Prononcim i Kryeministrit Edi Rama, pas takimeve të zhvilluar sot me zyrtarë të lartë në Holandë:
“Takime intensive, bashkëbisedim i hapur, dëshirë nga ana e miqve dhe partnerëve holandezë për të na dëgjuar deri në fund. E mbi të gjitha, sinqerisht, krenari për punën e bërë në gjithë këta muaj, e cila jo vetëm shihet dhe jo vetëm vlerësohet, por përbën një bazë shumë solide për të folur hapur dhe për të kërkuar atë që na takon. Atë që na takon, që duhet ta kishim marrë që në dhjetor, ka më shumë arsye për ta marrë në qershor, dhe që shpresojmë se me fundin e zgjedhjeve europiane do të jetë më e lehtë për të mos e lënë pre të debateve dhe paragjykimeve të brendshme të disa vendeve anëtare, siç ndodhi në dhjetorin e kaluar dhe siç është fare e qartë, sot e gjithë ditën, për të gjithë ata që kanë sy për të parë dhe për të gjithë ata që njohin sadopak si funksionon Europa e sotme.
Ne kemi bindjen që Progres-Raporti do të jetë baza e gjykimit të gjithë vendeve anëtare. Duam të besojmë deri në fund se asnjë nga vendet anëtare nuk do t’i bishtnojë pikërisht atij angazhimi të marrë bashkërisht në dhjetor, se do të duhet një Raport tjetër për të treguar se progresi i madh i vënë re në muajt e parë të qeverisjes është konsoliduar dhe kjo do të mjaftonte që vendet anëtare të shprehen.
Të shohim, sepse Europa është gjithmonë e më pak e parashikueshme, dhe gjithmonë e më shumë e lidhur në rrugën e të ardhmes së vetë me problemet e të sotmes.
***
Kryeministri Edi Rama po zhvillon një vizitë zyrtare në Holandë, me ftesë të Kryeministrit Mark Rutte.
Takimin e parë Kryeministri e zhvilloi me Ministrin e Jashtëm Frans Timmermans, i cili shprehu vlerësimet për punën dhe qeverisjen bindëse të këtyre muajve.
Më pas Kryeministri Rama zhvilloi një takim të veçantë me homologun Mark Rutte.
Kryeministri Rama e njohu homologun e tij me zhvillimet në Shqipëri, reformat dhe nismat e qeverisë sidomos kundër korrupsionit, trafiqeve të paligjshme dhe krimit të organizuar.
Kryeministri Rama mori nga Kryeministri Rutte përgëzime për progresin real që Shqipëria ka shënuar këto muaj dhe mbështetjen për vazhdimin në rrugën e reformave.
Kryeministri Rama, duke folur për rrugëtimin e Shqipërisë e të rajonit tonë drejt Bashkimit Europian, theksoi se Europa i duhet Ballkanit, sikundër Europës i duhet Ballkani.