Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama, sot në Kuvend:

Do të doja që t’i drejtoja një lutje gjithë Grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim së bashku, për t’ju thënë se, sinqerisht, unë besoj që përveç sfidave të mëdha që ka vendi dhe që janë sfidat tona si “Aleancë për Shqipërinë Evropiane” në radhë të parë, secili prej nesh ka edhe një sfidë tjetër këtu në këtë sallë; Asnjëherë mos e harroni shprehjen “hedh një budalla një gur në lumë dhe 100 të mençur se nxjerrin dot”.  Do t’ju lutesha shumë që “budallain” lëreni të hedhë gurët e tij dhe ne të vazhdojmë të çojmë përpara axhendën e punëve tona.

Nga ana tjetër, përftoj nga rasti që të them dy fjalë lidhur me objektivin më të afërt, i deklaruar si objektiv i përbashkët, gjithmonë duke i qëndruar bindjes time se këta nuk duan ta sabotojnë statusin, por këta, këta janë. Këta nuk dinë të bëjnë asgjë tjetër.

Dua t’ju them ju edhe të gjithë atyre që na dëgjojnë se, realisht, edhe nga vizita në Holandë konstatova të njëjtën gjë që thashë këtu para një jave, përjetimin tim, përjetimin e ministrit të Jashtëm, e ministres së Integrimit, e ministrit të Brendshëm, e ministres së Mbrojtjes dhe e të gjithë ministrave, që për shkak të detyrës janë në kontakt të vazhdueshëm me miqtë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë. Më besoni, ne jetojmë në dy botë tërësisht të ndryshme. Asgjë, asgjë, e përsëris, nga gjithë këto çfarë ulëriten këtu nuk është në asnjë nga pikat e diskutimit me miqtë dhe partnerët tanë. Këtu dëgjojmë të ulëritet për një Shqipëri që mbase këta duan që të jetë ashtu siç e përshkruajnë, ndërkohë që ju siguroj se puna e kësaj Aleance, puna e këtij Parlamenti, drejtimi i ri i Parlamentit, puna e Qeverisë sonë, drejtimi i vendit nën qeverisjen tonë po gëzojnë përditë e më shumë mbështetje dhe respekt të partnerëve tanë ndërkombëtarë. E, është vërtetë fatkeqësi për të gjithë, – unë e besoj këtë gjë, – që axhenda e opozitës jo të jetë e ndryshme nga ajo e qeverisë, se e tillë duhet të jetë, por të mos figurojë asgjëkund si pjesë e shqetësimeve që miqtë dhe partnerët kanë për Shqipërinë. Shqetësimet, lidhen me domosdoshmërinë që të shkojmë përpara edhe me më shumë vendosmëri, sepse janë faktet që flasin, janë shifrat, janë provat që flasin.

Komisioni Evropian nuk gdhihet dhe nuk ngryset duke dëgjuar thashetheme, por duke monitoruar qeverisjen dhe duke lexuar shifrat dhe faktet e mbledhura në mënyrë të pavarur. Sikundër, ngritja e Shqipërisë sot në një nivel krejt tjetër bashkëpunimi dhe komunikimi me gjithë familjen evropiane, por edhe me gjerë se kaq, si dhe gjithë vizitat e nivelit më të lartë, që kishin vite që nuk bëheshin për arsye që tanimë janë qartësisht të ditura nga ne, nuk kanë lidhje me asgjë tjetër, përveçse me dinjitetin që ne po i rikthejmë vendit tonë dhe me besimin që po kthejmë tek miqtë dhe partnerët se PO, Shqipëria mund t’ia dalë; se PO, Shqipëria mund të qeveriset ndryshe; se PO, Shqipëria mund ta luftojë krimin e organizuar; se PO, Shqipëria mund ta luftojë korrupsionin; se PO, Shqipëria mund ta luftojë varfërinë; se PO, Shqipëria mund ta luftojë papunësinë; se PO, Shqipëria mund të vazhdojë të jetë jo vetëm një faktor paqeje, thjesht dhe vetëm duke bërë “amin”, por një faktor i rëndësishëm në fatet e rajonit.

Shumë shpejt do të shikoni të tjera zhvillime; shumë shpejt do të shikoni të tjera takime; shumë shpejt do të shikoni se çfarë po sjell për rajonin, jo vetëm për Shqipërinë, dinamika e re e politikës sonë të jashtme.

Ndërkohë që, duke dëgjuar gjithë këto ulërima, unë dua ta rikthej vëmendjen tek disa fakte shumë të thjeshta. Këto fakte janë lehtësisht të verifikueshme. Janë lehtësisht të verifikueshme, sepse nuk janë shifra as të INSTAT-it të deridjeshëm, as të INSTAT-it të sotëm, janë shifra të verifikueshme në bordero dhe janë shifra të verifikueshme në mbledhjen e kontributeve dhe tatimeve. Janë 30 263 shqiptarë dhe shqiptare më shumë sot në punë, në punë të formalizuar. Unë i sfidoj të gjejnë jo 1 mijë, 2 mijë, 3 mijë gabime, por 1 gabim. Janë 30 263 njerëz të cilët sot raportojnë tek tatimet, të cilët sot janë pjesë e kontributeve për sigurimet.

E dyta, unë ju jap një shifër tjetër. Edhe kjo është tregues i asaj që po bëjmë në gjithë këta muaj shumë të vështirë, ku është vetëm fillimi. Treguesi është se vetëm në 4 muajt e parë të këtij viti dhe vetëm përmes 6 Zyrave të Punës, janë punësuar 4100 vetë. Ndërkohë që në gjithë vitin e shkuar, këta punësuan 750 vetë, aq sa ç ’kishin stafin e punësimit. 750 vetë i mbanin me rroga, 750 vetë punësuan, këta që flasin.

Ndërkohë që dua të vazhdoj duke thënë se e rritëm në vitin e parë fondin për nxitjen e punësimit me 300 %, duke e çuar në 2.7 milionë dollarë. E dini se cili është rezultati? Nëse sot ne kemi 345 biznese që aplikojnë për të konkurruar për këtë fond punësimi, vitin e shkuar këta kishin 500 % më pak dhe çuditërisht, aplikantët ishin baraz me shifrën e vënë në dispozicion dhe të gjithë aplikantët morën shifrën dhe ikën.

Nga ana tjetër, me shumë keqardhje për çdo të përndjekur politik që vazhdon sot e gjithë ditën të besojë te këta dhe që vazhdon, fatkeqësish, sot e gjithë ditën të dëgjojë këta, unë dua të them se në 4 muaj, në 4 muajt e parë të vitit të parë të një pas krize të tmerrshme ku këta e lanë vendin, 1 mijë, – ju sfidoj këtu të thoni që nuk ishin 1 000, por ishin 999,- 1 mijë ish të përndjekur kanë marrë këstin që nuk e kishin marrë 8 vjet rresht. Edhe kryetari i tyre, i të përndjekurve, ai që e nxirrnin këta në televizor dhe e shpërdoronin dhe që i shkreti besonte se këta ishin antikomunistë “sui generis” e mori tani këstin e parë të tij, të dëmshpërblimit. Brenda verës, 1 000 të përndjekurit e fundit, që në 23 vjet nuk kanë marrë asnjë kokërr leku nga këta, do të marrin këstin e parë. 1 mijë të përndjekurit e fundit që  nuk kanë marrë në 23 vjet dhe janë të burgosur  realë, janë njerëz  që kanë vuajtur realisht në burgjet e Saliut dhe të Kastriot Islamit. Këta njerëz morën tani këstin e parë.

Ju shikoja kur flisnit për Enverin dhe enveristin e fundit që do t’u thyente kafkat juve e keni marrë me vete. Ju dëgjoja që flisnit për dhunë dhe njërin këtu e keni me proteza nga të rrahurat që i keni bërë vetë, e keni këtu në grup. E kam parë vetë dhëmbët që i mbante në dorë. Kështu që kur flisni matuni mirë.

Ndërkohë që, 20 vjet nuk u bë reforma  e pensioneve. Pas 20 vjetësh, sot kemi bërë reformë pensionesh, duke shpëtuar për vitin 2018, 8 mijë njerëz që do të ngeleshin pa asnjë qindarkë për shkak të falimentimit të skemës së pensioneve që ju e mbajtët këmbë. Ndërkohë që ju, në vend që të bëni opozitën patjetër, në vend që të kërkoni këtu llogari patjetër, për gjëra të cilat i shikoni ndryshe,  ju vini këtu dhe na kërkoni ne që të kemi vëmendje dhe të dialogojmë me ata që ju i quani trima dhe trimëresha, që edhe flijohen. Për kë e keni fjalën? E keni fjalën për shefin e pensioneve të Gjirokastrës që i bëri lëmsh gjithë punët atje dhe bëri që dy njerëz me të njëjtin historik të dilnin me pensione të ndryshme? Apo e keni fjalën për gjithë ata të tjerët që i keni marrë në qafë se i keni futur ju në atë grevë?

Ne, maksimumi që mund të bëjmë për atë grevë është thjesht dhe vetëm që ta respektojmë si grevë, por më shumë s’kemi çfarë të bëjmë për atë grevë. Do të kisha shumë dëshirë të bënim. Menjëherë e kam ngarkuar ministrin e Mirëqenies Sociale për fillimin e dialogut edhe për ata që janë aty në çadër. Por përpara se të fillojë dialogu me ata që janë aty në çadër si të përndjekur, duhet të dalë kryetari i grevës që nuk ka bërë asnjë ditë burg dhe që ka privatizuar treçerekun e ndërtesës se të ish përndjekurve. Të dali dhe pastaj të vazhdojë dialogun.

Ndërkohë, me lejoni t’u them edhe një gjë tjetër, që 106 mijë familje i latë 6 muaj pa i paguar, nuk u dhatë asnjë lek. Ne jo vetëm që i shlyem të gjitha pagesat e prapambetura, por kemi deklaruar dhe do i qëndrojmë se nuk do ketë më asnjë pagesë të vonuar. E këto janë fakte siç është fakt që 12 mijë abuzues, me skemën e asistencës, sot nuk po përfitojnë më. Janë të shkëputur nga kjo skemë. Ndërkohë që, atë që e kishit edhe shef “kempi” edhe me rrogë shteti, edhe me privilegje si njeri në nevojë, e keni në grevë. Çfarë t’i bëjmë ne atij. Në qoftë se është njeri në nevojë do t’i japim ndihmën që i takon. Po si ta kthejmë ta kthejmë dhe në punë, t’i japim dhe rrogë, siç ia jepnit ju?

Ka dhe një ndryshim tjetër shumë të madh, shikojeni dhe verifikoheni. 46 % janë rritur si volum eksportet në Shqipëri në këto 4 muaj dhe 32 % në vlerë. Ndërkohë që të ardhurat tatimore janë 66 milionë dollarë më shumë. Por gjëja më e rëndësishme është që nëse krahasuar me ju janë 66 milionë dollarë nominalisht, 10 % të të ardhurave tuaja vinin nga gjobat dhe nga dhuna që i bënit bizneseve. Zëri i gjobave tek ne është i papërfillshëm. Ashtu sikundër vetëm 6 %, e kishit pjesën e TVSH dhe të ardhurave. 24 % ka shkuar pjesa e TVSH dhe në ardhurat në muajin e 4-t. Këto janë shifra që tregojnë se po kthehet shteti, se po funksionon shteti. Punët, për të cilat shqiptarët na kanë votuar, ne po i bëjmë me devotshmërinë më të madhe, por kurrsesi nuk mund të pretendojmë se gjithçka, që ata kanë pritur ne mund ta bënim dhe mund ta bëjmë në pak muaj.

Por ne do të bëjmë gjithçka që kemi premtuar, një nga një, dhe do të përgjigjemi, do të japim llogari dhe do të shpjegojmë pse nuk e kemi bërë këtë apo atë, nëse nuk do ta bëjmë dot, drejtpërdrejtë dhe sy më sy me njerëzit, pa i gënjyer dhe pa i bërë bisht përgjegjësive. Madje, ne kemi dhe një ndryshim shumë të madh nga ju. Ju dilni aty dhe thoni është emërua, ky apo ai. Të gjithë këto që thoni ju verifikohen.  Nga të gjithë ato që thoni janë disa dhe konkretisht 4 persona që iu është kërkuar largimi nga puna. I fundit fare është personi i djeshëm që i është kërkuar të largohet nga puna dhe është larguar nga puna, pavarësisht se të gjithë ata pretendojnë se do të fitojnë gjyqet me ju, është puna e tyre.

Ju vini këtu dhe mbroni një gjeneral të korruptuar, një nga shumë të korruptuarit e kupolës së Ministrisë së Mbrojtjes, e mbroni si burrë trim. Burrë trim për çfarë?! Ndërkohë që sinqerisht jeni për të ardhur keq, jeni për të ardhur edhe më keq se sa ç’janë për të ardhur keq, ata që nxjerrin akoma fotografinë e Enver Hoxhës se ata të shkretët të paktën janë të humbur një herë e mirë në rrugën e tyre dhe rrinë para një fotografie. Kurse ju që jeni këtu të gjithë përfaqësues të një pjese të madhe të shqiptarëve, jeni komplet të humbur në rrugën e një njeriu të vetëm.

Jua thashë dhe më parë. E kur dëgjoj këtë, që në moshën e kryetarit të Kuvendit, prishte mbledhjet e organizatës bazë në spital se donte të bëhej sekretar organizate me zor. Kur ishte në moshën e kryetarit të Kuvendit, prishte mbledhjet e organizatës, fikte dritat se donte të bëhej sekretar organizate. Kur ishte në moshën e kryetarit të Kuvendit, ky ju qep jo me bukë në trastë siç i thonë, por me gurë në trastë 2 mjekëve të shkretë, një çifti njerëzish të ndershëm dhe e dini pse ju qep? Se ishin me Mehmet Shehun dhe thotë se e kishte ëndërr Mehmet Shehun, por meqë nuk e takonte dot Mehmet Shehun qante në prehrin e Vitos, kur ishte në moshën time ky. I rrinte Vitos në prehër dhe i thoshte: “Vito u shua bota, na iku Hysniu”. Vito e shkretë nuk dinte kë të mbante, burrin që po i ikte apo Saliun që iu qep mbrapa deri në Paris.

Pastaj kulmi fare është kur flisni për Enverin. Enveristin tonë e keni aty, do t’u thyente kafkat juve. Ju a thashë dhe herë tjetër, për dhunën unë ju them kaq; Ndihem shumë i keqardhur për veten time personalisht, kur bie pre e kësaj jetës së ulët që na impononi ju. E ndihem shumë i keqardhur edhe për të gjithë këta miqtë e mi kur bien pre e kësaj jetës së ulët që impononi ju. Jam absolutisht i keqardhur për të gjitha ato që kanë ndodhur dhe tërësisht i bindur se të gjithë ata që ishin të përfshirë duhet të mos ishin këtu sot në këtë sallë, për një ndëshkim në formën e një vetëdije të përbashkët, sonës, që kjo histori nuk mund të vazhdojë kështu.

Por nga ana tjetër kur ju dëgjoj juve që bëni si viktima të dhunës së PS apo të LSI, atëherë sinqerisht më kujtohen dhëmbët e njërit nga këtyre këtu që i kam parë që mbante në dorë kur doli nga parlamenti.

 

***

Replikë e parë e Kryeministrit Edi Rama:

Kam vetëm një pyetje për imagjinatën e të gjithëve. Sikur të ngjallej Enveri, kë do mbante mend nga ne të tre? Po të ishte Enveri, tani, këtu, kë do njihte nga ne të tre? Sigurisht që do njihte sekretarin e vet të partisë. Patjetër! Do njihte edhe profesorin e vet, që e bëri edhe kryetar Parlamenti. Mua, Enveri nuk do më njihte.

E dyta, mund të qëllojë që të lindësh e të jesh nipi, mbesa, edhe vajza e djali i dikujt. Edhe pse unë jam më shumë sesa krenar, për tim atë dhe jam shumë i lumtur, kur e shoh Saliun që përkulet atje, para Nënës Shqipëri, kur shkon. Por, ama, që të jesh me mend e tua, me këmbët e tua, pa lidhje që të detyron të njohësh për gjysh apo për gjyshe, njëri apo tjetrin dhe të shkosh t’i rrish te dera e të mos të ta hapin derën, e pastaj të rrish me shefin e rojeve, të bësh xhiro me varkë, a do hapet a s’do hapet dera, duke thënë që jap jetën për shokun Hysni, unë shoqen Viton e adhuroj dhe pastaj të dalësh këtu e të merresh me të shkuarën, është vërtet fatkeqësi e madhe. Por unë e përsëris edhe një herë;

Ne kemi një sfidë në këtë parlament dhe sinqerisht, unë vetë ndjehem jo mirë, kur nganjëherë, fatkeqësisht, bie edhe unë pre e nivelit të ulët ku ju e mbani bisedën. Është e njëjta gjë që ndjej, edhe kur, për të njëjtat arsye, deputetët e deputetet e grupeve tona bien pre e këtyre niveleve kaq banale.

Kështu që, nuk kam asgjë tjetër për të thënë sot, lidhur me këtë, veçse të përsëris që sfida jonë është që të mos biem pre e asnjë banaliteti të kësaj natyre.

Ndërkohë që beteja jonë nuk është me këta. Beteja jonë është me gjithë ato probleme që këta na kanë lënë në mes të rrugës.

Dhe, sa për tjetrën pastaj, që Obama fliska me John Kerry dhe pastaj lajmëroka Kastriotin dhe qoftë edhe ai, Jozeph Daul, apo kë përmendi tjetër, e qakan hallin me Kastriotin, kjo është me siguri, e lidhur me kohën kur i qanit hallet me ato grupet marksiste-leniniste në Francë.

Sa i përket statusin, edhe një herë tjetër e them që unë e kam thënë dhe e kam përsëritur me këmbëngulje, në çdo takim. Që 99% e parlamentarëve të vendeve anëtare nuk e dinë fare se çfarë është statusi i kandidatit dhe ku ndryshon nga negociatat dhe ku ndryshon nga anëtarësimi.  Jua kam thënë drejtpërdrejtë dhe jua kam shpjeguar edhe pse. E përsëris prapë po të doni.

Ndërkohë që, sfida e statusit, sot lidhet domosdoshmërisht, më shumë se dje, edhe me atë që ju thashë në dhjetor dhe që ca skërmiteshin, ca bënin ironi, ca thoshin jo s’ka lidhje kjo punë, po kjo ka lidhje me krimin e organizuar;

Sfida e statusit për Shqipërinë dhe nevoja për të sqaruar me durim të gjitha vendet anëtare, se statusi i vendit kandidat nuk është anëtarësimi, nuk është as hapja e negociatave, por është vetëm një instrument, i krijuar për t’i dhënë një perspektivë një vendi si i yni, ashtu siç iu dha një perspektivë Maqedonisë, sepse nuk kanë kaluar nga kjo rrugë dhe nuk kanë qenë vende kandidate me status pa negociatat, as polakët, as bullgarët dhe as rumunët. Po këtë nuk e di as 99% e juaja që jeni këtu.

E pra, kjo është e rëndësishme për të përballuar influencën e atyre partive ekstremiste, që sot kanë më shumë zë se ç’kishin dje dhe për t’u ardhur në ndihmë gjithë atyre që duan me patjetër të na mbështesin duke dhënë të gjitha argumentet e nevojshëm dhe ju siguroj që janë argumente që funksionojnë.

Për fat të mirë, mënyra si ju keni zgjedhur për ta bërë opozitën është kaq e diskretituar, sa, më besoni, askush nuk ju merr seriozisht. Më besoni se temat që ju doni t’i impononi publikut shqiptar janë tema që nuk dalin në asnjë lloj reference. Ndërkohë që, padyshim, pesë prioritetet, përfshirë krimin e organizuar, përfshirë korrupsionin janë tema kyçe, të lidhura me domosdoshmërinë për të thelluar rezultatet e arritura. Nëse në dhjetor, vendet anëtare kërkuan kohë, duke na e thënë ne ballë për ballë, -gjë që unë s’e kam bërë më parë që t’jua them juve këtu dhe as t’ia them edhe publikut, por ka ardhur koha që ta bëjmë edhe këtë, – që nuk mundemi të gjithë sëbashku, sot ta japim statusin, sepse duam kohë. Rezultatet tuaja janë impresionuese, por kemi nevojë për kohë, të shohim nëse ato janë të qëndrueshme. Sepse kemi parë shumë gjëra zhgënjyese nga Shqipëria.

E, nëse ia lanë Komisionit Europian, që në qershor të konfirmojë progresin dhe të konfirmojë nëse rezultatet janë solide, atëherë priteni Progres-Raportin e Komisionit Europian, punë ditësh, të shikojmë çfarë do thotë, do ta konfirmojë progresin apo s’do ta konfirmojë progresin. Dhe, nëse Komisioni Europian konfirmon progresin, çka në kushtet e dhjetorit do të thoshte dhënie automatike e statusit, unë ju them që, në qoftë se doni të jepni një kontribut, – ju e po të doni, s’dini se s’dini të bëni asgjë tjetër nga kjo që bëni, – është që të përballojmë sëbashku, mundësinë reale të një influence politike brenda disa vendeve anëtare, që lidhen me zgjedhjet e para tre ditëve.

Ky Parlament, sot me këtë duhej të merrej, në qoftë se do të ishte i gjithi Parlamenti i Republikës së Shqipërisë, në qoftë se do të ishte i gjithi përfaqësi e popullit shqiptar, në qoftë se do të ishte i gjithi përfaqësi e gjithë atyre shqiptarëve që votojnë kundër nesh pro jush, kundër jush pro nesh, por që të gjithë sëbashku e kërkojnë këtë konfirmim, se në fund të fundit, është çështje e dinjitetit të këtij vendi.

E në vend që ky parlament, sot të merrej gjerë e gjatë me këtë çështje dhe në vend që në këtë parlament, sot të bëhej një analizë se çfarë duhet të bëjmë sëbashku në këtë fazë të fundit, delikate, kur jemi fare, fare pranë statusit, këtu dëgjojmë se çfarë i thotë në vesh Obama, John Kerry-t dhe çfarë John Kerry, nëpërmjet Jozeph Daul ia përcjell Kastriotit.

Por një gjë dua t’i them gjithë demokratëve që janë me këtë parti, me partinë tuaj, sepse realisht kanë besuar që ditën e parë, që kjo parti është paria e antikomunistëve. Dua t’i them merreni mend se ku ka ardhur kjo punë, ka ngelur partia juaj në dorën e Saliut dhe Kastriotit. Më mirë se kaq, Enveri nuk mund t’jua punonte juve, demokratë.

 

***

Replikë e dytë e Kryeministrit Edi Rama:

Sa për Komisionin Hetimor, Parlamenti e ka ngritur një. Komisioni po punon intensivisht dhe ju siguroj që në ditët në vijim do të sjellë përpara publikut për herë të parë në historinë e Komisioneve Hetimore, me sa mbaj mend unë të paktën, prova konkrete që lidhen me këtë çështje. Të presim. Sigurisht, Komisioni Hetimor do t’ia çojë Prokurorisë dhe Prokuroria të shohim se çfarë do të bëjë.

Unë e përsëris, nuk ka nevojë fare të lodheni, as të bëni Komisione të tjera Hetimore, as të prodhoni 10 linja, 15 linja, 20 linja;

Çohu t’i bëhu burrë, i pari, shko ti i pari në Prokurori, provo një akuzë të vetme, – jo nga këto, por nga të gjitha ato që ke lëshuar këtë në këtë sallë me vite të tera, kur s’më ke pas as përballë, – dhe unë ta kam thënë se çfarë bëj. Por, kur nuk e ke kurajën që të përballesh një herë të vetme me gjithë lumin e akuzave të tua, kur nuk e ke kurajën të shkosh e t’i dalësh ballë për ballë shqiptarëve dhe t’ju thuash kjo është prova që unë kam, konkrete, për këtë që kam thënë, – këtë, fatkeqësisht, jo për mua, por nuk e provon dot për asnjërin nga ata që i ke marrë nëpër gojë këtu me fis e me farë, – kjo është fatkeqësia e madhe e asaj partie që ka mbetur në dorën tënde dhe të Kacit. Kjo është fatkeqësia e madhe e asaj partie që provoi se vërtetë paskan pasur të drejtë ata që thoshin “nuk ka kala që nuk e marrin komunistët”. E morën edhe Partinë Demokratike.

Nga ana tjetër, po ju them edhe një gjë, që është pak po e sigurt, sot, një nga arsyet pse ftohemi, dëgjohemi, mbështetemi dhe respektohemi, jo për atë që jemi ne si person, por për atë që përfaqësojmë si Qeveri, si shumicë parlamentare, si ambicie për Shqipërinë Europiane, është pikërisht, sepse po i presim një e nga një të gjitha ato fije, të gjithë ata litarë ju i latë jashtë, të drogës, të kontrabandës, të krimit të organizuar dhe të gjithë molepsjes të Policisë së Shtetit me krimin.

Ti zotëri je prova e gjallë e asaj që thoshte Kanti: “Kur dikush akuzon tjetrin për diçka për të cilën nuk ka prova, është në gjendje ta bëjë vetë”.

Ti akuzon të tjerë se kanë familjen të përfshirë në çështje të rënda, sepse je vetë në gjendje ta përfshish vetë familjen në çështje të rënda. E ke provuar këtë gjë.

Ti akuzon kalamajtë, vëllezërit, kushërinjtë e të gjithë me radhë, se, në fakt, tribun tënde e bëre një bandë që e mori shtetin peng, bashkë me Partinë Demokratike edhe bashkë me qeverinë e këtij vendi. Prandaj je në gjendje ti që të akuzosh të tjerët kështu. Ti je në gjendej të dalësh këtu dhe të bësh këtë shfaqje të ulët qysh prej 20 e kusur vitesh, vetëm e vetëm, sepse të gjitha ato për të cilat merr kurajën t’ja thuash të tjerëve, i bën vetë.

Madje, të duket çudi e madhe që në ketë vend të ketë njerëz që nuk ulen në karrige për të vjedhur; që në këtë vend të kenë njerëz që nuk i vë njeri në qeveri sepse i thotë çuni, apo i thotë vajza, apo i thotë vëllai, apo i thotë kunati, apo i thotë baxhanaku i shkretë.

Të duket çudi e madhe që në këtë vend të ketë një Qeveri  e cila punon për vendin, e cila punon për njerëzit, e cila punon me njerëzit. Sepse nuk je në gjendje ta bësh vetë. S’ishe kurrë në gjendje që ta bëje vetë. Shqiptarët ta dhanë dy herë mundësinë dhe dy herë i le shqiptarët në gropë. Herën e parë e përvëlove vendin dhe herën e dytë e le në një hendek, pa asnjë partner.

Meqenëse the këtu se statusin nuk e dhanë se ishin 3 ligjet, po kur kaluan 3 ligjet, pse nuk e dhanë statusin?!

Ta shpjegoj unë, ty edhe të gjithë atyre të tjerëve rreth e rrotull, që skërmiten kur flet ti.

Po ta them shprehimisht dhe qartësisht; sepse gjithçka ne bëmë në muajt e parë, për të cilat morëm gjithë përgëzimet e mundshme dhe për të cilat jemi këtu sot, në kushtet kur marrim ftesa e bëjmë takime me të gjitha ato nivele që zotëria jote i bëri vetëm në fillim fare, në presidencën e parë, sa pa të njohur, ka vetëm një arsye “sepse Shqipëria dhe qeveria e mëparshme na ka zhgënjyer mjaft, për të mundur që brenda pak muajsh ne të japim statusin. Na duhet kohë që të shikojmë nëse bilanci do të jetë i qëndrueshëm”.

Qershori është pika që do të provojë, jo nga ne, se e thua ti apo e them unë.

Coje kokën e më shih në sy, se e ke edhe këtë zakon ti, që kur ti thonë të vërtetat nuk i sheh në sy, se je mësuar ti flasësh këtyre, që të gjithë ulin kokën kur flet ti.

Edhe një herë tjetër, është një sfidë kuptoj unë që kemi ne këtu në këtë sallë, që kur budallai hedh një gur në lumë, ne mos të shkojmë pas gurit. Ne nuk shkojmë pas gurit, por nga ana tjetër kemi edhe një detyrë, që ta respektojmë këtë praninë tuaj këtu, e t’ju durojmë që të flisni e të flisni jashtë çdo lloj rregulloreje, jashtë çdo lloj etike, jashtë çdo lloj tradite këtu në Parlament, vetëm për një arsye, që ju ta kapni sa më parë veten.

Por, sigurisht, sa të keni Saliun me Kaçin, harrojeni, se këtu ku jeni do të jeni. Ka vetëm një arsye pse LSI nuk e integroi socialistin e vërtetë Kastriot. E dini se cila është? E kishte Ramizi, humbi; e kishte Fatosi, humbi; më ngeli mua, humba dhe unë; e keni ju tani, mbajeni dhe aty rrini.

 

***

Replikë e tretë e kryeministrit Edi Rama:

Edhe njëherë sepse është shumë e thjeshtë. Në qoftë se e ke dhe në qoftë se e keni për qytetarët shqiptarë,  në qoftë se vërtetë e vrisni mendjen se çfarë të bëni që të shpëtoni shqiptarët është shumë e thjeshtë; lërini këto rrotullime rreth vetes, sepse histori nuk po tregoj unë, histori nuk po tregojmë ne. Histori po tregon zotrote. Nga ato histori që ke 20 e kusur vite që i tregon, po ka mbaruar ajo historia jote.

Një provë të vetme.

Jo 7, as 70, por 1 prove të vetme.

Ta kam thëne edhe herën tjetër.

Prokurorin e Përgjithshëm dhe të gjithë prokurorinë i ke akoma nën hijen e frikës nga ty. Gjykatat i ke akoma nën hijen e pushtetit tënd. Presidentin e ke gati në çdo luftë që do ti të hapësh brenda sistemit gjyqësor, kujtdo qoftë nga ne, në emër të Shqipërisë dhe shqiptarëve, siç e ke zakon prej 23 vjetësh, edhe pse sa here ke pasur mundësi ua ke bërë të 99-tat pas shpine, shqiptarëve në Shqipëri dhe në Kosovë, e ku kanë qenë.

Mjafton vetëm kaq. Një provë.

Shko provoje dhe unë ta kam thënë dhe e kam thënë botërisht se çfarë bëj unë.

Tani nuk të them shko me Jozefinën të dezinfektosh Divjakën, nëse nuk e provon, por po të kërkoj një gjë më të thjeshtë. Bashkë me Kastriotin, të dy të shkoni dhe t’i kërkoni falje atyre që ngrenë fotografinë e Enverit, se në fakt ata të shkretët, ta thashë, e kanë humbur rrugën. Kurse zotrote ke përgjegjësinë e madhe që ia ke humbur rrugën PD. Ke përgjegjësinë e madhe që e katandise PD në pikë të hallit, ta mbrosh bashkë me atë që e quajte “zoti Kastriot”, ndërkohë që deri dje e quaje shoku Kastriot që spiunonte shokët në Paris. Kështu thoje për atë.

Por gjithsesi, kjo është një mënyrë sesi historia të ka dënuar ty bashkë me Kastriotin dhe sesi fati po iu jep mundësinë të gjithë të tjerëve dhe demokratëve që të shpëtojnë PD se është një pasuri shumë e madhe dhe nuk është pasuria e familjes tënde.

***

 

Replikë e katërt e kryeministrit Edi Rama:

Është shumë e drejtë vërejtja, por sot është një ditë për të folur edhe njëherë tjetër dhe jo për parafolësin më të shkurtër. Se sot nuk ka asgjë që mund të thuhet më shumë për të se sa fakti që është bërë pjesë e një partie, në gazetën e se cilës, pra në gazetën Rilindja Demokratike, ndër shumë gjera të tjera për të, është thënë se Kastrioti na paska qenë dhe pak spiun. Pra, gjatë kohës që ka qenë me studime në Francë, ka qenë dhe rezident i ish policisë sekrete komuniste dhe ka nisur informacione të bollshme në dëm të shokëve të tij. Këtë e thotë RD, se unë vetë nuk kam prirje ta besoj kurrë. Nuk mund të marr seriozisht një person që i është bashkuar kësaj partie me të cilën ka pasur një çështje të hapur, “se kush do t’ia thyente kafkën tjetrit” dhe e cila ka thënë ato që ka thënë.

Kur e përmenda nuk e kam fare me personin. Ju siguroj se duhet ta ul kokën shumë poshtë për ta parë. Por e kam me fenomenin. Fenomeni është ky;

Dy komunistë – dhe jo komunistë, si ata të shkretët po e përsëris prapë, që kanë humbur dritën pas kaq shumë vitesh,- por dy komunistë që janë bërë pjesë e Partisë së Punës, thjesht dhe vetëm për të njëjtat arsye që janë sot këtu në parlament; Për karrierën, ambicien e tyre të shfrenuar e kanë marrë peng partinë që lindi për të rrëzuar komunizmin.

Ky është fenomeni. Dhe të lutem Jozefinë, duhet ta pranosh se ishte më dinjitoze kur të nënshtroi Enveri, sesa tani që je i je ulur në gjunjë të Saliut. Se midis këtyre dy komunistëve duhet të preferosh origjinalin dhe jo karikaturën.

Ke bërë ndaj meje Sali, tre komisione hetimore, jo një. I ke bërë gjithmonë për të njëjtën arsye, që ti dhe ata të tjerët që të ndoqën ty tek organizata jote bazë çuat në internim atë çiftin e mjekëve që përfunduan të shkretët në Kavajë. Dhe ti flet shumë për dokumente dhe materiale, por unë shpresoj që një ditë Filip Cakulli, t’ia tregojë këtij populli dëshminë që kanë lënë pas ata të shkretë, që fatkeqësisht, mesa di unë sot nuk jetojnë më.

Të njëjtën gjë kërkon ti me komisionet  e tua hetimore, si të gjithë eterit e tu shpirtërorë. Se etërit shpirtërorë janë ata që i zgjedh vetë Sali. Dhe ti e zgjodhe Enverin, ti e zgjodhe Stalinin. Ti i shkove atyre pas dhe e mbajnë mend mirë të gjithë se ç’ke bërë në emër të tyre. E mbajnë mend mirë të gjithë edhe shumëkush këtu se kush të çojë ty bedat tek Lëvizja Studentore. Po kjo është një histori shumë e vjetër, për të cilën të jesh i sigurt që këtu brenda i ke dëshmitarët, që një ditë do t’i tregojnë gjërat ashtu siç janë. Aty i ke. Tani po them edhe njëherë tjetër.

Tre komisione hetimore ke bërë, ekzaktësisht njësoj si gjyqet  e komunizmit. Të ngremë një gjyq, të ngremë akuzat dhe të provojmë përmes akuzave se ky apo ai është fajtor. Po çfarë është kjo këtu që bën ti çdo të enjte. Nuk është komision hetimor? Çfarë mund të bësh më shumë ti në një komision hetimor, sesa ç’ke bërë tre here resht apo se ç ’bën këtu çdo të enjte, që çohesh, akuzon, akuzon dhe vetëm akuzon. Zotëri, e ke prokurorinë në dispozicion. Janë gati. Shko zotëri në prokurori, por bëhu njëherë burrë e pranoje se nuk ke asnjë provë për gjërat që flet. Arsyeja pse i sulmon kundërshtarët e tu në këtë mënyrë dhe arsyeja se pse e ke bërë politikën shqiptare një kanal llumi dhe zullumi, është sepse je në gjendje t’i bësh vetë ato për të cilat akuzon të tjerët.

Kam përshtypjen që sot na nxore edhe një anë tjetër tënden, të cilën unë nuk ta njihja me thënë të drejtën. Se je dhe mjek dhe  e di mire se si në jermin e këtyre lloj shfrimeve, mund të dalin nga inkoshienti gjëra që ia ke fshehur edhe vetes. Atë punën e dëshirës për t’u bërë dhëndër në shtëpinë e Enverit, mos e ke nga vetja Sali? Mos e ke pasur ti ëndërr këtë punë? Se unë kam qenë shumë i vogël atëherë. Ashtu sikundër të doli këtu edhe një gjë tjetër, ‘baxhanaku, baxhanaku”. Mos e ke këtë ngaqë nuk të zë gjumi që e mohove atë baxhanakun atje në Gërdec?

Fjala ime, sot, është për të gjithë ata që sot vazhdojnë të të japin votën ty; për të gjithë ata që të kanë besuar 20 e kusur vite; për të gjithë ata që vazhdojnë kujtojnë se ti ke ndonjë gjë seriozisht me këtë vend e me këtë popull. Kurrë nuk ke pasur ndonjë asgjë seriozisht ti, përveç pushtetit tënd, familjes tënde, jo si familje se atë ta kesh me jetë, por si një tribu me të cilën ke marrë peng PD, me të cilën ke marrë peng qeverinë e kësaj opozite,  duke i përdorur të gjithë këta të tjerët, sikur ishin të gjithë sekretarët, të gjithë asistentët dhe të gjithë zbatuesit e projekteve të djalit tënd, vajzës tënde dhe të gjithë atyre që në emrin tënd bënin gjithë ato zullume. Ky je ti Sali Berisha!

Sot solemnisht jap fjalën këtu në këtë sallë që unë nuk merrem më me ty. Ne do të marrim vendimin që ty do të lëmë të flasësh sa të duash, sepse nuk duhet të harrojnë shqiptarët kush je ti. Të flasësh sa të duash dhe ne do të respektojmë deri në fund nevojën e njerëzve që ta shohin deri në fund se kush i mbajti peng gjithë këto vite.

Ka pasur një të drejtë të madhe presidenti amerikan përpara disa javësh kur tha: “Kur injoranca të del përballë në formën e shprehjes së urrejtjes, ka vetëm një mënyrë për t’u përballur. Lëre të flasë dhe mos u merr me të”. Fol sa të duash  se unë me ty nuk merrem më. Ka vetëm një mënyrë që të më përfshish mua. Shko tek prokurori, provo një. Këto të tjerat janë akuza, sepse ti i bën se i ke berë vetë. Të gjitha këto për të cilat ti akuzon të tjerët i kë bërë vetë. Je autor i drejtpërdrejtë i të gjitha këtyre gjërave për të cilat akuzon të tjerët.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.