Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Rama vizitoi në fundjavë fshatrat e Bregut, Dhërmiun e Borshin, ku u takua e bisedoi me banorë e drejtues vendorë, por edhe ndoqi nga afër ecurinë e punës për pastrimin e sistemimin e zonave të plazhit.

Dhërmiu ishte pikëtakimi i parë i Kryeministrit me kampin e vullnetarëve, fryt i programit të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, për plazhe të pastra, një bashkëpunim mes Forcave të Armatosura, vullnetarëve, si dhe pjesëtarëve të tjerë të shoqërisë civile.

Duke vlerësuar kontributin e tyre dhe përgjegjshmërinë e lartë qytetare, Kryeministri theksoi se falë punës kolosale që është bërë në këtë drejtim, këtë vit bregdeti është shumë më i pastër krahasuar me vitet paraardhëse.

Në takimin me banorët e Dhërmiut e drejtuesit lokalë, Kryeministri ndau me ta, të rejat më të fundit mbi projektet e qeverisë për zhvillimin e zonës e të turizmit, si dhe diskutoi me banorët  çështje të ndryshme të rendit, të pronave, ndërtimeve në bregdet, etj. Kryeministri bëri të ditur për banorët se nё shtator çelet dhe konkursi ndërkombëtar për bregun e Himarës së Re dhe për rehabilitimin e fshatrave të saj te mrekullueshëm.

Kryeministri tha se Projekti RAB (Rehabilitimi arkitekturor i fshatrave tё Bregut- Himarë) është një bazë për programin e ri të zhvillimit ekonomik të Himarës së rilindur nga ndarja e re territoriale. Më  pas, Kryeministri Rama vijoi  vizitën në fshatin turistik të Borshit, hyrja në plazhin e të cilit do të bëhet tashmë nëpërmjet  rrugës së re të saporikonstruktuar  “Qazim Pali”.  Ky segment rrugor, me gjatësi 2 km që lidh rrugën nacionale Sarandë-Vlorë me Plazhin e Borshit, është një investim me vlerë mbi 100 milion lekë, i rehabilituar në kuadër të Projektit “Përmirësimi i Rrugëve Dytësore dhe Lokale”, me financim të Qeverisë Shqiptare dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar.
Rruga e re ka përmirësuar ndjeshëm kushtet e lëvizjes, jo vetëm për banorët e fshatrave Qazim Pali e Borsh por edhe për turistët e shumtë, vendas e të huaj, që frekuentojnë Plazhin e Borshit, duke e bërë edhe më tërheqës këtë plazh dhe duke ndikuar në shtimin e të ardhurave të bizneseve të vogla familjare që ofrojnë shërbime në këtë plazh.

Në takimin me banorë të Borshit, Kryeministri u ndal në efektet që ndarja e re territoriale do të ketë për komunitetet. Kryeministri Rama theksoi se ndarja territoriale do të krijojë mundësitë që të trajtohen pas kaq shumë vitesh, problemet e mëdha me ujërat, duke transformuar të gjithë sistemin e administrimit të ujit në Shqipëri, i cili, siç u shpreh Kryeministri “Deri më sot ka rezultuar tërësisht i falimentuar, me pasoja të tmerrshme për komunitete të tëra dhe për zona si kjo, që në vend që të ishin zona ku cilësia e ujit të ishte një nga arsyet  për t’u krenuar dhe për të promovuar zonën, është një nga arsyet për të ulur kokën, sepse e dimë fare mirë se çfarë problemesh ka këtu me ujërat e ndotur, ashtu sikundër sa probleme të mëdha ka me ujin e pijshëm.” Gjithashtu, kalimi nga një numër shumë i madh njësish vendore, në rang republike, në një numër të kufizuar, nënvizoi Kryeministri, jep mundësi që sisteme të integruara të trajtimit të mbeturinave të jenë shumë më efikase.
Kryeministri siguroi se investimet e shumta të qeverisë, të cilat po përgatiten të vihen në zbatim në këtë zonë, si në rrjetin e furnizimit me energji të zonës apo në sistemin e ujësjellës kanalizimeve, do të zgjidhin përfundimisht një situatë tejet problematike të trashëguar në vite.
“Kemi gati dhe jo gati me fjalë, por ka filluar realizimi i projektit të rehabilitimit të rrjetit të furnizimit me energji të gjithë zonës. Janë dy nënstacione të reja që do të ndërtohen dhe financimi për to është garantuar dhe kështu besojmë që zgjidhim përfundimisht problemin  e madh që hasni ju dhe gjatë sezonit turistik, të gjithë strukturat hoteliere, të nivelit shumë të ulët të tensionit,” u shpreh Kryeministri. Kryeministri tha se numri i investimeve tё vendosura në dispozicion të kësaj zone, nuk është bërë për shumë vite të marra së bashku dhe se realizimi me sukses i tyre, do të sjellë ndryshime të dukshme, nga viti në vit. “Besojmë shumë që vitin e ardhëm do të kemi mundësi të flasim për më shumë gjëra dhe do të kemi vënë në vijë më shumë investime. Edhe thjesht, këtë vit kemi vendosur në dispozicion të zonës një sasi investimesh të atillë që nuk është bërë në shumë vite të marra së bashku, duke përfshirë investimet në rrjetin elektroenergjitik, duke përfshirë investimet për rrugën ku jemi këtu, por edhe për unazën e re të Himarës, por edhe për rrugën e re që do të lidhë Kuçin me bregdetin, por edhe për modelin e parë të zhvillimit të ri urban të shëtitores së Qeparoit që fillon, besoj, në fund të këtij muaji dhe vitin e ardhshëm do të shkojmë më tutje, me më shumë besoj,” – u shpreh Kryeministri. Teksa vlerësoi panoramën e shndërruar të bregdetit këtë vit, Kryeministri bëri të njohur për banorët projektin e ri për rehabilitimin arkitekturor tё fshatrave të bregut. “Kemi një bregdet shumë më të pastër, këtë na e thonë të gjithë, krahasuar me vitet e kaluara dhe me vitin e kaluar, por ky është vetëm fillimi. E më e rëndësishme është sigurisht, ajo që përmendi edhe drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, edhe zëvendësministri i Zhvillimit Urban, që lidhet me këtë projekt të integruar jo vetëm urban, por edhe ekonomik dhe social, që ne kemi vënë në lëvizje, që do të harmonizohen edhe me rezultate që do të marrim nga konkursi  ndërkombëtar, që do ta çelim në shtator, për vijën bregdetare të Bashkisë së re të Himarës,” – u shpreh Kryeministri.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit  ka identifikuar rreth 160 projekte rehabilituese nё infrastrukturë, ku përfshihen ujësjellës dhe rrugë, që ndikojnë drejtpërdrejtë nё zhvillimin e turizmit, si dhe nё rikonstruksione tё trashëgimisë kulturore dhe tё gjitha burimet e interesit turistik dhe zhvillimor tё zonës.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.