Fjala e Kryeministrit Edi Rama në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS:
Mirëdita të gjithëve!
Ka kaluar një nga javët, me siguri, më të shënuara të qeverisjes sonë. Javën e shkuar mund ta themi me plot gojën është shënuar një moment që ka mbushur me krenari çdo zgjedhës të “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, çdo mbështetës dhe simpatizant të PS dhe të LSI, por dhe çdo demokrat dhe qytetar pa parti, që do një Shqipëri më të mirë.
Brenda dhe jashtë vendit ka jehuar fort fitorja e shumëpritur, por e pashpresuar nga shumëkush e shtetit me krimin në Lazarat. Vetë përfshira në ethet e asaj beteje e të gjithë shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit, e të gjithë miqve dhe partnerëve të Shqipërisë, e të gjitha agjencive prestigjioze të lajmeve, ishte treguesi i kuptimplotshmërisë së rezultatit që arriti Policia e Shtetit javën e kaluar.
Nuk ka asnjë dyshim se lufta me krimin ka qenë dhe mbetet edhe sot pas zhdukjes së Lazaratit nga harta europiane e drogës një prioritet themelor. Një prioritet, që siç e dimë të gjithë ka qenë tejet i mundimshëm në këtë pjesë hyrëse të qeverisjes për shkak të gjendjes katastrofike ku e gjetëm Policinë e Shtetit. E për këtë shkak pjesa më e vështirë e frontit të betejës sonë për ta rilindur këtë vend, ka qenë kthimi i Policisë së Shtetit në krye të detyrës brenda 300 ditëve të para të qeverisjes.
Ky zotim i marrë solemnisht përpara shqiptarëve para 23 qershorit të shkuar, është një zotim plotësisht i mbajtur sot, në këtë 23 qershor pa u mbushur ende 300 ditët e para të mandatit tonë qeverisës.
Çdo ditë në qeverisje, që nga dita e parë e punës ka qenë një betejë më vete në rrugën drejt kthimit të Policisë së Shtetit në krye të detyrës. Ka pasur ditë veçanërisht të vështira, kur rruga është dukur shumë e përpjetë për forcat në dispozicion. Ka pasur momente që do kishin dekurajuar shumëkënd, aq më tepër në kushtet kur krimi ka gjetur në krah këto kohë një aleat shumë të rrallë, opozitën politike, e cila në këtë periudhë të vështirë rilindjeje iu kundërvu Policisë së Shtetit me një tërbim të pashoq.
Me lejoni t’u them se nuk ka pasur një moment të vetëm, një sekondë të vetme, që unë të kem dyshuar se ne do ta përmbushnin zotimin tonë për ta kthyer Policinë e Shtetit në krye të detyrës, sepse përveç të tjerash pikërisht në orët më të vështira kam mundur të shoh dhe të çmoj cilësitë e posaçme të ministrit tonë të Brendshëm. Aftësinë e tij për drejtuar pa humbur qetësinë dhe besimin edhe atëherë kur shtegu duket se bëhet shumë i ngushtë. E, mbi të gjitha përkushtimin e tij të jashtëzakonshëm në krye të detyrës.
Prandaj Saimir Tahiri sot meriton jo vetëm falenderimin tonë të megjithëzemërt për vlerën e shtuar që i ka sjellë jo vetëm qeverisjes, por dhe familjes sonë politike në sytë e publikut, por meriton besoj,- dhe kjo duhet thënë sot,- edhe ndjesën e heshtur të kujtdo deputeti që ndaj tij nuk e ka bërë si duhet detyrën elementare të deputetit, e cila për kujtesë është mbështetja pa kushte dhe as rezervë e çdo ministri, që kryen me përkushtim detyrën. E sidomos kur për shkak të detyrës, ministri përballet me sfida dhe probleme posaçërisht të vështira, me reforma dhe masa që ndryshojnë statusquo-në apo që prekin shpeshherë interesa të thella. Apo edhe më keq si në rastin e ministrit të Brendshëm që në kushtet ku i ka rënë në pjesë të punojë, i duhet të përballet nganjëherë me situata tejet të rënda. Sidoqoftë, le të ndihemi me zë të lartë sot krenarë që të gjithë në këtë 23 qershor të parë të qeverisjes sonë për faktin se ëndrrat dhe shpresat e Rilindjes së 23 qershorit 2013, jo vetëm nuk janë fikur, por përkundrazi janë forcuar falë shumë punëve të mira dhe rezultateve të prekshme. E padyshim edhe falë punës shembullore të Policisë së Shtetit në Lazarat, javën e shkuar që ishte qershia mbi tortën e kësaj dite të shënuar.
Por asnjëherë të mos harrojmë të vendosim edhe një ‘por’, pas çdo pune të mirë që bëjmë dhe çdo rezultati sado të mirë që arrijmë. Në këtë rast është me vend të thuhet; por ky është vetëm fillimi.
Ambicia jonë për Policinë e Shtetit shkon më shumë, shumë më larg sesa kaq. Dhe sot, as unë, as ministri i Brendshëm dhe as besoj kushdo nga ne këtu, përgjithësisht, nuk e shohim rënien e “republikës së turpit” në Lazarat si pikëmbërritje, për t’u ulur këmbëkryq dhe për të rrahur gjoksin, por si një kthesë të fortë, pas së cilës mund dhe duhet të ecim më shpejt, drejt ambicies sonë.
Unë dua që Policia e Shtetit shqiptar, në fund të mandatit tonë të mos krahasohet më me çfarë ishte në të shkuarën, por me modelet më të mira në rajonin tonë. Të hedhë bazat, brenda këtyre katër viteve, që në dekadën e ardhshme të rreshtohet me pikë të larta mes policive të Europës së Bashkuar. Kjo nuk është as utopi, as një dëshirë euforike postlazarat. Kjo është e mundur dhe për këtë që po them, duhet të gjykohemi në fund të këtij mandati.
Java e shkuar e nxori në pah, qartë, vijën e thellë ndarëse, mes dy kohësh në politikën shqiptare. Një kohë kur qeveria ishte peng i së shkuarës dhe një kohe tjetër, kësaj kohe, kur qeveria është forca e të ardhmes. Kjo vijë që ku më fort, ku më dobët, por përgjithësisht kudo është vendosur, sidoqoftë, duke ndarë kohën në çdo sektor, u bë e dukshme për të gjithë, mu në vendin ku të gjithë para nesh ishin dorëzuar, përpara inercisë të së shkuarës. Mu në Lazarat ku joshja prej krimit dhe frika nga krimi kishin përcaktuar natyrën reaksionaret qeverisjes së këtij vendi, në raport jo vetëm me Lazaratin, në fakt, po me çdo vatër qelbi të mbledhur nga e shkuara në çdo sektor.
Prandaj, ne duhet dhe le të jemi të qartë e të vërtetë me njëri-tjetrin. Populli shqiptar e mbështeti dhe e përshëndeti me aq entuziazëm, superaksionin e Lazaratit, për të paktën dy arsye që sot, pas rënies së “republikës së turpit” janë po aty. Madje, unë besoj që janë më të forta se dje;
E para, për shtet. E dyta, për drejtësi.
Ajo ‘republikë’ më vete nuk ishte thjesht një plantacion droge jashtë kontrollit së Policisë së Shtetit. Ishte shumë më keq se kaq. Ishte një shëmbëlltyrë arrogante e shkeljes së dinjitetit të këtij shteti, nga forca e paudhë e paligjshmërisë dhe triumfit të padrejtësisë mbi drejtësinë brenda sistemit të Republikës së Shqipërisë.
Lazarati tregoi se ne mundemi dhe se asgjë nuk është pamundur për këtë qeveri.
Po, padyshim, sfida për shtet dhe drejtësi është e gjitha përpara nesh. Dhe Lazarati, jo më ai fshati i çliruar, tanimë, po fenomeni Lazarat si forcë e paudhë e paligjshmërisë dhe si triumf i padrejtësisë mbi drejtësinë është shumë herë më i egër, shumë herë më i rrezikshëm dhe shumë herë më i fortë në sistemin e drejtësisë. Gatja i Lazaratit, me armë dhe me thasë të mbushur me hashash në shtëpi, është askush, në krahasim me “Gatet e pushtetit gjyqësor”, që si armë kanë çekiçin e gjykatësit, ndërsa paratë i bëjnë me thasë, duke nxjerrë nga kafazet “Gatet e krimit”. Ose në krahasim me “Gatet e pazarit të prokurorisë”, që i kanë kthyer shumë prej dosjeve të luftës sonë kundër korrupsionit në letra me vlerë për karrierë dhe përfitime krejt vetjake, në kurriz të drejtësisë.
Të dashur deputetë,
Superaksioni i Lazaratit na e bën edhe më të pamundur se deri para 5 ditësh, që t’i shmangemi përballjes frontale, pa asnjë lëkundje, me kriminalizimin e sistemit të drejtësisë dhe me çdo element të inkriminuar brenda sistemit të drejtësisë. Sepse superaksioni i Lazaratit e ka rritur edhe më shumë pritshmërinë popullore ndaj nesh, lidhur me vënien në vend të së drejtës të këtij populli, për dy gjëra shumë të thjeshta që çdo popull i do dhe i meriton, po sidomos një popull në mes të Europës; për të pasur shtet dhe për të pasur drejtësi.
Sot, gjyqtarët që kryejnë krime, duke u bërë pjesëmarrës në vrasjet dhe në tragjeditë njerëzore që shkaktojnë rrugëve “Gatet” e liruar me një të rënë çekiçi prej tyre, duhet ta marrin të qartë mesazhin se ne jemi gati të përballemi me çfarëdo kosto me ta, deri sa kush nuk do të ndahet nga “Gatet”, të shkojë të rri me “Gaten”, tek vendi i “Gateve”, pa mundur të bëjë dot më dëm për njerëzit e pafajshëm, në këtë vend, që s’është vendi i “Gateve”, por është vendi i qytetarëve të vet të zakonshëm dhe i familjeve të njerëzve të zakonshëm të këtij vendi.
Po ashtu, sot, prokurorët që i kanë marrë kaq shumë kohë këtij vendi duke i ardhur vërdallë dosjeve të krimeve, të zyrtarëve të lartë apo duke nxjerrë prej tyre vetëm disa “cironka” të lodhura, – si ato që kapnim ne me kavanoz te bregu i liqenit, – duhet ta kenë të qartë se nuk mund t’i fshihen më përgjegjësisë së tyre.
Marrja e statusit të vendit kandidat, që shpresoj, më në fund do ta marrim për Shqipërinë, edhe pse asnjëherë nuk i dihet deri në fund me këtë Europë që kemi sot, është dhe fundi i mundësisë që ne kemi për t’u justifikuar si vend, si popull, si shoqëri, por edhe si Parlament edhe si Qeveri për mjerimin e drejtësisë sonë.
Askush nuk na toleron dot më dhe askush nuk tolerohet dot më.
Me këtë sistem drejtësie anëtarësimin në Bashkimin Europian, të jemi të qartë, Shqipëria nuk e sheh dot as me dylbi.
Në gjithë anketimin e publikut që ne bëjmë për të dëgjuar rregullisht, sa më qartë, zërin e qytetarëve, dy janë reformat që dallojnë mbi gjithë të tjerat për mbështetjen e madhe që kanë në popull;
Reforma Territoriale, që mbështetet rregullisht midis 75-80 % të popullsisë dhe Reforma në Drejtësi, për të cilën mbështetja popullore është totale, përtej çdo kufiri, çdo dallimi partiak, krahinor, moshor. Gjithmonë mbi 90 %.
Reforma Territoriale do ta mbyllë me dinjitet shumë të madh për “Aleancën për Shqipërinë Europiane”, këtë sesion të parë parlamentar. Brenda një sesioni do të kemi kryer një reformë themelore të shtetit, që nuk u bë për 20 vjet.
Ndërsa Reforma në Drejtësi do të jetë kryefjala e sesionit të ardhshëm. E, sigurisht, do të koordinohet nga Parlamenti, pa shpikur asgjë, por thjeshtë dhe vetëm përmes Komisionit të Ligjeve dhe nën drejtimin e Kryetarit të Komisionit, Fatmir Xhafaj.
Njësoj si Reformën Territoriale, natyrisht, edhe këtë reformë ne e duam gjithëpërfshirëse dhe konsensuale, në radhë të parë me pjesëmarrjen e opozitës, por njësoj si Reformën Territoriale, ne do ta çojmë përpara edhe Reformën në Drejtësi, me parimin tonë, të shpallur qysh ditën e parë: “Do të dëgjojmë këdo, por do të udhëheqim pa u ndalur, para kujtdo”.
Sot një vit, të dashura shoqe e të dashur shokë, në këto orë të 23 qershorit të kaluar, ne ishim duke punuar për të nxjerrë sa më shumë njerëz në votime dhe aleanca jonë mori 1 milionë vota, si fuqia e re e një shprese të re. Nuk është aspak e lehtë dhe përgjithësisht është e pamundur, siç tregojnë eksperiencat, që në 1 vit të ruajë, në të njëjtën lartësi një shumicë, një qeveri, në raport me votuesit e vet.
E, sot, në 23 qershorin e parë të qeverisjes sonë, edhe pse nuk është bërë 1 vit nga qeverisja jonë, ne kemi qëndruar në lartësinë e madhe të nderit që na bënë ata 1 milion njerëz, duke na dhënë në dorë një privilegj që i jepet shumë pak njerëzve në jetë, drejtimin e vendit tonë. Jemi sot ende më të vetëdijshëm se këtu e 1 vit më parë, falë kësaj periudhe të parë të qeverisjes, për mundësitë e jashtëzakonshme të fuqisë sonë. Të fuqisë së partisë sonë, të fuqisë së aleancës sonë për të ndryshuar Shqipërinë.
Por, duhet të ketë gjithmonë një “por”, ky është vetëm fillimi!
Shumë faleminderit të gjithëve!