Projektet transformuese urbane po vijojnë edhe në Gjirokastër, qytetin e rilindur të UNESCO-s, ku kantiere të hapura në zona të ndryshme të qytetit, vijojnë të plotësojnë dita-ditës mozaikun e rilindjes urbane.
Sheshi i Çerçizit është njëri prej tyre, ku tashmë po merr formën përfundimtare projekti transformues i kësaj hapësire qendrore, e cila do të jetë e tëra këmbësore, ndërkohë që poshtë saj është ndërtuar e funksionon tanimë parkimi i madh nëntokësor, që ka zgjidhur njëherë e mirë gangrenën e krijuar në dekada prej uzurpimit të sheshit nga autobuzët e mikrobuzët.
“Jemi në fazën e dytë të përfundimit të parkingut, pasi ka përfunduar e para dhe vitin e parë kemi bërë funksional tre katet e para të parkingut. Vetëm gjatë 3 mujorit të parë të funksionimit nga muaji qershor deri në shtator vetëm të ardhurat në buxhetin e bashkisë së Gjirokastrës janë të konsiderueshme. Projekti tani vazhdon në fazën e dytë, me arredimin e sheshit.” – shpjegoi kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës Flamur Golemi, gjatë inspektimit që Kryeministri Rama bëri sot në këtë kantier.
“Parkimi ka një kapacitet me rreth 300 makina. Ndërkohë janë në përmirësim disa elementë që kanë të bëjnë me peizazhin dhe që japin akses në pjesën e vjetër të qytetit.” – tha ndër të tjera Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro.
Parkimi i madh nëntokësor, ka çliruar tanimë frymëmarrjen e këtij destinacioni turistik që këtë vit ka kaluar shifrën e 300 mijë vizitorëve nga e gjithë bota dhe së shpejti do të kapë numrin e paimagjinueshëm deri disa vite më parë të gjysëm milionë turistëve.
***
Pallati i Sportit në Gjirokastër është një tjetër hapësirë, e cila po transformohet për t’u vënë në shërbim të plotë të sportistëve dhe sportdashësve të qytetit. Ambientet kishin që nga vitin 1983, kur përfundoi ndërtimi i tij, që nuk kishin parë dritën e investimeve.
Kryeministri Rama i shoqëruar nga ministrja e Mjedisit dhe e Turizmit Mirela Kumbaro si dhe kryebashkiaku i Gjirokastrës, panë nga afër ecurinë e punimeve, ku gjithçka do të rinovohet nga e para. “Pallati i Sportit është një angazhim i marrë nga ju para një viti. Puna filloi dhe jemi në kantier e sipër tani”, – u shpreh ministrja Kumbaro.
Pallati i Sporteve pritet të ketë një kapacitet prej 950 vendesh teksa puna vijon me ritme të larta për ta kthyer në një hapësirë dinjitoze në funksion të sportdashësve e sportistëve.