Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Rama gjatë bashkëbisedim me gazetarët dhe pyetjet e ardhura nga rrjetet sociale:

Mirëdita të gjithëve!

Shpresoj dhe uroj që të keni kaluar edhe ndonjë ditë pushimi të mbarë.

Sikundër edhe e kemi lajmëruar jam këtu i gatshëm që t’i përgjigjem jo vetëm pyetjeve tuaja, por edhe shumë pyetjeve që kanë ardhur nga qytetarët në Tëitter dhe Facebook. Pjesën e parë do t’ia kushtojmë tërësisht këtij bashkëbisedimi ku do të ketë edhe ndërhyrje nga rrjetet sociale. Përgjigjet do të jenë të drejtpërdrejta dhe pastaj pjesën tjetër kur të mbarojmë me pyetjet tuaja do të vazhdojmë drejtpërdrejt me ata që e ndjekin konferencën në Tëitter dhe Facebook.

Dëshiroj ta filloj, besoj nga sektori më i rëndësishëm në këtë fazë që është turizmi. Nuk do të bëj bilanc imagjinar dhe as një bilanc të bazuar tek të gjitha hyrjet-daljet në Shqipëri, pra, nuk do të konsideroj turistik asnjërin nga ju që mund të keni shkuar jashtë dhe të jeni kthyer përsëri gjatë kësaj periudhe. Duke iu referuar vetëm numrit të vizitorëve të huaj jo rezident në Shqipëri kemi deri tani, një rritje të fluksit të turistëve me 14% krahasuar me një vit më parë dhe një numër total vizitorësh jo rezidentë prej 1 milionë e 213 mijë. Shifër mjaft e konsiderueshme duke pasur parasysh që jo vetëm Shqipërinë, por gjithë Mesdheun e preku jo pak në këtë sektor, moti i keq i muajit korrik dhe duke pasur parasysh një specifikë të veçantë për vendin tonë që lidhet me muajin e Ramazanit.

Nga ana tjetër, besoj që pa u munduar për asnjë arsye të fsheh problematika të trashëguara dhe ende për t’u adresuar, këtë sezon arritëm që të kemi plazhe shumë më të pastra se më parë, falë një aksioni intensiv, ku bashkuam një sërë forcash nga Forcat e Armatosura që gjej rastin t’i falenderoj në mënyrë të posaçme, nën drejtimin e Ministres që i ka kushtuar drejtpërsëdrejti, një pjesë të kohës e punës së vet pikërisht këtij aksioni, tek institucionet publike dhe tek një numër i vyer vullnetarësh nga Shqipëria dhe Kosova, të angazhuar nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, e cila filloi punën e vet, për herë të parë, pasi ne e krijuam. Kemi një numër total personash të angazhuar specifikisht në pastrimin e plazheve, në periudhën që nga marsi dhe deri në ditën që po flasim, pasi angazhimi është intensiv dhe i vazhdueshëm, i përditshëm në çdo zonë plazhesh me pushues, prej mbi 3 mijë persona.

Nga ana tjetër vumë në funksion nga korriku dhe vazhdojnë të jenë në funksion plot 9 kampe vullnetarësh, në 9 zonat më të frekuentuara nga pushuesit, vendas e të huaj, që nga Riolli, në Tale, në Gjirin e Lalzit, në Durrës, në Golem, në Vlorë, në Dhërmi, në Himarë dhe në Borsh. Numri total i personave të angazhuara në këto kampe është 1200 persona. Për herë të parë filluam të vendosim kullat e vrojtimit. Praktikisht, patëm 7 plazhe pilot, ku realizuam edhe certifikimin sipas standarteve ndërkombëtarë, të 40 personave të parë, të moshës së re, si roje plazhi.

Vija bregdetare, vija liqenore, të gjitha zonat e mbrojtura praktikisht janë ruajtur dhe kanë filluar të stabilizohen si zona të paprekura nga tentativa të shumta për ndërtime të qëndrueshme pa leje, veç atyre sezonale, të cilat janë evidentuar në gjithë territorin dhe hera-herës, fatkeqësisht, janë autorizuar në shkelje të direktivës së qeverisë nga disa autoritete vendore, për të cilat do të merren edhe masat përkatëse.

Nga ana tjetër, Agjencia Kombëtare e Bregdetit është vënë e tëra në dispozicion, megjithëse ende në formim e sipër dhe me një numër të vogël njerëzish dhe me eksperiencë krejt të re, për të marrë masa për rehabilitime mjedisore në disa zona.

Sigurisht që, e përsëris, pamja e përgjithshme është pozitive, por nuk lë vend për asnjë lloj triumfalizmi, apo për asnjë lloj ndjesie që na shtyn drejt një bilanci si ato bilancet tradicionale të turizmit, bazuar në suksese tërësisht imagjinare. Problematikat janë ende aty. Kemi një problematikë të trashëguar, shumë të rëndë, që ka të bëjë me një sërë aksesh kombëtare që vazhdojnë të jenë të hapura. Puna për të cilat vazhdon me ritme të ulëta, për shkak se vazhdojmë të gjendemi në kushtet kur duhet të mbushim gropën e madhe të borxheve, të krijuara pikërisht për këto punë publike që u çelën në mënyrën më të papërgjegjshme nga Qeveria paraardhëse dhe i vendosi kompanitë në situatën tmerrësisht të vështirë që të hyjnë ato në borxhe për të vazhduar punën. Sot, praktikisht, ajo që shihet në disa rrugë, – kam parasysh rrugën e  Pogradecit si një rrugë tipike e asaj që na la pas Qeveria e deridjeshme, – përbëjnë një arsye të fortë për të mos qenë sot, tërësisht të kënaqur.

Sigurisht që, ky është një problem i madh financiar, është një problem që ne po e  trajtojmë intensivisht, qoftë me Fondin Monetar Ndërkombëtar, qoftë me Bankën Botërore, sepse mungon në buxhetin tonë masa e parave që janë të nevojshme për t’i mbyllur të gjitha këto rrugë, e përsëris, për shkak, se Qeveria paraardhëse i ka çelur në kuadrin e orgjisë së përgjithshme me financat e shtetit dhe në marshimin triumfal drejt sukseseve imagjinare, pa marr parasysh fondet që ka pasur në dispozicion.

Negocimi nuk është aspak i thjesht, sepse kemi të bëjmë me domosdoshmërinë për të siguruar një masë parash, që duhet të dalin nga burime të tjera dhe jo nga buxheti i shtetit. Jemi në diskutim dhe kemi marrë pëlqimin në parim nga një bankë e rëndësishme ndërkombëtare. Por sigurisht, e përsëris, jemi ndërkohë edhe në një program me Fondin Monetar Ndërkombëtar, që ne nuk kemi asnjë tendencë të mos e respektojmë pikë për pikë.

Çështja e dytë që mbetet problematike është çështja që lidhet me kanalizimet. Jemi të gjithë të vetëdijshëm se zhvillimi i turizmit në Shqipëri ka qenë një zhvillim tërësisht kaotik. Përgjatë rrugës së këtij zhvillimi, qeveritë e mëparshme dhe posaçërisht Qeveria e tetë viteve të shkuara nuk kanë marrë përsipër të luajnë asnjë rol udhëheqës dhe koordinues, duke lejuar që pisllëku dhe ujërat e zeza të bashkëjetojnë me të gjithë ata që kanë ndërtuar duke investuar në vijën bregdetare, apo me gjithë ata që vijnë për të konsumuar ditët e pushimit në vijën tonë bregdetare. Për këtë ka disa muaj që po përgatitet një program tërësisht i posaçëm, duke bashkuar një sërë burimesh financiare të huaja, për të filluar dhe për të kuruar plagën e madhe të ujërave të zeza në vijën tonë bregdetare. Kemi zona shumë të nxehta si një pjesë e plazhit të Durrësit, apo vetë Himara që përbën një nga pikat më të forta ku do të mbështetet zhvillimi i turizmit në vitet në vijim, flas për gjithë bregun Jon, po këtu kam parasysh Himarën ku, praktikisht, gjendja është alarmante, për shkak se nuk kemi kanalizime të ujërave të zeza.

Nga ana tjetër, po kështu problem i rëndë dhe i trashëguar në rang kombëtar, por që në periudhën e turizmit është shumë i ndjeshëm në vijën bregdetare, është problemi i ujit të pijshëm.  Dihet që Qeveria paraardhëse erdhi në fuqi me premtimin se brenda një mandati do të zgjidhte qoftë problemin e kanalizimeve, qoftë të ujit të pijshëm, jo vetëm që nuk e zgjidhi, por pas tetë vjetësh e rëndoi atë, në një masë të atillë, që sot ne flasim me të drejtë për gropën e madhe që na la në sektorin energjetik, por kemi një gropë ende më të madhe borxhesh, të akumuluara nga keqadministrimi total i ujësjellësve në gjithë Shqipërinë dhe nga korrupsioni i jashtëzakonshëm që ka karakterizuar këtë keqadministrim, por edhe nga mungesa e plotë e një vizioni integral për investimet në sistemin e ujit të pijshëm në mbarë vendin.

Nga ana tjetër, vërtet kemi pasur këtë vit, plazhe shumë më të pastra, por nuk kemi zgjidhur problemin e mbetjeve, që sigurisht është një problem i trashëguar prej 20 e kusur vitesh dhe nuk mund të zgjidhet brenda 300 ditësh, por ne po e adresojmë, pasi kemi vënë në vijë edhe punën për hartimin e një plani kombëtar të menaxhimit të mbetjeve, çka, padyshim, bashkë me ujin e pijshëm, bashkë me kanalizimet, hyjmë tani në një fazë, besojmë ne, më lehtësisht të trajtueshme, falë Reformës së re Administrativo-Territoriale.

Vazhdojmë të jemi përballë krimit mjedisor, vazhdojmë të shohim që ky është një krim që ende nuk është vënë plotësisht nën kontroll. Ligji i ri, që kemi kaluar për Policinë e Shtetit, përfshin tërësisht Policinë e Shtetit në aktivitet të plotë përballë kësaj veprimtari kriminale, deri dje e lënë tërësisht jashtë fokusit të Policisë së Shtetit dhe e trajtuar nga gjithfarë inspektoratesh, struktura të dobëta dhe të korruptuara që më shumë kanë bashkëpunuar me krimin sesa kanë ndaluar krimin mjedisor. Do të vazhdojmë të shtrëngojmë shumë fort, masat kundër këtij krimi. Policia e Shtetit po fillon. Protokolli i ri punës, që po shtohet në protokollin e punës së Policisë së Shtetit lidhur me krimin mjedisor, do të jetë gati në shtator dhe praktikisht do të jetë detyrë e çdo drejtorie, e çdo komisariati dhe e çdo punonjësi të policisë të angazhuar në terren, që ashtu siç duhet të parandalojë apo godasë krimet, të konsideruara të tilla deri tani, nga krimet e rënda deri tek krimet ordinere, të trajtojë me të njëjtin intensitet dhe me të njëjtën përgjegjësi, edhe krimin mjedisor. Në mbyllje të kësaj pike dua të theksoj se sot jemi përballë një bilanci barbarie vendore, të pashembullt dhe të pakrahasueshme me asgjë në rajon dhe në Europë.

Barbaria, e një organizimi të falimentuar territorial dhe e një pushteti të falimentuar me qindra njësi, ku në të shumtën e herës kanë munguar kapacitetet dhe ka sunduar korrupsioni. Barbaria ndaj territorit dhe ndaj interesave lokale e kombëtare.

Pika e dytë, sigurisht nuk mund të mos jetë rendi, në kushtet kur trashëgojmë një bilanc tradicional vit pas viti dhe këtë ju mund ta verifikoni lehtësisht që rendohet për sa i përket rendit, në muajt e verës. Nuk mund të mos jemi sot optimist për ndryshimin e kursit bazuar në punën e bërë nga Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit për të garantuar mbarëvajtjen e sezonit turistik, ku u angazhuan specifikisht 2388 punonjës policie, 201 automjete, 17 mjete lundruese dhe një helikopter. Për here të parë patëm patrullimin policor në plazh, qoftë me mjete fare të lehta, si biçikleta dhe me uniforma verore. Në këtë shërbim që u pilotua këtë vit dhe që do të jetë shumë më i strukturuar vitin e ardhshëm, u aktivizuan 100 punonjës policie të Patrullës së Përgjithshme, të cilët luajtën një rol shumë të rëndësishëm si ndërmjetës të menjëhershëm mes komuniteteve të pushuesve dhe forcave të policisë.

4 stacione provizore policisë u ngritën në zonat turistike, në zona që janë larg njësive policore ekzistuese, duke filluar nga Thethi e duke shkuar deri në Ksamil. U sigurua një monitorim nga ajri përmes helikopterit, i akseve kryesore rrugore në oraret me ngarkesën maksimale dhe orientim i shërbimeve për mbulimin e pikave më të ngarkuara për rritjen e sigurisë dhe garantimin e rrjedhshmërisë së trafikut. Përgjithësisht mund të themi, ashtu sikundër mund të dëshmojnë edhe pushuesit e shumtë të ardhur nga Kosova që për herë të parë ra në mënyrë drastike intensiteti i kontrolleve në kufi. Përgjithësisht kufiri u la tërësisht i lirë, në orët e pikut dhe puna e policisë u strukturua në mënyrë të atillë që pa hequr tërësisht kontrollin e domosdoshëm policor për të parandaluar atë çka mund të vijë nga kalimet në kufi, të mos krijohej ai pengimi i tmerrshëm i pushuesve. Edhe këtu jam i bindur që jemi tërësisht të gatshëm që vitin e ardhshëm të kemi një rezultat edhe më të mirë.

Tani të vijmë tek shifrat. Unë nuk kam asnjëherë dëshirë që të flas për shifrat kur është fjala tek vrasjet, por faktikisht shifrat janë kokëforta dhe të vrarët janë emra dhe mbiemra e as mund të zhduken dhe as mund të fshihen. Kemi 30 % më pak vrasje se në të njëjtën periudhë të 2013, çka është një shifër që sigurisht do ta përmirësojmë ende më tutje dhe kemi arsye që të besojmë se do ta përmirësojmë më tutje, por është një shifër që qartësisht tregon se ka një përmirësim të ndjeshëm në këtë aspekt, siç ka një përmirësim ende më të ndjeshëm kur vjen fjala për vjedhjet me dhunë apo me armë të pushuesve në zonat turistike dhe në akset rrugore që janë 75 % më pak se sa një vit me parë.

Nga ana tjetër nga 1 qershori deri në 15 gusht që flasin shifrat, që unë kam përpara, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kemi 22 % më pak aksidente rrugore, 29 % më pak viktima në aksidentet rrugore dhe 39 % më pak të plagosur rëndë në aksidentet rrugore. Le të kuptohemi që çështja e aksidenteve rrugore vazhdon të mbetet nje çështje komplekse që lidhet shumë më pak, sot, me punën e Policisë së Shtetit në këtë aspekt, ku kemi parë dhe shohim përditë ndryshime të qenësishme, sesa lidhet me gjendjen e trashëguar të akseve kombëtare, që të gjithë jemi dëshmitarë se gjithçka mund të jenë, por nuk janë rrugë kombëtare të një vendi europian.

Numri i mjeteve të ardhura nga jashtë ka një rritje të qenësishme krahasuar me grafikun e 8 viteve të fundit. Praktikisht, janë afro 100 mijë mjete më shumë që kanë hyrë nga jashtë në vendin tonë krahasuar me një vit më parë.

Besoj që të gjithë pushuesit mund të dëshmojnë se ka një ndryshim drastik për sa i përket qetësisë publike dhe gangrenës së muzikës deri në orët e para të mëngjesit që ka qënë një problem që i ka tmerruar pushuesit në Shqipëri. Praktikisht, jo se është arritur maksimumi por është arritur që të ketë përgjithësisht qetësi dhe ndërkohë ka për herë të parë procedim penal për subjekte që kanë prishur qetësinë pas orarit të përcaktuar të mesnatës, në zonat e populluara me pushues.

Problematika vazhdon të jetë e qartë. Kemi një polici që është me nivelin më të ulët arsimor në rajon, se në Evrope nuk diskutohet. Kjo sjell si rezultat edhe si pasojë edhe një nivel sjellje që sado i përmirësuar, që lë ende shumë për të dëshiruar. Ashtu sikundër edhe një nivel tërësor performance që sado i përmirësuar lë ende shumë për të punuar dhe për të përmirësuar. Por jemi besimplotë se puna e bërë në fazën e parë të qeverisjes, rekrutimi i 1000 punonjësve të rinj të policisë që po kalojnë në dy faza në rrugën e Akademisë së Rendit, dhe vetë rihapja e Akademisë së Rendit, do të na japë në vitin në vijim dhe në vitet në vijim, rezultate jashtëzakonisht të tjera kur vjen puna tek komunikimi dhe tek standardet e performancës të çdo punonjësi policie.

Problem vazhdon të mbetet numri i policëve të angazhuar në territor. Kemi numrin më të vogël në rajon dhe pa diskutim edhe në Evropë. Shtimi i numrit është i kushtëzuar nga mundësitë tona financiare. Megjithatë siguria ka qënë dhe mbetet prioritet themelor i programit dhe i rrugës sonë qeverisëse. Ne do të vazhdojmë ta mbështesim fort, rritjen, fuqizimin dhe transformimin e Policisë së Shtetit shqiptar, nga një trupë si ajo që gjetëm e tradhtuar dhe e rrënuar, në njërën prej trupave më shembullore dhe cilësore të rajonit dhe pse jo edhe të Europës.

Çështja e tretë brenda kësaj problematike mbetet teknologjia, por jemi afër konkretizimit të një plani të Ministrit të Brendshëm për të futur kapacitet e teknologjisë së re në funksion të sigurisë. Besoj, që sot një vit do të jemi në kushte të tjera dhe do të mund flasim për projekte të zbatuara ose në rrugën e zbatimit dhe që do të transformojnë tërësisht marrëdhënien mes policisë dhe qytetarit; qytetarit dhe gjithë rregullave të sigurisë, pasi monitorimi me kamera do të fillojë të vihet në funksion duke filluar nga Tirana. Më në fund pas kaq vitesh do të shpëtojmë edhe nga figura e policit në çdo lloj semafori dhe do të kemi një kontroll shumë më objektiv dhe teknologjik të qarkullimit, gjë që do të sjellë dhe kalimin në një fazë të re me një epërsi të ndjeshme të Policisë së Shtetit ndaj botës së krimit.

Vijmë tek energjia. Ka qenë një vit i vështirë. Trashëgimia është e tmerrshme, por mund të them se vazhdon përmirësimi në shifrat e performancës lidhur me administrimin e gjithë rrjetit të shpërndarjes së energjisë. Ajo që vlen të theksohet këtu është se për herë të parë, qysh nga vitet 70 ndoshta, janë bërë investime në rrjetin elektrik në të gjithë bregdetin Jon, ku praktikisht përqendrohet prej vitesh një pjesë e rëndësishme e prurjeve turistike dhe ku ndërprerjet e energjisë kanë shoqëruar në mënyrë konstante çdo pushues. Këtë vit janë realizuar investime me një vlerë të konsiderueshme prej 66 milionë e 841 mijë lekësh konkretisht, vetëm dhe specifikisht, në atë vijë bregdetare. Janë kryer remonte të nënstacioneve të rrjetit të shpërndarjes në të gjitha zonat turistike bregdetare. Numri i remonteve në periudhën maj- qershor për të përgatitur sezonin ka qenë pothuajse 100 % më i lartë se sa ai i një viti më parë, që po të shikosh dhe hartën e remonteve, nuk kupton asgjë se përse këtu dhe jo aty.

Gatishmëria teknike ka qenë e plotë, ka pasur raste ndërprerje energjie, por ama skuadrat speciale të vendosura në shërbim të pushuesve kanë funksionuar dhe kanë arritur të ndërhyjnë në kohë dhe të japin rezultat në një afat shumë të arsyeshëm.

Problematika është ajo që dimë, vazhdojmë të kemi vjedhje të energjisë elektrike dhe goditja ndaj hajdutërisë së energjisë elektrike do të intensifikohet dhe do të hyjë në një fazë të re, ashtu sikundër edhe goditja ndaj sjelljes barbare me rrjetin elektroenergjitik, ku dëshmohen në mënyrë të vijueshme shumë grabitje dhe dëmtime të qëllimshme të rrjetit.

Vijmë tek situata ekonomike. Ju them se çdo shifër që po jap sot është një shifër lehtësisht e verifikueshme. Fluksi i investimeve të huaja në tremujorin e parë të vitit është rritur me 12.8 %. Për herë të parë është kaluar barriera e 1 miliard dollarëve investime të huaja të drejtpërdrejta. Një nivel, të cilin qeveria ka një synim të qartë që ta tejkalojë sërish dhe ta çojë shumë më lart, në sajë të një sërë politikash lehtësuese për të cilat jemi të përgatitur dhe që do të jenë vazhdim i atyre politikave lehtësuese që ne bëmë me sektorin e manifakturës apo me sektorin e bujqësisë.

Por programi do të shtjellohet duke filluar qysh nga shtatori. Faktikisht, në muajin qershor një burim shumë serioz ndërkombëtar, “Foreing Policy”, që publikon indeksin bazë të rentabilitetit ‘Ku të investosh në botë për vitin 2014’, e rreshtoi Shqipërinë, 18 vende më lart krahasuar me një vit më parë. Sigurisht, këtu ka një kompleks gjërash, por, padyshim, një rol të rëndësishëm luan qoftë aspekti i sigurisë që është qartësisht i përmirësuar, qoftë edhe aspekti i një qasjeje të re i Qeverisë shqiptare, që është qartësisht e lexueshme përmes indikatorëve të përdorur objektivisht dhe jo në mënyrë politike apo në mënyrë partiake.

Indeksi i tregtisë me pakicë është rritur 5.7% në tremujorin e parë të këtij viti. Indeksi i tregtisë me pakicë është pa as më të voglin dyshim, një nga shifrat kryesore për të lexuar besimin e konsumatorit tek ekonomia. Jemi, absolutisht, besimplotë që leximi i kësaj shifre për tremujorin e dytë do na sjellë rritje të shifrës. Ka rritje të besimit të konsumatorit tek ekonomia.

Kemi një rritje të konsiderueshme të eksporteve. Një rritje që dëshmon, krahasuar gjithmonë me një vit më parë, për një rritje të fuqisë prodhuese dhe për fillimin e vënies në lëvizje të modelit tonë të ri ekonomik. Faktikisht, vetëm nga përpunimi aktiv në industrinë fason, janar-qershor kemi pasur 100 milionë dollarë më shumë eksporte. Gjë që tregon edhe efektin e menjëhershëm, pozitiv, të politikës sonë të re qeverisëse ndaj këtij sektori.

Edhe në 12 gusht, kur Moody’s nxori raportin tjetër, konfirmoi nivelin B1 për ekonominë shqiptare, duke theksuar se ky vlerësim reflekton një sërë faktorësh pozitivë, që kanë ndihmuar në rimëkëmbjen e ekonomisë së vendit dhe në veçanti, masat e ndërmarra nga administrata e re, pra, nga qeveria e re, për konsolidimin fiskal në kuadrin e marrëveshjes së shumë anatemuar me FMN-në dhe të nismës së qeverisë për të paguar të gjitha borxhet ndaj biznesit. Në këtë aspekt, unë jam shumë krenar, sepse po i qëndrojmë një për një, angazhimit tonë dhe praktikisht, sipërmarrja po merr mbrapsht atë që i ishte marrë me dhunë, arbitrarisht, në formën e një kreditimi të pavullnetshëm të Qeverisë. Qeveria i merrte sipërmarrjes paratë me dhunë, në kuptimin? Nuk flas këtu për ato gjobat dhe harbutëritë e tjera, por flas për ato kontratat që e katandisën Shqipërinë në derexhenë e rrugës së Pogradecit apo të rrugës Lushnje-Berat e kështu me radhë, ku Qeveria detyroi kompanitë që të hyjnë në marrëdhënie tërësisht hipokrite dhe tërësisht të disavantazhuara financiare. Do të vazhdojmë të shlyejmë dhe jo vetëm për kompanitë e rrugëve, por në gjithë rastet dhe për të gjitha shërbimet, që Qeveria ka marrë shërbimet dhe nuk ka paguar kompanitë.

Problematika vazhdon të jetë e qartë për ne. Nga njëra anë legjislacioni; Do të kemi një ndërhyrje shumë agresive në legjislacion në periudhën shtator-nëntor, për të lehtësuar shumë më tepër sipërmarrjen dhe rrugën e bërjes biznes në Shqipëri. Burokracia që vazhdon të mbetet një problem serioz, i trashëguar dhe që ne do ta adresojmë në mënyrë shumë agresive, me disa ndërhyrje të reja në ligjin për administratën publike. Ne nuk mundet dot, të pranojmë parazitizmin që vjen si rezultat i bindjes se çfarëdo që të bëj unë, jam i mbrojtur me ligj dhe mund të mos shkoj fare në punë se më mbron ligji. Ne do të vendosim në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë dhe me ekspertizë ndërkombëtare, standarde performance të verifikueshme për çdonjërin që paguhet me rrogë në administratën e shtetit shqiptar.

Vijmë tek punësimi; Një temë e debatuar, por edhe këtu, shifrat janë të verifikueshme, sepse janë në llogaritë e shtetit. Pra, ka një sistem llogarish tatimore ku mund të verifikohen shifrat. E praktikisht, zyrat e anatemuara të punës dhe të mos harrojmë se nuk kemi gjithë rrjetin e plotë të zyrave të punës, kanë ndërmjetësuar dhe siguruar punësimin e 10 359 personave të papunë. 10 359 persona. Bëhet fjalë për të gjithë ata që kanë hyrë në punë, falë ndërmjetësimit. Ka të tjerë, që nuk janë në statistikat tona, që kanë hyrë në punë nëpërmjet zyrës së punës, por pa ndërmjetësimin e zyrës së punës. Gjithashtu, janë regjistruar 20 345 vende të lira pune në zyrat e punës. Vende të lira pune, që janë në dispozicion të gjithë punëkërkuesve. Shumë më tepër se e njëjta periudhë e një viti më parë. Ashtu sikurse kemi 160% më shumë individë, sesa e njëjta periudhë e një viti më parë, që i adresohen zyrave të punës, që tregon se ka, sigurisht një rritje të kërkesës, por dhe një rritje të besimit.

Nga ana tjetër, numri i punëkërkuesve, pjesëmarrës në programet e nxitjes së punësimit, është 300% më shumë. Janë 3 mijë vende të tjera pune që janë siguruar vetëm nga programi i nxitjes së punësimit, financimi për të cilin do të rritet ndjeshëm vitin e ardhshëm. Vetëm për periudhën e verës kemi 14300 persona të shtuar në skemën e sigurimeve shoqërore, që janë praktikisht, vende të reja të regjistruara pune. Kemi dhënë shifrën prej 43 879 vende të reja, të regjistruara pune për 6-mujorin e parë, të verifikueshme në llogaritë tatimore të shtetit. Këto nuk janë si ato 10 mijë kilometrat rrugë që nuk verifikoheshin dot. Këto janë të verifikueshme. Vetëm për periudhën e verës, 14 300 persona më shumë, falë bashkëpunimit mes tatimeve dhe Inspektoratit të Punës.

Nga ana tjetër, lufta ndaj ilegalitetit në punë po zhvillohet intensivisht dhe në mënyrë kapilare. Vetëm nga 1 qershori deri në 15 gusht, tatimet ekskluzivisht kanë imponuar regjistrimin e 1360 punonjësve që mbaheshin ilegalisht në punë dhe është një numër zbulueshmërie 10 herë më i madh  i të njëjtës periudhë të një viti më parë.

Problematika, sigurisht, është e qartë dhe është aty. Administrata, e përsëris, vazhdon të përbëjë një pengesë serioze në rrugën tonë të zhvillimit, sepse trashëgimia është tejet e rëndë, por edhe sepse ende nuk kemi kritere të performancës në punë të çdo punonjësi të administratës.

E, nga ana tjetër na duhet të rrisim në mënyrë të ndjeshme cilësinë e burimeve njerëzore në administratë. Ajo që filluam me trajnimet intensive të administratës do të vazhdojë në mënyrë të strukturuar nga shtatori. Të gjithë punonjësit e tatimeve dhe doganave do t’i nënshtrohen Akademisë Fiskale, do t’i nënshtrohen provimeve periodike dhe do t’i nënshtrohen verdikteve që do të dalin nga rezultatet e këtyre provime. Nga ana tjetër, do të investojmë sigurisht, në mënyrë intensive, në rritjen e vazhdueshme të meritës përkundër rrogës.

Tek financat dua të flas shumë shkurt. Rezultatet janë aty. Kemi kaluar çdolloj, dhe e them këtë bazuar tek shifrat, nevoje për t’u krahasuar me një vit më parë. Jemi shumë më lart në mbledhjen e të ardhurave. Jemi shumë më lart në mbledhjen e TVSH-së. Jemi shumë më lart në kontrollin e shtetit mbi aktivitetin tregtar, ekonomik e financiar. Kemi kërkuar e do të kërkojmë edhe më me shumë këmbëngulje që, në këtë aspekt, prokuroria të bëjë punën e saj për të luftuar deri në fund, bashkërisht, të gjithë format e evazionit dhe posaçërisht, evazionin me skemat grabitqare të TVSH-së. Së fundi, është arrestuar një grup i tërë personash, që përdornin skema mashtruese për TVSH-në.

Sigurisht që ka ende shumë për të bërë. Ajo që vlen të theksohet në këtë aspekt është se burimet e reja të rritjes janë edhe burimet ku praktikisht ka filluar të shkojë paraja. Kemi shumë më pak investime në ndërtim, që unë e konsideroj një gjë shumë pozitive dhe kemi shumë më tepër investime tek burimet e reja të rritjes, që padyshim është një gjë shumë pozitive. Modeli i ri i zhvillimit ka filluar të thithet nga sipërmarrja vendase dhe e huaj.

Tek arsimi dua të ndalem pak, sepse ishte një fazë shumë e rëndësishme për arsimin, qoftë me maturën shtetërore, qoftë me goditjen e parë, por jo të fundit që iu bë sistemit të piramidave në arsimin e lartë. Për herë të parë, 24958 maturantë plotësuan formularin A2 dhe për atë që, për ta bërë më të qartë, kishin të qartë situatën për degën, për profilet, për filialet apo për universitetet që nuk plotësojnë kushtet e ligjshmërisë për të funksionuar si institucione të arsimit të lartë. Jo si deri dje, që të gjithë shkonin pas berihait dhe askush nuk u thoshte mos shko të humbasësh vitet e tua dhe nuk u thoshte prindërve mos hidhni paratë e kursimeve tuaja, në këto gropa të zeza që rezultojnë sot dhe që kishin vite që qelbnin gjithë Shqipërinë dhe të gjithë e dinin që ishin gropa të zeza, por askush nuk bënte asgjë. E, në një lojë symbyllur mes Qeverisë që blinte kohë për të mos u ndeshur me problemin e papunësisë mes të rinjve dhe shumë të rinjve që e konsideronin fat që merrnin diploma pa shkuar fare në shkollë, u humb gjithë ajo kohë dhe u humbën gjithë ato kursime.

Në harkun kohor të 6 muajve janë bërë 7 mijë orë pune inspektime dhe 59 grupe pune janë ngritur për të realizuar këto inspektime, për të verifikuar ligjshmërinë. Dua ta theksoj ligjshmërinë bazuar në ligjin ekzistues dhe jo në ligjin që e sollëm ne, por në ligjin ekzistues, të miratuar nga Qeveria paraardhëse, ku Qeveria paraardhëse ishte shkelësja e parë, kryesore dhe më e rënda, e ligjit që kishte miratuar vetë. Siç e dini, u mor vendimi për heqjen e licencave për 18 institucione private të arsimit të lartë dhe për pezullimin e aktivitetit për 13 institucione private të arsimit të lartë. Çka do të thotë që të parat nuk do mund më të funksionojnë dhe studentët e tyre do të spostohen gjetkë. Ndërsa të dytat nuk mund të marrin studentë vitin e parë pa plotësuar të gjitha kushtet ashtu siç e kërkon ligji. U vendosën kushte për përmirësime të mëtejshme kriteresh për 13 institucione të tjera, se këto kanë mbetur pak më në hije. Është propozuar mbyllje filialesh në rrethe të institucioneve publike të arsimit të lartë. Ne e kemi thënë që në ditën e parë që për ne nuk ka institucione të nënës dhe të njerkës. Për ne universitet janë njësoj, qoftë ato që financohen nga shteti, qoftë ato që financohen nga privatët. Ne nuk mund të mbyllim sytë kur me paratë e shtetit të bëhen hajgare, ashtu sikundër nuk kemi asnjë arsye të mbyllim sytë që me paratë e prindërve, privatët të bëjnë hajgare. Është e qartë që me ligjin e ri të arsimit të lartë që do të hyjë në fuqi së shpejti vendosim përfundimisht një nivel tjetër të kuptimit të sistemit, duke bërë të qartë që nuk ka më universitete shtetërore dhe  private në kuptimin që ato që financon shteti janë pa qëllim fitimi, ato që financon privati janë ndërmarrje fitimi. Janë institucione publike të financuara nga shteti apo institucione të financuara nga privati, pa qëllim fitimi. Do  të ndalohet qëllimi i fitimit për çdo universitet, siç e ka gjithë bota. Privati që do të financojë në sistemin e arsimit nuk do trajtojë universitetet si ndërmarrje private, me qëllim fitimi. Me paratë e nxjerra nga kontributet do të riinvestohet në sistem. Jemi në një fazë tjetër, sepse nuk mbaron këtu. Ne do të shkojmë më tutje. Do të përgatiten dhe do të depozitohen kallëzimet penale për të gjithë ata që kanë abuzuar duke u përfshirë në një aktivitet industrial shitblerjeje diplomash. Nga ana tjetër do të asistohen dhe sistemohen për të  vazhduar studimet 6 mijë studentë që janë sot përpara derës së mbyllur të pseudouniversiteteve të tyre.

Nuk po zgjatem me pjesën e ligjit të ri të arsimit të lartë, por dua të them se është bërë një spekulim i radhës me kuotat. Kanë akorduar vitin e shkuar dhe kjo është e verifikueshme 29 390 kuota studimi, por në të vërtetë e dini sa janë regjistruar realisht, 23689. Pra  ¼ më pak se sa ç’ka akorduar qeveria, sepse qeverisë i interesonin shifrat e bilanceve të suksesit imagjinar, si p.sh 10 mijë km rrugë, më shumë studentë sesa gjithë Europa e me radhë e me radhë. Praktikisht, nga 29 390 kuota të akorduara vetëm  23 689 studentë kanë rezultuar të regjistruar. Këto shifra tregojnë sesa qesharake ishte e gjithë politika e arsimit të lartë dhe specifikisht politika e rritjes së numrit të studentëve për frymë dhe politika e nxjerrjes së Shqipërisë në ballë, ku rezultoi se kishim 8 herë më shumë institucione të arsimit të lartë për 1 milion banorë sesa Britania e Madhe, e me radhë të gjithë vendet e BE.

Këtë herë akordimi i të gjitha kuotave u krye në konsultim me universitetet dhe pas procesit të inspektimit të mundësive reale të universiteteve, të standardeve të cilësisë së universiteteve. Në fund vetë institucionet kërkuan 22 mijë kuota dhe qeveria ka akorduar 19 200 kuota. Pra, rreth 2800 më pak se ato që kanë kërkuar, por me përgjegjësi të plotë karshi prindërve që do të investojnë dhe karshi studentëve që do të shkojnë në këto universitete. Sepse është e lehtë të akordosh kuota siç e kemi parë gjatë gjithë këtyre viteve, është e lehtë të hapësh universitete në të katër anët t’i vësh emrin universitet dhe në fund fare të gjendesh aty ku gjendemi ne sot, në gropë. E, në radhë të parë, për të dalë nga gropa nuk duhet ta diskutojmë fare që jemi në gropë sepse po thanë disa që jemi në gropë dhe disa të tjerë në majë të malit, atëherë nuk dalim dot nga gropa.

Më lejoni t’u them në fund, – se perse janë reduktuar këto kuota, – që gjatë analizës ka dalë që 23 programe në Shqipëri kanë më pak se 10 studentë, gjë që nuk lejohet me ligj, ligjin që ka miratuar qeveria paraardhëse; 14 programe kanë studentë të regjistruar me notë mesatare 5.5 dhe 26 programe praktikisht janë mbyllur nga inspektimi, kështu që dhe ulja me 2800 e kuotave mes kërkesës dhe asaj çfarë ka akorduar ministria, është e bazuar në këto kritere shumë objektive.

Së fundi , investimet. E kam dëgjuar shpesh këtë që “s’keni bërë akoma 1 metër rrugë”. Sepse në fakt ajo politika “rrugë, rrugë, rrugë…” jo vetëm ia humbi rrugën Shqipërisë, por i la dhe rrugët, rrugëve.

Ne kemi tre objektiva;

Objektivi i parë është që të mbyllim rrugët ekzistuese. Ju thashë edhe më parë edhe më parë, kjo nuk është një fjalë goje dhe nuk ka lidhje as me kazmat, as me lopatat që mund të rrëmbejë kryeministri, ministrat dhe gjithë administrata dhe të shkojmë tek rruga. Kjo ka lidhje me paratë. Ka lidhje me gropën financiare që lanë në çdo rrugë, ata që ishin përpara, sepse nuk i mbuluan rrugët me financim. Ne duhet të gjejmë burimin e financimit dhe po punojmë intensivisht për këtë. Na duhet vetëm të gjejmë tani një mirëkuptim me FMN që nuk do të jetë aspak një gjë e lehtë dhe nuk do të jetë aspak e çuditshme që të na refuzohet.

E dyta, fondet që kemi në dispozicion, qoftë nga Fondi i Zhvillimit, qoftë nga donatorë të tjerë, qoftë nga Fondi i rajoneve, ne do t’i vëmë në dispozicion të Shqipërisë së re që kemi në vizionin tonë dhe që kemi shpjeguar, duke filluar nga qendrat që rrisin dhe cilësinë e jetës së periferive dhe duke pasur parasysh që Shqipëria sot është një Shqipëri tjetër nga pikëpamja e organizimit, falë Reformës Administrativo- Territoriale.

Kështu që, nëse qeveria e mëparshme hodhi para, për të hedhur asfalt në shumë rrugë, shpeshherë dhe qorre që tani kanë humbur fare sepse ishin vetëm për fushata, një fshat këtu e një fshat atje, ne po investojmë për herë të parë pas kaq shumë vitesh në zemrat e zonave ekonomike, në qytete dhe aty ku janë komuna që janë burimi kryesor i rritjes ekonomike. Kjo nuk do të thotë që ne përjashtojmë, kjo do të thotë që kështu ne stimulojmë një zhvillim të një natyre të re. Do të shikoni gjatë gjithë periudhës së vjeshtës se çfarë kam parasysh, do ta shikoni konkretisht.

Ne po investojmë sot me këtë projekt dhe deri në fund të këtij viti, për Elbasanin, Korçën , Durrësin, Fierin, Beratin, Pukën, Bulqizën, Rrëshenin, Burrelin më shumë se ç’ështe investuar nga fondet e qeverisë në shumë vite të mbledhura së bashku. Investimet që kanë filluar në Elbasan janë më shumë se sa 20 vjet të qeverisë së Elbasanit. Po flasim këtu për infrastrukturën urbane. Të mos harrojmë që Elbasani i sotëm nuk është më bashkia e vjetër, por është bashkia e re e Elbasanit, është graviteti ekonomik i gjithë atij qarku. Ashtu sikundër të njëjtën gjë mund të themi edhe për zona më të vogla. Lushnja, për vite të tëra pa asnjë investim serioz për qytetin nga qeveria. Kur themi qyteti nuk është vetëm ajo zona e vogël e rrethuar aty, por është graviteti i zhvillimit ekonomik.

E treta, disa projekte të rëndësishme strategjike, për të cilat ne po punojmë, jemi pranë përfundimit të një marrëveshje për rrugën e Arbrit. Shpresojmë shumë që rruga e Arbrit të përfundojë me sukses si program financimi dhe që të mos mbetet një tjetër rrugë e lënë rrugëve, se medemek e nisëm dhe do e mbaronin, por nuk i kishin paratë. Se gënjyen kudo dhe gënjyen edhe për rrugën e Arbërit.

Projekti tjetër që është një projekt më shumë se sa për Shqipërinë dhe që do të diskutohet edhe në Berlin, është ai që ne e kemi quajtur “Korridori i kaltër” me të cilin talleshin ata që ishin përpara nesh dhe thoshin duan të bëjnë korridor në ujë. Sepse ata ngjyrën e blu e dinë vetëm për flamurin e vet, për detin, dhe për qiellin, nuk e dinë që ka kaltërsi edhe gjetkë.

Korridori i kaltër është praktikisht aksi që do të përfshijë pjesën jugore të Kroacisë, Malin e Zi dhe Shqipërinë, në aksin turistik mesdhetar. Janë këto segmente të mbetura që bëjnë bashkë një segment dhe për të cilin ne ditën e hënë do të takohemi dhe me kryeministrin e Malit të Zi, me kryeministrin e Kroacisë dhe me kryeministrin e Bosnjes, pasi përfshihet edhe Bosnja në këtë skemë, për të bërë një rakordim përfundimtar dhe për ta paraqitur pastaj në Berlin, që do të sjellë një transformim historik për Shqipërinë dhe për Malin e Zi dhe për këtë vijë. Sepse kush e ka parasysh rruga turistike mesdhetare, nuk shkon deri në fund në Kroaci, shkon deri në një pikë të caktuar dhe pastaj fillon rruga jonë me forcat tona, e Titos dhe Enverit.

Ky është plani i madh që kurrë nuk realizohet me buxhet. Ne nuk jemi aq të marrë që të hymë në këto investime duke thënë “të hymë, pastaj këtu jemi, lekët do t’i gjejmë rrugës” e pastaj ta lëmë Shqipërinë rrugës siç e lanë ata që ishin para nesh. Por, kemi shpresë se ky projekt do të mbështetet, pasi ka interes të madh ekonomik, jo vetëm për këto vende, por edhe për vende të tjera për shkak se bën një lidhje përfundimtare të gjithë unazës, po themi, të Mesdheut.

Kjo ishte paraqitja ime. Pak e gjatë, por ju tani, jam i bindur se jeni të gatshëm të bëni pyetje që ta bëjmë më interesante konferencën.

Jam gatshëm t’i përgjigjem të gjithë pyetjeve tuaja.

 

Zoti kryeministër në të gjithë këtë përmbledhje që bëtë për arritjet e qeverisë, nuk përmendët shëndetësinë. Nëse për arsimin u bë ky filtri i universiteteve, a do të ndodhi e njëjta gjë edhe për spitalet sepse nuk kemi vetëm universitete në katin e dytë të pallateve, por kemi edhe spitale dhe në qoftë se shkojmë në tre spitale të ndryshme marrim tre diagnoza të ndryshme. E dyta, opozita në muajin korrik vendosi një marrëdhënie të kushtëzuar me parlamentin dhe duket sikur edhe në shtator do të vazhdojë e njëjta gjë. Prej disa kohësh tashmë kërkon një përgjigje nga ju sepse opozita mendon që është e diskriminuar nga mazhoranca edhe fizikisht. Do të ketë një përgjigje selia blu?

Ne blu kemi korridorin nuk kemi selinë.

 

Korridori ishte i kaltër, selia është blu.

Blu highëay i thonë…

 

Prej disa ditësh Partia Socialiste po kërkon dorëheqjen e kryebashkiakut Basha edhe pse me shumë gjasa ai nuk do ta japë dorëheqjen, a ka menduar Kryeministri një emër për kreun e ri të Bashkisë së Tiranës, sepse na ndajnë vetëm tetë muaj nga zgjedhjet vendore?

Bëtë tre pyetje të rëndësishme sipas radhës në fakt e të falenderoj se i rreshtove sipas rëndësisë. Po e filloj nga ajo e para, sepse është ndoshta dhe një vërejtje me vend për parashtrimin tim. Do të duhej të kisha theksuar edhe rolin e rëndësishëm që mori dhe luajti Ministri i Shëndetësisë në këtë periudhë të sezonit turistik ku për herë të parë u përpoqëm si qeveri, që të vendosnim shërbim shëndetësor pranë pushuesve. Gjë që nuk ekzistonte. Sigurisht, e përsëris unë nuk dua të bëj bilanc të sukseseve imagjinare. Nuk është se dola këtu për arritjet e qeverisë në kuptimin klasik të fjalës, por dola këtu për të bërë një bilanc realist për ato gjëra që u realizuan dhe që besoj në tërësinë e tyre përbëjnë një arsye të fortë për të kuptuar se vendi shkon në drejtimin e duhur, por nga ana tjetër për të theksuar, që jam i vetëdijshëm se ka ende shumë për të bërë.

Sigurisht që shëndetësia është një sektor me shumë probleme, por besoj që edhe në shërbimin shëndetësor gjërat kanë filluar të lëvizin në drejtimin e duhur. Mjafton të shikoni Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku ka ndryshime të dukshme në të gjitha aspektet. Dua ta përsëris, që angazhimin ynë është i qartë, ne do të kalojmë në një sistem shëndetësor ku jo sipas xhepit po sipas nevojës do të japin shërbimin dhe kjo është reformë e madhe, që ne do ta realizojmë plotësisht. Pjesë e kësaj reforme sigurisht është edhe ajo që thatë ju, një certifikim i plotë i të gjithë institucioneve të shëndetit. Por, në këtë sektor nuk është kaq e thjeshtë, në kuptimin kaq e shtruar rruga e eksperiencës dhe e mundësive për t’u mbështetur nga institucionet ndërkombëtare, sepse ka sisteme të ndryshme, ka mënyra të ndryshme, por për më tepër pastaj çështja certifikimit të krijohet në një formë tjetër.

Padyshim që, në shëndetësi kemi një problem serioz të trashëguar, patjetër, dhe që ka të bëjë me një sistem të tërë që duhet të ndryshojë, që është ryshfeti. Për këtë arsye ky sesioni i ri që kemi paralajmëruar si një sesion ku kryefjala do të jetë antikorrupsioni në të gjithë sektorët, qoftë përmes goditjeve të fenomenit nëpërmjet modernizimit të sistemeve, qoftë nëpërmjet goditjeve të personave të përfshirë në korrupsion, shëndetësia do të jetë në fokus dhe do të shikoni që shumë shpejt do të ketë një proces që do të nisë për të përfshirjen e të gjithë qytetarëve që marrin shërbime, në luftën kundër korrupsionit në çdo spital dhe në çdo derë ku merret shërbim shëndetësor.

Për pyetjen e dytë, dua t’ju them se besoj që rastet e ushtrimit të dhunës verbale apo fizike si kulminacion në parlament nuk meritojnë asgjë tjetër përveç dënimit. Unë dhe ne i kemi dënuar moralisht, por edhe sipas rregullores së Parlamentit pa parë majtas djathtas të gjithë ata, që janë përfshirë në raste dhune dhe në sjellje që nuk i bëjnë asnjë nder Kuvendit të Shqipërisë dhe përfaqësuesve të popullit shqiptar. Kjo nuk diskutohet! Do të dëshiroja dhe sigurisht do të bëjmë çmos që raste të tilla të mos përsëriten, por kur ato ndodhin përgjegjësia është individuale dhe ajo që i takon forcës politike, ajo që i takon shumicës tonë në këtë rast, është të sillet më këtë përgjegjësi individuale ashtu siç duhet. Ta dënojmë moralisht dhe ta ndëshkojmë sipas rregullores. Ne e kemi bërë këtë gjë, përtej kësaj të gjithë të tjerat janë “dokrra hini”, kur thoshte At Gjergj Fishta.

Ndërsa për sa i përket pastaj opozitës, që pretendon se ka një përpjekje për t’i prerë gjuhën, për t’i mbyllur gojën, opozitë më llafazane se kjo dhe më prezente se kjo me llafe në gjithçka përfshihet ky popull në formë thashethemi nuk ka. Përpjekje për t’i mbyllur gojën nuk ka. Kam frikë se opozita është futur në një proces vetëposhtërimi, vetëpresekutimi dhe vetëviktimizimi për shkak se i mungon tërësisht një strategji, i mungon tërësisht një platformë, një projekt. Është një opozitë, që si asnjë herë tjetër, sa mbaj mend unë, s’ka strategji, s’ka platformë, s’ka projekt politik. Është një opozitë që vjen dhe xhiron në boshllëk duke akuzuar, akuzuar, akuzuar qeverinë, ndërkohë që sigurisht pastaj akuzat janë në gjykimin e të gjithëve. Por, është një opozitë në hall të madh. Sigurisht që, halli nuk jemi ne, halli nuk vjen ngaqë ka përpjekje të hapur apo të errëta për t’i mbyllur gojën apo për të mos i lënë hapësirë. Mjafton të merrni librin e protokollit të parlamentit për të parë minutazhin. Është opozita e parë në historinë e këtyre viteve me opozitë që ka më shumë minutazh llafesh në parlament se ç’ka qeveria. E para! Jam i bindur që do të jetë e fundit  sepse e sigurt, që kur të vijë dita që opozita të rigjejë fillin e arsyes nuk do jetë nevoja të ketë minutazh më shumë se qeveria. Sepse mund t’i thotë gjërat që ka për të thënë edhe duke pasur të njëjtin minutazh.

Për sa i përket pyetjes së tretë, sigurisht që jemi përballë një fakti të thjeshtë dhe të qartë; Kemi një Kryetar Bashkie që nuk e kanë zgjedhur qytetarët, por e ka zgjedhur gjykata dhe i cili ka kërkuar të bëhet Kryetar Bashkie duke u betuar se do të ishte 24 orë në shërbim të qytetarëve dhe nuk do të merrej me politikë, siç bënte ai i të gjitha të këqijave përpara tij. Ndërkohë, jo vetëm merret vetëm më politikë, por ndërkohë që merret me politikë, ndryshe nga ai i të gjitha të këqijave, e ka lënë Tiranën në rënie të lirë. Rasti për të cilin diskutohet këto ditë, është një rast spektakolar i kësaj dyfytyrësie, që karakterizon fatkeqësisht Partinë Demokratike prej shumë vitesh tanimë. Dëgjoni çfarë them unë, mos bëni si bëj unë.

 

Çfarë prisni nga Konferenca e Berlinit?

Sigurisht është një moment shumë i rëndësishëm për rajonin. Ne jemi në vitin e parë të një Ballkani ku nuk ka asnjë konflikt të hapur dhe jemi në 100 vjetorin e Luftës së Parë Botërore dhe është një paqe që është dhe një hapësirë e re mundësish për zhvillim. Gjëja që besoj unë është kuptuar nga rajoni, nga të gjithë, është se kemi përballë një horizont mundësish. Por nga ana tjetër kemi përpara një rrugë jashtëzakonisht të vështirë, sepse njerëzit në Shqipëri dhe kudo qoftë tjetër, nuk kanë mundësi të presin pafundësisht dhe nuk mund të ushqehen në raport më Europën vetëm me kapitujt e integrimit. Kështu që, duhet të hymë në një fazë të re marrëdhëniesh me Bashkimin Europian, si pjesë e Europës ende të pabashkuar. Në këtë aspekt besoj, që edhe ftesa e Kancelares vjen si rezultat i kësaj baze të përbashkët kuptimi të situatës, kur ndërkohë çdo vend do të bëjë detyrat e veta të shtëpisë për t’u integruar në Bashkimin Europian. Rajoni si i tërë nuk mund të presë më projekte si Korridori i Kaltër, apo si Rrjeti Hekurudhor, apo si projekte e mëdha të Sigurisë Energjitike, nuk mund dot të përballohen me buxhetet apo me mundësitë për të marrë borxh tek vendet e rajonit. Duhet një shtysë e re, që do të ketë patjetër përmasën e mbështetjes financiare. Kjo është ajo që ne jemi përpjekur të themi gjatë gjithë kohës. Kjo është ajo që ka qenë kryefjala e kursit të ri e politikës së jashtme në raport me vendet partnere. Besoj që jemi në një stacion ku duhet të jemi të gëzuar që kemi mbërritur, por duhet të hapim një proces të ri të marrëdhëniesh me Bashkimin Europian. Ky është qëllimi.

 

Mes anëtarëve të Bankës së Shqipërisë dhe eksponentëve nga shumica deri më tani janë 10 mijë persona qytetarë shqiptarë që po kërkojnë dorëheqjen e Guvernatorit të Shqipërisë Ardian Fullani pas superskandalit të vjedhjes së 713 milionë lekëve. A do t’i kërkojë kryeministri i vendit Guvernatorit të Shqipërisë që të shohë mundësinë për t’u tërhequr nga posti?

Presidenti i Republikës i ka kthyer mbrapsht mazhorancës deri më tani tre ligje dhe ka dhënë sinjale se të njëjtin qëndrim do të mbajë edhe për reformën territoriale të cilës ju iu referuat jo në pak raste, gjatë fjalimit tuaj. A do të mbani parasysh argumentet që ka dhënë kreu i shtetit dhe a do t’i rezervojë maxhoranca të njëjtin fat edhe dekreteve që ka firmosur kreu i shtetit për anëtarët e Gjykatës së Lartë, pra rrëzimin e tyre?

Faleminderit për të dyja pyetjet, se besoj se janë pyetje me shumë rëndësi për publikun. Vura re dhe në pyetjet e bëra dhe përmes rrjeteve sociale, që janë dy tema kyçe.

Së pari, për sa i përket asaj që ndodhi në Bankën e Shqipërisë. Në radhë të parë më lejoni t’u kujtoj që nuk është e vërtetë që ne kemi heshtur. Nga ana tjetër ka një ndryshim të rëndësishëm mes qeverisë dhe shoqërisë civile në këtë rast, sepse rolet janë të ndryshme dhe përgjegjësitë janë të ndryshme. Qeveria e ka një rol dhe përgjegjësi të posaçme në këtë rast. Kush është? Ne e kemi thënë qartë dhe prerë në prononcimin e Këshillit të Ministrave se për ne, ky është një akt i rëndë kriminal, i cili përbën një sfidë të trefishtë; Është një sfidë e madhe për Prokurorinë që t’i shkojë deri në fund hetimit, por jo në rrugën tradicionale të atyre hetimeve që nuk përfundojnë asnjëherë, por në mënyrë intensive, gjithëpërfshirëse dhe shteruese dhe të nxjerrë nga pikëpamja e vet çdo përgjegjësi. Është në sfidë padyshim e madhe për autoritetin e Bankës dhe për sigurinë e bankës patjetër, që dua t’jua them qartë dhe prerë është një institucion i pavarur. Pse s’më pyesni pse nuk i kërkon dorëheqjen kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, pse nuk i kërkon dorëheqjen Kryetarit të Gjykatës së Lartë, pse nuk i kërkon dorëheqjen kryetarit të Gjykatës të Apelit e me radhë? Mund të kem shumë arsye, që ndonjërit apo tjetrit, – po i marr si shembull, – për t’i kërkuar dorëheqjen, por çfarë do të thotë kjo? Si Kryeministër s’mund t’i kërkoj dorëheqjen kryetarit apo drejtuesit të një institucioni të pavarur. Por, nga ana tjetër është një sfidë e madhe për Kuvendin e Qeverinë nuk diskutohet. E kemi thënë qartë në çfarë kemi shkruar e zeza mbi të  bardhë në prononcimin e Këshillit të Ministrave që do të thotë se Kuvendi dhe Qeveria do ta analizojë. Ne po bëjmë të gjithë analizën tonë duke e ndjekur ditë pas dite zhvillimin e asaj situate dhe të konkludojmë në mënyrë konstruktive dhe në bashkëpunim të ngushtë me institucionet financiare ndërkombëtare. Sepse Banka e Shqipërisë është një institucion jo vetëm i pavarur, por është pjesë integrale e një sistemi institucionesh financiare ndërkombëtare, për të nxjerrë konkluzionet e duhura dhe për të dalë në vendimet e duhura.

Kjo është një përgjigje që mund të mos gëzojë shumëkënd që do kishte ndoshta dëshirë të dëgjonte, që unë të thosha që  Guvernatori të japë dorëheqjen, por nga ana tjetër të gjithë duhet të kuptojnë që kjo do ishte thjeshtë një thirrje në boshllëk. Nuk do të kishte asnjë lloj kuptimi nëse duam të respektojmë institucionet.

Pse s’më pyesni, a duhet të japë dorëheqjen Presidenti i Republikës?

Për më tepër është shumë e rëndësishme të kuptohet një gjë, që ne e kemi të domosdoshme të godasim në shenjë gjithmonë, por në rastin konkret, të godasim plotësisht në shenjë, duke nxjerrë çdo konkluzion të saktë dhe duke bërë veprimin e duhur në mënyrë që të mos krijojmë pasoja që sot nuk i parashikojmë dot në rast se  hyjmë në një luftë politike me Bankën e Shqipërisë. E përsëris, është institucion tërësisht i pavarur nga qeveria. Eksperienca e luftërave të ngjashme politike me bankat qendrore në vendet e tjera ka treguar që është një eksperiencë tërësisht e hidhur dhe kundërproduktive për politikën dhe për shoqërinë. Çka nuk i heq asnjë presje shqetësimit tuaj, legjitimitetit të kërkesës së shoqërisë civile apo të gjithë atyre që u bashkohen asaj kërkese dhe gjithë këtij shqetësimi të madh që është krijuar nga një ngjarje absolutisht e rëndë që duhet trajtuar nga ne me vëmendje maksimale, me vendosmëri maksimale, por dhe me kujdes maksimal.

Në fund, më lejoni t’u them që duket shpesh gabimisht sikur, qeveria duhet të flasë e para, qeveria duhet të flasë e fundit kur është fjala për raste të kësaj natyre se ndryshe mund të bëjë gabim shumë më të madh për të ndrequr një gabim të madh, mund të bëjë një faj shumë të madh për të ndrequr një faj të madh.

Për sa i përket pyetjes tjetër. Unë nuk e besova dje, që Presidenti kishte mbledhur të zgjedhurit vendorë të Partisë Demokratike për të bërë një dëgjesë për ligjin e ndarjes së re territoriale – administrative. Pata përshtypje, kur lexova përmbledhjen, se zyra e shtypit e Kryeministrisë kishte pasur një gabim teknik në printim dhe ndoshta kjo do të ishte një dëgjesë që do ta kishte bërë kohë më përpara edhe pse mu duk pak absurde se Presidenti takon të zgjedhur e Partisë Demokratike dhe i pyet “si e mendoni ju këtë?”.

Po përtej kësaj, dua të them këtë gjë, Presidenti ka të drejtën e tij të kthejë ligjet, patjetër, por duhet ta dijë që do t’i kthehet mbrapsht çdo dekret, menjëherë pa humbur kohë, se Shqipëria s’ka kohë për të humbur më me argumentet e Partisë Demokratike që vijnë nga goja e Presidentit. Se fatkeqësisht, qoftë në ligjin për policinë, qoftë në ligjin për magjistraturën e qoftë në atë për KLD-në, çka unë munda të lexoj ishin të gjithë argumentet e Partisë Demokratike. Kjo është, sigurisht, diçka për të ardhur keq. Por ne e kemi thënë, përsëritur, dhe unë do ta rinënvizoj; Koha kur nga kjo godinë hidheshin gjyle balte mbi godinën e Presidencës apo mbi Presidentin ka vdekur bashkë me qeverinë që iku në 23 qershor. Ne nuk sulmojmë Presidentin e Republikës, Presidenti i Republikës është i pari President në historinë e Shqipërisë së tranzicionit që sulmon Qeverinë. Po kjo është zgjedhja e tij. Ne nuk cenojmë Presidentin e Republikës. Ky është ndryshimi që ka ndodhur; Kemi pasur qeveri që sulmonin presidentët, tani kemi president që sulmon qeverinë. Kaq, sa për dekretet ato do të kthehen menjëherë.

 

Zoti Kryeminsitër, nëse NATO apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ndërhyjnë me trupa ushtarakisht në Irak kundër ISIS, a është e gatshme qeveria shqiptare të dërgojë trupa në terren? A ka ndonjë kërkesë specifike nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo partnerë për të ndihmuar forcat kundër ISIS në terren me armë siç ishte rasti i dërgimit të fishekëve nga Shqipëria?

Ne do të bëjmë gjithçka që na takon, sepse ne jemi pjesë e NATO-s nuk jemi prapashtesë e rastit. Si pjesë e NATO-s do të marrim përsipër gjithçka ne mundemi të marrim përsipër. Patjetër që, do të ndihmojmë dhe patjetër që do të mbështesim dhe patjetër që do të marrim pjesë, por sesi kjo është një çështje që do të varet nga mundësitë tona.

 

Pse i ktheu presidenti tre ligjet?

Tre ligjet i ktheu Partia Demokratike nëpërmjet Presidentit.

 

Pas publikimit të videos së skandalit në Sarandë, doli në pah problematika me abuzimin me punësimet. Zyrat e deputetit Kokëdhima në Sarandë dhe veprimtaria e këtyre zyrave e janë pushtet paralel me zyrat e punësimit? As ju si Kryeministër dhe si deputet i Qarkut të Vlorës dhe asnjë deputet tjetër i mazhorancës nuk ka në staf 12 persona. Zoti Kokëdhima ka 12 persona në stafet e zyrave të partisë. Është përjashtim apo standard i zotit Kokëdhima, kjo?

Së pari, edhe këtu më lejoni që të jem shumë i qartë; Nuk ka turp më të madh sesa turpi që pamë. Por, nuk ka po ashtu, turp më të madh për të gjithë ata që shohin sesa ta ripërtypin atë turp përditë, duke menduar se i bëjnë opozitë qeverisë apo duke u përpjekur që rastin ta përgjithësojnë. Është një rast konkret, është një përgjegjësi individuale konkrete dhe njësoj si në rastin e parë që folëm, e përsëris, Qeveria nuk gjykohet nga çfarë ndodh individualisht me një person, diku në territor, apo qoftë edhe në Qeveri, që në përgjegjësinë e tij individuale shkel normat ligjore apo normat etike të bashkëjetesës. Qeveria gjykohet nga si reagon ndaj rastit. Reagimi ynë ishte i qartë dhe i prerë si asnjëherë më parë nga Qeveria paraardhëse. Unë nuk dua të hyj në këtë temë. Për mua është një temë e neveritshme, por të gjithë ju e kujtoni dhe mund ta bëni lehtësisht paralelizmin mes kësaj Qeverie dhe Qeverisë paraardhëse, kur në një nivel shumë më të lartë u abuzua në një detyrë shumë më të lartë për një vend dhe abuzuesi u mbrojt, denoncuesit, konkretisht media që e denoncoi u sulmua dhe u çua deri përpara detyrimit për të paguar gjobë. Abuzuesi u kthye shtatlartë dhe kryelartë, në një detyrë të lartë.

Ndërkohë që, rasti për të cilin flasim është krejt i qartë për të bërë diferencën. Policia e arrestoi, zyra e deputetit u distancua plotësisht dhe e dënoi aktin dhe Partia Socialiste e përjashtoi nga radhët e anëtarëve të vetë. Ne nuk jemi, – unë e kam thënë edhe herë të tjera, – të ndarë në engjëj dhe në djaj në këtë vend, në të mirë dhe në të këqij. Ne jemi engjëjt e të mirët dhe demokratët janë djajtë e të këqijtë. Kjo është një ndarje që mund të jetë vetëm në kokën e atyre që vijnë dhe janë ende nëpër këmbët tona nga koha e komunizmit. Ne jemi të gjithë shqiptarë. Në të gjitha grupimet, forcat, organizatat, shoqatat, komunitetet ka nga të gjitha, por, ama, dallimin me ta, ne e kemi parë dhe e shohim këtu; Ne besojmë në vlera dhe në parime që për ne, në këndvështrimin tonë janë ato që i duhen shoqërisë për të shkuar përpara. Reagojmë mbas këtyre vlerave dhe parimeve dhe për këtë arsye. Ne jemi alternativa më e mirë dhe më e besuar e shqiptarëve.

Tani, përsa i përket zyrave, çdo deputet duhet të ketë zyrë. Në zyrën e çdo deputeti duhet të priten njerëz që ankohen dhe që bëjnë kërkesa. Edhe unë kam zyrë në Vlorë. Nuk e kam me aq shumë persona, se nuk kam mundësi financiare që ta mbaj. Nëse nevoja është më e madhe? Sigurisht, është më e madhe. Ama, kush nga ju dhe kush në këtë vend mund të më thotë se dikush nuk mund të shkojë tek zyra e deputetit dhe të ankohet se s’ka punë, apo të kërkojë punë. A e bën personi dhe e bëjnë personat, këtë e bëjnë gjithë kohës e gjithmonë. Sa veta ju ankohen juve që jeni gazetarë, që njihni njerëz, ju thonë, shikoni nuk kam punë, më ndihmoni se njihni njerëz, se shkoni në konferenca. Por, edhe këtu, gjykimi është kush i bën punësimet, i bëjnë zyrat e deputetëve, apo i bën administrata.

E dyta është e vërtetë.

Deputetët kanë ndërhyrë, ndërhyjnë  dhe do të ndërhyjnë sa të ketë deputetë në këtë botë, në Shqipëri dhe kudo, për të ndihmuar njerëz, apo për të ndërmjetësuar. E rëndësishme është sa kjo mbetet në kufirin e detyrimit politik, njerëzor e moral, që ka deputeti si përfaqësues i popullit dhe sa e kalon kufirin. Kalimi i kufirit është i paarsyetueshëm dhe i pajustifikueshëm. Keni qenë këtu, apo s’keni qenë këtu, kur kanë dalë në mexhelis, letra e një superdeputeti që quhej Flamur dhe që çonte letra që dega filan vendosi të punësohet filani, dega filan vendosi të punësohet filani e filani etj.. Keni qenë këtu apo jo? Keni qenë këtu, kur një deputet tjetër që quhej Bujar shkruante që punësoni filanin, punësoni filanin, punësoni filanin. Po një deputete tjetër që quhej Jozeifinë, që çonte shkresa dhe thoshte të punësohet filani, të punësohet fisteku, partia vendosi këtu, dega vendosi. Kush janë këta? Ku janë këta? Jetojnë këta në Shqipëri, apo kanë ikur? Apo ne i kemi parë rrugë? Janë këta që flasin sot!? Si ka mundësi?! Nga kanë rënë këta, nga qielli?! Kjo praktikë është reduktuar në një masë të ndjeshme. Nuk kemi praktikisht, qarkullime letrash, degësh e deputetësh që në emër të degës çojnë letra. Por, sigurisht, nëse ju them që kjo praktikë është zhdukur, ju gënjej. Kemi pasur disa debate në disa degë të PS-së, që mblidheshin dhe thoshin këtë ta çojmë këtu, këtë ta çojmë aty. U kemi thënë që kjo nuk është detyra juaj. Është një histori, është një traditë dhe është një rrëmujë e tërë që vjen bashkë me traditën. Edhe këtu, si edhe për turizmin, si edhe për arsimin, si edhe për shëndetësinë, si edhe për gjithë të tjerat do të gjykohemi plotësisht, në fund të këtyre 4 viteve. Jo kur nuk është bërë akoma viti i plotë i qëndrimit në qeveri. Kështu që, besoj që duhet t’i ndajmë qartë gjërat.

E për ta mbyllur, unë besoj që siç meriton neveri dhe jo vetëm neveri, rasti konkret, meritojnë neveri, të gjithë ata që e sjellin përditë rastin konkret. Nuk e kam fjalën për ju, por e kam fjalën për ata që sot thonë se po na diskriminojnë, se nuk kemi të drejtë fjale, për të ndotur sa të munden shijen e opinionit publik lidhur me politikën dhe sigurisht, edhe me qeverinë. Por nuk ka problem, le të vazhdojnë.

 

Lidhur me antikorrupsion dhe atë që keni deklaruar se reforma nuk ndalet. Ajo që pritet në shtator për reformën në drejtësi, a do preken edhe institucionet që merren me luftën kundër korrupsionit, a do ketë një avancim të reformës në këto institucione?

Lidhur me marrëdhëniet me Gjermaninë, meqenëse është edhe konferenca në Berlin dhe 30 vjetori i vizitës së Strauss. Duke pasur parasysh një rritje të kapitalit gjerman në rajon, në sektorë kyçë, a priten edhe investime në Shqipëri?

Sa i përket pyetjes së parë. Reforma në drejtësi do të jetë e thellë dhe e plotë. Nëse bëmë një reformë të thellë territoriale, nëse po bëjmë një reformë të thellë në arsim, që janë dy gjëra që janë më aktuale, po kaq e thellë është edhe reforma në drejtësi. Përsa i përket antikorrupsionit do të hyjmë në një fazë të re bazuar edhe në eksperienca të suksesshme të vendeve në procesin e integrimit. Do të veprojmë intensivisht në të gjithë sektorët, pa bërë dallime. Ne nuk mendojmë se korrupsioni është i identifikuar me Partinë Demokratike dhe me Qeverinë e kaluar dhe gjithçka që quhet korrupsion i takon atyre. Ne mendojmë se korrupsioni është një sëmundje që është aktive në shoqërinë tonë dhe që prek kudo ku sistemi nuk arrin dot të garantojë transparencë dhe efektivitet. Kështu që, nga njëra anë modernizimi i vazhdueshëm i sistemeve, nga ana tjetër goditja e rasteve janë dy gjëra që do të shkojnë paralelisht. Unë nuk kam asnjë mundësi të brendshme që të gjej forcë e të them që me ardhjen tonë në Qeveri, nuk paguan më njeri, askund, asgjë. Jo! Jam i vetëdijshëm që ne kemi ende shumë për të bërë në pikat e shërbimeve, kemi shumë për të bërë në hipoteka, kemi shumë për të bërë kudo ku qytetarët trokasin për të marrë një shërbim. Jemi në një proces modernizimi. Po përgatisim një projekt të madh të shërbimeve publike. Një model tërësisht transformues, për të cilin kemi filluar të negociojmë edhe financimin dhe po ecim paralelisht me përmbajtjen e projektit, me dizenjimin e infrastrukturës dhe me garantimin e financimit. Kemi marrë një mbështetje shumë të fortë, qoftë nga Banka Botërore, qoftë nga Bashkimi Europian për ta ndërtuar këtë projekt. Do të kërkojë edhe ky, kohën e vet. Por ajo që unë jam sot i bindur, bazuar në gjithë çka kemi arritur, është se, e para, ne jemi plotësisht në linjë me programin tonë, për të cilin jemi votuar dhe e dyta, se ne kemi plotësisht të gjitha arsyet për të besuar se këto do jenë 4 vitet që do ta transformojnë rrënjësisht Shqipërinë dhe do të vendosin një bazë shumë solide, për të shkuar më tutje me projektin e europianizimit si shtet dhe si institucione.

Përsa i përket Gjermanisë, e përsëris, nuk është sekret që është hapur një faqe e re në marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe Shqipërisë. Nuk është absolutisht sekret, që në këtë faqe të re ka mundësi të reja që deri dje nuk ishin. Dhe përtej shumë arsyeve, unë dua t’ju them që ky moment është edhe rezultat i dinamikës tërësisht të re të politikës sonë të jashtme dhe imazhit tërësisht të ri që kemi arritur të krijojmë në Europën politike, ende jo në Europën e qytetarëve, ku ka ende shumë paragjykime dhe ka ende shumë refuzim për ta parë Shqipërinë si një vend me të cilin të biesh në sevda. Por, në Europën politike ndryshimi i imazhit është jashtëzakonisht i ndjeshëm. Sepse kemi ndërtuar një politikë të jashtme bazuar tek reciprociteti i plotë dhe tek thënia e gjërave ashtu siç ne i mendojmë. I kemi dhënë fund politikës së jashtme të përkuljes deri në tokë, pa arsye dhe pastaj të krekosjes, prapë pa arsye, herë me servilizëm, herë me nacionalizëm. Dy ekstreme të një politike të jashtme që në tërësinë e vet nuk arriti t’i japë Shqipërisë, atë që ne do t’ia japim përmes politikës sonë të jashtme.

 

A ka vërtet trafikantë dhe kriminelë në parlament?     

Kjo është një temë që mund të meritonte një diskutim më të gjerë, por e vërteta është se për të gjithë, – të paktën flas për Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste, – përpara se ne të miratonin listën, kemi kërkuar dëshmitë e penalitetit. Kuptohet jo për figurat e njohura që janë marrë gjithë jetën me politikë, por për një pjesë të konsiderueshme. Dëshmia e penalitetit është ajo që tregon sot se kush ka bërë çfarë, në kuptimin se kush është sot i pastër apo i papastër, në raport me drejtësinë. Nëse ka nevojë për të shtuar të tjera, ne jemi gati të diskutojmë të shtojmë edhe të tjera. Por, për momentin, ky është legjislacioni. Unë nuk kam asnjë arsye të besoj në asgjë në ato broçkulla që thotë Partia Demokratike.

 

Zoti Kryeministër, po i rikthehem edhe një herë pyetjes lidhur me Guvernatorin Fullani. Në gjykimin tuaj personal, si do ta konsideronit pozicionin e tij dhe qëndrimit që ka mbajtur gjatë kohës së skandalit në Bankën e Shqipërisë. Ju thatë që Qeveria do të flasë e fundit. Keni ndonjë opsion që mazhoranca të marrë ndonjë iniciativë për të ndryshuar kupolën e BSH, ka ardhur momenti të ndodhë kjo?

Nuk jam në teren të panjohur edhe këtu, për shkak se e dini mirë, e kam përsëritur ndoshta deri në mërzi për ju, kur nuk isha Kryeministër dhe tani jeni familjarë me filozofinë dhe qasjen time. Nuk janë njerëzit që korruptojnë sistemet. Janë sistemet që korruptojnë njerëzit. Atëherë, çështja e parë është të konkludojmë në mënyrë objektive dhe në mënyrë konstruktive, bashkë me institucionet financiare ndërkombëtare dhe bazuar edhe në hetimet e Prokurorisë, por, sigurisht, edhe në praktikat më të mira të administrimit të bankave qendrore, se ku qëndrojnë problemet në sistem. Të bëjmë diskutimin mbi këtë. Të ndërhyjmë tek kjo, në mënyrë që sistemi të na japë garanci se njerëzit janë nën kontroll. Pastaj, nëse në këtë proces, sigurisht, do të jetë e nevojshme të bëhen ndërhyrje të mëtejshme, ne nuk kemi asnjë arsye të tutemi apo të ngurrojmë, por e rëndësishme është që të gjithë ta kuptojmë. Ishte një pyetje, që më bëri përshtypje, pse nuk vihet dënimi me vdekje për këta që kërkojnë favore seksuale për të dhënë punë. Revolta përpara një akti aq të shëmtuar e çon njeriun deri në një reagim të tillë. E parafytyrojeni sikur jo shoqëria, por institucionet të reagonin në të njëjtën formë dhe të shkonin në të njëjtin drejtim. Do të kishim më shumë drejtësi? Do të kishim më shumë siguri? Do të kishim një shoqëri më të mirë? Apo do kishim nxjerrë sytë, për të vënë vetullat? Unë gjithmonë kam besuar dhe sot jam i detyruar t’i qëndroj këtij besimi, pavarësisht se ç’mund të mendoj unë personalisht, se nuk vjen një e mirë, duke bërë një gabim. Pra, në qoftë se një gabim mundohem ta korrigjoj me një gabim tjetër, pra, në qoftë se një shkelje të ligjit mundohem ta korrigjoj me një shkelje tjetër të ligjit, në qoftë se një veprim të caktuar si ky, ose një situatë të caktuar si kjo e trajtojmë duke shkelur ligjin, nuk kemi një të mirë në afatgjatë. Nuk e bëjmë më të qëndrueshme Bankën e Shqipërisë, nëse ne ndërhyjmë sot në mënyrë të paligjshme. Përkundrazi, e bëjmë më vulnerabël. Nëse ne sot përdorim forcën e kartonit për të bërë një goditje që është e paligjshme, sepse ligji ekzistues mbi të cilin ndërtohen marrëdhëniet midis Bankës së Shqipërisë me Qeverinë, nuk i jep asnjë mundësi ndërhyrjeje ligjore Qeverisë, në këto kushte. Nuk i jep dhe ju e dini shumë mirë. Atëherë ku është problemi? Problemi është tek ligji, në radhë të parë. Atëherë, ne duhet të shikojmë çfarë duhet të ndryshojmë në këtë ligj. Problemi është tek sistemi, në radhë të dytë. Sepse sistemi ka ceduar. Atëherë duhet të shkojmë çfarë duhet të ndryshojmë në sistem dhe pjesë e sistemit është Këshilli Mbikëqyrës, patjetër. Atëherë duhet të shikojmë çfarë nuk ka funksionuar, apo çfarë duhet të funksionojë ndryshe në Këshillin Mbikëqyrës. Kur të kemi bërë të gjitha këto, do kemi sigurinë e plotë që si shoqëri, si sistem financiar, që kemi ndërtuar diçka më të fortë mbi bazën e kësaj dobësie përpara së cilës jemi, që është shfaqur. Jo që kemi bërë një goditje dhe pastaj, çfarë kemi bërë? Kemi dobësuar Bankën e Shqipërisë, po ta lëmë ligjin, po kështu, etj dhe kemi bërë një veprim të paligjshëm. Kjo është logjika e përgjithshme që duhet të udhëheqë Qeverinë. E përsëris, unë nuk kam asnjë arsye, as të thënë dhe as të pathënë, për t’ju thënë atyre që thonë duhet të japë dorëheqjen Guvernatori, që e keni gabim. Nga pozita e tyre, por nga pozita e Qeverisë, nga pozita e Kuvendit, ne kemi përgjegjësi shumë të madhe për të siguruar që çdo hap të jetë në funksion të konsolidimit të pavarësisë së Bankës së Shqipërisë dhe në funksion të konsolidimit të mekanizmave, që brenda kësaj pavarësie të mos ketë as pasiguri, të mos ketë as abuzime, që pavarësia në letër të mos bëhet shkak për pandëshkueshmëri. Por, nga ana tjetër, që pavarësia të jetë e garantuar dhe që asnjë Kryeministër dhe asnjë Qeveri të mos ketë në dorë që të bëjë çfarë të dojë me Bankën e Shqipërisë. Se ajo do të ishte katastrofë.

 

Nisur edhe nga fakti që debati për reformën në drejtësi do të jetë i gjatë, unë po marr shkas edhe nga fillimi i sesionit të ri parlamentar, ku ju, pa i parë dekretet e Presidentit, do t’i riktheni ato ose do t’i rrëzoni ato për të hyrë ligjet që ju keni miratuar në fuqi. Ju keni paralajmëruar rrëzimin e tyre. E paralajmëruat edhe sot. Pra nuk keni nevojë që të shihni arsyetimet e Presidentit të Republikës, pasi ju keni vendosur që t’i rrëzoni ato menjëherë në parlament sepse nuk doni të humbisni kohë.

Unë ju referova ligjeve, të cilat ai i ka kthyer dhe i ka argumentuar.

 

Po i ka argumentuar, pa i parë ju argumentet e Presidentit. I keni qasur dhe përqasur ato me argumentet e PD.

Si pa i parë? Po ai i ka thënë. Pa i lexuar do të thuash. I kam lexuar.

 

Do të ndalem në dy argumente, nisur nga ligjet. Ligji për KLD dhe ligji për policinë. Pse ju duket argument i PD, nuk i kam dëgjuar tek PD fakti që tashmë Presidentit të Republikës, tashmë si kryetar i KLD do t’i duhet të zgjedhë zëvendëskryetarin, jo me të gjithë anëtarët e KLD, por vetëm me tre anëtarë të Kuvendit, praktikisht që zgjidhen nga maxhoranca. Pse duhet të kalonte varësia e Policisë së Shtetit tek ministri dhe jo tek Ministria e Brendshme. Pra, pyetja është pse ju duken argumente të PD dhe pse ju duket Presidenti njësoj si PD, kur dy shqetësimet mbi ligjet përkatëse janë këto.

Unë mund t’u them se edhe nga mënyra se si është shkruar argumentimi, duke qenë një njeri shumë i dhënë pas letrave dhe pas gjuhës unë mund të identifikoj edhe kush ka qenë një nga autorët e letrës së argumentimit që është një nga sofistët e PD-së. Kjo nuk ka rendësi, është e parëndësishme. E rëndësishme është që ato janë argumente të PD dhe nuk janë gabim pse i thotë PD, por PD i thotë gabim.

 

Shqetësimi i Presidentit është pse i hiqni të drejtën anëtarëve gjyqtarë të KLD të zgjidhen si zv/kryetarë të KLD.

Unë nuk hyj në detaje. Unë di të them vetëm kaq; Kur thashë që dekreti do të kthehet pa diskutim, iu përgjigja pyetjes për Reformën Administrative Territoriale. Në qoftë se Presidenti do ta kthejë ligjin, përgjigja do të jetë imediate dhe ligji do të hyjë në fuqi. Shqipëria nuk ka kohë për të humbur dhe aq më tepër Shqipëria nuk mund të presë që të bindet kryetari i Shoqatës së komunave të PD. Kjo është. Me gjithë respektin për zotërinë si institucion, por Shqipëria nuk mund të presë që kryetari i shoqatës së komunave të PD të bjerë dakord.

 

Kjo do të thotë që ju do t’i hidhni një sy dekreteve të Presidentit lidhur me ligjet e drejtësisë?

Presidenti ka kthyer ligjet dhe ka dhënë argumentet apo jo? Se pastaj nuk do t’i kishit lexuar as ju. Se nuk e di që jeni e PD. Ne i kemi parë argumentet dhe kemi parë argumentet e PD. Argumentet e PD-së ne i kemi kthyer njëherë kur kemi bërë diskutimet dhe kemi miratuar ligjet. Nuk kemi ndërmend të mos i kthejmë dhe këtë herë.

 

Lidhur me shifrat për sezonin turistik, një bilanc shifrash që mungoi ishte ai i mbytjeve në det. Ka një bilanc?

Jo këtë nuk e kemi. Se sa janë mbytur në raport më një vit më parë, këtë nuk e kemi  sepse nuk është në statistika. Më vjen keq, por në qoftë se jeni të interesuar me siguri gjendet pranë Ministrisë së Brendshme. Por në qoftë se largqoftë janë mbytur më shumë se një vit më parë, për këtë nuk besoj se e ka fajin Qeveria.

 

Çfarë mendoni për lejen e dhënë nga bashkia tek Liqeni?

Ata që pyesin i thonë “tek Liqeni”, por në fakt ajo nuk është tek Liqeni. Ajo është tek sheshi i betimit të kryetarit aktual të bashkisë, se aty kurrë nuk do të ndërtohej asgjë përveç një parku sportiv ku do të luanin fëmijë, të rinj, madje dhe pleq. Ajo është kthimi në sheshin e betimit për të bërë një krim.

 

Zoti kryeministër, jemi në kohën kur po hartohet projektbuxheti i viti 2015. Cilët do të jenë ata sektorë që do të mbështesë projektbuxheti i vitit 2015 dhe a do të shoqërohet me ndonjë paketë me ndryshime fiskale të mëtejshme?

Jemi në diskutim për buxhetin dhe jemi në diskutim edhe për çfarë ndryshimesh fiskale do të jenë të nevojshme, por sigurisht që gjithçka do të lidhet me ecurinë e doganave dhe të tatimeve që për momentin është absolutisht brenda parashikimeve dhe angazhimeve. Do të shikojmë, por që me siguri ndërhyrjet që do të jenë ndërhyrje shumë më të lehta se ato të një viti më parë.

 

Kur e parashikon qeveria nisjen e reformës zgjedhore, duke pasur parasysh se data e zgjedhjeve po afron. Nisur nga fakti se PD e ka artikuluar shpesh mundësinë se në këtë hartë territoriale që nuk e njeh mund të mos bëhen zgjedhje fare? Mendoni se mund të shkoni vetëm në zgjedhje? E shihni si opsion?

Nuk e di kush nga ju apo nga mediat tuaja është i dhënë pas arkivave, mund ta verifikojë këtë ndjesinë që kam unë se kam përshtypjen sikur në shumë gjëra dëgjoj veten time pas zgjedhjeve të vitit 2009 që në fushatën për bashkinë e Tiranës, dëgjoja programin tonë, kjo ishte e sigurt, por kam përshtypjen që dëgjoj veten time pas  zgjedhjeve të vjedhura në vitin 2009. Ka vetëm një ndryshim, që zgjedhjet nuk janë vjedhur, ndërkohë që të gjithë të tjerat nuk kanë ndryshuar. Pra është një “copy-paste” e opozitës së pas 2009, por pa vjedhjet e 2009. Është qorrsokak, plotësisht qorrsokak. Zgjedhjet në Shqipëri do bëhen me reformën e re territoriale, pa as më të voglin dyshim dhe PD mund të thotë shumë gjëra sot, por besoj se nuk e ka problem që të thotë gjëra të tjera nesër. PD është partia më e madhe e opozitës, por nuk është gjithë opozita. Gjithsesi nuk është ky shqetësimi ynë. Shqetësimi ynë është të transformojmë Shqipërinë. Reforma është një bazë shumë e fortë për transformuar Shqipërinë. Reformë zgjedhore nuk besoj se do të kemi nevojë të bëjmë, por nëse do të ketë nevojë për ndonjë ndryshim të natyrës teknike, si përshembull njësitë bashkiake të Tiranës, ne i kemi votat.

 

Do të doja të kthehesha në bilancet që ju përmendët në fillim e pikërisht do të doja të ndalesha tek bilanci i punësimit. Në 6 muajt e parë thatë që janë përfshirë në sistemin e sigurimeve më shumë se 43 mijë qytetarë. Këto janë vende të reja pune apo ka dhe nga ata që janë të përfshirë në listën e zezë të punës?

Nëse i referoheni fushatës elektorale unë kam sqaruar që për ne vendi i ri pune është një vend pune, siç e konsideron bota e qytetëruar, pra vend pune me sigurime. Sigurisht, brenda kësaj shifre ka vende pune të krijuara rishtas dhe vende pune të formalizuara. Por për ne janë vende të reja të regjistruara pune, sepse janë kontribute të reja qoftë shoqërore, qoftë tatimore në arkën e shtetit.

Kjo është një statistikë që e kemi sot të vështirë ta bëjmë siç kemi edhe një serë statistikash të tjera që po punohet për të qenë shumë më të detajuara dhe shumë më të shpejta në kohë reale. Përshembull statistika e sigurimeve është çdo gjashtë muaj. Ne po përpiqemi që të jetë çdo tre muaj. Ndërkohë që për këtë arsye i kemi dhe të fragmentuara. Përshembull ajo shifra që ju thashë prej 14 mijë e ca është shifra që vjen prej Institutit të Sigurimeve Shoqërore drejtpërdrejt nga zyrat e punës. Ndërkohë që shifra tjetër vjen nga tatimet, por nuk ka akoma shifra të rakorduara, pasi dhe Instituti i Statistikës, ju e dini si punonte.

 

Ka kaluar gati një vit nga maxhoranca. Si vlerësohet ky vit në lidhje me nismat që kanë kaluar në parlament dhe si do të jetë bashkëpunimi brenda maxhorancës për zgjedhjet e ardhshme vendore?

Besoj se nuk ka as më të voglin dyshim se maxhoranca funksionon shumë mirë. Bashkëdrejtimi i Aleancës funksionon shumë mirë. Bashkërendimi i Aleancës funksionon shumë mirë. Sigurisht që, shumë mirë është maksimumi që mund të kërkohet në një botë ku nuk ka asgjë perfekt, se asnjëherë nuk mund të pretendojmë që të ketë perfeksion, por pa as më të voglin dyshim nuk kam asnjë arsye që të mendoj se zgjedhjet vendore nuk do të jenë një triumf i “Aleancës për Shqipërinë Europiane”. Jo fitore, triumf.

 

Kisha një pyetje për  politikën e jashtme, lidhur Bosnje Hercegovinën. Siç dihet, para disa javësh ministri i jashtëm i Bosnje-Hercegovinës anuloi vizitën e tij zyrtare në Shqipëri. Do të doja të dija  në lidhje me marrëdhëniet ekonomike dhe politike me Bosnje Hercegovinën. Çfarë keni në planet tuaja për zhvillimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve?

Ka zëra  ditët e fundit për takimin në Gjermani që në kontekstin e përfaqësimit të Ballkanit nga ana juaj, zoti kryeministër, ka zëra kundër, sipas raportimeve ndërkombëtare. Çfarë do të thonit për këtë.

Përsa i përket marrëdhënieve me Bosnje-Hercegovinën, ditën e hënë, do të jetë edhe Kryeministri i Bosnjës në takimin informal që do të bëjmë për të rakorduar disa pozicione në Konferencën e Berlinit, kështu që nuk shoh asnjë problem.

Përsa i përket atyre që janë thenë për Konferencën mund të them që jam shumë i privilegjuar që do të më jepet mundësia që në fund të Konferencës të flas së bashku me Kancelaren dhe Presidentin e KE dhe për më tepër besoj që rëndësi ka ajo që do të tregojë koha si rezultat i konferencës dhe jo formati.

Synimi im është që nga Konferenca të gjenerohet një proces. Në qoftë se nga Konferenca do të arrijmë të gjenerojmë një proces, do të jetë një rrugë e re që hapet, ndër disa rrugë kryesore për zhvillimin e vendit dhe të rajonit si i tërë. Në qoftë se Konferenca do të mbetet vetëm si një shprehje e vullnetit të mirë të palëve në pritje të konferencës tjetër pas një viti, atëherë sigurisht që ky nuk do të jetë maksimumi. Gjithë fokusi ynë do të jetë që të gjenerojë proces. Gjithë përpjekja ime që unë do të bëj dhe që Ministri i Jashtëm do të bëjë para, gjatë dhe pas Konferencës, do të jetë që të gjenerojë proces. Shpresoj që marrëdhënia e posaçme me Kancelaren do të krijojë kushte që të ndërtojmë proces, duke qenë ne në gjendje që t’i qëndrojmë një nga një, angazhimeve tona si vend dhe si qeveri. E para, drejtësia. E kam thënë disa herë dhe do  ta mbyll këtë bashkëbisedim, duke risjellë përsëri në vëmendje të publikut atë moment kur unë kuptova instinktivisht se Gjermania dhe Kancelarja do të thoshte “PO” për statusin, çka sigurisht u tha më pas. Sepse edhe në fund të takimit të Berlinit ne nuk morëm “Po”-në. Ne morëm vetëm nxitjen që të vazhdojmë në rrugën që kemi nisur.

Ishte momenti kur Kancelarja më pa në sy dhe më tha: “Dakord, t’i lëmë të gjitha arsyet dhe ju e meritoni statusin dhe t’i marrim të mirëqena. Më thuaj me të njëjtën ndershmëri dhe të njëjtën këmbëngulje, a mund të jetë Shqipëria, vend i BE nëse ka këtë sistem drejtësie?” Sigurisht që “Jo”-ja ishte e lehtë për t’u thënë, por ka qenë një nga rastet që do ta mbaj mend në jetën time politike që më ka ardhur turp kur më është dashur të flas për vendin që i krijon vetes këtë kosto, për shkak të bandave të veshura me petkun e pushtetit gjyqësor.

Ndërkohë që, ky është një kusht që do të shkojë duke u bërë gjithnjë e më i fortë. Ndërkohë që kjo është një kambanë që do shkojë duke rënë gjithnjë e më fort në veshët e shqiptarëve. Ndërkohë që gjithë bota dhe gjithë populli shqiptar, në masë, socialistë dhe demokratë, thonë që duhet përmbysur ky sistem drejtësie, ne duhet të dëgjojmë argumentet e PD me gojën e Presidentit që janë thjesht dhe vetëm inercia e rrënimit të sistemit tonë të drejtësisë. Kjo është e papranueshme. Ne kemi qenë, jemi dhe do të mbetemi të interesuar dhe të motivuar që të bashkëpunojmë me të gjithë faktorët dhe sigurisht me Presidentin. Nëse ne jemi drejtuar në mënyrë të vazhdueshme Presidentit, nëse ministri i brendshëm i është drejtuar në mënyrë të vazhdueshme Presidentit me raste flagrante krimesh të bëra përmes çekiçit të gjykatësit, kjo nuk ka qenë për ta vënë Presidentin në pozitë të vështirë, por ka qenë për ta alarmuar Presidentin që të marri përsipër përgjegjësinë  e tij në krye të atij Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe të ngrejë zërin jo kundër qeverisë, por të ngrejë zërin kundër inercisë.

E nëse e ka kaq të lehtë të flasë për të sulmuar Qeverinë, duhet të gjejë forcën që me po këtë lehtësi që të sulmojë ashtu sikundër sulmon gjithë bota, gjithë Europa dhe çdo qytetar shqiptar, këtë sistem të korruptuar deri në palcë, këtë korporatë e cila i rri në qafë popullit shqiptar, i ri në qafë Shqipërisë dhe e pengon të shkojë shumë më shpejt në rrugën e zhvillimit.

Ky është thelbi me të cilin unë dua ta mbyll këtë bashkëbisedim duke ju falenderuar dhe duke shfrytëzuar disa minuta të tjera për të vazhduar ne vetë me ata që janë akoma të pakënaqur, në Twitter dhe në Facebook që është edhe vendi ideal për pakënaqësinë.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.