Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 9 Prill 2024:
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E NDËRTIMIT TË CENTRALIT GJENERUES TË ENERGJISË ELEKTRIKE FOTOVOLTAIKE DHE VEPRAVE NDIHMËSE, I CILI NUK ËSHTË OBJEKT KONCESIONI, NË ZONËN KADASTRALE NR.8517, BASHKIA DURRËS, QARKU DURRËS, NGA SHOQËRIA “DESLA”, SH.P.K.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 49, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e ndërtimit të centralit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, në zonën kadastrale nr.8517, Bashkia Durrës, Qarku Durrës, nga shoqëria “DESLA”, sh.p.k., me elementet, si më poshtë vijon:
a) Emri i aplikuesit: Shoqëria “DESLA”, sh.p.k.;
b) NIPT/NUIS: K81806506O;
c) Tipi i centralit: Fotovoltaik;
ç) Kapaciteti i instaluar: 3 MW;
d) Afati i pritshëm i vënies në punë dhe pajisja me leje ndërtimi: Koha për ndërtimin, pajisjen me lejen e ndërtimit dhe vënien në operim të impiantit fotovoltaik do të jetë brenda 36 (tridhjetë e gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
dh) Vendndodhja e burimit gjenerues të energjisë: Në zonën kadastrale nr.8517, Bashkia Durrës, Qarku Durrës;
e) Afati i operimit: 49 (dyzet e nëntë) vjet nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
ë) Koordinatat e tokës sipas aneksit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
f) Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore kanë të drejtë të ushtrojnë mbikëqyrje të përgjithshme me afate 3-mujore gjatë realizimit, vënies në punë dhe operimit, me synim që të verifikojnë se ecuria e punimeve, cilësia, konformiteti dhe operimi janë në përputhje me programin e përgjithshëm të realizimit dhe të dokumentacionit të projektit;
g) E drejta për ndërtimin e burimit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, në zonën kadastrale nr.8517, Bashkia Durrës, Qarku Durrës, e dhënë sipas këtyre rregullave, mund të transferohet te një subjekt i tretë, vetëm me miratimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë;
gj) Shoqëria “DESLA”, sh.p.k., ka detyrimin që:
i. të paraqesë periodikisht (çdo tre muaj) pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore informacion për ecurinë e ndërtimit të centralit fotovoltaik;
ii. të respektojë kushtet e cituara në lejet, licencat dhe autorizimet paraprake mjedisore, lëshuar nga institucionet përgjegjëse kombëtare;
iii. të dorëzojë sigurimin e kontratës, në masën jo më pak se 5% të vlerës së investimit, përpara nënshkrimit të kontratës, ndërmjet shoqërisë “DESLA”, sh.p.k., dhe ministrisë. Në këtë kontratë përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e palëve për realizimin e këtij projekti, penalitetet, në rast mosrealizimi, si dhe çështje të tjera që lidhen me zbatimin e saj;
iv. t’i japë falas, në formë royalty, ministrisë përgjegjëse për energjinë sasinë e energjisë elektrike, në masën 2 (dy) % të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose konvertimin e saj në vlerë monetare. Në rast konvertimi në vlerë monetare, shuma duhet të derdhet tërësisht në buxhetin e shtetit;
v. të përmbushë kërkesën, sipas rastit, që një pjesë e prodhimit të burimit gjenerues të energjisë t’i shitet furnizuesit publik, sipas legjislacionit në fuqi.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe shoqëria “DESLA”, sh.p.k., për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E GARANCISË SHTETËRORE TË HUAS ME BANKAT TREGTARE PËR GARANTIMIN E HUAMARRJES SË SUBJEKTEVE TË INDUSTRISË PËRPUNUESE, KATEGORIA “NACE 2”, PËR INVESTIME NË TEKNOLOGJI DHE INOVACION, PËR BLERJE TË LËNDËS SË PARË, SI DHE PËR PËRCAKTIMIN E KUSHTEVE E TË KRITEREVE TË MARRËVESHJES SË GARANCISË DHE MARRËVESHJES SË MIRËKUPTIMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 3 e 38, të ligjit nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huas në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 57, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr.97/2023, “Për buxhetin e vitit 2024”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.55/2023, “Për menaxhimin e garancive dhe kredive shtetërore të pakthyera”, me propozimin e ministrit të Financave dhe të ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e linjës së garancisë shtetërore, në vlerën 4 000 000 000 (katër miliardë) lekë, në favor të bankave tregtare, që ushtrojnë aktivitetin e tyre në territorin e Republikës së Shqipërisë, të cilat do të jenë pjesë e skemës së garancisë, që do të mundësojë huadhënien ndaj subjekteve të industrisë përpunuese, kategoria “nace 2”, për investime në teknologji dhe inovacion, si dhe për blerje të lëndës së parë.
2. Linja e garancisë shtetërore do të lëshohet në favor të bankave tregtare, si më poshtë vijon:
– Banka “Raiffeisen”, sh.a.;
– Banka e Bashkuar e Shqipërisë, sh.a.;
– Banka Kombëtare Tregtare, sh.a.;
– Banka “Tirana”, sh.a.;
– Banka “Intesa Sanpaolo Albania”, sh.a.;
– Banka “Procredit”, sh.a.;
– Banka Amerikane e Investimeve, sh.a.;
– Banka e Parë e Investimeve, Albania, sh.a.;
– Banka “Credins”, sh.a.;
– Banka “OTP Albania”, sh.a.;
– Banka “Union”, sh.a.
Ministri i Financave mundëson përcaktimin e shumave të garancisë shtetërore, që lëshohet në favor të secilës bankë tregtare, nëpërmjet marrëveshjeve të veçanta të garancisë, që do të lidhen me secilën prej bankave.
3. Marrëveshjet e garancisë janë sipas kushteve dhe kritereve të marrëveshjes tip, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
4. Ministri i Financave mundëson, nëse rezulton e nevojshme, rialokimin e shumës së garancisë nga huadhënësi që nuk e ka ezauruar shumën e garancisë në favor të tij te huadhënësi, që e ka ezauruar atë plotësisht, duke ndryshuar për këtë qëllim edhe marrëveshjet e lidhura/të nënshkruara të garancisë.
5. Autorizohet ministri i Financave për nënshkrimin e marrëveshjeve të garancisë me secilën nga bankat tregtare, të përcaktuara në pikën 2, të këtij vendimi.
6. Marrëveshja e mirëkuptimit, e cila nënshkruhet nga huamarrësi, përmban kushtet dhe kriteret sipas marrëveshjes tip të integruar si aneks në marrëveshjen tip, të përcaktuar në pikën 3 të këtij vendimi.
7. Ministria e Financave mund të kërkojë këshillim/asistencë nga Banka e Shqipërisë gjatë implementimit të marrëveshjeve të garancisë. Ky bashkëpunim mund të rregullohet edhe nëpërmjet një memorandumi bashkëpunimi.
8. Ngarkohet Agjencia për Menaxhimin e Garancive dhe Kredive të Pakthyera për ndjekjen dhe administrimin e kësaj skeme garancie, në përputhje me parashikimet e ligjit nr.55/2023, “Për menaxhimin e garancive dhe kredive shtetërore të pakthyera”.
9. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për ndjekjen e procedurave të nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN TE BASHKITË KAVAJË DHE RROGOZHINË TË NJËSIVE INDIVIDUALE TË BANIMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 21, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin te bashkitë Kavajë dhe Rrogozhinë të 112 (njëqind e dymbëdhjetë) njësive individuale të banimit, përkatësisht, sipas listave të inventarit, që i bashkëlidhen këtij vendimi, detajuar, si më poshtë vijon:
a) Bashkia Kavajë 14 (katërmbëdhjetë) njësi individuale banimi;
b) Bashkia Rrogozhinë 98 (nëntëdhjetë e tetë) njësi individuale banimi.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe bashkitë Kavajë dhe Rrogozhinë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË AZERBAJXHANIT, PËR PËRJASHTIMIN E NDËRSJELLË TË KËRKESËS PËR VIZË PËR MBAJTËSIT E PASAPORTAVE TË ZAKONSHME
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Azerbajxhanit, për përjashtimin e ndërsjellë të kërkesës për vizë për mbajtësit e pasaportave të zakonshme, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDËRQEVERITARE, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË FRANCËS, PËR KONTRIBUTIN NË ZBATIMIN E PROJEKTEVE PRIORITARE NË SHQIPËRI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndërqeveritare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Francës, për kontributin në zbatimin e projekteve prioritare në Shqipëri, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE KABINETIT TË MINISTRAVE TË UKRAINËS, PËR PUNËSIMIN FITIMPRURËS TË ANËTARËVE TË FAMILJES SË ANËTARËVE TË MISIONEVE DIPLOMATIKE OSE POSTEVE KONSULLORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kabinetit të Ministrave të Ukrainës, për punësimin fitimprurës të anëtarëve të familjes së anëtarëve të misioneve diplomatike ose posteve konsullore, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
METODOLOGJINË E LLOGARITJES SË FONDEVE PËR FINANCIMIN E SHËRBIMEVE TË KUJDESIT SHOQËROR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 48, të ligjit nr.121/2016, “Për shërbimet e kujdesit shoqëror në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Ky vendim ka për qëllim përcaktimin e metodologjisë së llogaritjes së fondeve të financimit të shërbimeve të kujdesit shoqëror dhe procedurën që do të ndiqet nga njësitë e vetëqeverisjes vendore.
2. Procesi i realizimit të procedurave të financimit nga buxheti i shtetit të shërbimeve të kujdesit shoqëror, në nivel vendor, kryhet në kuadrin e fondit social, përfshirë financimin e shërbimeve të specializuara komunitare, të këshillimit me telefon ose on-line, të ofruara në nivel qarku, sipas përcaktimeve të bëra në pikat 6 e 7, të nenit 3, të ligjit nr.121/2016, “Për shërbimet e kujdesit shoqëror në Republikën e Shqipërisë”.
3. Ministria përgjegjëse për çështjet sociale, duke u bazuar në planet sociale vendore të kostuara dhe në prioritetet kombëtare për shtrirjen e shërbimeve të kujdesit shoqëror, parashikon në buxhetin e saj fondin e nevojshëm për financimin e tyre në formën e transfertave të kushtëzuara, në kuadër të programit buxhetor afatmesëm, të cilat i transferohen pushtetit vendor, ku funksionojnë/do të funksionojnë këto shërbime.
II. PROCEDURAT E PËRZGJEDHJES DHE LLOGARITJES SË FINANCIMIT TË SHËRBIMEVE TË KUJDESIT SHOQËROR
4. Drejtoria përgjegjëse për shërbimet e kujdesit shoqëror pranë njësive të vetëqeverisjes vendore mbledh dhe analizon:
a) të dhënat demografike bazë;
b) profilin dhe karakteristikat e kategorive në nevojë për shërbime të kujdesit shoqëror, të ndara sipas gjinisë, moshës, aftësisë së kufizuar, origjinës etnike dhe/ose kategorive të tjera në nevojë;
c) listën e shërbimeve ekzistuese dhe shpërndarjen e tyre në territorin e bashkisë ose në qarkun, ku bën pjesë bashkia përkatëse;
ç) numrin e përfituesve nga shërbimet e kujdesit shoqëror, të ndara sipas gjinisë;
d) financimin e shërbimeve aktuale;
dh) të dhënat për strukturat që mbështesin apo ofrojnë shërbime të kujdesit shoqëror, të ngritura në njësitë e vetëqeverisjes vendore, në përputhje me ligjin;
e) të dhëna krahasuese për buxhetin e njësisë së vetëqeverisjes vendore për shërbimet e kujdesit shoqëror dhe shpërndarja e tij në territor;
ë) nevojat për shërbime shoqërore të munguara në territor.
5. Mbi bazën e të dhënave të mbledhura dhe të analizuara në pikën 4, të këtij vendimi, struktura përgjegjëse e shërbimeve të kujdesit shoqëror në njësitë e vetëqeverisjes vendore harton raportin e nevojave për shërbime të kujdesit shoqëror, si dhe planin social vendor për periudhën trivjeçare.
6. Plani social vendor përfshin:
a) qëllimet specifike;
b) objektivat;
c) aktivitetet/ shërbimet e përkujdesjes shoqërore, që ofrohen në territor;
ç) aktorët përgjegjës/njësitë zbatuese për secilin aktivitet;
d) afatet e zbatimit për çdo shërbim;
dh) treguesit që mundësojnë matjen e realizimit me sukses të aktivitetit/shërbimit;
e) referencat ligjore, ku e ka bazën aktiviteti specifik i parashikuar;
ë) financimin e aktivitetit/shërbimit që specifikon burimin që e mbështet (buxheti i bashkisë/buxheti kombëtar/donatorë);
f) metodologjinë e monitorimit dhe njësinë e ngarkuar me monitorimin e zbatimit të aktivitetit dhe treguesit e matjes së performancës së shërbimeve të kujdesit shoqëror;
g) kostimin/koston për secilin prej aktiviteteve të përfshira në planin social vendor.
7. Struktura përgjegjëse për shërbimet e kujdesit shoqëror në njësitë e vetëqeverisjes vendore bashkërendon planet sociale vendore bashkiake trevjeçare të njësive administrative në territorin e saj dhe planet sociale vendore rajonale me planet vendore bashkiake. Kur vlerëson që ekzistojnë kushtet që një apo disa shërbime, që përmbushin nevojat e dy apo më shumë njësive administrative apo dy apo më shumë bashkive, kryen përllogaritjen e kostos së aktiviteteve dhe ia paraqet për miratim këshillit bashkiak/të qarkut, pas konsultimit të tij me Drejtorinë Rajonale të Shërbimit Social Shtetëror.
8. Plani social vendor i çdo njësie të vetëqeverisjes vendore përfshin shërbimet shoqërore ekzistuese dhe shërbimet e reja, të kostuara sipas standardeve të miratuara nga ministria përgjegjëse për çështjet sociale, si dhe burimet përkatëse të financimit të tyre.
9. Kostoja e çdo shërbimi indeksohet çdo vit, në bazë të inflacionit zyrtar të llogaritur nga Instituti i Statistikave. Vlera e ndryshuar nga indeksimi mbulohet nga njësitë e vetëqeverisjes vendore.
10. Njësitë e vetëqeverisjes vendore, bazuar në planet sociale vendore bashkiake dhe rajonale, përgatisin kërkesat për financim të fondit social, të miratuara nga këshillat bashkiakë/të qarkut, nga buxheti i shtetit i vitit të ardhshëm, në kuadër të programit buxhetor afatmesëm, të cilat i dërgohen ministrisë përgjegjëse për çështjet sociale, brenda muajit mars të çdo viti.
11. Kërkesat për financim, në nivel bashkie, shtrihen për një periudhë trivjeçare. Kërkesat, sipas formatit të miratuar nga komisioni i vlerësimit të kërkesave për financim përmbajnë të dhëna për qëllimin dhe lidhjen me planin social vendor, objektivat specifikë, veprimtaritë, përfituesit e drejtpërdrejtë dhe të tërthortë, të ndarë sipas gjinisë, buxhetin, rezultatet e synuara.
12. Në rastet të veçanta, kërkesa e financimit për shërbimet që mbulojnë nevojat e disa bashkive, paraqitet si kërkesë e përbashkët e këtyre bashkive, e miratuar nga këshillat bashkiakë përkatës dhe e shoqëruar nga një marrëveshje e përbashkët, ku të përcaktohet në mënyrë të qartë njësia e vetëqeverisjes vendore, që do të jetë drejtuese në zbatim të aktiviteteve.
13. Kërkesat për financim, në nivel qarku, shtrihen për një periudhë njëvjeçare. Kërkesat, sipas formatit të miratuar nga komisioni i vlerësimit të kërkesave për financim përmbajnë të dhëna për qëllimin dhe lidhjen me planin social rajonal, objektivat specifikë, veprimtaritë, përfituesit e drejtpërdrejtë dhe të tërthortë, të ndarë sipas gjinisë, buxhetin, rezultatet e synuara.
14. Këshilli i qarkut miraton kërkesën për financim nga buxheti i shtetit për ngritjen apo vazhdimësinë e shërbimeve, në nivel rajonal, për vitin pasardhës, të ofruara nga vetë qarku apo në marrëveshje bashkëpunimi me organizatat jofitimprurëse.
15. Në kuptim të këtij vendimi, kategoritë e shpenzimeve, që mbështeten nga fondi social për shërbimet e specializuara në nivel qarku, janë fondi për pagat dhe sigurimet shoqërore të stafeve sociale në qark, si edhe stafeve sociale të organizatave joqeveritare ofruese të shërbimit, sipas marrëveshjeve përkatëse dhe, rast pas rasti, fonde për shpenzime ushqimore për përfituesit, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi.
16. Ministri përgjegjës për çështjet sociale me urdhër përcakton ngritjen, përbërjen, procedurën e funksionimit të komisionit të vlerësimit të kërkesave për financim dhe sekretariatin teknik.
17. Komisioni, bazuar në kriteret e vendosura në pikën 22, të këtij vendimi, vlerëson kërkesat e ardhura dhe merr vendim për pranimin ose refuzimin e tyre, brenda muajit korrik të çdo viti.
18. Komisioni merr vendimin përfundimtar për miratimin e kërkesave për financim, brenda muajit tetor të çdo viti.
19. Pas miratimit të listës me propozimet fituese, njësitë e vetëqeverisjes vendore, brenda muajit dhjetor të çdo viti, lidhin marrëveshje me Shërbimin Social Shtetëror për financimin e kërkesës së miratuar, duke filluar nga janari i vitit pasardhës, sipas formatit të miratuar nga komisioni.
20. Fondi social i alokuar njësisë së vetëqeverisjes vendore për ngritjen e shërbimeve sociale nuk transferohet në programe të tjera buxhetore apo përdoret për financimin e aktiviteteve të ndryshme nga ato të përcaktuara në pikën 2, të këtij vendimi. Në të kundërt, nuk vijohet me financimin e shërbimit shoqëror për vitin pasardhës.
21. Njësitë e vetëqeverisjes vendore mbartin në buxhetin e vitit pasardhës mjetet financiare të fondit social të papërdorura në vitin fiskal ushtrimor, përjashtuar financimin nga buxheti i shtetit.
22. Njësia e vetëqeverisjes vendore raporton, çdo katër muaj, pranë drejtorive rajonale të Shërbimit Social Shtetëror, lidhur me ofrimin e shërbimeve të kujdesit shoqëror, financuar nga fondi social.
23. Kontrolli financiar për zbatimin e shërbimeve/aktiviteteve të financuara kryhet nga Shërbimi Social Shtetëror, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për çështjet sociale, nëpërmjet strukturave përgjegjëse, në përfundim të vitit të parë të zbatimit të marrëveshjes, sipas pikës 19, të këtij vendimi, dhe në vijim, në periudha 2-vjeçare.
24. Ministria përgjegjëse për çështjet sociale ngre grupe kontrolli ad hoc në rast ankesash apo dyshimesh për përdorim të të ardhurave nga buxheti i shtetit në mënyrë joefiçente, bazuar në gjetjet e monitorimeve dhe inspektimeve të kryera.
III. METODOLOGJIA E SHPËRNDARJES SË FONDEVE BUXHETORE
25. Shpërndarja e fondeve buxhetore për financimin e fondit social të njësive të vetëqeverisjes vendore kryhet nga ministria përgjegjëse për çështjet sociale, pas miratimit të kërkesave për propozim, të dërguara nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, duke u bazuar në:
a) kriterin e nevojës më të madhe për shërbime sociale;
b) impaktin dhe prioritetet e çdo njësie të qeverisjes vendore në ofrimin e këtyre shërbimeve, sipas planeve përkatëse sociale;
c) mundësitë e financimit nga buxheti i shtetit;
ç) shkallën e mbulimit të financimit të fondit social nga burime të tjera
nga buxheti i shtetit;
d) qëndrueshmërinë financiare të modelit të financimit të shërbimeve.
26. Ministria përgjegjëse për çështjet sociale për përcaktimin e kriterit të nevojës më të madhe për çdo njësi të vetëqeverisjes vendore, sipas shkronjës “a”, të pikës 22, të këtij vendimi, bazohet në të dhënat e disponueshme nga vetë institucioni, si dhe nga Instituti i Statistikave, njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe Shërbimi Social Shtetëror për parametrat e mëposhtëm:
a) Numrin e popullsisë (10 %);
b) Shkallën e papunësisë (15%);
c) Numrin e përfituesve të ndihmës ekonomike (15%);
ç) Numrin e personave me aftësi të kufizuar (20%);
d) Numrin e kërkesave për strehim social (10%);
dh) Numrin e shërbimeve sociale të ofruara (10%);
e) Numrin e përfituesve të shërbimeve sociale të ofruara (10%);
ë) Numrin e organizatave që ofrojnë shërbime sociale (5%);
f) Ofrimin e shërbimeve të reja, sipas shportës së miratuar të shërbimeve (5%).
27. Financimi i shërbimeve të përkujdesjes shoqërore nga buxheti i shtetit, nëpërmjet fondit social, do të mbështesë propozimet për krijimin e shërbimeve të reja, bazuar në planet sociale vendore të miratuara, duke garantuar qëndrueshmërinë e tyre në kohë dhe duke synuar reduktimin gradual të mbështetjes së tyre nga buxheti i shtetit.
28. Për të mundësuar vazhdimësinë e ofrimit të këtyre shërbimeve, krijimin e shërbimeve të tjera dhe shtrirjen e tyre në të gjithë territorin e vendit, financimi nga buxheti i shtetit do të mbështesë:
a) deri në 90% të kostos për vitin e parë të ofrimit të shërbimeve;
b) deri në 60% të kostos për vitin e dytë të ofrimit të shërbimeve;
c) 30% në vitet në vijim.
29. Përjashtim nga rregulli i përcaktuar në pikat 24 e 25, të këtij vendimi, bëjnë shërbimet e specializuara komunitare, si dhe shërbimi i këshillimit me telefon ose on-line, në nivel qarku. Shërbimet ofrohen nga vetë qarku dhe/ose organizatat jofitimprurëse, sipas marrëveshjes së bashkëpunimit të lidhur ndërmjet tyre.
30. Në kuptim të këtij vendimi, kategoritë e aktiviteteve/shpenzimeve që përjashtohen nga mbështetja financiare janë:
a) Pjesëmarrja në seminare, konferenca, kongrese;
b) Pjesëmarrja në programe studimore afatgjata;
c) Blerja e tokës, ndërtesës dhe zyrave;
ç) Investimet;
d) Shpenzimet e nevojshme për rindërtimin apo rehabilitimin;
dh) Shpenzimet për shërbimet që janë tashmë në zbatim ose përfunduar, nëpërmjet marrëveshjeve paraprake me donatorë.
IV. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
31. Deri në miratimin e standardeve të shërbimeve të përkujdesjes sociale, llogaritja e kostove për shërbime bëhet në bazë të standardeve ekzistuese apo, rast pas rasti, nëse për shërbimin nuk ekzistojnë standarde.
32. Ngarkohet ministria përgjegjëse për çështjet sociale të udhëzojë njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
33. Vendimi nr.150, datë 20.3.2019, i Këshillit të Ministrave, “Për metodologjinë e llogaritjes së fondeve për financimin e shërbimeve të kujdesit shoqëror”, shfuqizohet.
34. Ngarkohen ministria përgjegjëse për çështjet sociale, ministria përgjegjëse për financat, Shërbimi Social Shtetëror dhe strukturat përgjegjëse për shërbimet e kujdesit në njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.704, DATË 21.8.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KALIMIN NË PRONËSI, PA SHPËRBLIM, KOMUNITETIT MYSLIMAN TË SHQIPËRISË PËR INSTITUCIONIN E ARSIMIT TË LARTË NË PRONËSI TË TIJ, TË SIPËRFAQES PREJ 7 300 M2, NGA TRUALLI I PRONËS NR.185, ME EMËRTIM “BATALIONI I VËZHGIMIT AJROR SAUK”, TIRANË, DHE TË SIPËRFAQES PREJ 2300 M2, PJESË E PASURISË NR.69/1, NË ZONËN KADASTRALE 3266, ME EMËRTIM “QENDRA E FORMIMIT POLICOR SAUK”, TIRANË, NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË MINISTRISË SË ARSIMIT DHE SHKENCËS, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE NR.768, DATË 14.11.2007, “PËR NDRYSHIMIN E PËRGJEGJËSISË SË ADMINISTRIMIT TË PRONËS NR.185, “BATALIONI I VËZHGIMIT AJROR” (ISH-REPARTI USHTARAK 3332) SAUK, TIRANË, NGA MINISTRIA E MBROJTJES TE MINISTRIA E ARSIMIT DHE SHKENCËS”, DHE NR.333, DATË 25.4.2013, “PËR NDRYSHIMIN E PËRGJEGJËSISË SË ADMINISTRIMIT TË NJË PJESE TRUALLI TË PRONËS “QENDRA E FORMIMIT POLICOR SAUK”, TIRANË, NGA MINISTRIA E BRENDSHME TE MINISTRIA E ARSIMIT DHE SHKENCËS”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 4, pika 2, 10, 13 e 14, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe të shkronjës “ç”, të nenit 4, të ligjit nr.7980, datë 27.7.1995, “Për shitblerjen e trojeve”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.704, datë 21.8.2013, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Titulli i vendimit ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Për kalimin në pronësi, pa shpërblim, Komunitetit Mysliman të Shqipërisë për institucionin e arsimit të lartë në pronësi të tij të sipërfaqes prej 1 643.8 (një mijë e gjashtëqind e dyzet e tre pikë tetë) m2, nga pronat shtetërore të llojit “truall”, me nr.pasurie 2/380 dhe nr.pasurie 2/382, në zonën kadastrale 8330, me pronësi “shtet””.
b) Në pikën 1, fjalët “… të sipërfaqes së lirë prej 7 300 (shtatë mijë e treqind) m2, pjesë e pronës nr.185, me emërtim “Batalioni i vëzhgimit ajror” (ish-reparti ushtarak 3332) Sauk, Tiranë, dhe të sipërfaqes prej 2 300 (dy mijë e treqind) m2, pjesë e pasurisë nr.69/1, e ndodhur në zonën kadastrale 3266, me emërtim “Qendra e Formimit Policor Sauk”, Tiranë, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, për t’u përdorur për nevoja të këtij komuniteti, sipas planvendosjes që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.” zëvendësohen me “… të sipërfaqes së lirë prej 1 643.8 (një mijë e gjashtëqind e dyzet e tre pikë tetë) m2, nga pronat shtetërore e llojit “truall”, me nr.pasurie 2/380 dhe nr.pasurie 2/382, të ndodhura në zonën kadastrale 8330, Tiranë, me pronësi “shtet”, sipas kartelave të pasurisë dhe fragmenteve të hartës kadastrale, në shtojcën nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, për t’u përdorur për nevoja të këtij komuniteti.”.
c) Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Sipërfaqja e lirë prej 1 643.8 (një mijë e gjashtëqind e dyzet e tre pikë tetë) m2, e pronave shtetërore të llojit “truall”, me nr.pasurie 2/380 dhe nr.pasurie 2/382, të ndodhura në zonën kadastrale 8330, Tiranë, hiqet nga lista e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore.”.
ç) Në pikën 3, fjalët “… së sipërfaqes prej 7 300 (shtatë mijë e treqind) m2, pjesë e pronës nr.185, me emërtim “Batalioni i vëzhgimit ajror” (ish-reparti ushtarak 3332) Sauk, Tiranë, dhe të sipërfaqes prej 2 300 (dy mijë e treqind) m2, pjesë e pasurisë nr.69/1, e ndodhur në zonën kadastrale 3266, me emërtim “Qendra e Formimit Policor Sauk”, Tiranë, të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi.” zëvendësohen me “… së sipërfaqes prej 1 643.8 (një mijë e gjashtëqind e dyzet e tre pikë tetë) m2, të pronave shtetërore të llojit “truall”, me nr.pasurie 2/380 dhe nr.pasurie 2/382, të ndodhura në zonën kadastrale 8330, Tiranë, të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi.”.
d) Pas pikës 3 shtohet pika 3/1, me këtë përmbajtje:
“3/1. Sipërfaqja prej 7 300 (shtatë mijë e treqind) m2, pjesë e pronës nr.185, me emërtim “Batalioni i Vëzhgimit Ajror” (ish-reparti ushtarak 3332) Sauk, Tiranë, dhe sipërfaqja prej 2 300 (dy mijë e treqind) m2, pjesë e pasurisë nr.69/1, aktualisht e bashkuar në sipërfaqen prej 9 600 (nëntë mijë e gjashtëqind) m2, me nr.pasurie 174/144, e ndodhur në zonën kadastrale 3266, kalon pa shpërblim, në pronësi të Republikës Shqipërisë dhe në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, sipas kartelës së pasurisë dhe fragmenteve të hartës kadastrale, në shtojcën nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.”.
2. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.837, DATË 28.10.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PROCEDURAT, KRITERET DHE RREGULLAT PËR OFRIMIN E SHËRBIMEVE TË PUNËSIMIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 7, të ligjit nr.15/2019, “Për nxitjen e punësimit”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në kreun II, të vendimit nr.837, datë 28.10.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për procedurat, kriteret dhe rregullat për ofrimin e shërbimeve të punësimit”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Pikat 1 dhe 4 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“1. Struktura vendore e punësimit, pas kërkesës për regjistrim të punëkërkuesit nëpërmjet shërbimit në portalin “e-Albania”, duhet të sigurojë informacion lidhur me statusin social, përkatësinë sipas grupeve të veçanta, historikun e punësimit, si dhe të dhëna të tjera plotësuese, nëse është e nevojshme, nëpërmjet ndërveprimit me baza të tjera të dhënash shtetërore.”
…
“4. Nëpunësi i strukturës vendore të punësimit ofron shërbimet dhe programet përkatëse për punëkërkuesin e papunë, duke ndjekur qëllimet, aktivitetet dhe afatet e përcaktuara në planin individual të punësimit.
Afati i zbatimit të planit individual të punësimit për punëkërkuesit e papunë, që përfitojnë nga skema e garancisë rinore, nuk duhet të jetë më shumë se 4 muaj, ndërsa për të gjithë punëkërkuesit e tjerë plani mund të jetë deri në 12 muaj.
Për zbatimin e planit individual të punësimit, struktura rajonale dhe vendore e punësimit bashkëpunon me të gjitha institucionet dhe aktorët e tjerë publikë apo privatë të specializuar për trajtimin e problemeve dhe të pengesave sociale apo shëndetësore të punëkërkuesit të papunë.”.
b) Në nënndarjen “ii”, të shkronjës “ç”, të pikës 5, pas fjalëve “… këtij plani” shtohen “… brenda një muaji …”.
2. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.878, DATË 24.12.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRBËRJEN, ORGANIZIMIN, VEPRIMTARINË DHE RREGULLAT E FUNKSIONIMIT TË KOMISIONIT SHTETËROR TË RINDËRTIMIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 14, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.878, datë 24.12.2019, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:
1. Kudo në vendim, emërtimi “ministri i Shtetit për Rindërtimin” zëvendësohet me fjalët “ministri përgjegjës për rindërtimin”.
2. Shkronjat “c” dhe “dh”, të pikës 1, të kreut II, ndryshohen, si më poshtë vijon:
“c) Ministrin e Financave;”
…
“dh) Ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E AGJENCISË PËR MBËSHTETJEN E VETËQEVERISJES VENDORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 10, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, dhe të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore (në vijim AMVV) është institucion publik qendror, person juridik, me seli në Tiranë dhe në varësi të ministrit përgjegjës për pushtetin vendor (në vijim ministri).
2. AMVV-ja ka këto detyra dhe përgjegjësi:
a) Mbështet ministrinë në përgatitjen e mendimeve për projektakte ose dokument tjetër, që kanë të bëjnë me çështje që lidhen me njësitë e vetëqeverisjes vendore ose decentralizimin;
b) Monitoron zbatimin e Strategjisë Ndërsektoriale për Decentralizimin dhe Qeverisjen Vendore dhe planin përkatës të veprimit;
c) Informon periodikisht institucionet publike, grupet e interesit dhe qytetarët për çështjet që lidhen me vetëqeverisjen vendore;
ç) Siguron informacione lidhur me çështjet e vetëqeverisjes vendore, me qëllim koordinimin e institucioneve publike qendrore dhe vendore për zgjidhjen e problematikave të ndryshme, si dhe harton raporte e analiza periodike për këto çështje;
d) Ofron këshillim ligjor ose teknik për njësitë e vetëqeverisjes vendore, vetëm ose në bashkëpunim me struktura të tjera, për ushtrimin ose përmirësimin e punës në ushtrimin e funksioneve të tyre;
dh) Mbledh të dhëna prej njësive të vetëqeverisjes vendore, si dhe të institucioneve qendrore për çdo tregues, që lidhet me performancën e njësive të vetëqeverisjes vendore, si dhe kontribuon në matjen e performancës së njësive të vetëqeverisjes vendore. Bazuar në të dhënat e mbledhura, sipas parashikimeve të kësaj pike, harton Raportin Vjetor Kombëtar, që përfshin analizën tërësore të të gjitha të dhënave dhe rekomandon masa për njësitë e vetëqeverisjes vendore për përmirësimin e dhënies së shërbimeve;
e) Bashkërendon proceset e punës, ndërmerr masa dhe koordinon iniciativat kombëtare me institucione të tjera për zhvillimin e kapaciteteve të burimeve njerëzore për njësitë e vetëqeverisjes vendore;
ë) Evidenton, dokumenton, promovon praktika të mira të vetëqeverisjes vendore dhe i paraqet modele rekomanduese bashkive për ushtrimin e kompetencave të tyre;
f) Shërben si institucion ndërlidhës për bashkërendimin e punës së ministrisë përgjegjëse për pushtetin vendor me njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe shoqatat e të zgjedhurve vendorë;
g) Koordinon dhe monitoron zbatimin e masave, që rrjedhin nga procesi i integrimit evropian ose marrëveshjet ndërkombëtare, për aq sa ato kanë të bëjnë me vetëqeverisjen vendore;
gj) Mbështet ministrinë përgjegjëse për çështjet vendore për krijimin dhe administrimin e një sistemi kombëtar unik për monitorimin dhe zbatimin e funksioneve të deleguara të vetëqeverisjes vendore;
h) Kryen detyrat e Sekretariati Teknik të Këshillit Konsultativ të Qeverisjes Qendrore me Vetëqeverisjen Vendore, sipas legjislacionit në fuqi;
i) Miraton dhe publikon raportin vjetor të veprimtarisë së AMVV-së dhe raporton te ministri sa herë që i kërkohet për veprimtarinë e saj;
j) Ushtron funksione e veprimtari të tjera që i ngarkohen në përputhje me ligjin, marrëveshjet ndërkombëtare, vendimet e Këshillit të Ministrave dhe urdhrat e Kryeministrit apo të ministrit, që kanë të bëjnë me vetëqeverisjen vendore.
3. AMVV-ja financohet nga buxheti i shtetit dhe të ardhura të tjera të ligjshme.
4. AMVV-ja drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm, i cili organizon, drejton dhe përgjigjet për veprimtarinë e saj.
5. Drejtori i Përgjithshëm i AMVV-së emërohet, lirohet ose shkarkohet me urdhër të ministrit përgjegjës për pushtetin vendor.
6. Marrëdhëniet e punës së punonjësve të AMVV-së rregullohen me Kodin e Punës. Ata emërohen, lirohen ose shkarkohen nga drejtori i Përgjithshëm i AMVV-së.
7. Organika dhe struktura e AMVV-së miratohen me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e ministrit, sipas legjislacionit në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore.
8. Deri në miratimin e strukturës dhe organikës, sipas këtij vendimi, AMVV-ja do të funksionojë sipas strukturës dhe organikës në fuqi. Punonjësit e AMVV-së do të vazhdojnë të kryejnë funksionet, në përputhje me parashikimet e këtij vendimi.
9. Brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga miratimi i strukturës dhe organikës të AMVV-së, ministri miraton rregulloren e organizimit dhe funksionimit të Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore.
10. Vendimi nr.83, datë 28.1.2015, i Këshillit të Ministrave, “Për krijimin dhe funksionimin e Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore”, të ndryshuar, shfuqizohet.
11. Ngarkohen ministri përgjegjës për çështjet vendore dhe Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
NDRYSHIMIN E PËRGJEGJËSISË SË ADMINISTRIMIT, NGA MINISTRIA E MBROJTJES TE MINISTRIA E INFRASTRUKTURËS DHE ENERGJISË, PËR AUTORITETIN RRUGOR SHQIPTAR, TË NJË PJESË TË PRONËS NR.1345, ME EMËRTIMIN “N/REPART USHTARAK I REPARTIT NR.4006”, ME VENDNDODHJE NË MIRAKË, LIBRAZHD, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.515, DATË 18.7.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË MBROJTJES”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit, nga Ministria e Mbrojtjes te Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, për Autoritetin Rrugor Shqiptar, të një sipërfaqeje trualli funksional dhe të disa objekteve, me sipërfaqe të përgjithshme truall prej 28 266 (njëzet e tetë mijë e dyqind e gjashtëdhjetë e gjashtë) m2 dhe sipërfaqe të gjurmës së ndërtimit prej 3 651 (tre mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë e një) m2, pjesë të pronës nr.1345, me emërtimin “N/repart ushtarak i repartit nr.4006”, me vendndodhje në Mirakë, Librazhd, sipas planrilevimit, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, për realizimin e projektit “Studim-projektim, zgjerimi i segmentit rrugor dalje Elbasan-Përrenjas-Qafë Thanë”.
2. Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i kanë kaluar në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes, miratuar me vendimin nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, përmasat e pronës nr.1345, me emërtimin “N/repart ushtarak i repartit nr.4006”, me vendndodhje në Mirakë, Librazhd, zëvendësohen me përmasat e përcaktuara në formularin dhe planin e rilevimit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
3. Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Autoritetit Rrugor Shqiptar u ndalohet të ndryshojnë destinacionin e përdorimit të sipërfaqes së pronës, të përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojnë ose t’ua japin atë në përdorim të tretëve.
4. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DHËNIEN E MIRATIMIT PËR LIDHJEN E KONTRATËS SË QIRASË, ME TARIFËN 1 EURO/KONTRATA, NDËRMJET MINISTRISË SË EKONOMISË, KULTURËS DHE INOVACIONIT, SI QIRADHËNËS, DHE FONDACIONIT “PREK CALI” NEW YORK INC, SI QIRAMARRËS, PËR PASURINË NR.66/1, ZONA KADASTRALE 3748, K-34-52-(54-a), ME EMËRTIM “PRONA 1423, ISH-MAGAZINA E REPARTIT USHTARAK”, ME VENDNDODHJE NË VERMOSH, MALËSI E MADHE, ME SIPËRFAQE TË PËRGJITHSHME 8 000 M2, NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË MINISTRISË SË MBROJTJES
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të aktit normativ nr.4, datë 9.7.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve”, miratuar me ligjin nr.9967, datë 24.7.2008, të ndryshuar, dhe të vendimit nr.54, datë 5.2.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurës e të mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontrata të tjera të pasurisë shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Dhënien e miratimit për lidhjen e kontratës së qirasë, me ofertë të pakërkuar, me tarifën 1 euro/kontrata, ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, si qiradhënës, dhe fondacionit “Prek Cali” New York inc, si qiramarrës, për pasurinë nr.66/1, zona kadastrale 3748, K-34-52 (54-a), me emërtim “Prona nr.1423, ish-magazina e repartit ushtarak”, me vendndodhje në Vermosh, Malësi e Madhe, me sipërfaqe të përgjithshme 8 000 (tetë mijë) m2, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes, me afat 20 (njëzet) vjet, sipas genplanit dhe tekstit të projektkontratës, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
SHPËRNDARJEN DHE DETAJIMIN E FONDIT PËR FINANCIMIN E PROJEKTEVE TË BASHKIVE NGA PROGRAMI “MENAXHIMI I INFRASTRUKTURËS SË KULLIMIT DHE UJITJES”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 11, të ligjit nr.97/2023, “Për buxhetin e vitit 2024”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpërndarjen dhe detajimin e fondit për vitin 2024 për financimin e projekteve të bashkive nga programi “Menaxhimi i infrastrukturës së kullimit dhe ujitjes”, sipas tabelës 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Financimet e projekteve për vitet 2025 dhe 2026, sipas tabelës 1 të këtij vendimi, janë parashikime për projektet vazhduese brenda tavaneve të programit “Menaxhimi i infrastrukturës së kullimit dhe ujitjes”.
3. Për projektet, sipas tabelës 1 të këtij vendimi, para zbatimit të tyre, duhet të plotësohen kushtet sipas parashikimeve në legjislacionin në fuqi.
4. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Financave dhe bashkitë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU