Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 20 Dhjetor 2023: 
V E N D I M
PËR
MËNYRËN E ADMINISTRIMIT TË FONDEVE DHE QËNDRIMIT                   NË NJË TERRITOR TË CAKTUAR TË SHTETASVE TË HUAJ                     TË URDHËRUAR PËR TË QËNDRUAR NË NJË TERRITOR                           TË CAKTUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 113, të                       ligjit nr.79/2021, “Për të huajt”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Fondet për qëndrimin në një territor të caktuar të një shtetasi të huaj, i cili është urdhëruar të qëndrojë në një territor të caktuar, përdoren në përputhje me programin buxhetor dhe zërat e shpenzimeve të parashikuara për çdo vit.
2. Zërat e shpenzimeve për sigurimin e kushteve për qëndrimin e shtetasve të huaj në një territor të caktuar përfshijnë:
a) sigurimin e strehimit, të ushqimit e të veshmbathjes;
b) ndihmën financiare me një kuotë mujore prej 3 000 (tre mijë) lekësh në muaj.
3. Administrimi i fondeve kryhet nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit (DPPSH).
4. Administrimi i fondit për zërin sipas shkronjës “a”, të pikës 2, të këtij vendimi, kryhet në përputhje me legjislacionin në fuqi.
5. Për dhënien e ndihmës financiare sipas shkronjës “b”, të pikës 2, të këtij vendimi, DPPSH-ja kërkon hapjen e llogarisë ekonomike analitike të shpenzimeve në sistemin informatik financiar të qeverisë (SIFQ), me emërtimin “Shpenzime për ndihmën financiare për shtetasin e huaj të urdhëruar për të qëndruar në një territor të caktuar”.
6. Transferimet e mjeteve monetare nga fondet e përcaktuara për qëndrimin e shtetasit të huaj në një territor të caktuar te përfituesit kryhen nga struktura përgjegjëse për thesarin në degë, me kërkesë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në përputhje me skemën ekzistuese të ekzekutimit të pagesave te përfituesit individë nëpërmjet strukturës së thesarit.
7. DPPSH-ja raporton, brenda datës 5 të muajit pasardhës, për të gjitha pagesat e kryera gjatë muajit paraardhës, si dhe brenda datës 31 janar të vitit pasardhës për të gjitha pagesat e kryera gjatë vitit paraardhës.
8. Shtetasi i huaj, i cili është urdhëruar të qëndrojë në një territor të caktuar, qëndron në një ambient ose rezidencë akomoduese. Ambienti ose rezidenca akomoduese e destinuar për një shtetas të huaj është një apartament, shtëpi private, strehëz, qendër e hapur apo hotel.
9. Kur shtetasi i huaj, i cili është urdhëruar të qëndrojë në një territor të caktuar hyn në marrëdhënie pune, trajtimi financiar për strehimin, ushqimin, veshmbathjet dhe ndihma financiare ndërpriten.
10. Shtetasi i huaj, i cili është urdhëruar të qëndrojë në një territor të caktuar është i detyruar të respektojë rregullat e regjimit ditor në varësi të llojit dhe rregullave të ambientit ose rezidencës akomoduese.
11. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISPOZITAT ZBATUESE TË LIGJIT NR.29/2023, “PËR TATIMIN        MBI TË ARDHURAT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 14, pika 3, 17, pika 6, 49 dhe 69, pika 1, shkronja “dh”, të ligjit nr.29/2023, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Neni 1
Lista e veprimtarive për zbatimin e regjimit të veçantë për personat fizikë tregtarë dhe të vetëpunësuar
1. Në zbatim të nenit 14, të ligjit nr.29/2023, të ndryshuar, ndarja e veprimtarive të parashikuara në këtë nen bëhet duke u bazuar në kodet e përcaktuara në Nomenklaturën e Veprimtarive Ekonomike (Rev.2), të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave dhe të publikuar nga INSTAT-i.
2. Bazuar në Nomenklaturën e Veprimtarive Ekonomike (Rev.2), ndarja e llojeve të veprimtarive ekonomike përkatësisht sipas veprimtarive të parashikuara në shkronjën “a”, të pikës 1, të nenit 14, të ligjit, pasqyrohet në tabelën analitike nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Neni 2
Vlerësimi i kostos dhe i çmimit të shitjes të sipërfaqeve të ndërtimit të përfituara si rezultat i një kontrate shkëmbimi truall me ndërtesë
1. Në zbatim të pikës 6, të nenit 17, të ligjit nr.29/2023, të ndryshuar, parashikohet dispozita ligjore në lidhje me tatimin e fitimin kapital të realizuar nga tjetërsimi i pasurisë së paluajtshme të përfituar nga një kontratë shkëmbimi. Në momentin e shkëmbimit të truallit me sipërfaqe ndërtimi, në bazë të një kontrate shkëmbimi, nuk lind detyrim për llogaritje të fitimit kapital nga transferimi i pasurisë së paluajtshme si për shoqëritë e ndërtimit, ashtu edhe për pronarët e truallit, pavarësisht nga statusi. Në këtë rast, fitimi kapital lind në momentin e tjetërsimit të pasurisë së paluajtshme të fituar nga shkëmbimi.
2. Me termin “fitim kapital i realizuar” kuptohet diferenca pozitive ndërmjet vlerës në shitje dhe vlerës në blerje të pasurisë së paluajtshme. Në rastet kur kjo diferencë rezulton negative, atëherë fitimi kapital do të konsiderohet zero në çdo transaksion.
3. Në rastin e shitjes së një pasurie të paluajtshme të përfituar nga një kontratë shkëmbimi truall-ndërtesë, për të llogaritur fitimin kapital të realizuar, vlera në blerje dhe vlera në shitje përcaktohen, si më poshtë vijon:
a) Vlera në blerje do të konsiderohet vlera e pjesës së truallit që i takon sipërfaqes së ndërtesës që shitet.
i. Vlera e truallit, për metër katror (m2) të dhënë në këmbim të përfitimit të sipërfaqes së banimit/tregtisë/shërbimit përcaktohet bazuar në vlerën, që ka pasur trualli i dhënë në transaksionin e fundit përpara shkëmbimit. Kur pronari i truallit e ka përfituar këtë truall me një transaksion, sikurse janë kontratë blerjeje, shkëmbim, trashëgimi, dhurim, heqje dorë apo rivlerësim i pasurisë së paluajtshme, për të cilin është llogaritur tatimi dhe ky akt është regjistruar pranë organit kompetent për regjistrimin e pasurive të paluajtshme, vlera në blerje do të jetë vlera sipas regjistrimit të fundit të kësaj pasurie mbi të cilën është llogaritur tatimi. Kjo vlerë, në rast se ekziston një akt tjetërsimi pasurie, u mundësohet noterëve gjatë kërkesës për tjetërsimin e pasurisë së paluajtshme nga organi kompetent për tjetërsimin e pasurisë së paluajtshme;
ii. Në rastet kur për truallin e këmbyer nuk ekziston një vlerë sipas parashikimeve të nënndarjes “i”, të kësaj shkronje, si vlerë e truallit për metër katror (m2) të dhënë në këmbim të përfitimit të sipërfaqes së banimit ose tregtisë ose shërbimit do të konsiderohet vlera, sipas çmimeve për metër katror (m2) sipërfaqe trualli të dhënë, që parashikohen në hartën e vlerave të tokës në Republikën e Shqipërisë, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave në fuqi në momentin e regjistrimit të kontratës së shkëmbimit ndërmjet investitorit e pronarit të truallit në organin përgjegjës për regjistrimin e pasurisë së paluajtshme.
b) Vlera në shitje e ndërtesës përcaktohet në kontratën e shitjes, e cila është nënshkruar nga palët, shitësi dhe blerësi.
i. Kontrata parashikon sipërfaqen në metër katror (m2) të pasurisë objekt të kontratës, çmimin për metër katror (m2) dhe vlerën e saj. Kontrata shoqërohet me hartën, planimetrinë dhe dokumentet e tjera, që shërbejnë për regjistrimin e pasurisë së paluajtshme sipas legjislacionit të fushës. Kjo vlerë në shitje e përcaktuar në kontratën e shitjes, për efekt të llogaritjes së detyrimit tatimor nga tjetërsimi i pasurisë së paluajtshme, krahasohet me çmimet e referencës;
ii. Në rastet kur vlera e pasurisë sipas çmimit të shitjes për metër katror (m²) të përcaktuar në kontratë është më e ulët se vlera sipas çmimeve referuese, atëherë si çmim i supozuar shitjeje merret në konsideratë çmimi i referencës së zonës/qytetit. Çmimet e referencës janë çmimet mesatare referuese për metër katror (m2) sipërfaqe ndërtimi që përdoren për vlerësimin e vlerës së taksueshme për banesat, bazuar në udhëzimin e përbashkët të ministrit përgjegjës për financat dhe institucionit që ka në fushën e përgjegjësisë regjistrimin e pasurive të paluajtshme të nxjerrë në zbatim të pikës 8, të nenit 17, të ligjit nr.29/2023, të ndryshuar.
Neni 3
Shpenzimet dhe të ardhurat në sektorin e ndërtimit
1. Dispozitat e këtij neni zbatohen për përcaktimin e fitimit të tatueshëm të sipërmarrjeve, që operojnë në ndërtimin dhe/ose shitjen e ndërtesave për qëllim strehimi, veprimtari prodhuese, tregtare ose veprimtari të shërbimit, sipas parashikimit në nenin 49, të ligjit nr.29/2023, të ndryshuar.
2. Tatimpaguesit që operojnë si sipërmarrës të punimeve të ndërtimit, për llogaritjen e të ardhurave dhe shpenzimeve veprojnë, si më poshtë vijon:
a) Në rastet kur tatimpaguesit operojnë si sipërmarrës në punime ndërtimi në rolin e kontraktorit, nënkontraktorit, supervizorit, mbikëqyrësit etj., të ardhurat nga biznesi janë të ardhurat e faturuara, bazuar në situacionet e punimeve të kryera apo paradhëniet e marra nga porositësit e punimeve;
b) Shpenzimet e tatimpaguesve, që operojnë si sipërmarrës në punime ndërtimi në rolin e kontraktorit, nënkontraktorit, supervizorit, mbikëqyrësit etj. përbëhen nga shpenzimet e biznesit brenda kufizimeve të ligjit për tatimin mbi të ardhurat.
3. Tatimpaguesit, që operojnë si ndërtues dhe shitës të punimeve të ndërtimit, për llogaritjen e të ardhurave dhe shpenzimeve veprojnë, si më poshtë vijon:
a) Në rastet kur tatimpaguesit operojnë si ndërtues të objekteve të ndërtimit dhe njëkohësisht janë pronarë plotësisht apo pjesërisht të produktit të ndërtimit, të cilin e shesin apo e japin me qira, të ardhurat nga biznesi janë të ardhurat nga pjesa, që shitet e produktit të ndërtimit, si dhe të ardhurat nga qiraja për pjesën e produktit të ndërtimit që jepet me qira.
i. Në rastet kur tatimpaguesi është 100% pronar i truallit ku ndërtohet, të ardhurat nga shitja apo dhënia me qira e produktit të ndërtimit do të llogariten për 100 % të produktit të ndërtimit;
ii. Në rastet kur tatimpaguesi nuk është pronar 100% i truallit ku ndërtohet, por ka një kontratë shkëmbimi truall-ndërtesë me pronarët e truallit, të ardhurat nga shitja apo dhënia me qira e produktit të ndërtimit llogariten për pjesën përfituese të produktit të ndërtimit bazuar në kontratën e shkëmbimit ndërmjet palëve.
b) Të ardhurat nga shitja e produkteve të ndërtimit, si dhe të ardhurat nga dhënia me qira e tyre llogariten bazuar në kontratat e shitjes, por duke marrë në konsideratë çmimet minimale të shitjes apo tarifat minimale të qiradhënies të përcaktuara në aktet ligjore e nënligjore në fuqi në Republikën e Shqipërisë;
c) Shpenzimet e tatimpaguesve, që operojnë si ndërtues të objekteve të ndërtimit dhe njëkohësisht janë pronarë plotësisht apo pjesërisht të produktit të ndërtimit, përbëhen nga shpenzimet e zbritshme të biznesit për fazën e ndërtimit, fazën e shitjes apo të mirëmbajtjes për pjesën e objekteve që jepen me qira, sipas dispozitave të ligjit për tatimin mbi të ardhurat.
ç) Në rastet kur shoqëritë e ndërtimit disponojnë në aktivet e shoqërisë troje të blera dhe, bazuar në lejet e ndërtimit, përdorin pjesë të tyre për ndërtimin e godinave me qëllim rishitjeje, për pjesën e truallit, i cili i përket pjesës së shitur të godinës, truall që çregjistrohet si pronë e entitetit në ASHK dhe kalon në pronësi/bashkëpronësi të blerësve të produktit të ndërtimit, vlera në kontabilitet e tij kalohet si shpenzim i zbritshëm i veprimtarisë së ndërtimit me qëllim shitjeje. Nëse entiteti mban produkte ndërtimi për nevoja të veprimtarisë së tij, si zyra, magazina, dhënie me qira, bare, restorante etj., pjesa përkatëse e truallit, që u përket proporcionalisht këtyre aktiveve, nuk do kalojë si shpenzim i zbritshëm biznesi.
3. Tatimpaguesit, që operojnë si investitorë dhe shitës të produkteve të ndërtimit, për llogaritjen e të ardhurave dhe shpenzimeve veprojnë, si më poshtë vijon:
Në rastet kur tatimpaguesit operojnë si investitorë, financues të produktit të ndërtimit, të ardhurat nga biznesi janë të ardhurat nga shitja e produktit të ndërtimit, si dhe të ardhurat nga qiraja për pjesën e produktit të ndërtimit që mbahet nga ana e tyre për t’u dhënë me qira.
a) Të ardhurat nga shitja e produkteve të ndërtimit, si dhe të ardhurat nga dhënia me qira e tyre llogariten bazuar në kontratat ligjore të shitjes, por duke marrë në konsideratë çmimet minimale të shitjes apo tarifat minimale të qiradhënies të përcaktuara në aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi në Republikën e Shqipërisë;
b) Shpenzimet e tatimpaguesve, që operojnë si investitorë (financues) të produktit të ndërtimit dhe njëkohësisht janë pronarë të këtij produkti, përbëhen nga shpenzimet e faturuara për ta nga sipërmarrësit e punimeve apo shpenzimet e tjera të nevojshme në fazën e shitjes apo të dhënies me qira, sipas dispozitave të ligjit për tatimin mbi të ardhurat.
Neni 4
Lista e shërbimeve objekt tatimi nga 1 janari 2024
1. Në zbatim të nenit 69, të ligjit nr.29/2023, të ndryshuar, përcaktohet lista analitike e veprimtarive ekonomike të tatimpaguesve, persona fizikë të vetëpunësuar dhe entitete, që ofrojnë shërbime profesionale, me të ardhura vjetore deri 14 000 000 (katërmbëdhjetë milionë) lekë në vit, të cilët do të paguajnë tatim mbi të ardhurat personale nga biznesi apo tatim mbi të ardhurat e korporatës, duke filluar nga viti fiskal 2024. Lista analitike përbëhet nga veprimtaritë sipas kodeve të parashikuara në Nomenklaturën e Veprimtarive Ekonomike (Rev.2), të paraqitura në tabelën analitike nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Në rastet kur tatimpaguesit nuk janë të qartë në lidhje me kategorizimin e veprimtarisë ekonomike që ushtrojnë apo për normën e tatimit mbi të ardhurat në lidhje me veprimtarinë e tyre, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, bazuar në Nomenklaturën e Veprimtarive Ekonomike (Rev.2), përcakton ndarjen dhe aktivitetin, në të cilin bën pjesë tatimpaguesi përkatës.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KOMPENSIMIN FINANCIAR TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, QË PREKEN NGA NDËRTIMET                                        E LEGALIZUARA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 24, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, për sipërfaqet takuese, të zëna nga ndërtimet e legalizuara në drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës: Tiranë Veri, Tiranë Jug, Tiranë Rurale 1, Elbasan, Vlorë, Kamzë-Vorë, Durrës, Zonat e Stimuluara dhe Kavajë.
2. Vlera e përgjithshme e kompensimit financiar është 579 593 115, 67  (pesëqind e shtatëdhjetë e nëntë  milionë e pesëqind e nëntëdhjetë e tre mijë e njëqind e pesëmbëdhjetë presje gjashtëdhjetë e shtatë) lekë, për sipërfaqen                 68 958  (gjashtëdhjetë e tetë mijë e nëntëqind e pesëdhjetë e tetë) m², sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
3. Për kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimet e legalizuara, sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë me numrat rendorë, sipas kolonës nr.14, të shtojcës nr.1, përkatësisht: nr.4, nr.7, nr.10, nr.26, nr.27, nr.29, nr.30, nr.37, nr.49, nr.51,               nr. 54, nr. 57 , nr.60, nr.61, nr.62, nr.69, nr.74,  nr. 81, nr.102,  nr.118,  nr.149, nr.204, nr.211, nr.213, sipas seksionit të veçantë (kolona 19), të shtojcës nr.1, shuma e kompensimit financiar vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronave, sipas pikës 3, të nenit 24, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”.
4. Të ardhurat që arkëtohen nga drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, si rrjedhojë e kalimit të pronësisë nëpërmjet shitjes së parcelës ndërtimore, si për pasuritë shtetërore, edhe për pasuritë e të tretëve, në favor të objekteve informale që legalizohen, përdoren për kompensimin e pronarëve.
5. Drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Tiranë Veri,                  Tiranë Jug, Tiranë Rurale 1, Elbasan, Vlorë, Kamzë-Vorë, Durrës, Zonat e Stimuluara dhe Kavajë kryejnë ndryshimet përkatëse për këto pasuri në regjistrat e pasurive të paluajtshme.
6. Ngarkohen Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Agjencia e Trajtimit të Pronave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E LETËRMARRËVESHJES, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE                                   PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, QË VEPRON                                         SI ADMINISTRATORE E FONDEVE TË GRANTIT, TË AKORDUAR NGA FONDI I MIRËBESIMIT ME SHUMË DONATORË,                               PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT “MBËSHTETJE PËR PROCESIN                  E PROJEKTIT TË NISMËS SË TRANSPARENCËS SË INDUSTRIVE NXJERRËSE NË SHQIPËRI”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisё, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e letërmarrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, që vepron si administratore e fondeve të grantit, të akorduar nga Fondi i Mirëbesimit me Shumë Donatorë, për financimin e projektit “Mbështetje për procesin e projektit të Nismës së Transparencës së Industrive Nxjerrëse në Shqipëri”, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E LETËRMARRËVESHJES NDRYSHUESE                                   TË MARRËVESHJES SË HUAS (NR.ABA-P3, DATË 30 QERSHOR 2008), NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS JAPONEZE PËR BASHKËPUNIM NDËRKOMBËTAR (TË ZËVENDËSUAR NGA AGJENCIA JAPONEZE PËR BASHKËPUNIM NDËRKOMBËTAR, NË TETOR 2008),                       PËR PROJEKTIN “PËRMIRËSIMI I SISTEMIT TË KANALIZIMEVE  PËR TIRANËN E MADHE”, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.9964,  DATË 24.7.2008
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 19 e 23, të                          ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e letërmarrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së huas (nr.ABA-P3, datë 30 qershor 2008), ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (të zëvendësuar nga Agjencia Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar, në tetor 2008), për projektin “Përmirësimi i sistemit të kanalizimeve për Tiranën e Madhe”, ratifikuar me ligjin nr.9964, datë 24.7.2008, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
 Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
LIRIMIN DHE EMËRIMIN NË DETYRË TË PREFEKTIT TË QARKUT TË FIERIT
Në mbështetje të neneve 100 e 114 të Kushtetutës dhe të nenit 5, të                                  ligjit nr.107/2016, “Për prefektin e qarkut”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Z. Lefter Shehaj, prefekt i Qarkut të Fierit, lirohet nga kjo detyrë.
2. Znj. Rajmonda Balilaj emërohet prefekt i Qarkut të Fierit.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES                                         SË ZBATIMIT NR.II, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE                  TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E INFRASTRUKTURËS DHE ENERGJISË, DHE DEUTSCHE GESELLSCHAFT FÜR INTERNATIONALE ZUSAMMENARBEIT (GIZ) GMBH, SI PËRFAQËSUESE E QEVERISË GJERMANE, NË LIDHJE ME PROGRAMIN “SHËRBIMET E FURNIZIMIT ME UJË                         DHE KANALIZIMEVE TË ORIENTUARA DREJT KONSUMATORIT DHE PERFORMANCËS” (CPWS)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 22, të                                ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së zbatimit nr.II, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GMBH, si përfaqësuese e qeverisë gjermane, në lidhje me programin “Shërbimet e furnizimit me ujë dhe kanalizimeve të orientuara drejt konsumatorit dhe performancës” (CPWS), nëpërmjet një granti prej                      1 500 000 (një milion e pesëqind mijë) eurosh, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MEMORANDUMIT TË MIRËKUPTIMIT,                    NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS                      SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË SHTETIT TË KUVAJTIT,                  PËR BASHKËPUNIMIN NË FUSHËN E BUJQËSISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e memorandumit  të mirëkuptimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së shtetit të Kuvajtit, për bashkëpunimin në fushën e bujqësisë, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E REZOLUTAVE NR.259, “NDRYSHIM NË NENIN 1                TË MARRËVESHJES, QË THEMELON BANKËN EVROPIANE                     PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM PËR MUNDËSIMIN                           E NJË ZGJERIMI TË KUFIZUAR DHE RRITËS TË SHTRIRJES GJEOGRAFIKE TË OPERACIONEVE TË BANKËS PËR AFRIKËN SUB-SAHARIANE DHE IRAKUN”, DHE NR.260, “NDRYSHIM                     NË NENIN 12.1 TË MARRËVESHJES, QË THEMELON BANKËN EVROPIANE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM PËR HEQJEN                     E KUFIZIMIT TË KAPITALIT STATUTOR PËR OPERACIONET                  E ZAKONSHME”, TË VITIT 2023, TË BORDIT                                                TË GUVERNATORËVE TË BANKËS EVROPIANE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM (BERZH)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.7525, datë 3.12.l991, “Për anëtarësinë e Republikës së Shqipërisë në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim”, dhe të nenit 2, të ligjit nr.10429, datë 9.6.2011, “Për ratifikimin e vendimeve të Bordit të Guvernatorëve të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD), rezoluta nr.126, “Rritja e kapitalit themeltar të autorizuar, emetimi i aksioneve të paguara dhe pagesa, nëpërmjet rialokimit të të ardhurave neto” (shtojca A) dhe rezoluta nr.128, “Shtimi i kapitalit themeltar të autorizuar, emetimi dhe nënshkrimi i kapitalit të shlyeshëm, nëse kërkohet dhe shlyerja” (shtojca B), si dhe dokumenti “Informacion për hapat që duhet të merren pas mbledhjes vjetore të vitit 2010”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e rezolutave nr.259, “Ndryshim në nenin 1 të marrëveshjes, që themelon Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për mundësimin e një zgjerimi të kufizuar dhe rritës të shtrirjes gjeografike të operacioneve të Bankës për Afrikën Sub-Sahariane dhe Irakun”, dhe nr.260, “Ndryshim në nenin 12.1 të marrëveshjes, që themelon Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për heqjen e kufizimit të kapitalit statutor për operacionet e zakonshme”, të vitit 2023, të Bordit të Guvernatorëve të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohet Ministria e Financave dhe Ekonomisë  për zbatimin e këtij vendimi.
    Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K  R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.294, DATË 8.4.2015,                           TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN E KËSHILLIT           TË INVESTIMEVE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të marrëveshjes ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për bashkëpunimin në mbështetje të klimës së investimeve dhe qeverisjes së mirë, nënshkruar më 24 shkurt 2014, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në  pikën 5,  të vendimit nr.294, datë 8.4.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin e Këshillit të Investimeve”, të ndryshuar, bëhen ndryshimet e mëposhtme:
1. Në shkronjën “a”, nënparagrafi “i”, emërtimi “ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes” zëvendësohet me “ministri i Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit”.
2. Shkronja “b” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“ b) 8 (tetë) anëtarë me status të përkohshëm, me mandat 2-vjeçar, nga shoqata biznesi.”.
II. Ngarkohet Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.446, DATË 16.6.2005,                        TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS                 SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME, SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË METROLOGJISË                          DHE KALIBRIMIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 14, të                                              ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.446, datë 16.6.2005, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme, shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë dhe Kalibrimit”, bëhen këto ndryshime:
a) Titulli i vendimit ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Për miratimin e listës së inventarit të pronave ta paluajtshme shtetërore, të cilat kalojnë në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, për Drejtorinë e Përgjithshme të Metrologjisë”.
b) Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat kalojnë në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, për Drejtorinë e Përgjithshme të Metrologjisë.”.
c) Në listën e inventarit që i bashkëlidhet vendimit, formulari për pronën, me emërtimin “DPMK dega Elbasan” zëvendësohet me formularin dhe planimetrinë që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.662,                       DATË 13.10.2022, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE,                                    “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE                           TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR “RISHIKIMI I PROJEKTIT PËR SEGMENTIN RRUGOR TË VAZHDIMIT TË “UNAZËS                             SË MADHE” TIRANË NGA “SHESHI SHQIPONJA” – “BULEVARDI                         I RI” DHE “RIKUALIFIKIMI I “UNAZËS LINDORE”” PËR LOTET             4, 5, 6”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të                                   ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.662, datë 13.10.2022, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
a) Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall”, “tokë arë”, “ndërtesë”, “apartament”, “njësi” dhe “bodrum”, me një vlerë të përgjithshme prej                          4 172 860 230.6 (katër miliardë e njëqind e shtatëdhjetë e dy milionë e tetëqind e gjashtëdhjetë mijë e dyqind e tridhjetë pikë gjashtë) lekë.”.
b) Në pikën 4 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
i. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej “3 851 711 841.5 (tre miliardë e tetëqind e pesëdhjetë e një milionë e shtatëqind e njëmbëdhjetë mijë e tetëqind e dyzet e një pikë pesë) lekësh” zëvendësohet me “4 172 860 230.6 (katër miliardë e njëqind e shtatëdhjetë e dy milionë e tetëqind e gjashtëdhjetë mijë e dyqind e tridhjetë pikë gjashtë) lekë”.
ii. Në shkronjën “a”, vlera prej “3 729 003 342.5 (tre miliardë e shtatëqind e njëzet e nëntë milionë e tre mijë e treqind e dyzet e dy pikë pesë) lekësh” zëvendësohet me “4 050 151 731.6 (katër miliardë e pesëdhjetë milionë e njëqind e pesëdhjetë e një mijë e shtatëqind e tridhjetë e një pikë gjashtë) lekësh.
c) Tabelës bashkëlidhur vendimit në fuqi i shtohet tabela që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Shpenzimet procedurale, në vlerën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga buxheti i miratuar për Autoritetin Rrugor Shqiptar.
3. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, si dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DEKLARIMIN PASURI KULTURORE E PALUAJTSHME “QENDËR HISTORIKE” TË NJË ZONE NË QYTETIN E GJIROKASTRËS, PËRCAKTIMIN E ZONËS MBROJTËSE TË SAJ DHE MIRATIMIN               E PLANIT PËR RUAJTJEN, MBROJTJEN DHE ADMINISTRIMIN                E SAJ
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjave “a” dhe “ç”, të pikës 3, të nenit 9, dhe të paragrafit iii, të shkronjës “b”, të pikës 3, të nenit 53, të                       ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Deklarimin pasuri kulturore e paluajtshme “Qendër historike” të një zone në qytetin e Gjirokastrës, sipas koordinatave dhe hartës së zonifikimit, në Kornizën Referuese Gjodezike Shqiptare, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Përcaktimin e zonës mbrojtëse të “Qendrës historike” të një zone në qytetin e Gjirokastrës, sipas koordinatave dhe hartës së zonifikimit, në Kornizën Referuese Gjodezike Shqiptare, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
3. Miratimin e planit për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e këtyre zonave, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
4. Vendimi nr.619, datë 7.7.2015, i Këshillit të Ministrave, “Për shpalljen qendër historike të një zone në qytetin e Gjirokastrës dhe miratimin e rregullores “Për mbrojtjen, konservimin e integruar dhe administrimin e qendrës historike dhe zonës së mbrojtur në qytetin e Gjirokastrës”, shfuqizohet.
5. Ngarkohet Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor të publikojë hartën e “Qendrës historike” dhe zonës mbrojtëse në Gjeoportalin Kombëtar.
6. Ngarkohen Ministria e Kulturës, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Bashkia Gjirokastër për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TEK AGJENCIA SHTETËRORE E KADASTRËS TË NJË PJESE                                                         TË PASURISË NR.4/5-ND, ZONA KADASTRALE 2282, KRUMË,                 DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.448, DATË 16.6.2005, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13, 14 e 15, të                        ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në përgjegjësi administrimi tek Agjencia Shtetërore e Kadastrës të një pjese të pasurisë nr.4/5-ND, zona kadastrale 2282, Krumë, sipas formularit dhe planimetrisë që i bashkëlidhen këtij vendimi, për ushtrimin e funksioneve administrative.
2. Pasuria e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, i shtohet listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.448,                datë 16.6.2005, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme”, të ndryshuar.
3. Ngarkohet Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE DHE TË AUTORITETIT KOMPETENT PËR REALIZIMIN E RRITJES SË PËRGJITHSHME TË KAPITALIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË BANKËN NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM (IBRD)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 2, të ligjit nr.4/2023, “Për miratimin e rezolutave nr.663, “Rritja e përgjithshme e kapitalit GCI”, dhe                 nr.664, “Rritja selektive e kapitalit SCI”, të vitit 2018, të Këshillit të Guvernatorëve të Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD)”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Autoriteti kompetent për realizimin e rritjes së përgjithshme të kapitalit të Republikës së Shqipërisë në Bankën Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD) (në vijim Banka) është Ministria e Financave dhe Ekonomisë.
2. Ministria Financave dhe Ekonomisë autorizohet të komunikojë me Bankën për përcaktimin e dokumentacionit dhe mënyrën e kryerjes së pagesës.
3. Ministria Financave dhe Ekonomisë plotëson dokumentacionin e kërkuar nga Banka dhe kryen pagesën, në përputhje me përcaktimet e ligjit nr.9936,                        datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe akteve nënligjore në zbatim të tij.
4. Ministri i Drejtësisë, si pjesë e dokumentacionit të kërkuar nga Banka, lëshon një dokument të titulluar “Memorandum i ligjit” për të konfirmuar se janë ndërmarrë të gjitha hapat ligjorë për të përmbushur detyrimet që burojnë nga rritja e kapitalit.
5. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Ministria e Drejtësisë për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHFUQIZIMIN E VENDIMIT NR.581, DATË 31.8.2022,                                TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN                               E AUTORITETIT KONTRAKTOR PËR TË NDËRMARRË PROCEDURAT PËR DHËNIEN ME KONCENSION/PPP                              PËR PROJEKTIN “PËR OFRIMIN E SHËRBIMIT                                           TË INFRASTRUKTURËS SË ÇELËSAVE PUBLIKË (PKI)”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe pikës 3, të nenit 13, të                                    ligjit nr.125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli Ministrave
V E N D O S I:
1. Shfuqizimin e vendimit nr.581, datë 31.8.2022, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e autoritetit kontraktor për të ndërmarrë procedurat për dhënien me koncension/PPP për projektin “Për ofrimin e shërbimit të infrastrukturës së çelësave publikë (PKI)”.
2. Ngarkohet Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE                         TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “REHABILITIMI I PËRROIT, LUSHNJË, DHE RIKUALIFIKIMI URBAN I ZONAVE RRETH TIJ”, BASHKIA LUSHNJË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të                              ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rehabilitimi i përroit, Lushnjë, dhe rikualifikimi urban i zonave rreth tij”, Bashkia Lushnjë.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Lushnjë.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall”, me një vlerë të përgjithshme prej 5 834 380.9 (pesë milionë e tetëqind e tridhjetë e katër mijë e treqind e tetëdhjetë pikë nëntë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 5 834 380.9 (pesë milionë e tetëqind e tridhjetë e katër mijë e treqind e tetëdhjetë pikë nëntë) lekësh, përballohet nga buxheti i Bashkisë Lushnjë.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga buxheti i Bashkisë Lushnjë.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletore zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Lushnjë.
8. Bashkia Lushnjë kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Lushnjë.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Lushnjë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistrimin e kalimit të pronësisë, në favor të Bashkisë Lushnjë për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistron kalimin e pronësisë në favor të Bashkisë Lushnjë për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Lushnjë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Lushnjë, dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
  Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.10,                           DATË 7.1.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLORES “PËR LICENCIMIN DHE INSPEKTIMIN                             E VEPRIMTARIVE ME BURIME TË RREZATIMEVE JONIZUESE””
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 9, të ligjit nr.8025,                                    datë 9.11.1995, “Për mbrojtjen nga rrezatimet jonizuese”, të ndryshuar, të                      nenit 5, të ligjit nr.10081, datë 23.2.2009, “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale,  Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në rregulloren “Për licencimin dhe inspektimin e veprimtarive me burime të rrezatimeve jonizuese”, të miratuar me vendimin nr.10, datë 7.1.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores “Për licencimin dhe inspektimin e veprimtarive me burime të rrezatimeve jonizuese””, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Paragrafi i parë dhe i tretë i pikës 4 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“Licenca për veprimtari me burime rrezatimi jonizues është për një afat                10-vjeçar dhe nuk transferohet te të tretë. Licenca publikohet në Regjistrin Kombëtar të Licencave, Autorizimeve dhe Lejeve, sipas përcaktimeve në nenin 14, të ligjit nr.10 081, datë 23.2.2009, “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.”.
“Licenca rinovohet në përfundim të afatit të vlefshmërisë së licencës.
Rinovimi i licencës për subjektet fizike ose juridike realizohet duke plotësuar kriteret e parashikuara në pikën 3 të kësaj rregulloreje. Procedura e shqyrtimit të rinovimit të licencës kryhet nga Komisioni i Mbrojtjes nga Rrezatimet, në përputhje me parashikimet e pikës 3, të kësaj rregulloreje.
Licenca ndryshohet kur përgjatë kryerjes së veprimtarisë ndodh ndryshimi i të dhënave të përcaktuara në kriteret e licencimit.
Kërkesa  për ndryshim të licencës dhe njoftimi në Zyrën e Mbrojtjes nga Rrezatimet për çdo ndryshim, që parashikohet të kryhet në veprimtari ose burime, paraqitet 60 ditë para ndryshimeve.”.
2. Pika 10 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“10. Kundër vendimit përfundimtar të inspektimit, subjekti ka të drejtë të ankohet pranë Komisionit të Mbrojtjes nga Rrezatimet brenda 30 ditëve.
Kundër vendimit të Komisionit të Mbrojtjes nga Rrezatimet, subjekti ka të drejtë të ankohet në gjykatë brenda 45 ditëve nga marrja e njoftimit të vendimit.”.
3. Pas pikës 10 shtohen pikat 11, 12 dhe 13, me këtë përmbajtje:
“11. Licenca për veprimtari me burime rrezatimi jonizues shfuqizohet nga Komisioni i Mbrojtjes nga Rrezatimet, me propozimin e Zyrës së Mbrojtjes nga Rrezatimet në këto raste:
a) Kur subjekti i licencuar transferon veprimtarinë në një vend tjetër;
b) Kur subjekti i licencuar nuk përmbush më ose shkel detyrimet për kriteret e mbrojtjes nga rrezatimet, sigurinë dhe sigurimin në veprimtarinë që ushtron.
Kundër vendimit të Komisionit të Mbrojtjes nga Rrezatimet, subjekti ka të drejtë të ankohet në gjykatë brenda 45 ditëve nga marrja e njoftimit të vendimit.
12. Licencimi i veprimtarisë me burime rrezatimi jonizues shoqërohet me tarifë, e cila përcaktohet me udhëzim të ministrit përgjegjës për shëndetësinë dhe paguhet në momentin e paraqitjes së kërkesës për licencë, për rinovim licence ose për ndryshimin e saj.
13. Afat i vlefshmërisë së licencës, i parashikuar në paragrafin e parë, të pikës 4, të këtij vendimi, vlen edhe për licencat aktive deri në momentin e plotësimit të afatit 10-vjeçar, afat që llogaritet duke filluar nga data e hyrjes në fuqi të licencës.”.
4. Dy formularët bashkëlidhur rregullores “Aplikimi për licencë për veprimtari me burime të mbyllura radioaktive, kërkesë për licencë për veprimtari me burime të rrezatimeve jonizuese dhe aplikimi për licencë për veprimtari me gjeneratorë me rreze x, kërkesë për licencë për veprimtari me burime të rrezatimeve jonizuese, gjeneratorë me rreze x ndryshohen në 7 formularë, si më poshtë vijon:
a) Kërkesë për licencë për  veprimtari me burime radioaktive, ruajtje – trajtim;
b) Kërkesë për licencë për veprimtari me burime radioaktive, përdorim;
c) Kërkesë për licencë për veprimtari me burime radioaktive, transport;
d) Kërkesë për licencë për veprimtari me gjeneratorë me rreze x, përdorim;
e) Kërkesë për licencë për veprimtari import-eksport, burime radioaktive;
f) Kërkesë për licencë për veprimtari me gjeneratorë/llampë me rreze x, instalim/mirëmbajtje;
g) Kërkesë për licencë për veprimtari me gjeneratorë me rreze x/llampë me rreze x, import/eksport.
II. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Komisioni i Mbrojtjes nga Rrezatimet për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.165,                      DATË 21.3.2018, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE,                                  “PËR METODOLOGJINË E PROCESIT TË VLERËSIMIT                              TË VEPRIMTARISË KËRKIMORE-SHKENCORE TË NJËSIVE BAZË TË INSTITUCIONEVE TË ARSIMIT TË LARTË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 12, të                           ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.165, datë 21.3.2018, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Kudo në vendim, emërtesa “Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë” zëvendësohet me fjalët “… ministria përgjegjëse për arsimin …”.
2. Në pikën 2, të kreut I, fjalët “… të ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë.” zëvendësohen me “… të ministrit përgjegjës për arsimin.”.
3. Në pikën 4, të kreut I, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Nënndarjet “ii”, “iii”, “iv”, “v”,  “vi”, të shkronjës “a”, ndryshohen, si më poshtë vijon:
“ii. Lista e artikujve të botuar brenda vendit në revista shkencore;
iii. Lista e monografive të botuara në vendet e BE-së ose OECD-së dhe G-20-ës, të cilat përmbushin kushtet e origjinalitetit dhe janë vlerësuar në përmbajtje si punime shkencore nga, të paktën, 2 (dy) vlerësues të pavarur të fushës kërkimore-shkencore dhe janë pranuar nga njësia bazë, që mbulon fushën e kërkimit, ku është punësuar personeli akademik.
iv. Lista e monografive të botuara brenda vendit, të cilat janë vlerësuar në përmbajtje si punime shkencore nga, të paktën, 2 (dy) veta personel akademik, që i përkasin kategorisë “profesor” të fushës kërkimore-shkencore dhe janë pranuar nga njësia bazë, që mbulon fushën e kërkimit, ku është punësuar personeli akademik.
v. Lista e librave akademikë, të redaktuar, të recensionuar dhe të botuar në vendet e BE-së, OECD-së dhe G-20-ës dhe të vlerësuar nga, të paktën, 2 (dy) vlerësues të pavarur të fushës kërkimore-shkencore dhe janë pranuar nga njësia bazë, që mbulon fushën e kërkimit, ku është punësuar personeli akademik.
vi. Lista e librave akademikë, të redaktuar, të recensionuar dhe të botuar brenda vendit dhe të vlerësuar nga, të paktën, 2 (dy) veta personel akademik, që i përkasin kategorisë “profesor” të fushës kërkimore-shkencore dhe janë pranuar nga njësia bazë, që mbulon fushën e kërkimit, ku është punësuar personeli akademik.”.
b) Nënndarja “i”, e shkronjës “b”, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“i. Lista e patentave për shpikje të regjistruara pranë strukturës përgjegjëse për pronësinë industriale konform kuadrit ligjor në fuqi për patentat për shpikje.”.
c) Në shkronjën “c” bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:
i. Nënndarja “i” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“i. Lista  e laboratorëve shkencorë të akredituar nga organizmi kombëtar i akreditimit ose nga organizmat akreditues të vendeve të tjera, anëtare nënshkruese të marrëveshjes së njohjes reciproke për fushat përkatëse.”.
ii. Pas nënndarjes “iv” shtohet nënndarja “v”, me këtë përmbajtje:
      “v. Lista e bibliotekave të profilizuara elektronike;”.
ç) Nënndarjet “i” “iv”, “vi”, “vii”, “viii” e “xi”, të shkronjës “ç”, ndryshohen, si më poshtë vijon:
“i. Lista e personelit akademik të njësisë bazë, që i përket kategorisë “profesor”, “lektor” dhe “asistent lektor”, me kohë të plotë, në momentin e deklarimit.
iv. Lista e pjesëmarrjes së personelit akademik të njësisë bazë, me referime shkencore, në konferenca shkencore ndërkombëtare në një nga vendet anëtare të BE-së, OECD-së dhe G-20-ës, të pranuar në bazë të një vlerësimi paraprak shkencor dhe të botuara në “Proceedings”, të indeksuar me kod ISBN ose ISSN.
vi. Lista e çmimeve ndërkombëtare për punën kërkimore-shkencore të fituara nga personeli akademik i njësisë bazë në vendet e BE-së, OECD-së dhe G-20-ës.
vii. Lista e çmimeve kombëtare për punën kërkimore-shkencore të fituar nga personeli akademik i njësisë bazë.
viii. Lista e programeve të studimit “Master ekzekutiv”, “specializime afatgjata” dhe “doktoratë”, që janë aktive në momentin e fillimit të periudhës 4-vjeçare të vlerësimit.
xi. Lista e personelit akademik të njësisë bazë, anëtarë në komitetet ose bordet shkencore të revistave shkencore vendase.”.
d) Nënndarjet “i”, “ii”, “iii”, “iv”, të shkronjës “d”, ndryshohen, si më poshtë vijon:
“i. Lista e studimeve dhe e kërkimeve shkencore në 1 (një) disiplinë ose ndërdisiplinore, të aplikuara me partner të vendeve të                      OECD-së, BE-së dhe G-20-ës.
ii. Lista e personelit akademik të njësisë bazë, të angazhuar në institucionet e arsimit të lartë të vendeve të OECD-së, BE-së dhe           G-20-ës.
iii. Lista e personelit të huaj akademik të punësuar pranë njësisë bazë në institucionet e arsimit të lartë të vendeve të OECD-së dhe BE-së, të ftuar pranë njësisë bazë.
iv. Lista e programeve të përbashkëta të studimit në ciklin e dytë “Master i shkencave” dhe të ciklit të tretë me IAL-të e huaja nga vendet e OECD-së, BE-së dhe G-20-ës, që përfundojnë me lëshimin e një diplome të përbashkët ose të dyfishtë apo të shumëfishtë.”.
4. Shkronja “a”, e pikës 1, të kreut II, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“a) Të organizojë, të administrojë dhe të monitorojë procesin e vlerësimit të veprimtarisë kërkimore-shkencore të njësisë bazë të institucionit të arsimit të lartë, nëpërmjet portalit “Vlerësimi i veprimtarisë kërkimore-shkencore në Shqipëri.”.
5. Pika 1, e kreut IV, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Për vlerësimin e veprimtarisë kërkimore-shkencore të njësive bazë të institucioneve të arsimit të lartë krijohet platforma e Sistemit Shqiptar të Informacionit të Kërkimit Shkencor-ACRIS, e cila shërben si bazë kombëtare të dhënash për kërkimin shkencor.”.
6. Pika 3, e kreut V, shfuqizohet.
II. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit dhe institucionet e arsimit të lartë për zbatimin e këtij vendimi.
 Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.778,                       DATË 24.9.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE,                                   “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE                     TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, TOKË ARË, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR “BY-PASS                                         PLEPA – KAVAJË – RROGOZHINË, LOTET 9, 10, 11 E 12”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të                      ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.778, datë 24.9.2010, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Në pikën 3, vlera “6 893 148 (gjashtë milionë e tetëqind e nëntëdhjetë e tre mijë e njëqind e dyzet e tetë) lekë” zëvendësohet me “15 225 731 (pesëmbëdhjetë milionë e dyqind e njëzet e pesë mijë e shtatëqind e tridhjetë e një) lekë”.
b) Pika 5 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“5. Vlera e shpronësimit, prej 15 225 731 (pesëmbëdhjetë milionë e dyqind e njëzet e pesë mijë e shtatëqind e tridhjetë e një) lekësh, përballohet, si më poshtë vijon:
a) 6 893 148 (gjashtë milionë e tetëqind e nëntëdhjetë e tre mijë e njëqind e dyzet e tetë) lekë përballohen nga “Llogaria e veçantë” e Ministrisë së Financave, pranë Bankës së Shqipërisë, “Fondi i shpronësimeve”;
b)  8 332 583 (tetë milionë e treqind e tridhjetë e dy mijë e pesëqind e tetëdhjetë e tre) lekë përballohen nga buxheti i shtetit, llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.”.
c) Tabelës bashkëlidhur vendimit i shtohet tabela, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Shpenzimet procedurale në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë përballohen nga buxheti i Autoritetit Rrugor Shqiptar.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin.
4. Agjencia Shtetërore për Shpronësimin kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
5. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E MIRATUAR PËR VITIN 2023 PËR DISA INSTITUCIONE TË PAVARURA, TË KRIJUARA ME LIGJ
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të paragrafit të tretë, të                      shkronjës “a”,  të nenit 14, të ligjit nr.84/2022, “Për buxhetin e vitit 2023”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Akordimin e një fondi shtesë, në zërin e shpenzimeve korrente, në masën                         1 000 000 000 (një miliard) lekë, në buxhetin e miratuar për vitin 2023, për pagesën e një pjese të diferencës së pagës së magjistratit, sipas arsyetimit të vendimin nr.35, datë 22.11.2022, të Gjykatës Kushtetuese. Kjo diferencë jepet për institucionet e rivlerësimit kalimtar të magjistratit, që nga momenti i krijimit të tyre dhe për institucionet e tjera të sistemit të drejtësisë, që nga                  data 1 janar 2019 e në vazhdim.
2. Fondi, sipas pikës 1, ndahet, si më poshtë vijon:
a) Për institucionin e Prokurorisë së Përgjithshme shtohet fondi prej                          400 000 000 (katërqind milionë) lekësh.
b) Për institucionin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë shtohet fondi prej                    10 000 000 (dhjetë milionë) lekësh.
c) Për institucionin e Këshillit të Lartë Gjyqësor shtohet fondi prej                             350 000 000 (treqind e pesëdhjetë milionë) lekësh.
ç) Për institucionin e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar shtohet fondi prej 60 000 000 (gjashtëdhjetë milionë) lekësh.
d) Për institucionin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë shtohet fondi prej                  2 000 000 (dy milionë) lekësh.
dh) Për institucionin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit shtohet fondi prej 60 000 000 (gjashtëdhjetë milionë) lekësh.
e) Për institucionin e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit shtohet fondi prej                25 000 000 (njëzet e pesë milionë) lekësh.
ë) Për institucionin e Komisionerëve Publikë shtohet fondi prej                                        22 000 000 (njëzet e dy milionë) lekësh.
f) Për institucionin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve shtohet fondi prej                  13 000 000 (trembëdhjetë milionë) lekësh.
g) Për institucionin e Avokatit të Popullit shtohet fondi prej 4 000 000               (katër milionë) lekësh.
gj) Për institucionin e Shkollës së Magjistraturës shtohet fondi prej                                54 000 000 (pesëdhjetë e katër milionë) lekësh.
3. Fondi prej 1 000 000 000 (një miliard) lekësh përballohet nga fondi kontingjencës, i miratuar në buxhetin e vitit 2023.
4. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe institucionet e përmendura në pikën 2 për zbatimin e këtij vendimi. Shlyerja e pagesës bëhet nga institucionet e sistemit të drejtësisë, brenda datës 15.1.2024.
     Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.