Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 22 Nëntor 2023: 
V E N D I M 
PËR
KRIJIMIN E BAZËS SË TË DHËNAVE SHTETËRORE “REGJISTRI   I TË DHËNAVE TË TË DREJTAVE TË AUTORIT DHE TË DREJTAVE TË TJERA TË LIDHURA ME TO” DHE PËRCAKTIMIN E ELEMENTEVE TË REGJISTRIT TË TË DHËNAVE TË HAPURA PËR PUBLIKUN, DOKUMENTAR DHE ELEKTRONIK
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 5, të nenit 157, të                                        ligjit nr.35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, të ndryshuar, dhe të nenit 4, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Qëllimi i këtij vendimi është krijimi dhe administrimi i bazës së të dhënave shtetërore “Regjistri i të dhënave të të drejtave të autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura me to” dhe përcaktimi i elementeve të regjistrit të të dhënave të hapura për publikun, dokumentar dhe elektronik (në vijim, baza e të dhënave).
2. Në këtë vendim, termat “baza e të dhënave shtetërore”, “subjekt i interesuar”, “dhënësi i informacionit”, “institucioni administrues”, “ndërveprimi”, “të dhëna parësore dhe dytësore” kanë të njëjtin kuptim siç përcaktohet në legjislacionin në fuqi për bazat e të dhënave shtetërore.
3. Institucioni administrues i bazës së të dhënave është Drejtoria për të Drejtën e Autorit.
4. Baza e të dhënave është në formë dokumentare dhe elektronike.
5. Baza e të dhënave përmban të dhënat parësore e dytësore.
6. Të dhëna parësore të hapura për publikun janë:
a) regjistrimi vullnetar i krijimeve të mbrojtura nga e drejta e autorit:
i. titulli i veprës;
ii. përshkrimi i veprës;
iii. numri i regjistrimit (RDA);
iv. data e regjistrimit;
v. kategoria e veprës.
b) regjistrimi i kalimit të të drejtave të autorit:
i. titulli i veprës;
ii. përshkrimi i veprës;
iii. numri i regjistrimit (RDA);
iv. data e regjistrimit;
v. kategoria e veprës;
vi. vlefshmëria e certifikatës së regjistrimit të kalimit të të drejtës;
vii. përkthyesi.
7. Të dhënat dytësore të hapura për publikun janë:
a) veprat në domen publik:
i. institucioni që administron veprën;
ii. kategoria e veprës;
iii. autori, bashkautori, mbajtësi i së drejtës;
iv. data e daljes në domen publik.
b) agjencitë e administrimit kolektiv:
i. emërtimi;
ii. të dhëna kontakti;
iii. statuti;
iv. kategoria e përfaqësimit;
v. vlefshmëria;
vi. përbërja e bordit drejtues të Agjencisë së Administrimit Kolektiv;
vii. lista e anëtarëve;
viii. lista e veprave;
ix. lista e marrëveshjeve të reciprocitetit;
x. të dhëna financiare.
c) subjektet përdoruese dhe pajisja me autorizim për përdorimin e të drejtës së autorit:
i. listë e subjekteve përdoruese të të drejtës së autorit;
ii. listë e subjekteve të informuara pa u pajisur me autorizim;
iii. listë e subjekteve të pajisura me autorizim;
iv. vlefshmëria e autorizimeve.
ç)  veprat pa autor:
i. Vepra pa autor:
– titulli i veprës;
– të dhëna identifikuese (nëse ka);
– përshkrim i veprës;
– kategoria e veprës;
– institucioni kompetent që e administron.
ii. institucioni kompetent që e administron:
– të dhëna për kërkimin shterues;
– përdorimi i veprës;
– kohëzgjatja e përdorimit të veprës.
iii. autori, bashkautori, mbajtësi i së drejtës:
– statusi aktual – anonim; emri i panjohur; i njohur, por me vendndodhje të paidentifikuar; asnjë informacion);
– lloji i autorësisë – autor; bashkautor; mbajtës i së drejtës.
iv. informacion për publikimin e veprës:
– publikimi, transmetimi, vendi i prodhimit;
– datat e publikimit;
– të dhënat e publikuesve;
– gjuha e publikimit.
v. imazhet shoqëruese.
8. Të dhëna dytësore të mbyllura për publikun, që merren nga një bazë tjetër të dhënash, ku ato janë parësore, janë:
a) të dhëna nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile, administruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, si: numri personal, atësia, vendlindja, datëlindja, gjinia, bashkia, njësia administrative dhe adresa;
b) të dhëna nga Regjistri Tregtar, administruar nga Qendra Kombëtare e Biznesit, numri unik i identifikimit të subjektit (NUIS), bashkia, njësia administrative, si dhe adresa ku ushtron aktivitetin profesional: numri, rruga, qyteti;
c) nga çdo bazë tjetër të dhënash, që mund të ndërveprojë me regjistrin e të dhënave të të drejtave të autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura me to, bazuar në vendimet dhe kuadrin rregullues përkatës.
9. Dhënës të informacionit për bazën e të dhënave janë:
a) institucionet arsimore;
b) sporteli unik për kryerjen e funksionit të mbledhjes së shpërblimeve të të drejtës së autorit;
c) agjencitë e administrimit kolektiv të të drejtave të autorit;
ç) biblioteka publike shtetërore;
d) biblioteka publike private;
dh) muzetë në Republikën e Shqipërisë;
e) institucionet e ndryshme arkivkrijuese, që zbatojnë dispozitat e depozitimit të detyrueshëm të kopjeve të ligjshme të krijimeve, të publikuara, të prodhuara ose të importuara në territorin e Republikës së Shqipërisë;
ë) institucionet arkivore filmike ose audiovizuale;
f) transmetuesit publikë të regjistruar në Republikën e Shqipërisë.
10. Subjektet e interesuara për bazën e të dhënave janë, si më poshtë vijon:
a) Institucionet e administratës publike;
b) Sporteli unik për kryerjen e funksionit të mbledhjes së shpërblimeve të të drejtës së autorit;
c) Agjencitë e administrimit kolektiv;
ç) Organizmat ndërkombëtarë që funksionojnë brenda dhe jashtë Shqipërisë;
d) Çdo individ, person tjetër fizik ose juridik.
11. Niveli dhe mënyra e aksesit në sistem e subjekteve të interesuara është, si më poshtë vijon:
a) Si konsultues (viewer) të informacionit nëpërmjet web-it:
i. institucionet e administratës publike;
ii. institucionet arsimore;
iii. subjektet e sistemit të menaxhimit kolektiv;
iv. përfaqësuesit e autorizuar;
v. çdo individ, person fizik ose juridik.
b) Si administrator, përpunues dhe përditësues i bazës së të dhënave është Drejtoria për të Drejtën e Autorit;
c) Individët, personat fizikë ose juridikë, të cilët regjistrojnë vullnetarisht krijimet e mbrojtura nga e drejta e autorit ose kalimin e të drejtave kanë akses të kufizuar në bazën e të dhënave, që i lejon të tërheqin kopje të certifikatës së regjistrimit të të drejtës së autorit dhe të kalimit të të drejtave. Çdo individ, person fizik ose juridik, paraqet kërkesë në ministrinë përgjegjëse për të drejtën e autorit për t’u pajisur me akses të kufizuar.
12. Të dhënat personale të përfshira në bazën e të dhënave përpunohen në përputhje me dispozitat e ligjit nr.9887, datë 10.3.2008, “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, të ndryshuar. Ministria përgjegjëse për të drejtën e autorit përdor bazën e të dhënave edhe për përpunimin e statistikave, kërkimeve, studimeve dhe analizave të të dhënave, si dhe për komunikimin ose shpërndarjen e mundshme të tyre, vetëm në formë anonime, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
13. Të gjitha ndryshimet në arkitekturën e bazës së të dhënave, në varësi të nevojave dhe të informacionit të institucionit, dhe përshtatjen me praktikat evropiane e ndërkombëtare në fushën e të drejtës së autorit bëhen në përputhje me legjislacionin në fuqi.
14. Ministri përgjegjës për të drejtën e autorit miraton rregulloren për organizimin dhe funksionimin e brendshëm të bazës së të dhënave shtetërore “Regjistri i të dhënave të të drejtave të autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura me to”, në përputhje me rregullat e parashikuara nga legjislacioni në fuqi për bazat e të dhënave shtetërore.
15. Ngarkohen Ministria e Kulturës dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I 
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 
*** 
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË   TË KANDIDATURËS SË NJË ANËTARI TË BORDIT  TË AUTORITETIT TË MBIKËQYRJES FINANCIARE         PËR USHTRIMIN E FUNKSIONIT TË DREJTORIT   TË PËRGJITHSHËM EKZEKUTIV TË AUTORITETIT 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 6, të ligjit nr.9572,                    datë 3.7.2006, “Për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të kandidaturës së                 znj. Mimoza Kaçi, anëtare e Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, e cila mban funksionin e nëndrejtorit Ekzekutiv, lirohet nga ky funksion dhe emërohet në funksionin e drejtorit të Pëgjithshëm Ekzekutiv të Autoritetit, për periudhën e mbetur të mandatit si anëtare e bordit.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 
*** 
V E N D I M
PËR
LIRIMIN NGA DETYRA TË DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM  TË SHËRBIMIT TË PROVËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 10, të   ligjit nr.78/2020, “Për organizimin dhe funksionimin e Shërbimit të Provës”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Z. Ervin Hoxha, drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit të Provës, lirohet nga kjo detyrë.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 
*** 
V E N D I M
PËR
 MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SHTESË    TË MARRËVESHJES SË GRANTIT DHE PROJEKTIT,  NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS    SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA    E INFRASTRUKTURËS DHE ENERGJISË (MARRËSI),     KFW FRANKFURT AM MAIN (KFW) DHE FONDIT SHQIPTAR   TË ZHVILLIMIT (FSHZH) (AGJENCIA E ZBATIMIT TË PROJEKTIT), PËR PROGRAMIN E RINDËRTIMIT TË NDËRTESAVE PUBLIKE (FAZA I), MIRATUAR ME VENDIMIN NR.1150,     DATË 24.12.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes shtesë të marrëveshjes së grantit dhe projektit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (marrësi), KfW Frankfurt am Main (KfW)  dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH) (agjencia e zbatimit të projektit), për programin e rindërtimit të ndërtesave publike               (faza I), miratuar me vendimin nr.1150, datë 24.12.2020, të Këshillit të Ministrave, me një grant në shumën 3 500 000 (tre milionë e                          pesëqind mijë) euro, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 
*** 
V E N D I M
PËR 
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDRYSHUESE  ME SHKËMBIM LETRASH TË MARRËVESHJES KUADËR TË FINANCIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË      DHE BANKËS PËR ZHVILLIM TË KËSHILLIT TË EVROPËS,     PËR PROGRAMIN E REFORMIMIT TË QENDRËS SPITALORE UNIVERSITARE TË TIRANËS – FAZA II, RATIFIKUAR  ME LIGJIN NR.17/2015
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 12, të                          ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese me shkëmbim letrash të marrëveshjes kuadër të financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës, për programin e reformimit të Qendrës Spitalore Universitare të Tiranës – faza II, ratifikuar me                           ligjin nr.17/2015, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 
*** 
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.221, DATË 12.3.2020,   TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR EMËRIMIN E KRYETARIT DHE TË ANËTARËVE TË KËSHILLIT DREJTUES TË AUTORITETIT TË AVIACIONIT CIVIL”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 5, të                                 ligjit nr.53/2022, “Për organizimin dhe funksionimin e Autoritetit të Aviacionit Civil”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në pikën 1, të vendimit nr.221, datë 12.3.2020, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, z. Dritan Gjonbalaj, kryetar, zëvendësohet me znj. Lilika Radovica.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 
*** 
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.199, DATË 10.4.2019,   TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN  E KRYETARIT DHE EMËRIMIN E ANËTARËVE, PËRFAQËSUES    TË PUSHTETIT QENDROR, NË KËSHILLIN DREJTUES TË FONDIT SHQIPTAR TË ZHVILLIMIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.10130,                 datë 11.5.2009, “Për Fondin Shqiptar të Zhvillimit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.199, datë 10.4.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kryetarit dhe emërimin e anëtarëve, përfaqësues të pushtetit qendror, në këshillin drejtues të Fondit Shqiptar të Zhvillimit”, të ndryshuar, në pikën 2, bëhen këto ndryshime:
1. Znj. Edona Bilali, ministër i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, zëvendësohet me znj. Delina Ibrahimaj, ministër i Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit.
2. Znj. Ornela Çuçi, zëvendësministër i Turizmit dhe Mjedisit, zëvendësohet me znj. Almira Xhembulla, zëvendësministër i Turizmit dhe Mjedisit.
     Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 
*** 
V E N D I M
PËR
CAKTIMIN E DITËS SË HËNË, DATË 27.11.2023, DITË PUSHIMI 
Në mbështetje të neneve 95, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Caktimin e ditës së hënë, datë 27.11.2023, ditë pushimi për punonjësit e administratës shtetërore.
2. Dita e punës, e datës 27.11.2023, do të zëvendësohet në një nga ditët e pushimit brenda tremujorit të parë të vitit pasardhës.
3. Ngarkohen institucionet e administratës shtetërore për zbatimin e këtij vendimi.
    Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 
*** 
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLAVE DHE TË PROCEDURAVE PËR KRIJIMIN E SISTEMIT TË GJURMIMIT DHE TË IDENTIFIKIMIT TË LËNDËVE PLASËSE PËR PËRDORIM CIVIL 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 14, të     ligjit nr.74/2021, “Për hedhjen në treg dhe mbikëqyrjen e lëndëve plasëse për përdorim civil”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e rregullave dhe të procedurave për krijimin e sistemit të gjurmimit dhe të identifikimit të lëndëve plasëse për përdorim civil, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Operatorët ekonomikë në fushën e lëndëve plasëse për përdorim civil duhet të ngrenë sistemin e gjurmimit dhe të marrin masa për zbatimin e neneve 3,   pika 6, 13 dhe 14, të tekstit bashkëlidhur këtij vendimi, brenda një viti nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
3. Vendimi nr.675, datë 28.9.2016, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullave dhe të procedurave për krijimin e sistemit të gjurmimit dhe të identifikimit të lëndëve plasëse për përdorim civil”, shfuqizohet.
4. Ngarkohen Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve dhe struktura përgjegjëse në ministrinë që mbulon çështjet e energjisë dhe mineraret për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 
*** 
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.144,  DATË 22.2.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE  TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKUALIFIKIMI URBAN I QYTETIT TË PUKËS””
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të                               ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.144, datë 22.2.2017, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në pikat 3 dhe 4, vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 98 969 835 (nëntëdhjetë e tetë milionë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e nëntë mijë e tetëqind e tridhjetë e pesë) lekësh zëvendësohet me vlerën prej   69 155 766.4 (gjashtëdhjetë e nëntë milionë e njëqind e pesëdhjetë e pesë mijë e shtatëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë pikë katër) lekësh.
2. Tabelës bashkëlidhur vendimit i shtohet numri rendor 19 me të dhënat sipas tabelës, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
II. Shpenzimet procedurale shtesë të këtij vendimi, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga buxheti i Bashkisë Pukë.
III. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, Bashkia Pukë, si dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Pukë, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 
*** 
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.420, DATË 8.6.2016,   TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN     E CEREMONIALIT SHTETËROR NË REPUBLIKËN               E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 17, të ligjit nr.23/2015, “Për shërbimin e jashtëm në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.420, datë 8.6.2016, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto shtesa:
1. Në kapitullin V, pika 2, “Përdorimi i sallës VIP të aeroportit”, në fund të nënpikës 2.3, shtohen këto autoritete:
“… – Zëvendëskryetari dhe gjyqtarët e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar;
– Zëvendësdrejtuesi dhe prokurorët e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar;
– Krerët e misioneve diplomatike të Republikës së Shqipërisë.”.
2. Në kapitullin VI, pika 1, “Përparësia në Republikën e Shqipërisë”, në                      rangun II të përparësive, bëhen këto shtesa:
a) Pas emërtimit “… Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme…” shtohet                    “… Zëvendësdrejtuesi i Prokurorisë së Posaçme; …”;
b) Pas emërtimit “… Kryetari i Gjykatës së Posaçme …” shtohet                              “… Zëvendëskryetari i Gjykatës së Posaçme; …”.
II. Ngarkohet Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.