Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kolegji i Europës do të çelë nesër dyert në Tiranë, me të parin kampus jashtë BE, duke i hapur dyert njëkohësisht arsimimit të nivelit botëror për studentët shqiptarë.

Në vigjilje të Samitit të liderëve të Procesit të Berlinit, i cili do të zhvillohet nesër në kryeqytet, u zhvillua sot në Shtëpinë e Europës, ceremonia e lançimit të programeve për vitin akademik 2024 – 2025, i cili do të nisë me 31 studentë. Gjatë ceremonisë, Rektorja e Kolegjit të Evropës, Federica Mogherini, njoftoi ndër të tjera edhe nisjen e procesit të aplikimeve online për vitin e ardhshëm akademik për studentët që do të studiojnë në Universitetin Europian të Bryzhit, në kampusin e Tiranës.

Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në ceremoni së bashku me Presidenten e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen.

* * *

Kryeministri Edi Rama: “Është afër mendsh qe jemi shumë të lumtur sot. Është vërtetë inkurajuese të shohësh BE-në të kalojë kaq shpejt nga fjalët në vepra. Jo fort e zakontë, por është jashtë mase inkurajuese dhe më duhet të them që kjo është diçka që e kemi përjetuar këto vitet e fundit  falë përkushtimit të posaçëm të Presidentes, e cila na ka shoqëruar në momente mjaft të errëta si për shembull kur tërmeti shkatërrimtar goditi Shqipërinë dhe mund të them pa asnjë dyshim që pa të, rrugëtimin ynë për t’u ringritur e për të ndërtuar nga e para më mirë, do të kishte qenë thjesht i pamundur. 

Thënë kjo, dua po kështu të nënvizoj sesa e rëndësishme është kjo nismë që merr jetë sot brenda në kohë shumë të shkurtër sepse ne priremi gjithnjë të mendojmë se Europa ka të bëjë me ekonominë,  me financimin, me më shumë qasje në tregun e përbashkët dhe të gjitha këto gjëra janë të vërteta, por unë besoj fort që Europa për ne, më shumë sesa të gjitha këto bashkë, ka të bëjë me dijen, ka të bëjë me të mësuarit sesi të gjitha problemet që kemi trashëguar nga e shkuara t’i zgjidhim, si të gjejmë mënyrën e duhur për të ndërtuar institucionet tona, si të transformojmë atë çka është më e rëndësishmja për një vend të ri, në këtë sfidë si ne, dijen dhe shtetin. 

Gjithnjë mendoj sa të bekuar jemi që jetojmë në këtë vend e sa të bekuar jemi që rrethohemi nga Bashkimi Europian. Po të hedhësh një sy në të shkuarën tone, nuk ka shumë arsye për të qenë të frymëzuar apo për të besuar në një të ardhme të shndritshme e nëse ka një arsye, që vende të tjera që vijnë nga një e shkuar e njëjtë e vështirë, nuk e gjejnë dot sepse nuk janë në Europë, – është Europa vetë. Askush nuk mund t’u mësojë vendeve që gjenden në pjesë të tjera të botës që duan të ecin përpara, që duan të transformojnë jetën e tyre duke transformuar shtetet  tyre, duke pasur institucione llogaridhënëse sesi ta bëjnë një gjë të tillë, BE është më i miri që e bën këtë. 

Askush, nuk mund ta shoqërojë një vend, që të dalë nga e shkuara e vet e të sigurojë një shtet demokratik e funksional për qytetarët e vet siç bën BE. E di që nuk është aspak e lehtë, nuk ka asnjë mësues që t’i bën nervat copë si BE. Nuk ka asnjë dyshim, ma merr mendja që Kolegji i Europës është në pararojë të kësaj, por nuk ka rrugë tjetër. 

Ja pse besoj që ky kolegj është më shumë sesa një Universitet që vjen këtu nga jashtë e që bëhet pjesë e sistemit tonë për të ofruar më shumë mundësi për një arsim të klasit më të lartë për të rinjtë tanë sepse përveç kësaj është edhe një mësim më i thelluar për vetë BE-në për rrugëtimin drejt tij. E për të gjitha këto mendoj se kemi të drejtën sot, që të jemi të lumtur dhe mendoj se shumë më tepër të rinj shqiptarë se 31 të tillë, janë të prirur dhe duan të jenë pjesë e tij. Sigurisht plani është që numri të rritet në vitet në vijim, por numri nuk do të bëhet asnjëherë aq i madh sa ç’është kërkesa për t’u bërë pjesë, çka nënkupton që edhe konkurrenca do të bëhet gjithmonë e më tepër sfiduese. 

Nuk dua të zgjatem më shumë sepse as nuk doja të flisja, doja që t’u lija vendin tri zonjave që janë  forca reale pas kësaj, por Luigi do që gjithmonë unë të flas se beson që nëqoftëse nuk flas unë, atëherë evenimenti nuk është mjaftueshëm i fuqishëm, kështu që thjesht do të ndalem këtu duke ju thënë, se në ketë punë duhet të thuash “Faleminderit” edhe kur nuk e mendon me të vërtetë, por “Faleminderit” që i them Ursulës është e ndjerë nga zemra dhe është mjaft kuptimlotë sepse me të vërtetë ajo e mori përsipër dhe e bëri kaq  të thjeshtë, dhe më besoni, kam parë samite, por jo çdo Samit ka virtytin e prodhimit të rezultateve në një kohë kaq të shpejtë dhe nuk ka asnjë mënyrë më të mirë se të qenit këtu për të nisur me këtë aktivitet Samitin e Procesit te Berlinit këtu në Shqipëri. 

Hera e parë që ky Samit ndodh jashtë kufijve të BE dhe ne do të bëjmë maksimumin që ta bëjmë të paharrueshëm për çdo të ftuar. 

E meqë ra fjala, nuk mendoj se është kaq e vështirë sepse kanë bërë kaq shumë samite e ndonjëherë janë kaq të lodhur nga samitet që bëjnë, e jo çdo samit është përvojë e paharruar kur vjen fjala për miktpritjen, është thjesht standard europian, por këtu mikpritja është e një tjetër niveli. 

Kështu që, kemi mësuar prej jush. Ju, nuk mund të mësonit prej nesh, jo sepse nuk mundeni po sepse s’keni nevojë. Të gjithë do të vijnë tek samitet tuaja. Samitet janë vetëm ujë për të ofruar të drejtën universale për të mos vdekur nga etja, por pjesa tjetër pastaj mund të jetojmë pa to. Jo. Përgatituni, përgatituni që të ktheheni tek Bashkimi juaj Evropian me ca kile më shumë sesa arritët sepse deri tani Shqipëria nuk është vendi ku mund të mbani dietë.

Faleminderit pra shumë Ursulës! Faleminderit Federikës! 

Sjellja e Kolegjit dhe kthimi i Federikës është kënaqësi e dyfishtë sepse ne të gjithë e dimë që Federika ka qenë një mbështetëse e jashtëzakonshme e të gjithë Ballkanit Pernëdimor dhe sigurisht, ajo është italiane në fund të fundit, kështu që faleminderit, Federika. 

Faleminderit të gjithë të tjerëve në ekipin e Ursulës e të Federikës që nuk e sabotuan. 

Është një gjë shumë e mirë dhe më lini që ta mbyll tamam tani, me diçka që e dëgjova rastësisht pak ditë më parë nga një ish-kryeministër në ish-Evropën Juglindore, pra ish-kryeministër i një vendi të ri të BE-së. Më tregoi shumë gjëra, por  më tha se sa njerëz nga ai vend  punojnë për llogari të BE-së për të kontrolluar procedurat, për të kontrolluar gjithçka që ndodh, për të kontrolluar këtë e atë. Dhe kur i thashë, ne do të hapim këtë Kolegjin, tha: “O zot, po përgatisni vetë ata njerëz që nesër do të jenë makthi juaj më i keq.” 

Kështu që,  faleminderit për këtë, kemi parë makthe të tmerrshme, kështu që edhe këtë makth do ta përballojmë. 

Faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.