Fjala e kryeministrit Rama në konferencën për prezantimin e Linjës Kombëtare pa pagesë 116 006 dhe aplikacionit “Raporto! Shpëto”:
Përshëndetje të gjithëve!
Sot është një moment me rëndësi në përpjekjen për të bërë një hop cilësor në betejën kundër trafikut të qenieve njerëzore. Unë dua të bashkohem me të tjerët për të falenderuar jo formalisht, por sepse realisht ka bërë diferencën në këtë përpjekje, zëvendësministren e Punëve të Brendshme, zonjën Gjebrea, të cilës kam shumë dëshirë t’i kujtoj momentin kur bashkë me ministrin u përpoqëm për ta ‘trafikuar’ nga Shoqëria Civile në Qeveri dhe me shumë këmbëngulje pretendonte se në Qendrën e saj të njohur, për popullsinë dhe zhvillimin, bënte mjaftueshmërisht dhe s’kishte më shumë për të bërë.
Besoj se sot, edhe zëvendësministrja është e bindur se çfarë ka bërë në më pak se një vit, konkretisht për t’i ardhur në ndihmë shumë njerëzve në nevojë alarmante për të dalë nga kthetrat e trafikimit, e ka merituar edhe sakrificën e saj për të lënë OJF-në e rehatshme dhe për t’u përfshirë në këtë zonë krejt të parehatshme të jetës bashkohore. Thënë kjo, dua të shtoj se e konsideroj një aspekt jashtëzakonisht të rëndësishëm, rritjen me shpejtësi të aftësive të qeverisjes dhe në këtë fushë, të cilësisë së betejës kundër krimit, përmes teknologjisë së re.
Sot, ky aplikacion shënon një zhvillim që e bashkon Shqipërinë me vende të tjera shumë të përparuara, përmes kësaj linje unike, ndërkombëtarisht të njohur ku mund të adresohen të gjitha rastet në nevojë për denoncim.
Besoj që si pjesë e gjithë përpjekjes sonë për inovacion në funksion të rritjes së sigurisë dhe të progresit të përgjithshëm të vendit, ky është një moment për të mos u nënvleftësuar dhe që e ka merituar një konferencë të këtij niveli.
Nga ana tjetër, i jam mirënjohës dhe i jemi mirënjohës ambasadorit Arvizu dhe prezencës së SHBA-ve në Tiranë, përmes ambasadës, për mbështetjen dhe nxitjen e vazhdueshme në funksion të një objektivi që është i përbashkët, dhe qeverinë e SHBA-ve, dhe që qeveria e SHBA-ve e ndan me të gjitha qeveritë dhe me vendet mike e partnere në luftë kundër trafikimit të qenieve njerëzore.
Është plotësisht e vërtetë se kur jemi takuar pas formimit të qeverisë, një nga të dhënat më rrëqethëse për mua ka qenë e dhëna se Shqipëria në vitin 2013 kishte përfunduar në një grup vendesh aspak për të qenë të kënaqur, përkundrazi, për trafikimin si vendburim. Katandisja e Shqipërisë në atë pozicion, sigurisht, që lidhej me implikime të rënda edhe në marrëdhëniet pastaj me SHBA-të për sa i takon asksesit në financime për mbështetje për vendin tonë, për programe të ndryshme që lidhen me Objektivat e Mijëvjeçarit e me radhë. Por jo vetëm kaq, Shqipëria në atë pozicion është një vend ku vështirë se mund të tërheqë, aq sa duhet të tërheqë, vëmendjen dhe energjitë pozitive në drejtim të saj edhe nga partnerët europianë.
Kështu që, besojmë shumë dhe po punojmë intensivisht që raporti që do të publikohet për vitin 2014 të shënojë daljen e Shqipërisë nga lista e vendeve në vëzhgim dhe normalizimin e pozicionit të vendit tonë në këtë panoramë të përgjithshme të luftës trafikut të qenieve njerëzore.
E shikojmë me kënaqësi edhe përmirësimin e koordinimit përmes strukturave të policisë dhe gjithë strukturave të tjera, që lidhen qoftë me punën e koordinuar që duhet bërë brenda vendit, qoftë me punën e koordinuar që duhet bërë me miqtë dhe partnerët përtej kufijve të vendit.
Por besojmë se ka shumë ende për të përmirësuar në funksion të hetimit dhe të ndëshkimit të rasteve të trafikimit. Dua të jem shumë i sinqertë dhe i drejtpërdrejtë, sepse vetëm kështu besoj tregojmë respekt për vuajtjet e patregueshme e të gjithë atyre që bien pafajësisht pre e rrjeteve kriminale të trafikimit, duke thënë se 23 qershori pati një mesazh shumë të qartë besoj unë edhe për prokurorinë, edhe për gjykatat.
Fatkeqësisht, nuk na rezulton se ky mesazh ka shkuar me forcën e duhur dhe ka bërë punën e duhur dhe për të vënë në lëvizjen e duhur, qoftë Prokurorinë, qoftë pastaj Gjykatat.
Nevoja për një ndryshim rrënjësor që kulmoi me 23 qershorin nuk ishte nevoja për të ndryshuar një qeveri dhe për ta zëvendësuar me një qeveri tjetër, një parti me një parti tjetër, dhe ca njerëz me ca të tjerë, po ishte nevoja për të ndryshuar drejtimin e vendit dhe për të ndryshuar shumëçka në këtë vend, që po shkonte keq e më keq.
E nëse ka diçka që ende nuk po jep asnjë shenjë bindëse se po ndryshon, është drejtësia. Jemi të gjithë të vetëdijshëm për këtë. Janë edhe më të vetëdijshëm se ne, nganjëherë, miqtë e partnerët tanë. Nuk ka asnjë shans që ne t’i lëmë Shqipërisë së gjeneratës tjetër, një vend më të denjë, nëse nuk i lëmë edhe një sistem drejtësie të denjë për një vend që është në mes të Europës dhe që synon të bëhet pjesë e Bashkimit Europian, me të drejta të plota.
Sigurisht që, ky është një problem kompleks. Sigurisht që, përgjegjësia bie drejtpërdrejt mbi ata që janë brenda gjithë strukturës së pushtetit të pavarur gjyqësor. Por, e kam thënë dhe dua ta përsëris që ne nuk kemi mandat as për të mbyllur sytë, as për të ngritur duart përpjetë. Ne as do t’i mbyllim sytë dhe as do t’i ngremë duart përpjetë, duke parë se çfarë vazhdon të bëjë sistemi ynë i drejtësisë, duke parë sesi njerëz që marrin kurajën të vrasin ditën për diell, njerëz që marrin kurajën të ushtrojnë dhunë të patregueshme dhe të papranueshme për një vend në mes të Europës, në familje, ditën për diell, janë njerëz të arrestuar e të stërarrestuar dhe të liruar e të stërliruar nga gjykatat.
Është fatkeqësi kombëtare që në shumicën e rasteve kemi të bëjmë me kriminelë, me vrasës dhe me dhunues që nuk e kanë për herë të parë dhe që janë në gjendje të lirë dhe që disponojnë përsëri instrumente për të bërë dëm, deri në marrjen e jetës së njerëzve, vetëm për një arsye; Sepse kanë arritur të korruptojnë gjykatës, të cilët nuk kanë asnjë lidhje me profesionin, me misionin dhe me gjithë përpjekjen e përbashkët të shoqërisë dhe me nevojën e çdo familjeje për të pasur siguri për vajzat dhe për djemtë e vet.
Kjo është përtej të gjitha mundësive për të duruar.
Kjo është përtej të gjitha mundësive për të qëndruar në vend.
Kjo është përtej të gjitha mundësive për t’u tkurrur apo për të mos u ngutur, për shkaqe që lidhen me teoritë kushtetuese dhe me teoritë juridike të pavarësisë.
Nuk mund që, nën ombrellën apo me flamurin e pavarësisë në dorë, këta gjykatës t’u marrin jetën njerëzve të pafajshëm. Janë bashkëfajtorë dhe janë bashkëvrasës, sa herë që një njeri i pafajshëm humbet jetën dhe sa herë që një vajzë trafikohet apo dhunohet nga trafikantë, që nuk e kanë për herë të parë dhe që janë aty thjesht dhe vetëm falë këtyre gjykatësve.
E, ne nuk mund të rrimë dhe t’i shikojmë e të bëjmë thjesht e vetëm shpjegime, duke justifikuar pozicionin tonë, sa herë shohim që shifrat e kriminalitetit të ndikohen duke u rritur këtu dhe atje, gjatë një muaji apo gjatë një muaji tjetër, për shkak se këta kriminelë enden të lirë, me një pushtet që nuk ua ka dhënë e drejta e tyre si gjithë të tjerët për të qenë të lirë, por ua ka dhënë një gjykatës tërësisht i padrejtë dhe një gjykatë tërësisht e korruptuar dhe në bashkëpunim të plotë me krimin dhe me kriminelët.
Është e kotë që ne të shohim gishtin, kur gishti tregon hënën. Ne mund të bëjmë konferenca sa të duam; ne mund të bëjmë aplikacione dixhitale sa të duam; ne mund të bëjmë të gjitha betejat që duam, me uniformat blu dhe me gjithë strukturat e tjera të pushtetit ekzekutiv; ne mund të bëjmë të gjitha ligjet në parlament, por ne duhet të bëjmë betejën që duhet dhe duan jo vetëm shqiptarët, por edhe partnerët tanë ndërkombëtarë, për ta shporrur këtë kastë gjykatësish dhe prokurorësh të korruptuar, që tallen dhe që pasurohen duke marrë jetë njerëzish, në bashkëpunim me kriminelët.
Kjo është e vërteta! Kjo duhet thënë me zë gjithmonë e më të lartë.
Ne, ju siguroj, që nuk po rrimë duarkryq, por po përgatitemi shumë mirë. Ofensiva do të fillojë dhe nuk do të ndalet deri kur në Shqipëri të vendoset normaliteti edhe në këtë pjesë, që është jashtë kontrollit të të gjithëve.
Jam shumë i bindur se kanë të drejtë të gjithë ata që kërkojnë të vendoset rregulli, kudo, në çdo metër katror të territorit të vendit, se s’mund të ketë metër katror të territorit të vendit që të jetë jashtë ligjshmërisë në Shqipëri dhe këtu kam parasysh edhe Lazaratin. Por ka një Lazarat tjetër, shumë më të shtrirë në të gjithë territorin, me një pandëshkueshmëri që ia ka garantuar vetes dhe ky është Sistemi ynë i Drejtësisë. Ky është Lazarati real dhe Lazarati më i rrezikshëm, që kërcënon çdo ditë ekonominë, shoqërinë dhe jetën e njerëzve tanë.
Njësoj siç është e domosdoshme që edhe Lazarati i vogël të vendoset nën rendin ligjor, është edhe më e domosdoshme që ky Lazarati i shtrirë nga të katër anët, që nuk mbjell kanabis, por mbjell pasiguri e terror duke bashkëpunuar, duke marrë para e duke lëshuar rrugëve, kriminelë që mezi kapen dhe mezi çohen përpara drejtësisë, të shpartallohet, të shkallmohet dhe të zmbrapset një herë e mirë nga ky vend, të cilin e ka marrë peng dhe që po i merr frymën.
Në mbyllje dua të shtoj se ne nuk kemi asnjë gjë për të shpikur. Ne kemi fatin madh që jemi mbrapa dhe na mjafton vetë, të shohim sesi të tjerët i kanë bërë gjërat e duhura dhe na mjafton vetëm të përfitojmë nga vullneti dhe angazhimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i miqve dhe partnerëve tanë europianë, për të na ndihmuar dhe për të na mbështetur. Por, ne jemi gjithmonë e më të vetëdijshëm se kjo ndihmë e kjo mbështetje nuk mund të vijë as falas dhe nuk mund të vijë as thjesht e vetëm sepse shqiptarët kanë vuajtur shumë në të shkuarën. Kjo ndihmë e kjo mbështetje mund dhe duhet të vijë, nëse ne jemi në lartësinë e sfidave dhe nëse ne tregojmë me gjuhën e rezultateve se e meritojmë ndihmën dhe mbështetjen.
Ne do të bëjmë gjithçka, çdo ditë, që ta meritojmë këtë ndihmë dhe këtë mbështetje. Ne nuk jemi partnerët e Shteteve të Bashkuara vetëm për të shkuar nëpër luftëra jashtë Shqipërisë, por jemi partnerët të Shteteve të Bashkuara për ta nderuar këtë partneritet, edhe këtu brenda Shqipërisë, duke mos shkelur mbi vlerat dhe mbi parimet që e bëjnë miqësinë e Shteteve të Bashkuara me ne, kaq të çmuar dhe që i kanë bërë Shtetet e Bashkuara që të qëndrojnë pranë nesh.
Ne nuk mund të jemi një vend i zhytur në llumin e sistemit të drejtësisë dhe të pretendojmë se po nderojmë miqësinë dhe partneritetin me Shtetet e Bashkuara, me Gjermaninë, me Britaninë dhe me Francën dhe me gjithë Europën e Bashkuar. Ky llum nuk ka lidhje me Shqipërinë dhe me shqiptarët e këtij shekulli dhe me aspiratat e asnjë shqiptari që do të jetojë në këtë vend. Ky llum duhet të na ikë nga rruga dhe ne të gjithë duhet të bashkohemi për ta pastruar këtë llum, një orë e më parë.
Ju faleminderit!
***
Viktimave të trafikimit të qenieve njerëzore, do t’u vijë në ndihmë Linja Telefonike Kombëtare pa pagesë 116 006 dhe aplikacioni “Raporto! Shpëto”, një risi teknologjike bashkëkohore e krijuar enkas për denoncimin e shpejtë dhe në kohë të rasteve të trafikimit.
Në një Konferencë të posaçme ku merrte pjesë edhe Kryeministri Rama u prezantua sot iniciativa më e re e ministrisë së Brendshme në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Ky aplikacion, i cili shënon një zhvillim, që e bashkon Shqipërinë me vende të tjera shumë të përparuara, është një ide inovatore e vënies së teknologjisë në funksion të identifikimit, referimit dhe asistimit të shpejtë të viktimave të trafikimit.