U zhvillua më datë 8 dhjetor 2023, në Bruksel, takimi i Bordit Strategjik dhe Bordit Operacional të Kuadrit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF), i cili përbën një nga instrumentet kryesorë nëpërmjet të cilit Bashkimi Evropian mbështet zhvillimin dhe integrimin e rajonit.
Në fokus të takimit të Bordit Strategjik ishte prezantimi dhe diskutimet mbi Planin e Ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Kjo iniciativë e BE-së, nëpërmjet mbështetjes financiare me grante dhe kredi në një vlerë prej 6 miliardë euro, bazohet në katër shtylla kryesore të cilat synojnë nxitjen e integrimit ekonomik në tregun e përbashkët rajonal dhe atë evropian si dhe përshpejtimin e zbatimit të reformave themelore. Shqipëria dhe vendet fqinje të rajonit prezantuan prioritetet dhe drejtimet kryesore te reformave, të cilat priten të zbatohen me mbështetjen nga ky plan.
Takimi i Bordit Strategjik u pasua nga takimi i Bordit Operacional, në të cilin u miratua mbështetja për Shqipërinë me grant investimi për projektin infrastrukturor “Rehabilitimi i linjës hekurudhore Durrës-Rrogozhinë” dhe projektin për energjinë e rinovueshme “Ndërtimi i Impiantit Fotovoltaik 50 MWp në Belsh”.
Projekti për rehabilitimin e hekurudhës Durrës-Rrogozhinë është i një rëndësie të veçantë për vendin dhe përbën fazën e parë të rindërtimit të infrastrukturës hekurudhore të Korridorit VIII. Vlera totale e projektit është 120.5 mln nga të cilat 60.4 milionë Euro do jenë grant nga BE. Pjesa tjetër do të mbështetet me financim nëpërmjet huasë nga Banka Evropiane e Investimeve (BEI).
Ndërtimi i impiantit fotovoltaik në Belsh pritet të rrisë më tej kapacitetet prodhuese dhe të avancojë procesin e tranzicionit energjitik drejt energjisë së rinovueshme, në përputhje të plotë me Agjendën e Gjelbër dhe angazhimet, strategjitë dhe prioritetet kryesore të vendit. Projekti, me një kosto totale prej 41.4 milionë Euro, do të mbështet me grant në vlerën e 9.2 milionë Euro. Pjesa tjetër e kostove do të mbulohet nga financimi me kredi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe buxheti i shtetit.