Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 31 Janar 2024:
V E N D I M
PËR
MËNYRËN E ORGANIZIMIT DHE TË FUNKSIONIMIT TË AGJENCISË SË INTELIGJENCËS FINANCIARE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 4, të nenit 21, të ligjit nr.9917 datë 19.5.2008, “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, të ndryshuar, dhe të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Organizimin dhe funksionimin e Agjencisë së Inteligjencës Financiare (AIF), si person juridik, publik, buxhetor, në varësi të ministrit përgjegjës për financat (në vijim ministri), me seli në Tiranë.
2. AIF-ja financohet nga buxheti i shtetit dhe burime të tjera të ligjshme, sipas legjislacionit në fuqi.
3. Buxheti i AIF-së përbën zë të veçantë në buxhetin e ministrisë përgjegjëse për financat.
4. Misioni i AIF-së është të parandalojë pastrimin e parave e të produkteve që burojnë nga veprat penale, si dhe parandalimin e financimit të terrorizmit, duke bashkëpunuar me institucionet dhe organet kompetente kombëtare e ndërkombëtare për këtë qëllim.
5. Në zbatim të ligjit në fuqi për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, AIF-ja:
a) ushtron funksionet e autoritetit përgjegjës;
b) funksionon si qendër kombëtare e ngarkuar me mbledhjen, analizimin dhe shpërndarjen tek agjencitë e zbatimit të ligjit të të dhënave për veprimtaritë e mundshme të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
6. AIF-ja ka si fushë përgjegjësie:
a) parandalimin e pastrimit të parave dhe produkteve që burojnë nga veprat penale;
b) parandalimin e financimit të terrorizmit.
II. PËRGJEGJËSITË FUNKSIONALE TË AGJENCISË SË INTELIGJENCËS FINANCIARE
1. AIF-ja përmbush objektivat, kryen detyrat dhe ushtron përgjegjësitë në përputhje me përcaktimet e legjislacionit për parandalimin e pastrimit të parave e financimit të terrorizmit si dhe legjislacionit për masat kundër financimit të terrorizmit.
2. AIF-ja ka përgjegjësi të organizojë punën për:
a) ushtrimin e funksionit për parandalimin e pastrimit të parave e të produkteve që burojnë nga veprat penale;
b) ushtrimin e funksionit për parandalimin e financimit të terrorizmit;
c) mbledhjen, përpunimin, vlerësimin, analizimin dhe shpërndarjen tek agjencitë e zbatimit të ligjit të të dhënave dhe informacioneve për veprimtaritë e mundshme të pastrimit të parave e financimit të terrorizmit;
ç) mbikëqyrjen e përputhshmërisë së veprimtarisë së subjekteve të ligjit me kërkesat e akteve ligjore e nënligjore për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
III. ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I AGJENCISË SË INTELIGJENCËS FINANCIARE
1. AIF-ja e shtrin veprimtarinë e saj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe organizohet në nivel qendror.
2. Struktura dhe organika e AIF-së miratohen me urdhër të Kryeministrit, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore.
3. Rregullorja për metodat e brendshme të punës dhe sjelljen e nëpunësve e të punonjësve administrativë të AIF-së miratohet nga ministri përgjegjës për financat, me propozimin e drejtorit të përgjithshëm. Rregullorja, ndër të tjera, parashikon edhe procedurat e ristrukturimit, pranimit dhe rekrutimit të nëpunësve e të punonjësve administrativë, të pezullimit, transferimit të tyre, llojet e masave disiplinore dhe procedurën e shqyrtimit të shkeljeve disiplinore e të vendosjes së masave disiplinore.
4. AIF-ja ka stemën, logon dhe vulën zyrtare.
5. Stema e AIF-së ka shënimet “Republika e Shqipërisë”, Ministria e (emri i ministrisë përgjegjëse), “Agjencia e Inteligjencës Financiare”, në përputhje me përcaktimin e vendimit të Këshillit të Ministrave për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës së Shqipërisë.
6. Vula e AIF-së ka elementet dhe formën e përcaktuar në vendimin e Këshillit të Ministrave për rregullat e prodhimit, të administrimit, të kontrollit dhe të ruajtjes së vulave zyrtare. Vula prodhohet, administrohet dhe ruhet në përputhje me legjislacionin në fuqi.
7. AIF-ja drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm, i cili ka këto detyra dhe përgjegjësi:
a) Drejton AIF-në dhe e përfaqëson atë në marrëdhënie me të tretët, brenda dhe jashtë vendit;
b) Nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me institucione brenda vendit dhe me agjenci homologe të huaja apo organizma të tjerë jashtë vendit, që iu nënshtrohen detyrimeve të ngjashme të konfidencialitetit, në funksion të ushtrimit të detyrave e të funksioneve të saj;
c) Raporton me shkrim drejtpërdrejt te ministri përgjegjës për financat dhe Kryeministri, sa herë që i kërkohet, por jo më pak se dy herë në vit për veprimtarinë e AIF-së dhe problematikat e hasura lidhur me parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit;
ç) Raporton sa herë që i kërkohet në komisionet parlamentare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për veprimtarinë e AIF-së në fushën e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit;
d) Informon në mënyrë periodike, me shkrim, për veprimtarinë e AIF-së Komitetin e Bashkërendimit të Luftës kundër Pastrimit të Parave;
dh) Organizon dhe drejton analiza periodike të aktivitetit të AIF-së;
e) Krijon grupe pune për çështje specifike të punës së AIF-së dhe monitoron ecurinë e përmbushjes së qëllimit të tyre;
ë) Organizon punën për hartimin dhe publikimin në afat të raportit vjetor;
f) Miraton programe të kualifikimit profesional të nëpunësve të AIF-së;
g) Drejton dhe orienton punën e grupit teknik ndërinstitucional për parandalimin e pastrimit të parave, në kuadër të Komitetit të Bashkërendimit të Luftës kundër Pastrimit të Parave;
gj) Bashkërendon punën për mbikëqyrjen e përmbushjes së detyrimeve të subjekteve të ligjit sipas dispozitave ligjore në fuqi;
h) Merr vendim për dhënien e masave administrative për kundërvajtjet administrative të kryera nga subjektet e legjislacionit në fuqi për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit;
i) Është përgjegjës për ngritjen dhe zhvillimin e sistemit të kontrollit të brendshëm në institucion, në mbështetje të dispozitave ligjore në fuqi;
j) Bashkërendon punën për menaxhimin e burimeve njerëzore, çështjeve ligjore, teknologjisë së informacionit, mirëmbajtjen e shërbimeve të tjera mbështetëse si dhe për përgatitjen e zbatimin e buxhetit dhe mbajtjen e kontabilitetit;
k) Kryen çdo funksion tjetër si titullar institucioni, sipas legjislacionit në fuqi.
8. Drejtori i Përgjithshëm i AIF-së emërohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për financat.
9. Drejtori i Përgjithshëm i AIF-së emërohet personi, sipas procedurës së parashikuar në këtë vendim, i cili duhet të plotësojë kriteret e mëposhtme:
a) Të jetë shtetas shqiptar;
b) Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
c) Të jetë i aftë nga ana shëndetësore;
ç) Të zotërojë diplomë të nivelit “Master i shkencave” apo “Master profesional”, të përfituar në fund të studimeve të ciklit të dytë me 120 kredite dhe me kohëzgjatje normale 2 (dy) vite akademike, në “Shkenca juridike ose ekonomike”;
d) Të ketë të paktën 15 (pesëmbëdhjetë) vite eksperiencë në punë, nga të cilat së paku 5 (pesë) vite në nivel drejtues në administratën publike;
dh) Të mos jetë larguar për shkelje disiplinore nga administrata publike, si dhe të mos ketë masë disiplinore që nuk është shuar sipas legjislacionit në fuqi;
e) Të mos i jetë hequr e drejta për të ushtruar funksione publike me vendim gjyqësor të formës së prerë;
ë) Të mos ketë filluar ndjekja penale ndaj tij;
f) Të mos jetë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi;
g) Të plotësojë kushtet e sigurisë për kontrollin e verifikimit të pasurisë e të figurës;
gj) Të mos ketë konflikt interesi me detyrën ose funksionin që do të kryejë, në përputhje me legjislacionin e konfliktit të interesave.
10. Drejtori i Përgjithshëm i AIF-së lirohet nga detyra me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për financat kur:
a) plotëson moshën për pension pleqërie;
b) jep dorëheqjen nga detyra;
c) humbet shtetësinë shqiptare;
ç) deklarohet i paaftë për punë nga komisioni kompetent mjekësor apo merr formë të prerë vendimi gjyqësor për kufizimin apo heqjen e zotësisë për të vepruar;
d) nuk mund të ushtrojë detyrën për një periudhë kohore të pandërprerë, më të gjatë se 6 (gjashtë) muaj;
dh) dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi;
e) ka konflikt të vazhdueshëm interesi me detyrën që kryen, në përputhje me legjislacionin e konfliktit të interesave;
ë) i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike me vendim gjyqësor të formës së prerë;
f) emërohet në një detyrë tjetër.
11. Drejtori i Përgjithshëm i AIF-së shkarkohet nga detyra me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për financat kur:
a) konstatohen shkelje të dispozitave të ligjit në fuqi për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit;
b) i hiqet ose i refuzohet certifikata e sigurisë sipas legjislacionit në fuqi;
c) kryen akte dhe sjellje që diskreditojnë pozitën dhe figurën e tij apo reputacionin e institucionit;
ç) kryen veprimtari që krijon konflikt interesash, në përputhje me legjislacionin e konfliktit të interesave;
d) mungon në detyrë, pa shkaqe të arsyeshme, për më shumë se 30 (tridhjetë) ditë rresht/në vijim;
dh) kryen shkelje të rënda gjatë kryerjes së detyrës.
12. AIF-ja, në përmbushje të misionit, fushave të përgjegjësisë e të përgjegjësive funksionale të saj, kryen detyrat, si më poshtë vijon:
a) Mbledh, administron, përpunon, analizon dhe shpërndan tek autoritetet kompetente të dhëna, raporte dhe informacione për çështjet e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit;
b) Shkëmben informacion me prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, Prokurorinë e Posaçme, Policinë e Shtetit, Byronë Kombëtare të Hetimit, Shërbimin Informativ të Shtetit dhe autoritetet e tjera kompetente të zbatimit të ligjit apo të inteligjencës për çështjet e pastrimit të produkteve të veprës penale, veprat penale ose veprimtaritë kriminale që gjenerojnë produkte të veprës penale dhe financimit të terrorizmit;
c) Shkëmben informacion me çdo agjenci të huaj homologe, në varësi të detyrimeve të ngjashme të konfidencialitetit;
ç) Mbikëqyr përputhshmërinë e veprimtarisë së subjekteve me kërkesat e akteve ligjore e nënligjore për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, përfshirë inspektimet në vend e në distancë, vetëm ose në bashkëpunim me autoritetet mbikëqyrëse;
d) Kryesisht, në bazë të një vendimi të Këshillit të Ministrave, apo për rastet e kërkuara nga Grupi i Posaçëm i Veprimit Financiar, organizma të tjerë ndërkombëtarë, nga të cilët lindin detyrime për Republikën e Shqipërisë, nxjerr listë të vendeve për kufizimin dhe/ose kontrollin e transaksioneve apo marrëdhënieve të biznesit të subjekteve, proporcionalisht me rreziqet e evidentuara, vendime këto të detyrueshme për zbatim nga subjektet dhe autoritetet shtetërore që kanë detyrime sipas këtij ligji;
dh) Organizon dhe merr pjesë, së bashku me institucionet publike e private, në veprimtaritë trajnuese për parandalimin e pastrimit të parave e të financimit të terrorizmit, si dhe organizon ose merr pjesë në programe për të rritur ndërgjegjësimin e publikut;
e) Njofton autoritetin përkatës mbikëqyrës, kur vëren se një subjekt nuk i përmbush detyrimet e përcaktuara në këtë ligj;
ë) Publikon brenda tremujorit të parë të çdo viti raportin publik vjetor për vitin pararendës për veprimtarinë e autoritetit përgjegjës;
f) Rishikon periodikisht efektivitetin dhe frytshmërinë e sistemit vendas për luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
13. Marrëdhënia e punës së nëpunësve të AIF-së është një marrëdhënie juridike e natyrës administrative me qëllim krijimin e një strukture inteligjence financiare të qëndrueshme, profesionale, të bazuar në meritë dhe integritet.
14. Marrëdhëniet e punës së drejtorit të përgjithshëm, nëpunësve dhe punonjësve administrativë të AIF-së rregullohen sipas dispozitave në fuqi të Kodit të Punës.
IV. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
1. Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave (DPPPP) me hyrjen në fuqi të këtij vendimi ristrukturohet në Agjencinë e Inteligjencës Financiare (AIF).
2. Deri në miratimin e akteve nënligjore të AIF-së, të drejtat, detyrimet dhe përgjegjësitë funksionale do të vijojnë të ushtrohen sipas strukturës dhe organikës së miratuar.
3. Nëpunësit dhe punonjësit administrativë të DPPPP-së transferohen pranë AIF-së.
4. Ngarkohet Drejtori i Përgjithshëm i AIF-së që, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, të marrë masat për hartimin dhe paraqitjen e propozimit për miratimin e rregullores për metodat e brendshme të punës dhe sjelljen e nëpunësve e të punonjësve administrativë të AIF-së.
5. Vendimi nr.457, datë 10.6.2020, i Këshillit të Ministrave, “Për mënyrën e organizimit dhe funksionimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave”, shfuqizohet.
6. Ngarkohet Agjencia e Inteligjencës Financiare për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE, KUSHTEVE, KRITEREVE, AFATEVE, VLEFSHMËRISË DHE FORMATEVE PËR DHËNIEN, SHFUQIZIMIN DHE PEZULLIMIN E AUTORIZIMEVE PËR KRYERJEN E VEPRIMTARISË SË MAGAZINIMIT, TRANSFERIMIT DHE ASGJËSIMIT TË LËNDËVE PLASËSE PËR PËRDORIM CIVIL
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 22, të ligjit nr.74/2021, “Për hedhjen në treg dhe mbikëqyrjen e lëndëve plasëse për përdorim civil”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
KREU I
OBJEKTI, STRUKTURA PËRGJEGJËSE, KUSHTET DHE KRITERET PËR PAJISJEN ME AUTORIZIM PËR MAGAZINIMIN, ASGJËSIMIN DHE TRANSFERIMIN E LËNDËVE PLASËSE PËR PËRDORIM CIVIL
Neni 1
Objekti
Ky vendim përcakton procedurat, kushtet, kriteret, vlefshmërinë, afatet dhe formatet për dhënien, shfuqizimin dhe pezullimin e autorizimeve për kryerjen e veprimtarisë së magazinimit, transferimit dhe asgjësimit të lëndëve plasëse për përdorim civil.
Neni 2
Struktura përgjegjëse për dhënien e autorizimit për magazinimin, transferimin dhe asgjësimin
Struktura përgjegjëse për dhënien e autorizimit për kryerjen e veprimtarisë së magazinimit, transferimit dhe asgjësimit të lëndëve plasëse për përdorim civil është komisioni i ngritur për këtë qëllim në ministrinë përgjegjëse për rendin dhe sigurinë publike.
Neni 3
Kushtet dhe kriteret e pajisjes me autorizim për magazinimin e lëndëve plasëse
1. Operatori ekonomik që kërkon të pajiset me autorizim për kryerjen e veprimtarisë së magazinimit të lëndëve plasëse për përdorim civil plotëson kushtet e mëposhtme:
a) Të jetë i regjistruar si subjekt tregtar në Republikën e Shqipërisë, sipas legjislacionit në fuqi;
b) Të ketë në pronësi apo në përdorim objektin për magazinim, sipas një kontrate qiraje ose nënqiraje apo huaje përdorimi të njësuar nga noteri;
c) Të ketë projektin për magazinën, si dhe vërtetimin për kolaudimin e objektit të lëshuar nga organi përgjegjës që mbulon çështjet e infrastrukturës dhe energjetikës;
ç) Të ketë kontraktuar një subjekt të shërbimit privat të sigurisë fizike për ruajtjen e magazinës;
d) Të sigurojë që ambienti i jashtëm dhe i brendshëm i magazinës të jetë i monitoruar me kamera, sipas kërkesave të ligjit për masat shtesë të sigurisë;
dh) Të ketë aktin teknik të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin.
Neni 4
Kushtet dhe kriteret e pajisjes me autorizim për transferimin e lëndëve plasëse
1. Operatori ekonomik që kërkon të pajiset me autorizim për transferimin e lëndëve plasëse për përdorim civil plotëson kushtet e mëposhtme:
a) Të jetë i pajisur me licencën për import, eksport dhe prodhim të lëndëve plasëse për përdorim civil nga Ministria e Mbrojtjes apo me autorizim për përdorim civil të lëndëve plasëse, lëshuar nga ministria përgjegjëse për energjinë dhe çështjet minerare;
b) Të vërtetojë se personi që do të shoqërojë lëndën plasëse të jetë i pajisur me dëshminë e zjarrmëtarit, lëshuar nga organi përgjegjës që mbulon çështjet e infrastrukturës dhe energjetikës;
c) Të ketë në pronësi apo në përdorim objekt për magazinimin e lëndëve plasëse për përdorim civil, të miratuar sipas këtij vendimi;
ç) Të vërtetojë se edhe operatori ekonomik që pret mallin të ketë në pronësi apo në përdorim objekt për magazinimin e lëndëve plasëse për përdorim civil, të miratuar sipas këtij vendimi;
d) Të vërtetojë se drejtuesi i automjetit që kryen transportin në rastet e transferimit ndërkombëtar të jetë i pajisur me certifikatë “ADR”, sipas legjislacionit në fuqi për transportin e lëndëve të rrezikshme;
dh) Të vërtetojë se automjeti që kryen transportin ndërkombëtar të jetë i pajisur me certifikatë “ADR”, sipas legjislacionit në fuqi për transportin e lëndëve të rrezikshme dhe me GPS (sistem për lokalizim gjeografik) funksional për kontrollin dhe dokumentimin e itinerarit në subjektin që bën transferimin;
e) Të ketë vërtetimin dhe aktin e kontrollit nga shërbimi vendor i mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin se automjeti që kryen transportin është i pajisur me shenjat konvencionale treguese për transport të lëndëve plasëse, si dhe fikse zjarri, jo më të vogla se 6 (gjashtë) kg dhe jo më pak se 2 (dy) copë;
ë) Të ketë të deklaruar origjinën e mallit.
2. Rastet kur transferimi i mallit kryhet nga transportuesit e huaj me mjetet e tyre të transportit, të pajisur me certifikatë “ADR” në vendet e origjinës, si dhe rastet e transitimit të këtyre mallrave nëpërmjet territorit të Republikës së Shqipërisë përjashtohen nga shkronja “ë”, e pikës 1, të këtij neni.
Neni 5
Kushtet dhe kriteret e pajisjes me autorizim për asgjësimin e lëndëve plasëse
1. Operatori ekonomik që kërkon të pajiset me autorizim për kryerjen e procedurës së asgjësimit të lëndëve plasëse për përdorim civil plotëson kushtet e mëposhtme:
a) Të ketë licencë për prodhim, import, eksport, transitim të lëndëve plasëse për përdorim civil, të lëshuar nga Ministria e Mbrojtjes;
b) Të ketë autorizim për përdorimin e lëndëve plasëse për përdorim civil, të lëshuar nga ministria përgjegjëse për energjinë dhe çështjet minerare;
c) Të ketë një marrëveshje me subjektet e licencuara nga Ministria e Mbrojtjes, të cilat ofrojnë edhe shërbimin e shkatërrimit apo çmilitarizimit të lëndëve plasëse;
ç) Të deklarojë sasinë, llojin, origjinën dhe arsyet e asgjësimit të lëndëve plasëse për përdorim civil.
KREU II
PROCEDURAT, AFATET, VLEFSHMËRITË DHE FORMATET PËR KËRKESËN DHE DHËNIEN E AUTORIZIMEVE PËR MAGAZINIMIN, TRANSFERIMIN DHE ASGJËSIMIN E LËNDËVE PLASËSE PËR PËRDORIM CIVIL
Neni 6
Kërkesë për pajisjen me autorizim
1. Operatori ekonomik bën kërkesën për pajisje me autorizimin përkatës në portalin “e-Albania”.
2. Operatori ekonomik pajiset elektronikisht te “Hapësira ime” në portalin “e-Albania” me dokumentin e autorizimit, të lëshuar me vulë elektronike ose nënshkrim elektronik nga institucioni shërbim ofrues.
Neni 7
Formati për kërkesën për pajisjen me autorizim për magazinimin e lëndëve plasëse për përdorim civil
1. Formati i kërkesës për t’u pajisur me autorizim për magazinimin e lëndëve plasëse për përdorim civil është sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, si dhe përmban:
a) emrin e operatorit ekonomik;
b) adresën e selisë së operatorit ekonomik;
c) të dhënat për administratorin dhe punonjësit, të cilët do të kryejnë veprimtari me lëndët plasëse të magazinuara, që përfshijnë emër, mbiemër, numër identifikimi personal;
ç) adresën e vendndodhjes së magazinës;
d) llojin e lëndëve plasëse që do të magazinohen, si dhe kapacitetin maksimal të magazinës;
dh) afatin e magazinimit të lëndëve plasëse, të përcaktuar nga organi përgjegjës që mbulon çështjet e industrisë dhe energjetikës.
2. Së bashku me kërkesën për lëshimin e autorizimit për magazinimin e lëndëve plasëse për përdorim civil, operatori ekonomik ngarkon në portalin “e-Albania” edhe këto dokumente shoqëruese:
a) Ekstraktin e regjistrit tregtar për të dhënat e operatorit ekonomik, të nxjerrë nga Qendra Kombëtare e Biznesit;
b) Fotokopjen e dokumentit të pronësisë të noterizuar, nëse është pronë e subjektit ose dokumentin që vërteton të drejtën e përdorimit, nëse objekti i magazinimit është në pronësi të një të treti;
c) Vërtetimin nga organi përgjegjës që mbulon çështjet e industrisë dhe energjetikës, që përcakton se objekti i plotëson kushtet për magazinimin e lëndëve plasëse për përdorim civil, sipas përcaktimeve në rregulloren e teknikës së sigurimit për përdorimin civil të lëndëve plasëse në Republikën e Shqipërisë;
ç) Certifikatën e mbrojtjes nga zjarri, lëshuar nga Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin;
d) Kontratën me subjektin privat të sigurisë fizike dhe fotokopjen e autorizimit të mbajtjes së armës së zjarrit të punonjësit/punonjësve që do të ruajnë magazinën;
dh) Vetëdeklarimin “Për verifikimin e gjendjes gjyqësore” të administratorit të operatorit ekonomik;
e) Vërtetim nga gjykata që operatori ekonomik nuk është në proces gjyqësor dhe nga prokuroria që operatori ekonomik nuk është në procedim penal.
Neni 8
Formati për kërkesën për pajisjen me autorizim për transferimin e lëndëve plasëse për përdorim civil
1. Autorizimet për transferimin e lëndëve plasëse për përdorim civil janë 2 (dy) lloje:
a) Autorizim për çdo ngarkesë dhe çdo mjet që bën transportin e ngarkesës;
b) Autorizim për transferim të herëpashershëm me afat vlefshmërie deri në 1 (një) vit.
2. Formati i kërkesës për t’u pajisur me autorizim për transferimin e lëndëve plasëse për përdorim civil është sipas lidhjes nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, si dhe përmban:
a) emrin e operatorit ekonomik;
b) adresën e selisë së operatorit ekonomik;
c) të dhënat për administratorin e operatorit ekonomik, që përfshijnë emër, mbiemër, numër identifikimi personal;
ç) adresën e vendndodhjes së magazinës dalëse dhe të magazinës pritëse;
d) llojin e lëndëve plasëse që do të transferohen;
dh) deklarimin e origjinës së mallit;
e) të dhënat e automjetit që do të kryejë transferimin;
ë) të dhënat e drejtuesit të mjetit, që përfshijnë emër, mbiemër, numër identifikimi;
f) të dhënat e shoqëruesit të pajisur me dëshminë e zjarrmëtarit, që përfshijnë emër, mbiemër, numër identifikimi personal.
3. Së bashku me kërkesën për lëshimin e autorizimit për transferimin e lëndëve plasëse për përdorim civil, operatori ekonomik ngarkon në portalin “e-Albania” edhe këto dokumente shoqëruese:
a) Ekstraktin e regjistrit tregtar për të dhënat e operatorit ekonomik të nxjerrë nga Qendra Kombëtare e Biznesit;
b) Kopje të licencës për import, eksport, prodhim të lëndëve plasëse për përdorim civil, lëshuar nga Ministria e Mbrojtjes;
c) Kopje të autorizimit për përdorim të lëndëve plasëse për përdorim civil, të lëshuar nga ministria përgjegjëse për energjinë dhe çështjet minerare;
ç) Fotokopjen e dëshmisë së zjarrmëtarit, lëshuar nga organi përgjegjës që mbulon çështjet e energjisë dhe minerare;
d) Certifikatën “ADR të drejtuesit të mjetit, të lëshuar sipas legjislacionit në fuqi për transportin e lëndëve të rrezikshme, në rastet e transferimit ndërkombëtar;
dh) Certifikatën “ADR” të automjetit, të lëshuar sipas legjislacionit në fuqi për transportin e lëndëve të rrezikshme, në rastet e transferimit ndërkombëtar;
e) Vërtetimin dhe aktin e kontrollit, lëshuar nga shërbimi vendor i mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin për sinjalistikën e automjetit që do të kryejë transferimin;
ë) Deklaratën e origjinës së mallit.
4. Njoftimi i strukturës përgjegjëse për dhënien e autorizimit për transferimin e herëpashershëm bëhet brenda jo më pak se 24 (njëzet e katër) orë para kryerjes së transferimit të lëndëve plasëse për përdorim civil. Ky njoftim kryhet me e-mail në adresën e përcaktuar në autorizimin e lëshuar.
Neni 9
Formati për kërkesën për pajisjen me autorizim për asgjësimin e lëndëve plasëse për përdorim civil
1. Formati i kërkesës për t’u pajisur me autorizim për asgjësimin e lëndëve plasëse për përdorim civil është sipas lidhjes nr.3, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, si dhe përmban:
a) të dhënat për administratorin e operatorit ekonomik, që përfshijnë emër, mbiemër, numër identifikimi personal;
b) vendin e kryerjes së procedurës së asgjësimit;
c) sasinë dhe llojin e lëndës plasëse që asgjësohet;
ç) datën dhe orën në të cilën do të kryhet procedura e asgjësimit.
2. Së bashku me kërkesën për lëshimin e autorizimit për asgjësimin e lëndëve plasëse për përdorim civil, operatori ekonomik ngarkon në portalin “e-Albania” edhe këto dokumente shoqëruese:
a) Ekstraktin e regjistrit tregtar të nxjerrë nga Qendra Kombëtare e Biznesit;
b) Marrëveshjen e lidhur me subjektet e licencuara nga Ministria e Mbrojtjes, të cilat ofrojnë edhe shërbimin e shkatërrimit apo çmilitarizimit të lëndëve plasëse;
c) Deklaratën e origjinës së mallit;
ç) Kopjen e licencës për prodhim, import, eksport apo përdorim të lëndëve plasëse për përdorim civil, të lëshuar nga Ministria e Mbrojtjes.
Neni 10
Verifikimi i dokumenteve dhe formatet e autorizimit
1. Për pranimin, verifikimin dhe shqyrtimin e dokumenteve për autorizim, struktura përgjegjëse ndjek këtë procedurë:
a) Verifikon dokumentacionin e dërguar nga operatori ekonomik, si dhe plotëson formularët përkatës sipas rubrikave;
b) Verifikon besueshmërinë e kërkuesit nëpërmjet autoritetit kompetent, brenda 5 (pesë) ditëve.
2. Formatet përkatëse të autorizimit janë sipas lidhjeve 4, 5 dhe 6, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
Neni 11
Afati për shqyrtimin e kërkesës
Afati për shqyrtimin e kërkesës për pajisjen me autorizim është:
a) 15 (pesëmbëdhjetë) ditë nga dita e paraqitjes së kërkesës për pajisjen me autorizim për magazinim;
b) 15 (pesëmbëdhjetë) ditë nga dita e paraqitjes së kërkesës për pajisjen me autorizim për transferim;
c) 10 (dhjetë) ditë nga dita e paraqitjes së kërkesës për pajisjen me autorizim për asgjësim.
Neni 12
Procedura e shqyrtimit, dhënies së autorizimit apo mospranimit të kërkesës për pajisjen me autorizim
1. Struktura përgjegjëse për dhënien e autorizimit, në rastet kur konstaton mangësi në paraqitjen e kërkesës apo mungesë të dokumentacionit, njofton operatorin ekonomik për plotësimin e tyre.
2. Operatori ekonomik brenda 10 (dhjetë) ditëve duhet të plotësojë mangësitë e konstatuara. Në këtë rast, afati i shqyrtimit pezullohet deri në plotësimin e mangësive të kërkesës nga ana e operatorit ekonomik.
3. Kërkesa për pajisjen me autorizim nuk pranohet nëse operatori ekonomik nuk plotëson mangësitë e dokumentacionit brenda afatit 10-ditor.
4. Në rastet kur struktura përgjegjëse miraton kërkesën për dhënien e autorizimit, vendimi i miratimit të kërkesës i dërgohet operatorit ekonomik në të njëjtën adresë dhe me të njëjtat mjete që ka aplikuar. Formati i autorizimit të lëshuar verifikohet në çdo rast kontrolli nga strukturat përgjegjëse të përcaktuara në ligjin për lëndët plasëse për përdorim civil.
5. Në rastet e transferimit të herëpashershëm, struktura përgjegjëse kthen përgjigje për dhënie të autorizimit apo mospranim të kërkesës për autorizim për operatorin ekonomik me të njëjtat mjete, brenda të njëjtit afat që është bërë njoftimi nga operatori ekonomik.
6. Vendimi për mospranimin e kërkesës mund të ankimohet sipas procedurave të përcaktuara në Kodin e Procedurave Administrative.
Neni 13
Procedura e shfuqizimit dhe pezullimit të autorizimit
1. Përveç rasteve të përcaktuara në ligjin për lëndët plasëse për përdorim civil dhe në ligjin për licencat, autorizimet dhe lejet, autorizimi për magazinimin, transferimin e asgjësimin e lëndëve plasëse dhe licencat shfuqizohet edhe në rastet kur operatori ekonomik është në tejkalim, ka shkelur apo nuk përmbush më kriteret dhe kushtet e përcaktuara në kreun I, të këtij vendimi.
2. Struktura përgjegjëse, në rastet kur gjatë verifikimit të veprimtarisë së operatorit ekonomik gjen shkelje të kushteve të përcaktuara në autorizim, pezullon autorizimin deri në verifikimin e rrethanave.
3. Struktura përgjegjëse njofton për shfuqizimin e autorizimit me të njëjtat mënyra që është paraqitur kërkesa, duke nxjerrë një vendim të arsyetuar.
4. Vendimi për shfuqizimin apo pezullimin e autorizimit mund të ankimohet sipas procedurave të përcaktuara në Kodin e Procedurave Administrative.
Neni 14
Vlefshmëria e autorizimit
1. Afati i vlefshmërisë së autorizimit për magazinim është deri në 2 (dy) vjet për objekte magazinimi të përkohshme dhe deri në 6 (gjashtë) muaj për objekte magazinimi javore e ditore.
2. Afati i vlefshmërisë së autorizimit për transferim është 1-vjeçar për transferimet e herëpashershme.
3. Për transferimet për çdo ngarkesë dhe çdo mjet që bën transportin e ngarkesës afati i autorizimit për transferim është sa koha e kërkuar për transferimin.
4. Afati i autorizimit për asgjësim është i vlefshëm deri në 30 (tridhjetë) ditë.
5. Me mbarimin e afatit të vlefshmërisë së autorizimit, subjekti i interesuar për t’u pajisur sërish me këtë autorizim duhet të paraqesë kërkesën dhe dokumentacionin që provon përmbushjen e kushteve të autorizimit.
KREU III
Neni 15
Dispozita të fundit
1. Vendimi nr.313, datë 15.4.2015, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave të dhënies së autorizimit për magazinimin, transferimin dhe asgjësimin e lëndëve plasëse për përdorim civil dhe lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrë”, shfuqizohet.
2. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Policia e Shtetit, Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË KONFEDERATËS ZVICERANE, PËRFAQËSUAR NGA AGJENCIA ZVICERANE PËR ZHVILLIM DHE BASHKËPUNIM (SDC) E DEPARTAMENTIT FEDERAL ZVICERAN TË PUNËVE TË JASHTME, DUKE VEPRUAR NËPËRMJET AMBASADËS SË ZVICRËS NË SHQIPËRI, NË MBËSHTETJE PËR GATISHMËRINË DHE REAGIMIN E SHËRBIMIT EMERGJENT SHËNDETËSOR, FAZA KRYESORE, NJË PROJEKT DYPALËSH BASHKËPUNIMI DHE ZHVILLIMI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Konfederatës Zvicerane, përfaqësuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) e Departamentit Federal Zviceran të Punëve të Jashtme, duke vepruar nëpërmjet Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, në mbështetje për gatishmërinë dhe reagimin e shërbimit emergjent shëndetësor, faza kryesore, një projekt dypalësh bashkëpunimi dhe zhvillimi, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PROFILIT TË ZGJERUAR KOMBËTAR TË MIGRACIONIT, PËR VITET 2019-2022
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 138, të ligjit nr.79/2021, “Për të huajt”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e Profilit të Zgjeruar Kombëtar të Migracionit, për vitet 2019–2022, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen ministritë e linjës për botimin e këtij profili në faqet e tyre zyrtare.
3. Ngarkohen të gjitha ministritë e linjës dhe institucionet e tjera, të përmendura në dokumentin bashkëlidhur, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.456, DATË 29.6.2022, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E KUSHTEVE PËR VENDOSJEN E DETYRIMIT TË SHËRBIMIT PUBLIK, QË DO TË ZBATOHEN NDAJ TË LICENCUARVE NË SEKTORIN E ENERGJISË ELEKTRIKE, TË CILËT USHTROJNË AKTIVITETIN E PRODHIMIT, TRANSMETIMIT, SHPËRNDARJES DHE FURNIZIMIT ME ENERGJI ELEKTRIKE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 47, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në tekstin “Kushtet për vendosjen e detyrimit të shërbimit publik, që do të zbatohen ndaj të licencuarve në sektorin e energjisë elektrike, të cilët ushtrojnë aktivitetin e prodhimit, transmetimit, shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike”, të miratuar me vendimin nr.456, datë 29.6.2022, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Në nenin 3, të pjesës I, shtohen pikat 5 dhe 6, me këtë përmbajtje:
“5. Në këtë vendim, fjalët “instrument financiar” nënkuptojnë marrëveshje për faturimin reciprok të diferencës midis çmimit klerues për njësi kohore të tregut (të ditës në avancë ose tregun brenda së njëjtës ditë) për ditën e lëvrimit me çmimin e parashikuar në marrëveshjen e lidhur midis palëve, të cilat sigurojnë pjesëmarrësit ndaj luhatjeve të mundshme të çmimit të energjisë elektrike në treg.
6. Në këtë vendim, fjalët “treg likuid” nënkuptojnë tregun që përmbush kriteret për gatishmërinë e tij, bazuar në vlerësimin e bërë nga ERE-ja, sipas përcaktimeve të nenit 30, të ligjit nr.24/2023, “Për nxitjen e burimeve të rinovueshme.”.
2. Në nenin 5, të pjesës II, bëhen këto shtesa:
a) Në pikën 3, pas fjalëve “… të kryejë transaksione shitblerjeje energjie në tregun e lirë …” shtohen “… përfshirë tregun e ditës në avancë ose tregun brenda së njëjtës ditë …”;
b) Në pikën 7 bëhen këto shtesa:
i. Pas fjalëve “… nga burimet e rinovueshme të energjisë në periudhat pararendëse …” shtohen “… sipas parashikimeve të nenit 12, të këtyre kushteve, …”;
ii. Pas fjalëve “… me çmimin e blerjes së energjisë së prodhuesve me përparësi hidrike …” shtohen “… dhe më tej tregtohet në tregun e lirë ose të ditës në avancë ose tregun brenda së njëjtës ditë …”.
3. Në nenin 12, të pjesës II, bëhen shtesat dhe ndryshimet e mëposhtme:
a) Në pikën 3 bëhen këto shtesa:
i. Pas fjalëve “… krijimin e operatorit të energjisë së rinovueshme dhe krijimin e tregut …” shtohen “… likuid të energjisë elektrike …”;
ii. Në fund të kësaj pike shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Çmimi i blerjes së energjisë nga tepricat e burimeve të rinovueshme për furnizimin e klientëve të furnizuesit publik në treg të lirë, duke filluar nga 1 janari 2024 është çmimi i blerjes së energjisë së prodhuesve me përparësi hidrike, ndërsa çmimi i shitjes për njësi miratohet nga Asambleja e Përgjithshme e Shoqërisë.”.
b) Në pikën 4, dy fjalitë e para ndryshohen, si më poshtë vijon:
“Në rast të tepricave të krijuara nga prodhimi i burimeve të rinovueshme të energjisë, ato fillimisht do të tregtohen për nevoja të furnizimit të klientëve të shoqërisë publike të furnizimit në tregun e lirë, ndërsa sasia e mbetur do të depozitohet te shoqëria publike e prodhimit, për t’u përdorur për nevoja të furnizimit të klientëve universalë. Sasitë rakordohen me bazë mujore dhe shkëmbehen gjatë vitit për mbulimin e humbjeve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes dhe nevojave të shoqërisë publike të furnizimit në tregun e lirë, bazuar në sasinë dhe programet e kërkuara nga furnizuesi i tregut të lirë, për të cilat është rënë dakord ndërmjet palëve.”.
c) Në pikën 5 bëhen këto shtesa:
i. Pas fjalëve “… ta sigurojë këtë energji në treg të parregulluar …” shtohen “… , kryesisht ose …”;
ii. Pas fjalëve “… të miratuar me vendim të Entit Rregullator të Energjisë …” shtohen “…, të cilat mund të përfshijnë edhe përdorimin e instrumenteve financiare.”.
4. Në nenin 12, të pjesës II, shtohet neni 12/1, “Mbulimi i humbjeve në transmetim”, me këtë përmbajtje:
“Neni 12/1
Mbulimi i humbjeve në transmetim
Operatori i Sistemit të Transmetimit siguron energjinë për mbulimin e humbjeve në tregun e parregulluar të ditës në avancë ose tregun brenda së njëjtës ditë apo nëpërmjet procedurave, sipas parashikimeve të nenit 62, ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, të cilat mund të përfshijnë edhe përdorimin e instrumenteve financiare.”.
II. Ngarkohet Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.564, DATË 31.7.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRITERET DHE PROCEDURAT PËR MBROJTJEN E VEÇANTË TË MAGJISTRATIT GJATË USHTRIMIT TË FUNKSIONIT OSE PËR SHKAK TË TIJ”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 20, të ligjit nr.96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.564, datë 31.7.2019, të Këshillit të Ministrave, bëhen shtesat dhe ndryshimi i mëposhtëm:
a) Pika 17 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“17. Subjektet e përcaktuara në pikën 4, të këtij vendimi, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga përfundimi i afatit të masave të mbrojtjes, mund të paraqesin para komisionit kërkesë për zgjatjen e këtij afati. Komisioni mund të vendosë zgjatjen e afatit të masave të mbrojtjes kur rrethanat, për të cilat është siguruar më parë mbrojtja, vazhdojnë të ekzistojnë edhe pas përfundimit të këtij afati ose kur ka të dhëna të tjera të besueshme që provojnë se magjistratit i rrezikohen jeta, familja apo pasuria.”.
b) Pas pikës 17 shtohen pikat 17/1 dhe 17/2, me këtë përmbajtje:
“17/1. Komisioni, edhe kryesisht, pas një afati prej 30 (tridhjetë) ditësh nga marrja e masave të mbrojtjes, si dhe sa herë të konsiderohet e nevojshme, përpara përfundimit të afatit të mbrojtjes, bën verifikimin e kushteve për të përfituar mbrojtje të veçantë dhe të nevojave të sigurimit. Në përfundim të verifikimit, Komisioni merr vendim për zgjatjen e afatit të masave të mbrojtjes, shtimin ose pakësimin e tyre apo ndërprerjen e mbrojtjes së veçantë.
17/2. Gjatë afatit, brenda të cilit sigurohet mbrojtja e veçantë, magjistrati, magjistrati që nuk e ushtron funksionin ose magjistrati që ka dalë në pension, si dhe familjarët e tij, janë të detyruar që:
a) të bashkëpunojnë në mënyrë aktive për zbatimin e vendimit të Komisionit;
b) të mënjanojnë çdo veprim ose mosveprim, që mund të rrezikojë zbatimin e mbrojtjes së veçantë apo që mund të sjellë, si pasojë, një gjendje tjetër rreziku për ta ose për jetën dhe shëndetin e shoqëruesve personalë;
c) të informojnë menjëherë Komisionin për çështje që kërkohen prej tij ose për ngjarje apo ndryshime të rrethanave të jetës a veprimtarive të tij personale, si dhe për kontaktet e marrëdhëniet me të tretë, që mund të rrezikojnë zbatimin e mbrojtjes së veçantë;
ç) të pranojnë, nëse është e domosdoshme për qëllimet e mbrojtjes, përdorimin në mjediset e veta të mjeteve teknike të ruajtjes, vëzhgimit dhe regjistrimit pamor dhe/ose zanor.”.
2. Ngarkohen ministri i Drejtësisë, ministri i Brendshëm, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.786, DATË 11.12.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE DHE TË PROCEDURAVE PËR NDËRTIMIN, MIRËMBAJTJEN DHE RUAJTJEN E VARREZAVE TË DËSHMORËVE TË ATDHEUT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 13, të ligjit nr.109/2018, “Për statusin e dëshmorit të atdheut”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pika 5, e vendimit nr.786, datë 11.12.2019, të Këshillit të Ministrave, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“5. Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme, ministria përgjegjëse për kulturën, në bashkëpunim me njësitë e vetëqeverisjes vendore, janë institucione përgjegjëse për projektimin dhe ndërtimin e varrezave të reja të dëshmorëve të atdheut dhe rikonstruksionin e tyre. Projektimi, ndërtimi dhe rikonstruksioni bëhen kundrejt fondeve buxhetore që do të akordohen, rast pas rasti.”.
2. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme dhe Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për zbatimin e këtij vendimi
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E KRITEREVE DHE TË MASËS SË PËRFITIMIT TË PAGESËS SË QIRASË PËR STREHIM PËR PUNONJËSIT E AGJENCISË SË MBIKËQYRJES POLICORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 73, të ligjit nr.128/2021, “Për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përcaktimin e kritereve dhe të masës së përfitimit të pagesës së qirasë për strehim për punonjësit e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, të cilët transferohen në detyrë jashtë vendbanimit të përhershëm brenda vendit dhe të cilëve nuk u sigurohet nga Agjencia mjedisi për akomodim.
2. Kur punonjësi nuk ka në ngarkim persona të tjerë familjarë, me të cilët zhvendoset jashtë vendbanimit të përhershëm, i paguhet qiraja e banesës për sipërfaqe banimi deri në 30 (tridhjetë) m² neto. Për çdo person familjar shtesë, sipërfaqja neto shtohet me 10 (dhjetë) m².
3. Punonjësi i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, që transferohet jashtë vendbanimit të tij të përhershëm brenda vendit, përfiton kompensim për qira banese, nëse transferohet për shkak të detyrës, për nevoja pune, në largësi mbi 36 km.
4. Numri i personave, pjesëtarë të familjes, në ngarkim të punonjësit të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, vërtetohet nëpërmjet certifikatës familjare, në momentin e transferimit.
5. Masa e përfitimit të kompensimit për strehim të jetë sa vlera minimale e qirasë mujore, sipas përcaktimeve në pikën 2, të vendimit nr.469, datë 3.6.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e vlerës minimale të çmimit të referencave të qirave të ndërtesave për qëllime tatimore”.
6. Punonjësi i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, që përfiton kompensim për qira banese, paraqet pranë strukturës përgjegjëse të burimeve njerëzore dokumentet e mëposhtme:
a) Kërkesën me shkrim për kompensimin e qirasë së banesës;
b) Fotokopjen e kartës së identitetit;
c) Kontratën e noterizuar të qirasë së banesës ku është transferuar;
ç) Vërtetimin nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës se ai ose pjesëtarët e familjes, që ka në certifikatën e gjendjes familjare, nuk kanë banesë apo nuk kanë aplikuar për legalizim banese, në juridiksionin ku është emëruar ose transferuar.
7. Punonjësi përfiton kompensim për qira, sipas këtij vendimi, për aq kohë sa zgjat transferimi i tij, ose deri në sistemimin me banesë të përhershme në vendin e punës ku është transferuar.
8. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA