Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Udhëzim i miratuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 17 Korrik 2024: 
U DH Ë Z I M
PËR
MIRATIMIN E MODELIT DHE PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE                  TË MBAJTJES SË REGJISTRIT TË LEJES SË NDËRTIMIT,                             SI DHE TË PROCEDURAVE TË REGJISTRIMIT TË KONTRATËS                   SË SIPËRMARRJES/POROSISË DHE TË PREMTIMSHITJES
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 48, pika 3, e 50, pika 7, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
U DH Ë Z O N:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Ky udhëzim ka për objekt përcaktimin e:
a) modelit dhe të rregullave të mbajtjes së regjistrit të lejes së ndërtimit;
b) rregullave të regjistrimit të kontratave të sipërmarrjes/porosisë dhe të premtimshitjes të lidhura ndërmjet zhvilluesit të pronës, në cilësinë e investitorit, me pronarin e truallit dhe blerësin/porositësin.
2. Në këtë udhëzim, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
a) “Karabina”, objekti sipas përkufizimit të bërë në pikën 7, të nenit 3, të ligjit nr.8402, datë 10.9.1998, “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, të ndryshuar;
b) “Leje ndërtimi”, akti administrativ i përkufizuar në pikën 16, të                        nenit 3, të ligjit nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar;
c) “Ligj”, ligji nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar;
ç)  “Regjistër i lejes së ndërtimit”, regjistri i posaçëm publik, digjital dhe manual, ku regjistrohen të dhënat e lejeve të ndërtimit dhe kontrata e
sipërmarrjes, porosisë apo premtimshitjes të lidhura ndërmjet investitorit me pronarin e truallit dhe me blerësin/porositësin.
II. MODELI DHE MËNYRA E MBAJTJES SË REGJISTRIT TË LEJES SË NDËRTIMIT
1. Modeli i regjistrit të lejes së ndërtimit është sipas aneksit nr.1, që i bashkëlidhet këtij udhëzimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Regjistri i lejes së ndërtimit plotësohet e administrohet në format digjital dhe, për këto të dhëna, ASHK-ja lëshon vërtetimin e regjistrimit të lejes së ndërtimit, pas paraqitjes së kërkesës nga subjekti i interesuar, në përputhje me përcaktimet e vendimit nr.389, datë 13.5.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës dhe të tarifave të shërbimeve kadastrale”, të ndryshuar.
3. Nga ASHK-ja kryhen veprime me regjistrin e lejes së ndërtimit, deri në momentin që regjistrohet karabinaja sipas nenit 49, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”, dhe që aktet noteriale të sipërmarrjes/porosisë/premtimshitjes transferohen nga regjistri i lejes së ndërtimit te regjistri i karabinasë.
4. Të dhënat e ruajtura në regjistrin e lejes së ndërtimit/zhvillimit aksesohen e përpunohen në përputhje me ligjin nr.111/2018, “Për kadastrën”, legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale dhe atë për të drejtën e informimit.
5. Kryetari i bashkisë ose Këshilli Kombëtar i Territorit, sipas rastit, në përputhje me përcaktimet e nenit 48, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”, dhe me këtë udhëzim, përcjell, për regjistrim pranë ASHK-së, lejen e ndërtimit dhe dokumentacionin shoqërues. Autoriteti që lëshon lejen e ndërtimit e përcjell dokumentacionin e lejes së ndërtimit në format elektronik, si edhe nëpërmjet shërbimit postar.
6. ASHK-ja, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga data e përcjelljes nga kryetari i bashkisë ose Këshilli Kombëtar i Territorit, sipas rastit, regjistron në kartelën e pasurisë së paluajtshme “truall”, për të cilën është lëshuar leja e ndërtimit, të dhënat e lejes së ndërtimit, në seksionin B/1 “Të dhënat e regjistrimit paraprak”.
7. Regjistri i lejes së ndërtimit, për lejen përkatëse, plotësohet nga ASHK-ja vetëm pasi subjekti i interesuar të paraqesë kërkesën për shërbimin “Regjistrimi i lejes së ndërtimit”, në përputhje me procedurat dhe afatet e vendimit nr.389, datë 13.5.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës dhe të tarifave të shërbimeve kadastrale”, të ndryshuar.
III. PROCEDURA E REGJISTRIMIT TË KONTRATËS SË SIPËRMARRJES, POROSISË DHE PREMTIMSHITJES
1. Në regjistrin e lejes së ndërtimit regjistrohen dhe aktet noteriale të sipërmarrjes, të porosisë dhe të premtimshitjes, të lidhura ndërmjet zhvilluesit të pronës, në cilësinë e investitorit, pronarit të truallit dhe blerësit/porositësit të njësisë individuale, në përputhje me rregullat e parashikuara në nenin 50, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”, dhe në këtë udhëzim.
2. Regjistrimi i akteve noteriale, të përcaktuara në pikën 1, të këtij kreu, bëhet pas paraqitjes së kërkesës së subjektit të interesuar për shërbimin kadastral me numër 35, sipas aneksit 1, që i bashkëlidhet vendimit nr.389,                           datë 13.5.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës dhe të tarifave të shërbimeve kadastrale”, të ndryshuar.
3. Regjistrimi sipas pikave 1 e 2, të këtij kreu, qoftë në regjistrin kadastral apo atë të lejes së ndërtimit, kryhet nga ASHK-ja pasi verifikohen kushtet e mëposhtme:
a) Elementet formale të aktit noterial janë në përputhje me legjislacionin për noterinë;
b) Akti noterial ndërmjet zhvilluesit dhe pronarit të tokës përmban të dhëna të plota (numër pasurie, zonë kadastrale, sipërfaqe, kufij, pozicion gjeografik) për evidentimin e pasurisë, të cilat përputhen me të dhënat e pasqyruara në regjistrin kadastral;
c) Të dhënat në përmbajtje të aktit për njësitë janë të individualizuara sipas planimetrive, të miratuara me lejen e ndërtimit;
ç) Nëse ka akte noteriale të regjistruara më parë për zhvillimin e pronës në regjistrin kadastral;
d) Nëse ka akte noteriale, kontrata sipërmarrjeje/porosie/premtimshitjeje të regjistruara më parë, të lidhura ndërmjet zhvilluesit të pronës dhe një subjekti tjetër në regjistrin e lejes së ndërtimit.
4. Për aktet noteriale të lidhura ndërmjet zhvilluesit të pronës, në cilësinë e investitorit, dhe pronarit të truallit, që synojnë në të ardhmen zhvillimin e pronës dhe kalimin e pronësisë mbi ndërtimin, verifikohet edhe ekzistenca në akt e kushtit apo e afatit për realizimin e së drejtës së zhvillimit.
5. Kur rezulton se plotësohen kushtet e parashikuara në pikat 3 e 4, të këtij kreu, ASHK-ja vepron, si më poshtë vijon:
a) Regjistron aktin noterial të lidhur ndërmjet zhvilluesit të pronës dhe pronarit të truallit, në seksionin “D”, të kartelës kadastrale, të pasurisë “truall”;
b) Pas regjistrimit të lejes së ndërtimit për këtë pasuri “truall”, ASHK-ja pasqyron kryesisht të dhënat e aktit noterial të lidhur ndërmjet zhvilluesit dhe pronarit të tokës, edhe në regjistrin e lejes së ndërtimit. Nëse palët kanë lidhur një akt të ri noterial, të ndryshëm nga ai i regjistruar sipas shkronjës “a”, të kësaj pike, subjekti duhet të paraqesë kërkesën sipas pikës 2, të këtij kreu, për regjistrimin e tij;
c) Regjistron në regjistrin e lejes së ndërtimit, te të dhënat e akteve juridike paraprake, aktin noterial të sipërmarrjes/porosisë/premtimshitjes të lidhur ndërmjet zhvilluesit të pronës dhe blerësit/porositësit të njësisë individuale.
6. Kur gjatë shqyrtimit të kërkesës për regjistrim rezulton se aktet noteriale të lidhura ndërmjet pronarit të truallit dhe zhvilluesit të pronës, në cilësinë e investitorit, apo blerësve/porositësve kanë të meta në elementet e kërkuara, sipas pikës 3, të këtij kreu, ato i njoftohen kërkuesit, duke i lënë                               30 (tridhjetë) ditë afat për plotësimin e tyre. Njoftimi për plotësimin e të metave është sipas formularit të miratuar me vendimin nr.782,                                datë 7.10.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e modeleve të akteve kadastrale dhe të të dhënave në përmbajtje të hartës kadastrale”, të ndryshuar. Nëse pas kalimit të afatit këto të meta nuk plotësohen, nga ASHK-ja refuzohet regjistrimi i aktit, sipas parashikimeve të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”.
7. Kur akti noterial i regjistruar në regjistrin kadastral, lidhur ndërmjet zhvilluesit, në cilësinë e investitorit, dhe pronarit të truallit, ka si kusht për zhvillimin miratimin e lejes së ndërtimit brenda një afati të caktuar dhe ky kusht nuk është realizuar, ASHK-ja bën ndryshimet në seksionin “D”, të kartelës së pasurisë së paluajtshme “truall” lidhur me aktin noterial të regjistruar. Këto ndryshime bëhen me kërkesë noteriale të njërës nga palët, pasi kjo e fundit të depozitojë dokumentacionin që provon mospërmbushjen e kushtit, brenda afatit të përcaktuar në aktin noterial. Këtu bën përjashtim rasti kur palët në aktin noterial kanë vendosur që, për mosmarrëveshjet lidhur me kushtin, do t’i drejtohen gjykatës.
8. ASHK-ja, në momentin kur kryhet regjistrimi  përfundimtar i ndërtimit të ri, sipas nenit 51, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”, pasqyron:
a) kontratën e sipërmarrjes/porosisë të lidhur ndërmjet zhvilluesit, me cilësinë e investitorit, dhe pronarit të tokës, në seksionin “D” të kartelës së pasurisë të paluajtshme të regjistruara në pronësi të investitorit. Pas realizimit të kontratës së shkëmbimit ndërmjet palëve bëhet regjistrimi në regjistrin kadastral, në përputhje me parashikimet e                                        ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”;
b) kontratën e sipërmarrjes/porosisë dhe premtimshitjes të lidhur ndërmjet zhvilluesit, me cilësinë e investitorit, dhe blerësve/porositësve të njësive individuale, në seksionin  “D”, të kartelës së pasurisë të paluajtshme të regjistruara në pronësi të investitorit. Pas realizimit të kontratës së shitjes ndërmjet investitorit  dhe blerësit/porositësit të njësive individuale bëhet regjistrimi në regjistrin kadastral, në përputhje me parashikimet e ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”.
IV. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
1. Kur në regjistrin kadastral, në kartelën e pasurisë “truall”, rezultojnë të regjistruara përpara hyrjes në fuqi të këtij udhëzimi akte noteriale ndërmjet pronarit të truallit dhe zhvilluesit të pronës, në cilësinë e investitorit, në të cilët nuk është individualizuar pasuria që do të përfitojë pronari i truallit, ASHK-ja në momentin e paraqitjes për regjistrim në regjistrin e lejes të kontratave të sipërmarrjes/porosisë apo premtimshitjes ndërmjet investitorit me pronarin e truallit apo me të tretë, verifikon nëse të dhënat mbi njësitë në këto akte janë të individualizuara sipas planimetrive, që i bashkëlidhen lejes së ndërtimit. Në rast mospërmbushjeje të këtij detyrimi, regjistrimi i tyre refuzohet.
2. Lejet e ndërtimit të regjistruara në regjistrat manualë përpara hyrjes në fuqi të këtij udhëzimi, për të cilat nuk është vijuar me regjistrimin e karabinasë apo regjistrimin përfundimtar të ndërtimit të ri, pasqyrohen edhe në regjistrin digjital të lejes së ndërtimit, të krijuar sipas këtij udhëzimi.
3. Aktet noteriale, kontratë sipërmarrjeje/porosie/premtimshitjeje të lidhura ndërmjet zhvilluesit të pronës, në cilësinë e investitorit, dhe të blerësve/porositësve, regjistrohen pas regjistrimit të lejes së ndërtimit në regjistrin e lejes.
4. Udhëzimi nr.1, datë 13.4.2016, i Këshillit të Ministrave, “Për caktimin e kritereve e të procedurave për regjistrimin e lejes së ndërtimit dhe akteve noteriale të lidhura për zhvillimin, në cilësinë e investitorit, e të pronarëve të truallit apo blerësve/porositësve të njësive individuale, të objektit në fazën e karabinasë dhe të objektit të përfunduar”, shfuqizohet.
5. Ngarkohet Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij udhëzimi.
Ky udhëzim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.