Komuna Poshnje në qarkun e Beratit ishte sot ndalesa e radhës e Kryeministrit Edi Rama dhe Ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, ku u takuam me fermerë të kësaj zone të njohur bujqësore, të cilëve u shpërndanë edhe kontratat e përfitimit nga skemat e mbështetjes financiare në bujqësi.
Drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, Suela Popa theksoi suksesin e procesit të aplikimeve pranë AZHBR-së dhe shpjegoi fokusin e mbështetjes financiare.
“Skemat e reja të mbështetjes financiare janë skema që mbështesin një filozofi tërësisht të re për vitin 2014, duke u ndarë njëherë e mirë nga e shkuara. Skema, të cilat fokus kryesor do të kenë pikërisht investimet në infrastrukturë bashkëkohore, linja standardizimi, ngritjen e pikave të grumbullimit, veçanërisht këtu në qarkun e Beratit, ku karakteristike është pikërisht prodhimi i frutave dhe perimeve dhe ku pikat e grumbullimit do të jenë fokusi kryesor,” – u shpreh Popa.
Ministri i Bujqësisë Panariti garantoi për zgjerimin e mbështetjes ndaj fermerit, duke synuar uljen e kostos së prodhimit dhe rritjen e cilësisë së produkteve shqiptare.
“Ne kemi subvencionuar me 230 milionë lekë, vetëm naftën që janë përdorur për 23 hektarë sera me ngrohje në qarkun tuaj dhe kjo natyrisht është diçka që ndodh për herë të parë. Ne do vazhdojmë me vendosmëri për t’iu përmbajtur premtimeve për uljen e kostos së prodhimit dhe mbështetja me naftë të lirë është vetëm fillesa e kësaj sipërmarrjeje tonë shumë ambicioze,” – u shpreh Ministri Panariti.
Ndërkohë, Ministri lajmëroi edhe nisjen e dy projekteve të mëdha në bujqësi, të cilat ai i quajti “ambicioze”.
“Ne do të fillojmë një projekt shumë ambicioz prej disa milionë eurosh, në mbështetje të ullirit, por kryesisht të fokusuar tek cilësia, standardet dhe teknologjia. Pra, nuk jemi shumë tek vetëm mbill pa kriter, por kryesorja është që ne jemi pragmatistë, jemi të orientuar drejt prodhimit, drejt përmirësimit të cilësisë dhe standardeve, në mënyrë që vaji i ullirit shqiptar, i cili është i papërsëritshëm, i pakrahasueshëm me vajrat e importit, të zërë gjithnjë e më tepër vendin e merituar në tregjet e vendit. Nga ana tjetër, një skemë pioniere, që ne përgatitemi të fusim dhe që i ka munguar bujqësisë shqiptare, është skema e sigurimit të prodhimeve. Ne do të fillojmë një projekt që këtë vit, prej disa milionë euro, për të filluar në nivel pilot disa skema sigurimi,” – tha Ministri Panariti.
Mbështetje financiare për rritjen e prodhimit, të eksportit dhe të punësimit garantoi edhe Kryeministri Rama, por përmes një filozofie të re që shmang copëzimin e ndihmës dhe skemat korruptive të shpërndarjes së saj.
“Ajo që për ne është me rëndësi themelore është që qeveria të mos qëndrojë më në pozicionin pasiv, duke e thërrmuar fondin e mbështetjes për bujqësinë, për të garantuar thjesht një lëmoshë mbijetese, por të jetë një pozicion aktiv dhe në bashkëpunim me fermerët të investojë në projekte që sigurojnë rritje të punësimit, që sigurojnë rritje të prodhimit dhe që sigurojnë rritje të eksporteve. Në këtë mënyrë, nga njëra anë të shmangim një herë e përgjithmonë atë korrupsion të tmerrshëm që i karakterizoi skemat e subvencionimit të naftës dhe nga ana tjetër të bëjmë të mundur që çdo pikë naftë, për të cilën qeveria financon fermerin, të shkojë tek prodhimi dhe jo në kanalet e korrupsionit. Ne nuk mbështesim më mbijetesën, ne nuk shpërndajmë më lëmosha, ne nuk e çojmë më asnjë qindarkë të buxhetit të shtetit në drejtim të paditur, apo thjesht për të larë gojën me njerëzit që janë në fshat. Çdo qindarkë do të shkojë në drejtimin e duhur për të gjithë ata që në fshat, përmes punës krijojnë vende të reja pune, krijojnë rritje të prodhimit dhe zinxhir vlerash, që përfundon me rritje të eksportit, përveçse me përmbushje të nevojave të tregut të brendshëm,” – u shpreh Kryeministri.
“Sot, duke qenë një vend kandidat kemi mundësi të përfitojmë më shumë fonde nga BE. Por për këtë, ama, duhet të jemi të vetëdijshëm për një gjë, BE nuk fal asgjë. Prandaj sëbashku, ne duhet të përgatitemi. Së bashku, ne duhet të arrijmë që fondet që mund të thithim nga BE, t’i thithim përmes projekteve të duhura,” – inkurajoi Kryeministri fermerët, që idetë e vullnetin tyre t’i kthejnë në projekte fituese.
“Jemi shumë të kënaqur që numri i kërkesave është rritur dhe që numri i fermerëve që kanë ndryshuar qasje, duke bërë projekte dhe duke aplikuar me projekte, është rritur. Kjo është një garanci që kemi hyrë në një rrugë të re, kemi hyrë në një rrugë të mbarë, kemi hyrë në një rrugë ku do të garantojmë atë transformim rrënjësor që është plotësisht i mundur,” – përfundoi Kryeministri.
Fermerët që përfituan kontratat e investimit, të cilët ndanë me Kryeministrin Rama dhe Ministrin Panariti disa nga vështirësitë në punën e tyre, thanë se me këtë mbështetje do të arrijnë të realizojnë investimin e tyre të dëshiruar prej kohësh.
“Kjo që na ndodhi ne sot është përtej imagjinatës. Kemi ardhur deri këtu me punën tonë, nga emigracioni, por më tutje ne nuk shkonim dot. Kemi aplikuar edhe në qeverinë e mëparshme, arritëm deri sa të merrnim fondin, por nuk e kuptuam pse ai fond nuk u zhbllokua, nuk e morëm dot. Kemi pasur ëndërr të kishin edhe linjën e prodhimit të vajit të ullirit, por me forcat tona nuk arrinim dot. Këtë na e ka dhënë vetëm qeveria. Ndaj falënderoj në mënyrë të veçantë Kryeministrin, Ministrin e Bujqësisë dhe drejtoreshën e AZHBR-së,” – u shpreh një fermere.