Kryeministri Edi Rama zhvilloi një bashkëbisedim me studentë të Universitetit të New York-ut në Tiranë, i cili u fokusua mbi aktualitetin në Shqipëri.
Interesimi më i parë i studentëve ishte se pas vendimit të Komisionit Europian për të rekomanduar dhënien statusin të vendit kandidat Shqipërisë, sa do të ndikojnë ndryshimet që ndodhen në zgjedhjet e fundit për Parlamentin Europian, në marrjen e statusit për Shqipërinë.
Duke e vlerësuar një pyetje shumë aktuale, por si dhe një sfidë edhe për vetë BE-në, Kryeministri Rama theksoi se tanimë për Shqipërinë ka një Raport-progresi shumë të qartë, që certifikon seriozitetin e Shqipërisë në përmbushjen e detyrimeve të saj.
“E rëndësishme është që këtë herë, Këshilli nuk ka asnjë justifikim të mundshëm në raport me vetë Shqipërinë. Sepse ajo që Këshilli kërkoi në dhjetor ishte “pak më shumë kohë”. Është një Progres- Raport specifik, për të thënë: A është Qeveria e Shqipërisë garanci se çfarë u pa në muajt e parë vazhdon pa probleme në vijim, apo muajt e parë ishin vetëm flakë kashte? Dhe ne ia dolëm kësaj. Tani mbetet për të parë reagimin e Këshillit,” – shpreh Kryeministri.
Studentët kërkuan gjithashtu, vlerësimin e Kryeministrit nëse miratimi i kredisë me FMN-në do të sjellë probleme për stabilitetin makro-ekonomik të vendit.
Kryeministri theksoi se Shqipëria ka kaluar nga një përcaktim negativ, në një përcaktim stabël, pikërisht, edhe sepse ne kemi hyrë në këtë program të ri me Fondin Monetar Ndërkombëtar.
“Borxhi nuk u rrit sepse ne krijuam një borxh të ri, por ne thjeshtë e legalizuam një borxh të fshehur dhe të padeklaruar, prej 720 milionë dollarësh. Një borxh i akumuluar në formën e mospagesave të kompanive për punë publike dhe për shërbime. Ndërkohë marrja e borxhit nga FMN dhe BB, me terma shumë avantazhues, u bë në radhë të parë, për të paguar mbrapsht këto borxhe dhe sigurisht, për t’i dhënë një frymëmarrje ekonomisë, përmes pagesës së këtyre borxheve. Një injektimi që praktikisht ka filluar të japë efektet e para. Kështu që, unë besoj që kemi marrë 2 efekte pozitive: E para, kemi rikthyer ekonominë në lëvizje dhe e dyta, kemi futur ekonominë në rrugën e stabilitetit, duke vënë rregull mbi gjithë ato libra llogarish që ishin thuajse duke dalë jashtë kontrollit,” – u shpreh Kryeministri.
Por një çështje me mjaft interes për studentët ishte reforma në arsimin e lartë në Shqipëri, të cilën, Kryeministri e konsideroi një reformë tepër të rëndësishme që kërkon kontributin sa të sektorit publik, aq edhe atij privat, po ashtu edhe të ekspertëve të fushës.
“Ju jeni në dijeni që po punohet një dokument për reformën në arsimin e lartë dhe risia është që nuk po e punon qeveria, por po e punon një komision pedagogësh dhe përfaqësuesish të nderuar, qoftë të publikut, qoftë të privatit. Është një dokument që unë kërkova që ta shtyjmë ende, për të mundur të marrim të gjithë kontributet dhe për të dalë me një produkt sa më solid,” – u shpreh Kryeministri.
Ndërsa parashtroi se dy kriteret themelore mbi të cilat do të bazohet kjo reformë janë merita dhe konkurrueshmëria, Kryeministri Rama nënvizoi se për një sistem të shëndetshëm të arsimit të lartë duhet që universitetet t’i nënshtrohen konkurrencës së barabartë dhe për këtë, është i nevojshëm edhe një sistem akreditimi i besueshëm.
“Ka dy gjëra shumë të thjeshta: E para, konkurrenca. E dyta, merita. Pa këto të dyja është e kotë që të pretendojmë të ndërtojmë një Shqipëri europiane, në të gjitha aspektet. Universitetet duhet të hyjnë në një sistem konkurrence të barabartë. Dhe nuk duhet të ketë më universitete private dhe shtetërore, por duhet të ketë vetëm universitete publike. Universitete publike që financohen nga shteti, universitete publike që financohen nga privati. Që të ndodhë kjo duhet një sistem akreditimi i besueshëm, nga një agjenci akreditimi ndërkombëtare që thotë në bazën e kritereve se kush e meriton dhe kush nuk e meriton të qëndrojë në këtë fushë” – u shpreh Kryeministri.
Në mbyllje të takimit, Kryeministri Rama falënderoi studentët për ftesën dhe theksoi se shkëmbimi i hapur i opinioneve me ta ishte për të, një vlerë e shtuar.