Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

U përmbyll sot procesi për dhënien e titujve të pronësisë për shtëpitë e trashëguara, në Himarë, në përmbushje të zotimit, që brenda vitit, të gjitha shtëpitë e trashëguara të kenë tapinë dhe të jenë të hipotekuara.

“Kemi bërë në 6 muaj pak a shumë, atë që pritej prej shumë e shumë vitesh dhe kemi arritur që gjithë bazën e punës së bërë në kohë e mëparshme, ta shfrytëzojmë për t’i dhënë një ritëm të jaashtëzakonshëm procesit. – u shpreh Kryeministri Rama, në takimin me banorët e Himarës, të cilëve iu dorëzoi personalisht certifikatat e pronësisë.

* * *

Mirëdita dhe mirë se ju gjeta të tërëve! Në fakt është pak e çuditshme për mua që të vij në Himarë dhe për shkak të shiut të jemi brenda, por pavarësisht se nuk jemi si zakonisht në hapësirën e mrekullueshme të Himarës dhe me qiellin blu dhe me diell e rëndësishme është që sot ne jemi këtu për të përmbyllur atë që morëm përsipër së bashku me Vangjelin që brenda vitit të gjitha shtëpitë e trashëguara të kenë tapinë dhe të jenë të hipotekuara.

Edhe njëherë tjetër do ta përsëris, shpresoj mos të mërziteni se e keni dëgjuar sa herë kam ardhur në Himarë për këtë proces, që ky proces nuk ka qenë aspak i lehtë dhe nuk është aspak i lehtë. Kur them nuk është paska i lehtë e kam parasysh se në ndërkohë ne do të vazhdojmë me AMTP-të që janë një tjetër sfidë më vete si rezultat i problematikës që e kemi thënë, e kemi shpjeguar dhe që ju të tërë e dini më mirë se unë e se kushdo tjetër që mund t’ju flasë me mikrofon, pasi zona e Himarës ashtu si dhe disa zona të tjera të Shqipërisë kanë pasur probleme të trashëguara si rezultat edhe i mungesës së azhornimeve, si rezultat edhe i shumë mbivendosjeve e të tjera.

Më vjen shumë mirë që sot jam këtu së bashku me Bledin, i cili na ka ndihmuar në këtë proces edhe me shtysën e vazhdueshme në emër të të gjithë qytetarëve, por edhe me Lorenën, drejtoren e Përgjithshme të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës që i ka qëndruar në kokë procesit që nga dita e parë që është emëruar në këtë detyrë, që po sjell një transformim të mëtejshëm të agjencisë dhe patjetër që ka motivuar dhe ka nxitur në mënyrë të vazhdueshme edhe zyrat përkatëse në këtë qark ku përsëris atë që tha Vangjeli, falënderoj edhe drejtuesit vendorë të zyrave të Kadastrës, falënderoj edhe skuadrat e tyre që me thënë të drejtën për këtë proces kanë bërë një punë të jashtëzakonshme pasi kemi bërë në 6 muaj pak a shumë, atë që pritej prej shumë e shumë vitesh dhe kemi arritur që të gjithë bazën e punës së bërë në kohën e mëparshme të shfrytëzojmë për t’i dhënë një ritëm të jashtëzakonshëm procesit.

Kështu që shumë faleminderit atyre që kanë bërë më së mirë detyrën, por edhe me orë të zgjatura siç e tha kryetari i bashkisë dhe nuk diskutohet këtë e them dhe ju e dini shumë mirë që fushata përsa i përket bashkisë ka mbaruar nuk jemi këtu për të bërë mbështetje kandidaturash, por e them me plot gojën që merita e meritave në këtë punë i takon vetëm Vangjel Tavos.

Ju kam thënë edhe kjo është përditë e më e qartë, keni kapur Vangjelin e duhur mos e lëshoni se po qe për punë një Vangjel ka kjo zonë, po qe për sherr është një Vangjel tjetër, po atë mbajeni larg, e dini ju këtë punë.

Tani edhe disa fjalë meqë jemi këtu që kanë të bëjnë me vlerën  e pronës pasi ju e dini shumë mirë që një shtëpi ka vlerën e saj në varësi edhe si është qyteti apo si është fshati ku shtëpia është e vendosur, si është infrastruktura, si është ekonomia e kështu me radhë dhe për këtë arsye besoj është me shumë vlerë që t’iu sjell në vëmendje që jo vetëm vlera e shtëpive në të gjithë bashkinë e Himarës është rritur në mënyrën marramendëse, krahasuar me deri 10 vjet më parë, por do të vazhdojë të rritet si rezultat i vazhdimit të investimeve që do të bëjmë në bashkinë e Himarës.

Kemi një sërë projektesh të reja të cilat prekin jo vetëm qytetin e Himarës, por edhe pika të tjera dhe kemi të gjithë vendosmërinë ti realizojmë në kohë dhe me cilësi. Dhe në këtë aspekt unë dua t’iu them që ka ndryshuar një gjë shumë e rëndësishme në marrëdhënien e qeverisë me bashkinë e Himarës. Sot nuk është më qeveria që me “hosten” shtyn bashkinë që të bëjë projekte, por është bashkia që na rri në kokë për të kërkuar të mbështesim projekte, projekte, projekte dhe së shpejti do të shikoni projekte të reja që do të nisim në mënyrë që ti japim vlerë çdo metri katror të bashkisë Himarë, ti japim vlerë çdo shtëpie, çdo apartamenti duke përmirësuar më tutje infrastrukturën, duke rritur cilësinë e jetës përmes investimeve edhe për parkimet publike.

Po diskutojmë tani për një projekt të madh, për një parkim të madh nëntokësor tek fusha e sportit ku do të mund të akomodohen shumë mjete, ndërkohë që fusha do të jetë përsëri po aty, po parkimi do të jetë nëntokësor dhe fusha do të jetë mbi parkimin.

Kemi në plan të bëjmë një ndërhyrje shumë të bukur në qendër të Himarës aty ku është një, e dini vetë ju një çudi e madhe dh ku fare mirë mund të bëhet një qendër vërtet shumë e bukur për ta çliruar edhe më shumë energjinë që mund të çlirojë qytetin, po mbi të gjitha për të bërë që edhe brenda qyteti të jetë i vizitueshëm dhe të ketë qarkullim njerëzish dhe të ketë më shumë ekonomi në kohën e sezonit turistik, gjë që sot është shumë e vështirë për vetë faktin që  vetëm trafik ka dhe vetëm bllokime, sepse zona e qendrës është e gjitha jashtë çdo lloj standardi dhe jashtë çdo lloj pamjeje për një qytet që ka marrë kaq shumë emër dhe që tërheq kaq shumë vizitor dhe kaq shumë turistë dhe parkimet e reja publike të ndërtuara në bashkëpunim mes bashkisë së Himarës dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit janë pjesë e planit që kemi për vitet e ardhshme. Ashtu sikundër kemi dhe një sërë projektesh të tjera që prekin Borshin, që prekin edhe pika të tjera. Borshi ka nevojë për ndërhyrje. Është në fakt zona më pak e ndërhyrë në aspektin e investimeve publike, por jo për ndonjë arsye tjetër, por sepse nuk kemi dashur që të bëjmë rrugë që të shkatërrohen pastaj nga fluksi i ndërtimeve, sidomos në pjesën poshtë, ku po lind një tjetër gjeneratë e turizmit në aspektin e infrastrukturës hoteliere, në aspektin e cilësisë që do të sjellë turistë, që do të shpenzojnë më shumë dhe që do të sjellin më shumë të ardhura për zonën.

 

Besoj që, i kemi të gjitha arsyet që të jemi shumë optimistë për të nesërmen dhe kjo që po bëjmë sot është forcim i themelit të ekonomisë së të nesërmes me hipotekimin e gjithë shtëpive të trashëguara. Patjetër që edhe me ecjen përpara me një ritëm tjetër të procesit të dhënies së titujve të pronësisë mbi tokën, do të rrisim edhe më shumë energjinë e të gjithë territorit të bashkisë dhe do të krijojmë premisa më të forta për të pasur një zhvillim gjithëpërfshirës.

Më vjen mirë që ky vit mbyllet me një akt të qeverisë për pensionistët.

Më vjen shumë mirë që si rezultat i rritjes ekonomike, ne arritëm që t’i përfshijmë pensionistët si i vetmi grup që nuk ka parë ndonjë gjë domethënëse nga rritja ekomomike sepse të gjitha grupet e tjera kanë përfituar dhe bonusi që u dha për këtë fundvit, i cili është një mbështetje shumë herë më e madhe sesa e viteve të shkuara, është vetëm fillimi i një procesi të pandalshëm të përfshirjes së pensionistëve në rritjen ekonomike të përgjithshme të këtij vendi. Kemi caktuar, jo më larg se dy ditë më parë edhe bonusin e pranverës, i cili do të jepet përmes një fondi të hapur nga qeveria shqiptare për pensionistët në Bankën e Shqipërisë dhe të gjithë pensionistët me pensione nën 200 euro do të marrin 100 euro bonus në pranverë. Ndërkohë, për ata që e kanë pensionin mbi 200 euro, bonusi do të jetë 50 euro.

Po ashtu, kemi caktuar edhe një mbështetje shumë më të lartë sesa ajo e viteve të shkuara për të gjithë invalidët dhe personat me aftësi ndryshe, të cilët pa përjashtim në këtë fundviti do të marrin nga 150 euro.

E di që e mira nuk ka fund, e di që edhe më shumë duhet bërë, por besoj që të gjithë e dini që për të bërë edhe më shumë duhet të rrisim edhe më shumë mundësitë. Dhe kjo periudhë e fundit është karakterizuar nga rritja e mundësive dhe për këtë arsye kemi pasur dhe aftësinë që të rishpërndajmë më shumë. E shtova këtë këtu, duke para syve të mi, jo pak gjyshe dhe gjyshër dhe desha ta përmend këtë fakt edhe si një vlerësim dhe si shprehje respekti për ta.

Ndërkohë, duke vazhduar me dhënien e këtyre dokumenteve të shumëpritur të shtëpisë, më lejoni që t’ju garantoj se ashtu siç bëmë realitet, së bashku me kryetarin e bashkisë për mbylljen e këtej procesi, ashtu do të bëjmë realitet dhe për mbylljen e procesit të AMTP-ve.

Tani ne jemi mësuar të rrimë atje në shesh edhe të bëjmë këto thirrjet, por do na falni që do duhet të ngjisni shkallët dhe të zbrisni shkallët për të marrë në mënyrë simbolike këto dokumente.

Këtë e bëjmë siç e kam thënë edhe për të sensibilizuar të tjerët, ndërkohë që e tha Vangjeli, e thashë edhe unë, ky proces për ne konsiderohet i përmbyllur nga pikëpamja e të qëndruarit mbi kokë deri jashtë orarit zyrtar, por një sërë individësh, të cilët nuk janë paraqitur, janë kërkuar nga bashkia dhe nuk janë gjetur, por që iu uroj ta kalojnë gëzuar këtë vit të ri si gjithë të tjerët. Shpresoj që në rast se na dëgjojnë të bëhen të gjallë kudo ku janë nëpër botë dhe menjëherë me gatishmëri do të marrin dhe ata dokumentin.

Ajo që është e sigurtë është që të tërë banorët që janë këtu në Himarë apo të tërë ata që janë përfshirë në këtë proces sot, marrin përfundimin e procesit dhe askush nuk është pa hipotekën në shtëpi.

 

 

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.