Deklaratë për shtyp e zëvendëskryeministrit Niko Peleshi:
Sot, Qeveria shqiptare mori dy vendime të rëndësishme që i japin fund situatës së turpshme të lulëzimit të piramidave financiare në arsim dhe tregut të diplomave false në Shqipëri dhe hapin rrugën për një arsim cilësor në vendin tonë, me universitete reale e diploma reale.
Vendime këto që vijnë si rezultat i gjetjeve të raportit të verifikimit të kritereve për ligjshmërinë në universitetet publike dhe jo publike, pas një procesi disa mujor verifikimi, kryer me integritet nga Ministria e Arsimit dhe Sportit. Gjetje, të cilat janë bazuar ekskluzivisht vetëm mbi legjislacionin në fuqi.
Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e sotme vendimin për heqjen e licencës disa institucioneve private të Arsimit të Lartë si më poshtë vijon:
1. SHLUP “Vitrina” |
2. SHLUJ “Universiteti Kristal” |
3. SHLUJ “Justiniani I” |
4. Akademia e Ndërtimit, Tiranë |
5. SHLP “Universiteti Elite” |
6. IPAL Shkolla e Lartë “Illyria” |
7. Akademia e Studimeve të Aplikuara, Durrës |
8. SHLP “Universiteti Planetar i Tiranës” |
9. Akademia Pedagogjike, Tiranë |
10. IALP Shkolla e Lartë “Nëna Mbretëreshë Geraldinë” |
11. IPAL “Kolegji profesional i sporteve, Fier” |
12. Kolegj profesional “Argent”, Shkodër |
13. IALP “Shkolla e Lartë Amerikane e Tiranës” |
14. Shkolla e Lartë Private e Edukimit |
15. Kolegjet Profesionale, private “Medicom” |
16. IP “Shkolla e Lartë Ndërkombëtare e Tiranës” |
17. SHPAL “Gjon Buzuku”, Shkodër |
18. SHLUJ “Medikadent” |
Gjithashtu, Këshilli i Ministrave, në mbledhjen e sotme miratoi vendimin për pezullimin e veprimtarisë dhe marrjen e masave konkrete për disa institucione private të Arsimit të Lartë si vijon:
1. Universiteti “Aldent” |
2. SHLP “Hëna e plotë” (Bedër) |
3. Kolegji Profesional privat “New Generation” |
4. SHLP “Logos” |
5. SHLUP “Instituti Kanadez i Teknologjisë” |
6. Kolegji Profesional “Ivoclar Vivadent & Partners” |
7. SHLAP “Pavarësia” Vlorë |
8. Akademia Profesionale e Biznesit |
9. IPAL “ISSAT” |
10. ShLUJ “Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi” |
11. SHLUJ “Justicia” |
12. SHLUP “Wisdom University” |
13. Universiteti privat “Albanian University” |
Leximi nga unë si Zëvendëskryeministër i këtij vendimi, që do të duhej normalisht të prezantohej nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Zonja Nikolla, duhet të merret si shenjë e një vendosmërie dhe vullneti të palëkundur të gjithë Qeverisë shqiptare dhe të Kryeministrit të Shqipërisë, zotit Edi Rama, për të çuar deri në fund, reformën e sapofilluar të arsimit dhe të revolucionit transformues të Arsimit të Lartë, i cili drejtohet nga Ministrja Nikolla.
Faqja e re qe po çelet në sigurimin e ligjshmërisë së institucioneve të Arsimit të Lartë do të shkruhet deri në fund, me transparencë të plotë, përgjegjësi kombëtare dhe vendosmëri ligjore e profesionale.
Ligji do të veprojë pa asnjë tolerancë dhe organet e ligjshmërisë do të duhet të veprojnë për çuarjen para drejtësisë të të gjithë mashtruesve publikë, të cilët nëpërmjet kësaj skeme piramidale kanë grabitur për vite me radhë, paratë e familjeve tona.
Studentet e universiteteve që do të mbyllen do të kenë natyrisht, një mundësi të dytë që do të jepet nga Qeveria shqiptare, nëpërmjet Ministrisë së Arsimit e Sportit, në institucione të tjera të Arsimit të Lartë.
Ju faleminderit.