Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 1 Nëntor 2023:
V E N D I M
PËR
KRIJIMIN, ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E AGJENCISË SË INOVACIONIT DHE EKSELENCËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 10, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, dhe të neneve 6 e 18, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Krijimin, organizimin dhe funksionimin e Agjencisë së Inovacionit dhe Ekselencës, në vijim referuar Agjencia, si person juridik publik buxhetor në varësi të Kryeministrit, me seli në Tiranë.
2. Agjencia financohet nga buxheti i shtetit, donacione dhe nga burime të tjera të ligjshme.
3. Agjencia është institucioni përgjegjës për inovacionin dhe ekselencën në Shqipëri dhe ka si mision të kontribuojë, të nxisë dhe të promovojë inovacionin dhe angazhimin në administratën publike të ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë, ekselentë në implementimin e teknologjive të përparuara, përmes hartimit dhe zbatimit të politikave në bashkëpunim me ministritë e linjës në fushat dhe sektorët përkatës lidhur me inovacionin.
4. Agjencia për realizimin e misionit të saj bashkëpunon me organizma vendas dhe ndërkombëtarë me fushë të ngjashme veprimtarie me qëllim përthithjen e praktikave më të mira ndërkombëtare në fushën e inovacionit.
5. Agjencia organizon dhe koordinon iniciativa, programe dhe aktivitete në nivel sektorial, kombëtar apo rajonal, që mundësojnë realizimin e misionit të saj, si dhe ofron mbështetje për të gjithë operatorët publikë dhe privatë në fushën e inovacionit.
II. PËRGJEGJËSITË FUNKSIONALE TË AGJENCISË
Agjencia, në funksion të përmbushjes së veprimtarisë së saj, ka këto përgjegjësi:
a) Në bashkëpunim me ministritë e linjës, agjenci apo ente publike, zhvillon dhe implementon iniciativa, programe, projekte dhe politika në fushën e inovacionit;
b) Identifikon koncepte novatore, procese dhe teknika të reja për inovimin e shërbimeve publike dhe të administratës publike;
c) Asiston ministritë, agjencitë apo entet publike me njohuri të veçanta dhe ekspertizë për identifikimin e problematikave komplekse dhe propozimin e zgjidhjeve sistematike e inovatore;
ç) Merr pjesë në përgatitjen e akteve rregullatore, ligjore e nënligjore, për zhvillimin e fushave të inovacionit, si dhe jep mendim të detyrueshëm për institucionet publike për hapjen dhe funksionimin e entiteteve që operojnë në fushën e inovacionit dhe ekselencës, me qëllim zbatimin efektiv të politikave, projekteve dhe iniciativave në këto fusha;
d) Përmes iniciativave të ndryshme nxit dhe i propozon ministrive të linjës, agjencive apo enteve publike modernizimin e shërbimeve të administratës publike dhe përfshirjen e ekspertëve më të mirë në administratën publike.
III. ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I AGJENCISË
1. Agjencia e ushtron veprimtarinë e saj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe organizohet në nivel qendror.
2. Agjencia drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm, i cili përgjigjet para Kryeministrit dhe përfaqëson Agjencinë në marrëdhënie me të tretët.
3. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë emërohet, lirohet ose shkarkohet nga detyra me urdhër të Kryeministrit.
4. Drejtori i Përgjithshëm organizon dhe drejton të gjithë veprimtarinë e Agjencisë. Ai ngre grupe pune me ekspertë për kryerjen e detyrave specifike, në përputhje me legjislacionin në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore. Drejtori i Përgjithshëm mbështetet nga një zëvendësdrejtor.
5. Drejtori i Përgjithshëm duhet të plotësojë kriteret e mëposhtme:
a) Të jetë shtetas shqiptar apo i huaj, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi për të huajt;
b) Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
c) Të ketë diplomë të nivelit 7 të Kornizës Shqiptare apo Evropiane të Kualifikimeve në fusha studimi që lidhen me inovacionin;
ç) Të ketë përvojë pune jo më pak se 5 (pesë) vjet në pozicione drejtuese;
d) Të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
dh) Ndaj tij të mos jetë marrë masë disiplinore e largimit nga puna, që nuk është shuar sipas legjislacionit në fuqi;
e) Të mos ketë konflikt interesi në ushtrimin e detyrës.
6. Drejtori i Përgjithshëm lirohet nga detyra kur:
a) plotëson kushtet për pensionin e plotë të pleqërisë;
b) deklarohet i paaftë për punë nga komisioni kompetent mjekësor;
c) ristrukturohet institucioni;
ç) gjendet në një situatë konflikti të vazhdueshëm interesi;
d) jep dorëheqjen nga detyra.
7. Drejtori i Përgjithshëm shkarkohet nga detyra kur:
a) dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje;
b) kryen shkelje të rënda gjatë detyrës;
c) nuk përmbush objektivat strategjikë të institucionit;
ç) ka performancë të dobët në ushtrimin e detyrës.
8. Marrëdhëniet e punës së drejtorit të Përgjithshëm dhe punonjësve të Agjencisë rregullohen në bazë të Kodit të Punës.
9. Pranë Agjencisë krijohet dhe funksionon Bordi Këshillimor i Agjencisë, në vijim referuar Bordi, si organ këshillimor për zhvillimin e politikave, ndërmarrjen e iniciativave dhe masave me qëllim zhvillimin në fushën e inovacionit, i cili drejtohet nga Zëvendëskryeministri.
10. Përbërja dhe rregulla më të hollësishme për mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të Bordit të Agjencisë përcaktohen me urdhër të Kryeministrit.
11. Agjencia, në përputhje me përgjegjësitë e veta, kryen këto detyra:
a) Promovon inovacionin, proceset dhe teknikat e reja për inovimin e shërbimeve publike dhe të administratës publike;
b) Harton plane veprimi për zbatimin e politikave në fushën e inovacionit dhe ekselencës;
b) Mbështet dhe bashkërendon punën për projektet dhe iniciativat e institucioneve në nivel kombëtar në fushat e inovacionit e të ekselencës;
c) Lidh marrëveshje dhe bashkëpunon me institucione, organizata dhe organizma të tjerë, brenda dhe jashtë vendit, me qëllim realizimin e misionit të saj;
ç) Përgatit raporte dhe informacion përmbledhës për çështje të inovacionit dhe ekselencës, në varësi të problematikave të evidentuara;
d) Kryen çdo detyrë tjetër në fushën e inovacionit, të caktuar nga Kryeministri, Këshilli i Ministrave apo legjislacioni në fuqi.
12. Pjesë e strukturës së Agjencisë janë edhe “Qendrat e inovacionit dhe ekselencës”, në funksion të ministrive të linjës dhe institucioneve qendrore, të cilat kanë objekt kryesor të veprimtarisë së tyre:
a) identifikimin e koncepteve, proceseve novatore dhe teknikave të reja, në përputhje me politikat e ministrisë apo institucionit qendror;
b) kryerjen e studimeve dhe analizave krahasuese mbi politikat në nivel rajonal e ndërkombëtar;
c) analizimin e të dhënave në kuadër të hartimit apo zbatimit të politikave të ndërmarra nga ministria apo institucioni qendror, me qëllim zhvillimin e
analizave strategjike për të zbuluar mundësi të reja inovacioni;
ç) propozimin dhe menaxhimin e projekteve apo iniciativave zhvillimore në fushat përkatëse;
d) kontribuimin me njohuri dhe ekspertizë të posaçme të nevojshme për një periudhë të caktuar kohore në fushën që mbulon institucioni dhe për të cilën mungojnë kapacitetet e nevojshme në institucion.
13. Procesi i përzgjedhjes së kandidatëve për punësim në Agjenci realizohet nëpërmjet procedurave konkurruese me shpallje publike, në përputhje me kriteret e përcaktuara në përshkrimet e punës.
14. Struktura dhe organika e Agjencisë hartohen në përputhje me përgjegjësitë funksionale të parashikuara në këtë vendim dhe miratohen me urdhër të Kryeministrit, sipas legjislacionit në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore.
15. Rregullorja, që përcakton metodat e brendshme të punës dhe sjelljen e personelit të Agjencisë, miratohet nga Kryeministri, me propozimin e drejtorit të Përgjithshëm.
16. Agjencitë dhe institucionet kërkimore në varësi të ministrive të linjës, si dhe institucionet e tjera të administratës shtetërore koordinojnë aktivitetin e tyre me Agjencinë sa i përket çështjeve që lidhen me inovacionin dhe ekselencën.
17. Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit si dhe Agjencia Shtetërore për Mbështetjen dhe Zhvillimin e Startup-eve dhe Lehtësuesve bashkëpunojnë dhe bashkërendojnë me Agjencinë për çështjet që kanë lidhje me inovacionin dhe ekselencën.
18. Agjencia ka stemën, logon dhe vulën e saj zyrtare. Stema e saj përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë, me shënimet “Republika e Shqipërisë, Agjencia e Inovacionit dhe Ekselencës”, në përputhje me përcaktimet e vendimit të Këshillit të Ministrave për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës së Shqipërisë.
19. Vula e Agjencisë ka formën dhe elementet e përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave për rregullat e prodhimit, administrimit, kontrollit dhe ruajtjes së vulave zyrtare. Vulat prodhohen, administrohen dhe ruhen në përputhje me legjislacionin në fuqi.
IV. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
1. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë emërohet brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
2. Deri në plotësimin e strukturës së Agjencisë dhe në caktimin e selisë së saj, drejtori i Përgjithshëm paguhet brenda numrit organik të vitit 2023 të aparatit të Kryeministrisë dhe mbështetet në detyrat e tij nga Kryeministria.
3. Agjencia bëhet funksionale nga data 1 janar 2024, me përjashtim të parashikimit të pikës 1, të këtij kreu.
4. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Agjencia e Inovacionit dhe Ekselencës, Departamenti i Administratës Publike, si dhe institucionet e tjera të përmendura në këtë vendim për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES ME SHKËMBIM NOTASH, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË MOLDAVISË, PËR KONVERTIMIN E LEJEVE TË DREJTIMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 12, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes me shkëmbim notash, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Moldavisë, për konvertimin e lejeve të drejtimit, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PLANIT TË EMERGJENCËS PËR GAZIN NATYROR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “a”, të pikës 3, të nenit 6, të ligjit nr.102/2015, “Për sektorin e gazit natyror”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e Planit të Emergjencës për Gazin Natyror në Republikën e Shqipërisë, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Vendimi nr.417, datë 10.5.2017, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e planit të emergjencës për gazin natyror në përputhje me standardet minimale të sigurisë së furnizimit, si dhe rregullat për të garantuar furnizim të sigurt dhe të efektshëm me gaz natyror”, shfuqizohet.
3. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Enti Rregullator i Energjisë dhe Inspektorati Shtetëror Teknik Industrial për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “REHABILITIMI I LUMIT GJANICË, FAZA II, SEGMENTI NGA ISH-URA ME SHKALLË DERI TEK URA E SHEQIT”, FIER
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rehabilitimi i lumit Gjanicë, faza II, segmenti nga ish-Ura me Shkallë deri tek Ura e Sheqit”, Fier.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Fier.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen, në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall” dhe “ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme prej 64 006 655 (gjashtëdhjetë e katër milionë e gjashtë mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë e pesë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 64 006 655 (gjashtëdhjetë e katër milionë e gjashtë mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë e pesë) lekësh, përballohet nga buxheti i shtetit, llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Bashkia Fier.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin.
8. Agjencia Shtetërore për Shpronësimin kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Fier.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistrimin e aktit të kalimit të pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të Bashkisë Fier, sipas këtij vendimi.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimi i aktit të kalimit të pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të Bashkisë Fier, sipas këtij vendimi.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Fier, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Fier, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.431, DATË 11.7.2018, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN, ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E AGJENCISË KOMBËTARE TË UJËSJELLËS-KANALIZIMEVE DHE INFRASTRUKTURËS SË MBETJEVE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 10, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, dhe të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.431, datë 11.7.2018, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Titulli i vendimit ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve”.
2. Kudo në vendim, emërtimi “Agjencia Kombëtare e Ujësjellës- Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve (AKUM)” zëvendësohet me “Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve (AKUK)” dhe akronimi “AKUM” zëvendësohet me “AKUK”.
3. Pikat 3 dhe 4 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“3. AKUK-ja është organ shtetëror i specializuar në fushën e ujësjellës-kanalizimeve dhe të trajtimit të ujërave të ndotura, në përputhje me kompetencat e përcaktuara në këtë vendim. AKUK-ja mbështet teknikisht politikat e ministrisë përgjegjëse për infrastrukturën, në përputhje me legjislacionin dhe politikat e përcaktuara në strategjitë sektoriale.
4. AKUK-ja ka stemën, logon dhe vulën e vet zyrtare. Stema përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë, me shënimet: “Republika e Shqipërisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve”, në përputhje me përcaktimet e vendimit nr.474, datë 10.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës, si dhe raportin e përmasave të saj”, të ndryshuar.”.
4. Pikat 10 dhe 11 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“10. AKUK-ja ka si mision zbatimin e politikës specifike shtetërore në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve dhe trajtimin e ujërave të ndotura, sipas pikës 3, të këtij vendimi, derisa ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve të jenë të afta për të kryer këto funksione.
11. AKUK-ja e ushtron veprimtarinë e vet në këto fusha përgjegjësie shtetërore derisa ndërmarrjet e ujësjellës- kanalizimeve të jenë të afta për të kryer funksionet për shërbimin e furnizimit me ujë dhe të ujësjellës-kanalizimeve dhe trajtimin e ujërave të ndotura urbane.”.
5. Në pikën 12, fjalët “… planifikimin territorial dhe infrastrukturën e mbetjeve …” hiqen.
6. Pika 13 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“13. AKUK-ja ushtron këto kompetenca:
a) Siguron mbështetjen dhe këshillimin për ministrinë përgjegjëse për infrastrukturën për ndryshimin dhe përmirësimin e kuadrit ligjor e nënligjor në lidhje me planifikimin e territorit, politikat dhe strategjitë kombëtare në lidhje me sektorët e furnizimit me ujë dhe kanalizime.
b) Mbështet nga ana teknike ministrinë e linjës për hartimin dhe zbatimin e politikave e të programeve e strategjive në fushën e ujësjellës-kanalizimeve dhe trajtimit të ujërave të ndotura.
c) Monitoron detyrimet për përmbushjen e objektivave strategjikë, afatgjatë, afatmesëm dhe afatshkurtër, në kuadër të Strategjisë Kombëtare të Ujit dhe programeve të zhvillimit të sektorit.
ç) Drejton punën në hartimin dhe kostimin e planit strategjik të ndërhyrjeve infrastrukturore dhe garanton zbatueshmërinë dhe përditësimin e vazhdueshëm të tij.
d) Përgatit planifikimin e nevojave për investime për ndërtimin/ rehabilitimin/zgjerimin e sistemeve të ujësjellës-kanalizimeve, të impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura (ITUN), bazuar në programet e qeverisë dhe në masterplanet kombëtare sektoriale.
dh) Shërben si koordinues dhe asistues i institucioneve qendrore dhe njësive të vetëqeverisjes vendore e të shoqërive të ujësjellës-kanalizimeve, kur kërkohet ose përcaktohet nga kuadri ligjor për nismat për investime në fushat e ujësjellës- kanalizimeve dhe trajtimit të ujërave të ndotura, si dhe ofron këshillime e asistencën e saj gjatë procesit të hartimit të projekteve në këto fusha.
e) Orienton nga pikëpamja teknike e menaxheriale dhe bashkëpunon për të gjitha projektet e ujësjellës-kanalizimeve, të ITUN-eve, të financuara nga buxheti i shtetit, buxheti i bashkisë, buxheti i shoqërisë “Ujësjellës-Kanalizime”, sh.a., apo institucione financiare ndërkombëtare.
ë) Bashkëpunon me njësitë e vetëqeverisjes vendore ose shoqëritë UK, si dhe jep mendim për projektet teknike të ndërhyrjeve infrastrukturore pavarësisht burimit të financimit apo autoritetit kontraktor me qëllim garantimin dhe zbatimin e rregullave teknike të projektimit, zbatimit e shfrytëzimit dhe monitoron ecurinë e tyre.
f) Koncepton mekanizma nxitës apo shtrëngues për operatorët e shërbimeve dhe i propozon pranë strukturave politikëbërëse.
g) Projekton, ndërton dhe administron një sistem të integruar informacioni për të garantuar saktësi dhe cilësi të të dhënave në kohë reale për:
i. planifikimin e investimeve që bën secila shoqëri;
ii. projektakte dhe akte për miratimin e projekteve;
iii. kërkesa për financime etj.
gj) Koordinon nismat për investime në fushën e ujësjellës- kanalizimeve, në bazë të rëndësisë strategjike, si dhe merr pjesë e ofron këshillime gjatë procesit të hartimit të projekteve në fushën e ujësjellës-kanalizimeve. Përgatit, gjithashtu, projekte zhvillimore dhe projekte pilot, me kërkesë të bashkive, qarqeve dhe ministrive apo institucioneve të tjera të administrates publike.
h) Është institucioni përgjegjës për hartimin dhe zbatimin e procedurave e të programit të monitorimit për shërbimet e furnizimit me ujë.
i) I propozon ministrisë përgjegjëse për infrastrukturën treguesit dhe kriteret që duhet të arrijë çdo ofrues shërbimi dhe kryen monitorimin e tyre, në bazë të kontratës së performancës së dakordësuar.
j) Përgatit metodologjinë për llogaritjen dhe shpërndarjen e subvencioneve, në përputhje me politikat e miratuara dhe legjislacionin në fuqi.
k) Ushtron kontrolle me karakter teknik dhe të treguesve tregtarë, në çdo subjekt që është ofrues i shërbimeve të ujësjellës-kanalizimeve dhe trajtimit të ujërave të ndotura.
l) Mund të organizohet si pjesë e subjektit të kompetencave të përbashkëta (SKP), sipas vendimit nr.302 datë 11.5.2022, të Këshillit të Ministrave, “Për politikat kombëtare për riorganizimin e sektorit të furnizimit me ujë dhe të largimit, trajtimit dhe përpunimit të ujërave të ndotura”, dhe të ushtrojë funksionet, në përputhje me këtë vendim dhe ligjin nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”.
ll) Ndërmerr nisma për rritjen e kapaciteteve të burimeve njerëzore dhe koordinon programet dhe kurikulat e trajnimit. Planifikon nevojat për trajnime të punonjësve të shoqërive të ujësjellës-kanalizimeve dhe koordinon dhe/ose administron programet e trajnimit, të financuara nga buxheti i shtetit apo institucionet financiare ndërkombëtare.
m) Siguron mbështetjen e nevojshme financiare për shoqërinë aksionare të ujësjellës-kanalizimeve, sipas planit të biznesit të miratuar, kur ky plan nuk mund të mbulohet nga të ardhurat e vetë shoqërisë.
n) Mbështet politikëbërësit për hartimin dhe zbatimin e akteve nënligjore e të procedurave për procesin e kalimit të administrimit të shërbimeve të furnizimit me ujë, kanalizime dhe trajtimin e ujërave të ndotura nga pushteti vendor në atë qendror, në rastet e mospërmbushjes së detyrimeve kontraktuale, sipas kontratës së performancës, të lidhur ndërmjet palëve.”.
II. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA