e po ashtu jemi shumë të vëmendshëm për të krijuar kushtet për gjithëpërfshirjen. E theksoj këtë të dytën, pra gjithëpërfshirjen, se edhe në kushtet kur vendi ynë ka nevojë për kontribute politike reale dhe reforma reale, ne na takon si shumicë qeverisëse të mos lejojmë përsëritjen e historisë së margjinalizimit të opozitës për fajin e qeverisë. Kemi qenë dhe jemi shumë të ndjeshëm ndaj këtij detyrimi, që në radhë të parë e ndjejmë si detyrim ndaj vetes dhe ndaj zgjedhësve të këtij vendi, të cilëve u jemi zotuar se asgjë që ne e provuam në kurriz, si pasojë e padrejtësive të pushtetit kur ishim në opozitë, opozita nuk do ta provojë gjatë qeverisjes sonë. I kemi qëndruar e i qëndrojmë besnikë, vetes dhe zgjedhësve në këtë pikë, duke besuar se faktet flasin për seriozitetin tonë.
Opozita e braktisi parlamentin me pretekstin se u dhunua fizikisht, pasi dy deputetë të shumicës u përplasën fizikisht me deputetët e pakicës. Si asnjëherë më parë, – dhe këtu të gjithë jemi dëshmitarë, – jo vetëm që ne e dënuam moralisht aktin e dy deputetëve tanë, por ai u ndëshkua dhe administrativisht nga Kryesia e Kuvendit. Sot, gjëja e pandodhur ndonjëherë në historinë e një parlamentit, ku ç’nuk ka ndodhur, ata janë në akuzë penale nga prokuroria dhe do të dalin në gjyq. Në gjyq do të mbrojnë veten. Ndërkohë që, ne e kemi inkurajuar drejtësinë të bëjë drejtësi. Jemi distancuar e distancohemi hapur ndaj çdo veprimi që bie ndesh me etikën e bashkëjetesës në Kuvendin e Shqipërisë dhe në jetën politike shqiptare.
Madje ne do të shkojmë edhe më tej dhe në dokumentin e rishikuar të rregullave të funksionimit të grupit tonë parlamentar që përfundon së shpejti, do të ketë sanksione të panjohura më parë për çdo sjellje të kësaj natyre, deri në përjashtimin nga Grupi parlamentar i PS.
Të gjitha këto, le ta themi siç është e vërteta, do të ishin të paimagjinueshme në kohën kur ne ishim në opozitë dhe jo dhunoheshin fizikisht apo verbalisht, mos e pyet me libër shpie e me aneks, por dhe nuk arrinim të merrnim në Kuvend fjalën ndonjëherë. Ndërkohë që procesverbalet e Kuvendit sesionit të pare, sot, flasin për faktin se koha që ka konsumuar PD në foltoret e kuvendit është shumë më e madhe se koha që ka konsumuar shumica nëse llogarisim që PD është më pak se gjysma jonë në numër. Megjithatë, prapë se prapë PD vazhdon bojkotin a thua se do të provojë me këmbëngulje atë shprehje se “historia zhvillohet si dramë dhe pastaj përsëritet si komedi”. Natyrisht, është e drejta e PD-së të bëjë pjesën komike të historisë, duke bojkotuar kuvendin pa asnjë arsye në këndvështrimin tonë që mund të konsiderohet e mjaftueshme për këtë hap kaq dramatik.
Megjithatë ne nuk do ta përsërisim historinë as në këtë pikë. Nuk do ta akuzojmë, siç nuk e kemi akuzuar PD me gjuhën e pushtetit të djeshëm ndaj opozitës, sepse ne nuk mendojmë që kundërshtarët tanë janë antishqiptarë, janë albanofobë, janë antieuropianë apo janë përfshirë në një komplot me njerëz në Bruksel për të bllokuar Shqipërinë. Ne thjesht mendojmë, partia më e madhe e opozitës është në një hall të madh dhe ka të drejtë, të drejtën e vet, që të përdori ilaçin e gabuar.
Sidoqoftë, sot, ne shfrytëzuam edhe këtë moment ritakimi, falë Dialogut të Nivelit të Lartë, për të nënvizuar se jemi të gatshëm t’i përgjigjemi çdo pretendimi të arsyeshëm të Partisë Demokratike, për t’u kthyer në Kuvend. Kemi dëgjuar se betohen se nuk do të kthehen pa marrëveshje. Nuk e di se çfarë do të thotë kjo, por di vetëm kaq, që; ne jemi të hapur për çdo kërkesë, mjaft që mos na kërkojnë që të mos marrim vendime kur ata s’janë dakord me ne, sepse këtë s’e bëjmë dot, sepse kontratën qeverisëse, ne e kemi me shqiptarët. Sot dëgjuam kërkesën lidhur me komisionet hetimore. Që ditën e enjte jemi të gatshëm të votojmë çdo kërkesë për komision hetimor të Partisë Demokratike. Të enjten.
Dëgjuam edhe një pretendim tjetër, të përsëritur ndoshta, lidhur edhe me të shkuarën e deputetëve apo të njerëzve të administratës. Në legjislacionin e Republikës së Shqipërisë ekziston një pikë referimi legale, që quhet dëshmia e penalitetit. Ne i jemi referuar dëshmisë së penalitetit, kur kemi bërë zgjedhjen e gjithë deputetëve tanë. Me dëshmi penaliteti të pastra. Por, dua ta përsëris edhe këtu, atë që kam thënë më parë, e përsërita edhe në sesionin e Dialogut në Nivelit të Lartë, që nëse Partia Demokratike ka një vizion strategjik lidhur me si mund të pengohen njerëzit të marrin pjesë në jetën politike apo publike, apo si mund të pengohen njerëzit të hyjnë deri edhe në administratë, nëse kanë pasur të bëjnë me drejtësinë ndonjëherë, ne jemi gati të ulemi dhe të shohim versionin e tyre, mjaft që të mos bjerë ndesh me liritë e të drejtat e njeriut. Për më tepër që, ata kanë njerëz që kanë bërë burg dhe që marrin pjesë edhe në Dialogun e Nivelit të Lartë dhe që e dinë fare mirë se ç’është liria për t’u zgjedhur dhe ç’është dënimi për t’u kryer.
Thënë të gjitha këto, edhe një herë dua ta falënderoj Komisionerin dhe dua të shpreh bindjen se pavarësisht problemeve që zgjerimi hasi në zgjedhjet e shkuara europiane, pa as më të voglin dyshim, Europa nuk mund të marrë frymë pa idenë e zgjerimit dhe ne jemi të gatshëm që t’i përgjigjemi sfidës, se kjo varet nga ne. Unë dua të besoj po ashtu, se me Konferencën e Berlinit, rajoni hyri në një fazë të re, që na takon ne ta transformojmë në një fazë përafrimi më të shpejtë me Bashkimin Europain.
E, më lejoni që ta mbyll duke cituar Komisionerin, në një fjalë të tijën, të mbajtur në vitin 2004, ku thotë se zgjerimi është në ADN-në e të qenit europian dhe është një politikë themelore e Bashkimit Europian dhe se vetëm sëbashku, me një Europë të Bashkuar mundemi t’i përballim pasojat e padëshiruara të globalizmit.
I bindur që ne e kemi në ADN-në tonë, Europën dhe i bindur që duke pasur në ADN-në e vet zgjerimin, Europa ka në ADN-në e vet, domosdoshmërinë për të na bërë pjesë të sajën. Me falënderimin dhe mirënjohjen për Komisionerin dhe gjithë bashkëpunëtorët e tij po ia kaloj fjalën, për herë të fundit si Komisioner në Shqipëri, por jo për herë të fundit, besoj, si mik i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, Stefan Fyle.
Faleminderit!
Komisioneri për Zgjerimin në BE Z. Fyle:
“I nderuar zoti Kryeministër,
Të nderuar përfaqësues të medias,
Dëshiroj dhe unë të konfirmoj fjalët tuaja të fundit, që sapo thatë dhe dëshiroj po ashtu që t’ju falënderoj për qëndrimin tuaj shumë të qartë, për këtë incident jo të këndshëm.
Ky është raundi i 4-t i Dialogut të Nivelit të Lartë dhe në fakt është vizita ime e 8-të në Shqipëri. Në fakt, në secilën prej këtyre vizitave unë kam theksuar tre gjëra.
Së pari, angazhimin tonë për të ardhmen europiane të Shqipërisë;
Së dyti, nevojën për të vazhduar me reformat në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe për t’i bërë këto reforma të pakthyeshme;
Së treti, rëndësinë e kompromisit dhe të dialogut politik konstruktiv, brenda institucioneve demokratike.
Unë po i përsëris edhe një herë këto mesazhe, gjatë vizitës sime të fundit, në këtë pozicion tim si Komisioner, jo sepse nuk mendoj për të thënë ndonjë gjë të re, por sepse këto të tria kapin edhe elementet më të rëndësishme, që ju nuk duhet t’i harroni në rrugëtimin tuaj drejt Bashkimit Europian.
Takimi i sotëm i Dialogut të Nivelit të Lartë për prioritetet kyçe është edhe një herë, një konfirmim tjetër për angazhimin tonë për të punuar me Shqipërinë, për të siguruar që ritmi i reformave vazhdon dhe që ai do të çojë në një fazë tjetër të procesit të integrimit të Shqipërisë, që është çelja e negociatave të anëtarësimit në BE.
Dhënia e statusit të vendit kandidat në qershor ishte njohje e qartë e ecurisë, progresit të bërë nga Shqipëria, por edhe inkurajim për përpjekje të mëtejshme për reformat, të cilat lipsen për të ecur përpara në një fazë tjetër. Sot, ne jemi përqendruar tek planet e Shqipërisë për të zbatuar prioritetet kyçe, të cilat janë të nevojshme për çeljen e këtyre negociatave të anëtarësimit. Kemi parë nga afër zhvillimet që nga muaji qershor dhe kemi pasur vëmendje të veçantë për shtetin e së drejtës, i cili mbetet një çështje e rëndësishme. Unë, në fakt, ju përgëzoj për faktin që janë ngritur tashmë, grupet e përbashkëta të punës dhe që janë kryer edhe takimet e para, më herët këtë muaj. Ato do ta ndihmojnë Shqipërinë që të fokusohet tek rezultatet konkrete për secilin prej këtyre prioriteteve kyçe dhe do të identifikohen edhe masat përkatëse, që duhet të merren parasysh.
Në shumë raste të mëparshme, unë kam theksuar që në mënyrë që të ecni përpara dhe të keni sukses, integrimi në Bashkimin Europian duhet të jetë një proces inkluziv, përfshirës. Unë e di se këtu ka konsensus të gjerë për të ardhmen e Shqipërisë përsa i përket integrimit europian, por i bëj thirrje qeverisë dhe opozitës që të punojnë sëbashku, në mënyrë konstruktive, në frymë kompromisi që ta bëjnë integrimin realitet. Unë kam inkurajuar qeverinë dhe opozitën që të bashkëpunojnë për të ngritur Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian, që me anën e këtij Këshilli të kanalizohen të gjitha energjitë e palëve të interesuara, duke përfshirë shoqërinë civile, në këtë proces reformash.
Vetëm përpara pak ditësh, vizita e Papës tregoi dhe e pamë të gjithë, Shqipërinë që ishte tërësisht e bashkuar për kauzën e tolerancës fetare, por edhe për respektin e besimeve të ndryshme fetare. Ky duhet të jetë edhe shembulli për forcat politike, që të shikojnë panoramën më të madhe, më të gjerë dhe t’i përqendrojnë përpjekjet e tyre drejt objektivit të përbashkët, për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Sepse në fund të këtij procesi do të ketë vetëm një fitimtar; Shqipëria dhe populli shqiptar. Unë jam shumë krenar për Shqipërinë, jam krenar për shqiptarët.
Faleminderit shumë!
-Zoti Fyle, menjëherë pasi keni takuar Kryetarin e Parlamentit keni bërë një postim në Twitter, ku keni deklaruar se në vendet demokratike debati bëhet në institucione. A është kjo një deklaratë që i referohet qëndrimit jashtë të opozitës shqiptare? Dhe si e komentoni, më pas, deklarimin e kryetarit të opozitës se “çdo mendje e shëndoshë europiane do të kuptonte se në themel të kërkesave të opozitës janë pikërisht ato që qëndrojnë në themel të demokracisë dhe në themel të identitetit europian”?
Natyrisht, që unë kam shkruar në Twitter për institucionet më të rëndësishme demokratike. Dhe, natyrisht, për Parlamentin shqiptar bëra një shkrim për forcat politike shqiptare që të përfaqësohen në Parlament dhe të punojnë me moderim, në mënyrë që të arrihet kompromis, duke dhënë rezultatet për këtë gjithëpërfshirje dhe këtë parim kaq të rëndësishëm, të cilin ne e ndajmë me zotin Kryeministër.
Në fakt, unë kam dëgjuar, – jo për të parën herë dhe jo për të fundit, – shqetësimet e opozitës. Dhe në të njëjtën kohë unë e kam bërë të qartë, – ashtu siç e kam bërë të qartë edhe përpara pak kohësh, – që të dalësh nga Parlamenti dhe të sillet beteja juaj politike në rrugët e vendit, kjo nuk është mënyra europiane. Kjo nuk e ndihmon vendin që të sjellë Shqipërinë akoma më afër ambicies së shqiptarëve për t’u integruar, për të ardhmen europiane të saj.
Gjatë diskutimeve të sotme kemi parë edhe një arritje. Në mënyrë dypalëshe, por edhe në kuadër të Dialogut të Nivelit të Lartë, unë kam i bërë thirrje si Qeverisë, ashtu edhe opozitës, – sepse përgjegjësia është e të dyja palëve, – që ta përdorin këtë “dritare” që na është hapur sot, që opozita të kthehet në Parlament dhe që Qeveria të sigurohet, të marrë masat, që opozita të ketë çdo gjë që i nevojitet që të bëjë punën e vetë të rëndësishme. Që të sigurohet, siç e thashë edhe gjatë deklaratës time, që fitimtari nuk është kjo parti politike apo një parti tjetër politike, por që fitimtar, në fund të fundit, është Shqipëria, janë shqiptarët!
-Zoti Rama, a keni diskutuar në këtë tryezë lidhur me reformën në drejtësi, që është edhe një nga reformat kryesore? Dhe a keni marrë mbështetje nga KE për ta çuar deri në fund këtë reformë mjaft të rëndësishme, ndërkohë që opozita nuk është pjesëmarrëse në këtë nismë?
Po, kemi diskutuar edhe për reformën në drejtësi dhe e kemi diskutuar në të njëjtën frymë. Unë dua ta rinënvizoj që ne jemi absolutisht të gatshëm, të hapur, mikpritës për opozitën, për t’u bërë pjesë e reformës në drejtësi dhe e çdo reforme. Më lejoni t’ju them një fakt shumë të thjeshtë; Ne ishim përgatitur, Ministri i Drejtësisë, Kryetari i Komisionit të Ligjeve, si dy pjesë të patjetërsueshme të procesit, kishin bërë gati draftin për Konferencën Kombëtare për Reformën në Drejtësi dhe ne sapo u njohëm me një nismë të Presidentit, menjëherë iu drejtuam Presidentit. Nuk avancuam me Konferencën e organizuar nga Qeveria. Jemi në pritje të ditës që ka caktuar Presidenti për të qenë pjesë e hapjes së këtij procesi, bashkë me gjithë të tjerët. Kjo është shprehje e mënyrës se si ne duam t’i bëjmë gjërat. E përsëris edhe një herë tjetër që, – ju e dini, e kemi thënë, e kam përsëritur sa herë më është dhënë mundësia, – për ne ka vetëm një detyrë: Opozita nuk duhet të ndjejë për asnjë çast atë që kemi ndjerë ne kur ishim në opozitë, për fajin e Qeverisë! Përtej kësaj, ne as kemi detyra dhe as kemi mundësi të merremi me opozitën. Kështu që për pjesën që ka të bëjë me garantimin e rregullave të lojës në atë që i takon Qeverisë, ne jemi në shërbim të opozitës. Kemi qenë dhe jemi në shërbim të opozitës! Sigurisht, në qoftë se opozita pretendon që ne të jemi dakord me të me patjetër, ky është një premtim që ne nuk ia plotësojmë dot. Por tek rregullat e bashkëjetesës, jemi tërësisht në shërbim të opozitës. E përsëris, nëse opozita vërtetë është larguar nga Parlamenti për ato që thotë, – të paktën për ato që u renditën sot, sepse unë nuk i kam dëgjuar asnjëherë të renditura logjikisht, – ne jemi të gatshëm që të votojmë Komisionet Hetimore që kërkon opozita, jemi të gatshëm që të diskutojmë me opozitën për çdo propozim që opozita mund të ketë lidhur me gërmimin ligjor në të shkuarën e njerëzve, kur njerëzit janë kandidatë për jetën publike, politike apo për në administratë, nëse kjo gjendet në përputhje me Kushtetutën dhe të drejtat e njeriut. Këtu nuk ka problem, nuk duam të përcaktojmë ne, por mjafton ta mbështesë, minimalisht, Komisioni i Venecias. Nëse arsyet janë këto, opozita të vijë ditën e enjte dhe ne jemi gati për këto. Nëse, pastaj, dalin të tjera e të tjera, ne prapë këtu jemi, kujt mund t’i përgjigjemi do t’i përgjigjemi, kujt s’mund t’i përgjigjemi, s’mund t’i përgjigjemi, por vetëm, ju lutem, askush të mos na kërkojë të bëjmë babysitter-in e opozitës. Këtë nuk e bëjmë dot! Opozita duhet të rritet vetë dhe të ecë vetë.
Faleminderit!