Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Në nderim të Presidentit francez Emmanuel Macron dhe delegacionit francez që e shoqëron, Kryeministri Edi Rama shtroi një darkë mireseardhje në Pallatin e Brigadave, ku përshëndeti të ftuarit me një fjalë:

“I dashur zoti President,

I dashur Emmanuel,

Shkëlqesi,

Zonja e Zotërinj,

Në historinë e saj të gjatë Shqipëria ka parë të kalojën në truallin e saj e të përzihen në tallazet e saj turma të panumërta francezësh, të njohur e më pak të njohur.

Në kohët e largëta e më pak të gëzuara ishin nomadët, kryqtarët. Në kohët më të hershme e pak më të gëzuara, turistët, ngazëllimi i të cilëve për brigjet tona, peizazhet, kulturën tonë, vetëm sa ka filluar. Më shumë se 80 000 vetëm këtë vit gjë që na motivon të vazhdojmë përpjekjen e përbashkët për të afruar dy vendet tona duke intensifikuar shkëmbimet.

Kjo, për t’ju thënë rëndësinë që ne i japim ekspertizës franceze në këtë fushë, bashkuar me asistencën më specifike që Franca propozon t’i ofrojë Shqipërisë, në kuadër të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Gjithashtu për t’ju thënë rëndësinë e një lidhje akoma më të fortë e të përhershme përmes fluturimeve direkte mes Francës e Shqipërisë që e dëshirojnë aq shumë qytetarët tanë.

Ndonëse Shqipëria ka pritur francezë të interesuar që ta njihnin, megjithatë deri më sot ajo nuk ka pritur kurrë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës Francës. Sigurisht, një prani si ajo e Francës në një vend si i yni, nuk mund të reduktohet vetëm me vizita zyrtare të nivelit të lartë. Megjithatë ajo merr gjithë kuptimin e saj, gjen një forcë domethënëse dhe ecën përpara vetëm kur kryetari i shtetit që e mishëron jashtë dhe i jep impulsin, i lë në të njëjtën kohë gjurmën e i jep tonin.

Në fakt mjafton të shohim programin e kësaj vizite të shkurtër, por intensive për të kuptuar hovin e jashtëzakonshëm të marrëdhënieve tona dypalëshe në fusha të ndryshme si ekonomia dhe zhvillimi i qëndrueshëm, siguria apo ajo që unë e quaj kultura high-tech. Nëse kam parasysh bashkëpunimin që hapet në fushën e audio vizuales, kinemasë apo artit bashkëkohor.

Duke ju pritur sot zoti President, Shqipëria pret Francën me krenari, me miqësi, me shpresë, madje do të thoja jo pa emocion. Nuk është emocion i një momenti. Është ndjesi e thellë që ka rrënjët e veta në histori, që kur Karli I Anzhu, vëllai i mbretit të Francës, Louis themeloi mbretërinë e parë të historisë shqiptare në shekullin e XIII pa e prekur asnjëherë me këmbë, një farë Shqipërie priti për një kohë të gjatë, për shumë shekuj, që Franca të vinte, në mos për ta puthur, të paktën për t’i dhënë një përqafim të sinqertë.

Kjo ëndërr ishte një ndër arsyet e tjera që shpjegojnë këtë vullnet të fortë të shqiptarëve për t’u ankoruar me çdo çmim në brigjet e perëndimit të Europës, por a është ky një virtyt apo një ves? Shqiptarët kanë qenë gjithnjë kundër tendencave rajonale.

Poeti ynë kombëtar Naim Frashëri shkonte deri sa e sforconte sistemin diellor për të na bindur për legjitimitetin e këmbënguljes sonë legjendare. Dielli, shkruante ai, ngrihet andej nga perëndon. Në të gjitha kohërat për shqiptarët, dielli lind në perëndim.

Nuk besoj se gabohem dhe nuk besoj se ju gënjej duke e pohuar që për shumë shekuj deri para pak kohësh, në sytë e një farë Shqipërie që kishte një farë ideje të vetes së saj, Franca ishte Europa dhe Europa për të qenë vetja e saj, nuk mund të ishte veçse një Europë tri ngjyrëshe.

Ne jemi gjithmonë të bindur që prej projektit të komunitetit politik europian të filluar nga një frymëzim francez nën drejtimin tuaj, konfirmon që Franca kujdeset që ëndrra europiane e rajonit tonë të realizohet e që pritshmëritë tona legjitime për integrim, të marrin një përgjigje, qoftë dhe me porosi.

Kjo ëndërr autentike, kjo shpresë mallëngjyese për të cilën fola pak, bën që Shqipëria dhe shqiptarët të kenë simpatinë, vëmendjen dhe shumë shpesh miqësinë e francezëve të mëdhenj. Nga Montagne dhe Voltaire që treguan rrëfimin e gjestit të Skënderbeut. Nga d’Estournelles de Constant dhe Justin Godart që kontribuuan në rigjenerimin e Shqipërisë, për të cituar vetëm këta.

Ne nuk na ka munguar mbështetja nga miqtë francezë. Për një kohë të gjatë ka pasur francezë që na donin e na vlerësonin, pastaj një Francë që nuk kishte më interes për ne megjithëse jo plotësisht.

Në vitin 1916  me anë të një mrekullie të historisë, ndjesia kombëtare shqiptare dhe ushtaret e Republikës u takuan në Korçë, zonë e dëshiruar nga ushtarët e fqinjët e ku u vendos një pjesë e ushtrisë oriente. Ndërkohe që, kudo kombësia shqiptare shtypje nga thundra e luftuesve, e ushtarëve, Korçës, Franca i dha flamurin e saj, i dha Republikën, duke i dhënë të drejtën legjitime në koncertin e kombeve. Kur ushtarët u larguan, erdhi një ushtri tjetër, ajo e ushtarëve të shenjtë të Republikës që morën stafetën e emancipimit në tokën shqiptare. 

E kam fjalën për mësuesit që erdhën nga Franca. Është historia e mrekullueshme e historisë së Liceut francez të Korçës, një sukses franko-shqiptar nga më domethënësit. Është e rëndësishme jo vetëm ta kujtojmë, por dhe të rigjejmë frymën e tij dhe ta shndërrojmë pse jo projekt për të ardhmen.

E ardhmja i përket padyshim arsimimit. Fantazimi, terrorizmi dhe ekstremizmi, goditjet e të cilëve godasin verbazi, mësuesit tregojnë për urgjencën për ta mbrojtur, për ta zhvilluar e për t’i dhënë forcën e emancipuese që ajo mbart.

E gjithë shqiptaria që u detyrohet kaq shumë mësueseve francezë, përkulet me respekt përballë kujtimit të Dominique Bernard, profesor letërsie i vdekur së fundmi nga goditjet e barbarisë.

Zoti President, në vitin e 101 të vendosjes së marrëdhënieve tona diplomatike, vizita juaj riparon një plasaritje, forcon besimin dhe vendos lidhjet e privilegjuara që i shpalosëm në vitin 2017 duke nënshkruar traktatin dypalësh të partneritetit strategjik.

Edhe pse vizita ka anën e saj sentimentale, arsyeja e jo ndjenjat na bëjnë ta vlerësojmë më shumë. Arsyeja shtetërore që nuk duhet përmendur shumë, por sidomos arsyeja e Europës që duhet të mbizotërojë. Edhe pse është e vërtetë që shtetet nuk kanë miq, por vetëm interesa, është gjithashtu e vërtetë që interesat e kuptuara mirë e të përbashkëta bëjnë miq të mirë.

Kjo është akoma më shumë e vërtetë që këta miq kanë interesa jashtëzakonisht të përbashkëta përderisa u ka rënë në pjesë për nga gjeografia, historia e vlerat, një shtëpi e përbashkët. Kjo shtëpi është Europa. Ndoshta përcaktimi me anë të formulës Ballkan i zonës tonë gjeografike e përdorur nga historianët gjermanë të shekullit të XVIII, pati pasojën fatkeqe që përkatësia europiane u fshi si me gomë. U hodh poshtë! Por sapo ndryshojmë regjistër e sapo flasim për Europën e juglindjes për Mesdheun lindor, shfaqet një realitet jashtëzakonisht europian. Një realitet që kërkon gjithashtu të gjejë strehë në këtë shtëpi të përbashkët.

Ndjenjat thoshte gjenerali de Gaulle, na frymëzojnë po ashtu sa edhe arsyeja. Gjenerali de Gaulle ishte një nga kryetarët e shtetit francez që Shqipërinë nuk e linte plotësisht indiferente. A e kishte ndjesinë se interesat europiane, qytetëruese të Francës duhet ta bënin që t’i jepte dorën e bashkëpunimit? Ishte i pari që njohu qeverinë shqiptare në mërgim, në Londër, pas pushtimit fashist të vendit tonë. Ishte i pari që hapi Kancelarinë e parë diplomatike perëndimore në Tiranë pas çlirimit. Ishte ai që në një fjalim publik në Rennes, në vitin 1947 denoncoi braktisjen e Shqipërisë aleate, nën ndikimin, citoj: sllav, sinonim i epokës së totalitarizmit.

Nën presidencën e tij përfaqësitë diplomatike të dy vendeve tona u ngritën në nivelin e ambasadës. Më lejoni të theksoj se sa shumë ideali “Gaulle”-ist i vetëvendosjes së popujve ushqeu shpresat e emancipimit të shqiptarëve sidomos ato të Kosovës, për të mposhtur poshtërimin, për të gjetur prirjen e tyre si kombe dhe për t’u bashkuar me grupin e popujve që pas çlirimit dhe më pas çkolonializimit mund të thonë të gjithë bashkë me fjalët e poetit Paul Eluard: ‘’liri, unë shkruaj emrin tënd’’.

Këto fjalë kumbojnë edhe sot në mes të shkatërrimeve që vuan populli i Ukrainës . Kjo darkë zoti president është ilustrim i ambicieve të forta dhe kërkuese dhe shumë legjitime nga të dyja palët. Nuk kemi parë kurrë një delegacion francez kaq të plotë dhe kaq të larmishëm. Është gjithçka që Franca mund të propozojë përsa i përket ekonomisë, kulturës, arsimimit. Nuk ishim trajtuar deri më sot me kaq shumë seriozitet dhe me kaq dëshirë për të përfshirë Francën në suksesin e Shqipërisë, në negociatat e anëtarësimit për Bashkimin Europian.

Franca sot bën propozime konkrete, dërgon ekspertët e saj, na mbështet shumë në terrenin e negociatave. Agjencitë tona të zhvillimit bashkohen për të përpunuar planin kombëtar të investimeve strategjike dhe po bëhen gati të nënshkruajnë një dokument të përbashkët për të drejtuar vendimet e së ardhmes për sa i përket zhvillimit të qëndrueshëm dhe kjo është vetëm një pjesë e angazhimeve të kësaj vizite.

Në të njëjtën kohë për herë të parë kjo vizitë ju jep rastin të shikoni të bashkuar këtu, një pjesë të forcave të gjalla të vendit që kanë gjuhën frënge të përbashkët, jo një frëngjishte të mësuar në shkollë por një frëngjishte të jetuar, të dashur me një dashuri të madhe dhe një frëngjishte të mësuar sepse duket sikur zotërimi i kësaj gjuhe nuk konsiderohet si aset, por nuk është aspak kështu dhe kjo është prova që këta njerëz me moshë të re po shkëlqejnë tek ne në të gjitha fushat.

Atyre u janë besuar përgjegjësi publike të konsiderueshme. Ata frymëzojnë shoqërinë civile. Kjo përgënjeshtron raportin e famshëm të Bankës Botërore ‘’Doing business”, sipas së cilit francezët, gjuha frënge ishte pak e përshtatshme për biznes. Si ka mundësi kjo?

Kjo ngaqë investimet e Francës po sjellin frytet e saj shumë nga këta njerëz të rinj janë rikthyer në Shqipëri megjithëse kanë bërë studime të suksesshme dhe megjithëse kanë patur një ecuri profesionale merite në Francë. Ata kanë pirë ujë në burimet e francitetit sikurse thoshte Mark Plo dhe janë ndikuar nga vlerat franceze që i nxisin për horizonte të reja, që i çojnë te veprojnë me përkushtimin e tyre në punë, me prirjen e tyre për t’u larguar nga shtigjet e rrahura, shpesh duke ndërmarrë rreziqe , ekzigjenca e tyre profesionale, dëshira për reflektim, ata bëjnë diferencën në gjirin e shtetit, pra janë shembuj të gjallë të asaj që Franca, shpirti francez, mënyra franceze e të bërit, mund të bëhen asete që u hapin rrugën mundësive.

Ashtu sikurse janë për kënaqësinë tonë më të madhe dhe për krenarinë tonë më të madhe Ismail Kadareja , Angelin Preljocaj, Tedi Papavrami, Lorik Cana, Julien Roche, Ornela Vorpsi, e shumë të tjerë. Me pak fjalë gjithë këto burra dhe gjithë këto gra shqiptarë, francezë, franko-shqiptarë që veprojnë në fusha të ndryshme dhe që i japin ritmin marrëdhënieve tona dhe sigurojnë koncertin e ambicieve të përbashkëta. Këto asete, këto mundësi, këto ambicie ne i besojmë të mundshme dhe pjellore.

Zoti President, kërcënimet që na rrezikojnë në rendin ndërkombëtar, sfidat me të cilat na përball teknologjia, nevoja për të penguar përhapjen në shoqëritë tona, e detyrojnë Francën dhe Shqipërinë të bashkohen dhe të merren vesh. Besoj se është ajo që jemi duke bërë pikërisht qoftë kur bëhet fjalë për ekonominë, për kulturën apo për zhvillimin, edukimin, ne kemi kuptuar që asnjë investim nuk mund të reduktojë të çarat në qoftë se nuk siguron të ardhmen e përbashkët.

Dy investimet e medha franceze, dy parqet fotovoltaikë të Voltalia, dy më të mëdhenjtë në rajon, si edhe bisedimet që janë duke u bërë me TotalEnergies në fushën e energjisë së rinoveueshme, janë sigurisht të rëndësishme për ekonominë, por ajo që ka më shumë rëndësi është roli që i kushtojnë klimës, mbrojtjes të mjedisit, pra të ardhmes sonë të përbashkët.

Po ashtu kjo mjete japin për të zhvilluar bashkëpunimin tonë, për të njohur më mirë njëri-tjetrin, për të bashkuar fatet tona dhe për të bërë front të përbashkët në çështjet e mëdha të epokës sonë.

Gjithashtu na japin mundësi të mbrojmë vlerat pa të cilat demokracitë tona shpërbëhen. Në lidhje më këtë dhe në kohët që po jetojmë, asnjë vend nuk është i mbrojtur. Një solidaritet real imponohet ashtu sikurse një front i përbashkët i kombeve të qytetëruara në mungesë të të cilave ekstremizmi, intoksikimi, dhuna mund të fitojnë.

Në lidhje me këtë nuk ka vend të madh dhe të vogël, ka vetëm demokraci në rrezik dhe solidaritete që duhen ndërtuar. Luksi i përjashtimit nuk është më aktual.

Zoti President, Franca ka të gjitha mjetet për të udhëhequr luftën e duhur në gjirin e Europës. Mos ngurroni të merrni me vete në bord një vend i cili ka probleme dhe pamjaftueshmëritë e tij, por nuk është vendi më pak europian për nga bindjet, vendi më paqësor për nga politika, vendi më ekzemplar për nga laiciteti dhe vëllazëria fetare. Është në nder të Francës që të japë këtë përqafim vëllazëror që e pret prej shekujsh dhe është privilegji ynë në këtë ditë që Franca na viziton përmes personit tuaj, ta mirëpresim me mirënjohje të madhe dhe në një ndjesi shumë të madhe përgjegjësie.

Rroftë Shqipëria dhe rroftë Franca! 

 

Fjala e Presidentit të Francës Emmanuel Macron:

Faleminderit shumë Zoti Kryeministër!

I dashur, Edi, e dashur Linda!

Zonja kryetare e parlamentit, zonja Zëvendës/kryeministre, zonja dhe zotërinj, ministra dhe kryetar i bashkisë. 

Zonja dhe zotërinj ambasadore, zonja dhe zotërinj, të dashur miq.

Faleminderit shumë zoti kryeministër që bëtë demonstrimin më të bukur të dashurisë, duke u shprehur në frëngjisht dhe që e bëtë në këtë ditë të veçantë. 

Gjendem këtu para jush në një kohë që  Franca u prek nga një sulm terrorist në fund të javës së kaluar, i cili preku një profesor të frëngjishtes dhe barbaria goditi përsëri,  duke sulmuar ata që transmetojnë, që mësojnë këtë gjuhë, që prej shekujsh transporton ndriçim, vlera, shpërndan vlera, ndriçim, shpresë dhe juve e përmendët plotësisht këtu. 

Gjendem këtu para jush, kur para disa minutash Brukseli u godit nga një atentat terrorist islamik që në momentin kur po iu flas iu mori jetën dy evropianeve, dy suedezëve. Europa jonë është e tronditur dhe ne jemi këtu duke e përmendur bashkë dhe kjo tregon evidencën e asaj që ju jeni, europianë, me zemër, me gjuhë, me emocion, me kulturë për të ardhmen.

Ka disa data dhe disa momente disa rrugëtime që endim mes vendeve, lidhje që kanë forcë historike dhe të qenësishëm  njëherazi. Besoj se dita e sotme është e tillë. Vizita e parë dypalëshe, e një presidenti Francës në Shqipëri që prej shpalljes së pavarësisë suaj me 28 nëntor 1912. 

Është lumturi e madhe t’i përgjigjem ftesës tënde i dashur Edi dhe t’iu drejtohem juve një kënaqësi akoma më e madhe që ndodh në këtë dekor të mrekullueshëm të Pallatit të Brigadave, ku pak çaste më parë i shpreha shqiptarit të shquar në Francë, francezit më të shquar në Shqipëri, i dashur Ismail Kadare, admirimin dhe mirënjohjen time, si edhe të Francës. 

Miqësia mes dy popujve tanë është shekullore, ju e përmendët, madje as tallazet e historisë, vitet e errëta të totalitarizmit që e munduan vendin tuaj, nuk mundën të thyenin këto afërsi që e marrin forcën e tyre nga vetë agu i pavarësisë suaj. Të gjithë e dinë që republika e shqiptare e Korçës e frymëzuar nga modeli ynë republikan, e shpallur në dhjetor 1916 nën mbrojtjen e ushtrisë franceze ishte tharmi i Shqipërisë moderne. 

Shqiponja e zezë në sfond të kuq, flamuri i Skënderbeut  valëvitej në ballkonin e prefekturës, përkrah flamurit tonë trengjyrësh si një ogur me dy koka i miqësisë sonë gjithmonë aktuale.

Dhe në të gjithë Europën kumbonte zëri i bashkatdhetarit tonë Justin Godart, duke e mbrojtur kombin shqiptar, duke denoncuar dhunën e luftës që lëndoi Ballkanin, duke punuar për anëtarësimin e Shqipërisë në lidhjen e kombeve, aq sa kur vizitoi për herë të parë Shqipërinë në vitin 1921 thuhet që iu bë pritje madhështore dhe shumë rrugë shqiptare morën emrin e tij. Ky humanist i shquar që mbrojti në mënyrë kaq fisnike çështjen shqiptare, aspiratën tuaj për liri dhe dinjitet ishte gjithashtu dhe është e rëndësishme ta kujtoj, i drejti ndër kombe për rolin e tij vendimtar në shpëtimin e bashkatdhetarëve hebrenj të persekutuar. 

Ende sot varreza ushtarake e Korçës ruan kujtimin e çmuar të sakrificës së Francës, për pavarësinë dhe lirinë tuaj. Këto faqe që kemi shkruar bashkë, ju na jepni shpërblimet më të bukura. Një frankofoni dhe një frankofili e gjallë dhe e veçantë. E në periudhën totalitare frëngjishtja ishte gjuha e huaj që mësohej më shumë në shkollat shqiptare. Frymëmarrje apo shpresë, të gjithë ata që aspirojnë për liri. Liceu i Korçës i themeluar dikur nga Franca ishte gjithashtu një simbol shumë i fortë i kësaj. 

Aleancat franceze, gjimnazet,  licetë, që përfaqësohen nga shumë profesorë këtu vazhdojnë ta përjetësojnë këtë lidhje. Kur Shqipëria ishte përsëri  e lirë, Franca ishte vendi i parë që nënshkroi me të traktatin e Mirëkuptimit dhe Bashkëpunimit me 12 dhjetor 1994, duke vulosur karakterin e veçantë  dhe forcën e rigjetur të marrëdhënies sonë. 

Më pas, një marrëveshje partneriteti strategjik u nënshkrua në Paris, në 2017  nga ju vetë i dashur Edi, kur iu dha titulli Komandat i Legjonit Të Nderit. Ky dialog i ngushtë  mes dy vendeve, vazhdimisht lulëzon përmes kulturës. 

Lidhje krijimi dhe emocioni mes Parisit dhe veprës suaj të mrekullueshme, i dashur Ismail Kadare, lidhje përkthimi të sublimuara nga Jusuf Vrioni në fillim, por dhe nga Ornela Vorpsi dhe Tedi Papavrami, i cili do të na provojë edhe sot se sa tela ka në harkun e tij dhe në hartën letrare. Lidhje koreografike të mëshiruara nga Angelin Preljocaj. Faleminderit shumë për spektaklin sot! Faleminderit valltarëve tuaj që janë këtu sot. 

Një nga gjenitë tanë më të mëdhenj të kërcimet që ishte në zemër të Europës, që mbetet përfundimisht i lidhur me Shqipërinë, me Francën dhe me krijimin bashkëkohor. Lidhjet e arteve plastike dhe të pikturës përmes  Anri Salës, i cili përfaqësoi Francën në bienalen e Venecias, vepra e të cilit ushqehet  nga brigjet e dy vendeve tona. Lidhje kinematografike Erenik Beqirin, lidhje sportive ne karrierën brilante të Lorik Canës që ka luajtur në një klub që e kam shumë përzemërt dhe pse u formua në një tjetër.  Pa harruar qëndrimin tuaj në Paris. 

I dashur Edi,  ju meritoni gjithashtu vendin tuaj në kronikën e bukur të miqësisë  mes dy vendeve tona.  Ju keni shënuar historinë e Shqipërisë  dhe Francës dhe keni shënjuar  historinë e vendit tuaj.  Ju i keni kthyer ngjyrat, ngjyrat e tyre. 

Dua të theksoj sonte  se jam i bindur se historia që na bashkon është pasuri e çmuar dhe Franca është e vendosur ta rentabilizojë këtë marrëdhënie dypalëshe,  duke u mbështetur te frankofonia e gjallë e vendit tuaj, tek deti Mesdhe që kemi të përbashkët dhe tek ambiciet përballë sfidave të përbashkëta dhe ju e kujtuat shumë mirë.

Dua t’ju theksoj mbështetjen e Francës për atë që  ne e quajmë procesin e zgjerimit, por është vështirë të bëhet një proces zgjerimi, sidomos kur ka këtë emër dhe kur flasim për proces kapitujsh, procedurash nuk ka asgjë më pak erotike se termat që kemi zgjedhur, ndërsa pak përpara të gjithë ne përpiqemi të shpjegojmë që është histori dashurie, formë dashurie. Është një gjeni europiane që e kemi ne, ekskluzivitetin dhe quhet burokraci. Një proces zgjerimi preferoj ta quaj, ritakim apo ribashkim. Mjafton të shohim një hartë dhe të shohim historinë tonë për të kuptuar që kjo Evropë nuk do të zgjerohet duke iu pritur, sepse ju jeni tashmë në qendër. 

Mjafton të shohim historinë tuaj për t’ju thënë që nuk do të zgjerohemi, por do të bashkohemi, sepse  ju keni qenë  këtu që në fillim.  Ju e keni themeluar, ju e keni frymëzuar këtë kontinent. 

Ky kontinent është një bisedë shumë më tepër se një gjeografi burokratike, është një bisedë që nga thellësia e mijëvjeçarëve  nuk ka ditur të flasë si duhet dhe ta shpëtojë nga lufta e përhershme civile këtë vend që prej 70 vjetësh ja ka dal përmes një mrekullie, pas një drame të tmerrshme të shkaktuar nga vullneti i njerëzve. 

Për ta shndruar këtë bisedë në një projekt të përbashkët, në një ambicie të fortë. Momenti që na jepet falë jush, mund të themi për Ballkanin, mund të flasim për Ballkanin, por mund të flasim për vendin e Mesdheut është vendi në zemër të Europës. Është për ta nxjerrë nga aventura. Për ta parë që kjo politikë është së pari, politika kulturore, evroprojekti, evrobisede e rigjetur.

Është kjo që do të bëjmë bashkë në vitet e ardhshme. Na duhet shumë imagjinatë sepse nuk do të zgjerojmë diçka që është kaq vështirë për të lëvizur me 27 anëtarë, me gjithë frikën, me gjithë hezitimet falë jush do ta bëjmë të ecë përpara. Përtej kësaj, ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera politike, shkëmbime ekomomike që përparojnë dhe dua të përshëndes firmosjet e marrëdhënieve, realizimet e sotme sidomos parku fotovoltaik i Karavastasë që dëshmojnë për këtë potencial. 

Do të flasim për energji, për shërbimet urbane, për transportet, për ekonominë e së ardhmes. Kemi kantierë të pafund për t’u hapur, por kemi fatin të veprojmë në bazë të kulturës dhe politikes. 

Më lejoni të shpreh një falënderim të veçantë për bashkatdhetarin tonë i vendosur në Shqipëri që në fillim të viteve 1980, simbol i gjallë i tranzicionit dhe kryetar i Dhomës së Tregtisë të Industrisë së Francës sepse ai është me mbështetjen e çmuar të dy ambasadorëve tanë, artizan i palodhur i forcimit të bashkëpunimit ekonomik përmes të cilit duam të shkojmë shumë larg. 

Po i pres me padurim momentet që do të kemi nesër sidomos takimin me të rinjtë shqiptarë në kubin që ju i keni dhuruar Francës në Piramidën e Tiranës e rindërtuar dhe e madhështuar.

Mbaj në mendje këto fjalë plot largpamësi që Justine Godart shkroi para një shekulli : Shqipëria do të tërheqë udhëtarët, turistë, artistë nga e gjithë bota. Miqtë e lirisë do të shkojnë tek ajo për pelegrinazh. Ajo do të bëhet toka e premtuar e optimizmit. 

Për ta mbyllur po e ngre gotën time për këtë vizion entuziast që kemi ne për vendin tuaj. 

Po e ngre gotën time për Shqipërinë, popullin shqiptar, për lidhjet e ngushta të veçanta që na bashkon, për Europën që ndërtojmë bashkë! Rroftë Shqipëria! 

Rroftë miqësia franko-shqiptare!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.