Në vitin e ri shkollor nis programi “Sporti në shkolla”, një platformë e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për të fuqizuar komponentit e edukimit fizik në kurrikulën mësimore. Në prag të nisjes së programit, Kryeministri Edi Rama ndoqi në Pallatin e Sportin, një sesion trajnimi të mësuesve të edukimit fizik të qytetit të Vlorës.
Duke sjellë në vëmendje se vetëm 4% e shqiptarëve merren me aktivitet fizik, ndër nivelet më të ulëta në Europë, Kryeministri theksoi se është koha e përmbysjen e këtij raporti dhe ky program synon edukimin, veçanërisht tek të rinjtë, të kulturës fizike.
“Në fillim të vitit të ri shkollor, ne do të nisin programin e madh “Sporti në shkollë”, që do të thotë se na duhet ta fillojmë nga përgatitja e mësuesve të edukimit fizik dhe nga marrja në punë e një numri të ri dhe të konsiderueshëm mësuesish, që të jenë të aftë të përballojnë kërkesat e platformës së sportit në shkollë. Dhe, këtu në Vlorë është kënaqësi që jam për të ndjekur një sesion të trajnimit. Janë vetëm fillimet. Do të jetë një fillim i vështirë, por i domosdoshëm. Të mos harrojmë që jemi vendi i vetëm në Europë dhe me distancë nga vendi i parafundit, për lëvizje fizike të popullatës. Nga një matje e bërë në shkallë kontinenti, vetëm 4% bënin ushtrime fizike, ndërkohë që në Finlandë, ku treçereku i vitit është errësirë, 92% bëjnë ushtrime fizike,” – u shpreh Kryeministri.
Për Kryeministrin Rama, aktiviteti fizik lidhet me cilësinë e kohës, shëndetit dhe të jetesës, ndërsa nënvizoi se shoqëria shqiptare duhet të merret seriozisht me disa probleme që kanë lidhje me mosushtrimin.
“Ushtrimet fizike nuk janë qëllim në vetvete, por kanë të bëjnë me gjithë strukturën e shëndetit publik në një shoqëri dhe me gjithë garancitë që sistemet japin, në funksion të mirërritjes, mirëqenies shoqërore dhe shëndetit. Është e provuar që një euro e investuar në sport dhe edukim fizik është baraz me tre euro të shpenzuara në shëndetësi. Rritja në masë e sëmundjeve tumorale, kancerogjene lidhet edhe me mosushtrimin. Ashtu sikundër sot, fatkeqësisht, në rang Europe kemi popullsinë me masën më të madhe të mbipeshës, afro 50%, ndërkohë që 25% e popullsisë janë në kushte obeziteti. Këto janë shifra alarmante, skandaloze, janë shifra për një shoqëri thellësisht të prapambetur, por janë shifra që mund të përmbysen duke filluar nga shkolla. Të mos harrojmë që sporti për të gjithë, sporti në shkolla është një ndihmë shumë e madhe që ju jepet prindërve, në funksion të largimit të fëmijëve nga rruga e shumë alternativave të tjera të dëmshme,” – u shpreh Kryeministri, ndërsa nënvizoi se një shoqëri që vrapon dhe kujdeset për shëndetin e saj, rrit gjithashtu, cilësinë e jetesës së përbashkët.