Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

“Giro d’Italia” një nga aktivitetet më të famshme sportive në botë, zgjodhi Shqipërinë mes shumë kandidatëve për të bërë “La Grande Partenza 2025” – “Nisjen e Madhe 2025”, e cila do transmetohet drejtpërdrejtë në mbi 200 televizione të botës.

Gara e famshme popullore, me një traditë 114 vjeçare, do të mbledhë në maj çiklistët më të mirë të botës në Tiranë, Durrës dhe Vlorë dhe do të ndiqet nga qindra milionë teleshikues. 

Me këtë rast, Kryeministri Rama mikpriti në Kryeministri në mjediset e COD, organizatorët e  Giro D’Italia, me të cilët u zhvilloi një konferencë të përbashkët për shtyp, ku u dhanë detaje mbi itinerarin e garës dhe u përshkruan etapat që do të zhvillohen në territorin e Shqipërisë.

Duke folur mbi garën, Kryeministri Rama tha se: “Giro d’Italia” është një rrugë e jashtëzakonshme për të çuar kartëvizitën e vendit në tre ditë me radhë, drejtpërdrejtë nëpërmjet regjisë së xhiros, e cila është e superspecializuar për sa i përket përcjelljes së imazheve, në 200 vende të botës dhe për t’ia prezantuar Shqipërinë mbi 800 milion telespektatorëve.” 

* * *

Kryeministri Edi Rama: Mirëdita! Për të nderuar miqtë tanë që janë përfaqësues të RCS, por gjithashtu edhe gazetarë që kanë ardhur nga Italia, në këtë moment mjaft të rëndësishëm të botës së sportit që kemi privilegjin ta ndajmë me të gjithë ju, – më duhet të them qysh prej fillimit se është vërtetë me kënaqësi të madhe, pra jam shumë i kënaqur të them që kemi marrë nga RCS Sport konfirmimin që Shqipëria është zgjedhur për nisjen e madhe 2025.

E di që zgjedhjet janë shumë e duhet vetëm të vëmë gishtin e të zgjedhim duke qenë se ka shumë vende të cilat konkurrojnë për të mirëpritur këtë nisje të garës që është një traditë e re që ka 15 vjet që është vendosur dhe për këtë jam edhe më i lumtur që kemi mundur shumë të tjerë, të cilët janë më të mëdhenj e sigurisht edhe më të pasur.

E gjithashtu për t’ju treguar vendin tonë të mrekullueshëm, 800 milionë spektatorëve dhe nëse nuk gaboj, në 200 stacione televizive në të gjithë botën, të cilat transmetojnë drejtpërdrejt Giro d’Italia.

Dua t’i uroj mirëseardhjen më të ngrohtë një kampioni  të madh që është me ne, Vincenzo Nibali dhe dua t’i them që jam shqiptari më i përshtatshëm për të prezantuar këtë ngjarje të madhe sepse i vetmi mjet që di t’i jap, është biçikleta dhe nuk është shaka. Nuk di t’i jap makinës, nuk di t’i jap helikopterit, nuk di të pilotoj avionin, di vetëm t’i jap biçikletës.

Në fakt, jam vërtetë i lumtur që për 3 ditë, në Tiranë, në Durrës, në Vlorë do të kemi kaq shumë kampionë të cilët do të jenë miq në vendin tonë dhe për të cilët do të flitet nga bota, por edhe për Shqipërinë e cila ka një rritje të jashtëzakonshme vitet e fundit e që më së fundi, ka bërë hapin e madh në ligën e kampionëve të turizmit dhe dua të qëndrojmë aty. E dimë mjaft mirë që në ketë ligë ka një konkurrencë të pabesueshme sepse konkurrojmë me vendet të cilat janë të hapura prej shekujsh kurse ne, kemi vetëm 30 vjet e pak më tepër që jemi hapur. E kam thënë gjithmonë, që Shqipëria është një Itali e vogël ndërkohë që tani, me këtë nisje të madhe, jemi vërtetë një Itali në anën tjetër të detit e cila mikpret një ngjarje që nuk është vetëm sportive, por një ngjarje e madhe popullore ku të gjithë përfshihen dhe ku për ne është hera e parë fare, shpresoj jo e fundit, por nuk do të kërkojmë që të bëjmë edhe nisjen e madhe të 2026. Kjo është e paktë, por e sigurtë për të qenë të qartë.

Në fund dua t’i bëj një falënderim të veçantë presidentit të RCS Sport, mikut tim shumë te dashur Urbano Cairo,  i cili  për fat të keq nuk erdhi dot këtu. 

Shpresoj që mungesa e tij të mos jetë e lidhur me një krizë të Torinos sepse unë jam Juventin. Jam një juventin murinjan. Sa herë që Hose Murinjo është në Itali, jam me të, por sa herë që ai nuk është, jam bardhë e zi.

Faleminderit shumë, president! Faleminderit shumë ju të gjithëve që jeni këtu sot!

Një falënderim i veçantë për Paolon, sigurisht, i cili ka bërë avokatin e mirë të Shqipërisë dhe jam i sigurt për këtë. Ka bërë avokatin e Shqipërisë, por dhe po kështu edhe Federatën Ndërkombëtare të Çiklizmit, ku ka një francez dhe me francezët është pak më e vështirë sepse ka, le të themi, një shije mjaft të veçantë, duke qenë se prodhojnë mijëra djathëra. 

Edhe një herë faleminderit Vincenzos, vërtetë nder dhe të gjithëve atyre që nuk e ndjekin çiklizmin nga afër, dua t’ju them vetëm që është njësoj si të kishim këtu Cristiano Ronaldon, por në biçikletë, jo në këmbë. Një Cristiano Ronaldo shumë më të shpejtë. Faleminderit! 

Paolo Bellino CEO i RCS Sport: Më vjen keq sepse nuk e njohim andej gjuhën tuaj, por përpiqem që të përgatitem për nisjen e madhe për të thënë disa fraza në gjuhën tuaj të bukur.

Unë ndërkohë e kisha shumë për zemër që të falënderoja kryeministrin Rama sepse kishim në fakt shumë vende që ishin të interesuar për nisjen e madhe 2025 dhe na ka bindur jo thjeshtë dhe vetëm vendi juaj, jo vetëm organizimi dhe entuziazmi, por dua t’ju them që na ka bindur jashtëzakonisht shumë entuziazmi dhe forca e tërheqjes e Kryeministrit Rama sepse me të vërtetë na ka përfshirë në një rrugë vendimmarrëse ku nuk mund t’i thuhej dot jo.

Ne jemi dhe besoj se kemi bërë një zgjedhje shumë të mirë. 

Vendi juaj është gjithmonë në rritje dhe do ta shihni nga imazhet që ne kemi filluar të xhirojmë tashmë, që do të jetë  një shikueshmëri të madhe për botën sepse çiklizmi është sporti më i mirë për të treguar, jo vetëm një rrugë çiklistike, por edhe vendin mikpritës, pra është rrëfimi i të gjithë Shqipërisë dhe do kemi pamje të mrekullueshme.

Kam ardhur këtu sot për herën e pestë dhe është hera e parë që ka shiu, prandaj shiu është e lidhur me nuset, “një nuse e lagur” në Itali do të thotë me fat. Pra, kjo është një nisje e mbarë, me fat se çfarë do të na presë në maj. Do të jemi këtu në 9 dhe 11 maj. Në 13 janar do të prezantojmë të gjithë xhiron e Italisë. Ne do qëndrojmë në Shqipëri për një javë. Kemi tre etapa, por i gjithë karvani i çiklistëve do të jetë këtu për 7 ditë sepse ne lëvizim 3000 persona, pra do të kemi me të vërtetë shumë njerëz, shumë mundësi.

Çfarë shpresojmë? Unë shpresoj dy gjëra. Tek dielli dhe tek gëzimi i shqiptarëve sepse shpresoj që të dalin në rrugë dhe të bëjnë tifozllëk sepse kjo është Giro d’Italia. 

Është një spektakël i çmendur, tre etapa dhe drejtuesi ka dizajnuar së bashku me ministrinë e Arsimit dhe Sportit tre etapat, që janë tre etapa shumë të bukura, shumë të spikatura dhe nga pikëpamja turistike. Dhe mendoj që këtu në Shqipëri do ta kuptoni që keni një lidhshmëri të madhe sepse pas xhiros së Italisë do të keni një rritje të pranisë turistike me të vërtetë shumë të rëndësishme dhe gjithashtu edhe mundësinë për të rritur profesionet e ndryshme sepse do të jetë çiklizmi turistik dhe mund të keni guida që mund t’i sjellin xhirot e biçikletave. Nuk është vetëm deti, por është dhe pjesa e brendshme dhe ka vende shumë të bukura për t’u vizituar.

Pra do të ketë një rritje të madhe për të ardhmen, por në fillim do të jetë një festë e madhe për të gjithë. Ju garantoj që nuk keni për tu penduar për këtë zgjedhje.

Unë ju falënderoj. I falënderoj të gjithë, Kryeministrin Rama dhe të gjithë strukturën e ministrisë se Arsimit dhe Sporteve dhe ministrive të linjës që na kanë ndihmuar se kemi punuar shumë. Kanë qenë shumë dhe tepër të matur për çfarë kanë bërë. Në fillim doja të jepja një duartrokitje të gjithëve që keni ardhur këtu dhe për xhiron e Italisë.  

Kryeministri Edi Rama: Dua në fakt vetëm të them që në Shqipëri apo me Shqipërinë ka një problem të vogël, që shumë mendojnë se nuk është në fakt një vend ku duhet shkuar, por ata që vijnë duan gjithmonë të rikthehen. Pastaj, dy gjëra për atë çfarë tha Paolo. Së pari, faleminderit që më dhe një pjesë të meritave që ju kam bindur, por duhet të thuash edhe që të kam thënë “Dëgjo, më mirë ta bëjmë me të mirë se mund ta bëjmë dhe me të keq” sepse ne shqiptarët jemi vërtetë këmbëngulës të jashtëzakonshëm dhe pjesa tjetër që besoj do t’i pëlqejë shumë presidentit Cairo është se ne në Shqipëri themi që kur bie shi, ka bereqet. Fjala “grurë” apo bereqet në Itali ka një vlerë të dyfishtë duke qenë se buka nuk i mungon RCS. Pjesa tjetër e fjalës apo vlera tjetër e fjalës i intereson presidentit Cairo, që do të thotë Shqipëria do të sjellë atë që është granno apo që është si bereqet pra grurë, por edhe para dhe kjo t’i sjellë, natyrisht, federatës para.

Natyrisht jam shumë i lumtur për këtë njohje, një njohje të këtij momenti shumë të bukur të vendit dhe ju siguroj që me të mirë, me hir apo me pahir në të treja etapat do të ketë diell. 

* * *

Zoti Rama Xhiro e Italisë  që fillon nga Shqipëria sigurisht një arritje shumë e rëndësishme për Shqipërinë, jo vetëm në aspektin sportiv, por sigurisht edhe për imazhin e vendit. Sa e vështirë ishte të arrihej kjo marrëveshje?

Kryeministri Edi Rama: Siç e thashë edhe në prezantimin që bëra në kërkim të nisjes së madhe në vendin e tyre janë shumë vende dhe “Giro d’Italia” është një garë, e cila mund të krahasohet vetëm me Formula 1 përsa i përket vizibilitetit të jashtëzakonshëm që ka dhe akoma më shumë se Formula 1, i jep mundësinë e një prezantimi global të peizazheve të bukurive dhe forcës tërheqëse të vendit.

Kështu që në aspektin sportiv “Giro d’Italia” është një garë për ata që e bëjnë dhe unë megjithëse zotëroj biçikletën nuk mund ta përfaqësoj dot Shqipërinë në këtë garë, ashtu sikundër megjithëse ne kemi një çiklizëm modest, nuk i kemi çiklistët të nivelit që të mund të garojnë, të paktën për momentin, por ama përsa i përket Shqipërisë “Giro d’Italia” është një rrugë e jashtëzakonshme për të çuar kartëvizitën e vendit në tre ditë me radhë drejtpërdrejt nëpërmjet regjisë së xhiros që është super e specializuar sa i përket përcjellës së imazheve në 200 vende të botës dhe për t’ia prezantuar Shqipërinë mbi 800 milion telespektatorëve.

Natyrisht që nuk ishte një diskutim i lehtë me administratorin e përgjithshëm të RCS edhe për faktin që ndërkohë edhe vende të tjera kishin paraqitur më shpejt kandidaturën, ndërkohë që ne na u desh ca kohë të ishim në gjendje ta mbështesnim kërkesën përtej dashurisë për Italinë dhe përtej afrimitetit të Italisë me ne edhe me fakte konkrete të infrastrukturës, të logjistikës, të mundësive të organizimit.

Kështu që, sidoqoftë edhe për atë që thashë, që duke ia bërë të qartë në mënyrë napoletane Paolos që është një çik më lart nga Italia, një çik më sipër dhe që e ha presionin, që në qoftë se nuk e bën me të mirë, ne kemi edhe metoda të tjera, atëherë u dorëzua edhe ja ku jemi këtu.

Po përtej shakasë, që në këtë rast nuk është as gjysma e të vërtetës, disponimi i presidentit Urbano Cairo, i Paolos dhe ekipit teknik ka qenë vërtet shumë i madh për ta mbështetur kandidaturën e Shqipërisë dhe sigurisht nuk kam asnjë iluzion që pa atë disponim edhe në qoftë se do më shpëtonte nga duart duke thënë “unë jam dakord, po të shohim çdo thonë teknikët”, do vinin teknikët e do thonin që akoma s’jeni gati”.

Kjo natyrisht është edhe një mënyrë si të thuash që unë e kuptoj si një mënyrë për ta na konfirmuar që tanimë kemi një infrastrukturë moderne që me shumë mundim është ndërtuar në gjithë këto vite dhe që i jep të gjitha ato për të cilat ka nevojë “Giro d’Italia” në të gjitha relievet, në të gjitha lartësisë e kështu me radhë, por duke mos vënë në dyshim cilësinë e garës. 

Me këtë rast do të shfrytëzohet edhe Qafa e Llogarasë, e cila për shkak të tunelit tanimë frekuentohet nga shumë pak njerëz, por që ofron panoramat më të mahnitshme të bregdetit të Shqipërisë. Dhe në mbyllje të përgjigjes, dua të them bluzën rozë unë  e kam dëgjuar për herë të parë në radio në vitet 70, kur ishte dueli i madh mes Eddy Merckx and Felice Gimondi, fakti që njëri quhej Edi më inkurajoi të hipi në biçikletë dhe të kisha guxim sepse unë di të ngas mirë vetëm timonin e qeverisë.

 

– Rreth këtyre 800 milionë shikuesve që do shikojnë imazhet e vendit tuaj, çfarë saktësisht do donit që të tregonit më tepër këtyre 800 milionë personave?

Kryeministri Edi Rama: Për të treguar vendin duhet ta shohësh nga afër. Në të kundërt, po të bësh reklama prej jashtë do të kushtonte më shumë sesa të sillje Cristiano Ronaldon në Shqipëri. Kështu që, 3 ditë në një transmetim të drejtpërdrejtë televiziv në mënyrë konstante të shfaqësh vendin është një mundësi unike. Ndoshta, Flavio Briatore, i cili është një tjetër mik, do të bezdiset ndoshta apo do të ngacmohet në momentin që them se Giro është më mirë sesa Formula 1, por Formula 1 që do ta sjellim në Shqipëri, shpresoj, brenda 2030 tregon apo e shfaq vendin deri në një pikë të caktuar ndërkohë që me këto etapa shfaqet e tregohet kaq shumë. Pastaj, zgjedhja e bërë është fantastike sepse ofron një pamje të Shqipërisë pranë detit, në brendësi të vendit, në zonat malore kështu që është vërtetë një mundësi unike.

Ne jemi shumë të lumtur për këtë. Pastaj, përtej këtij turneu, përtej gjithçkaje që na lidh drejtpërdrejtë me Italinë, për ne është gjithmonë e rëndësishme sepse ju nuk flisni shqip, por jeni si ne, shqiptarë të veshur me Versace, ju. Ne jemi italianë që flasim shqip.

 

-Gjithmonë për kryeministrin dhe do të doja të pyesja, turizmi në Shqipëri, nuk i njoh numrat se sa kanë ardhur , cila është tendenca dhe sigurisht imagjinoj që Giro d’Italia mund të jetë një vitrinë e mrekullueshme nga kjo pikëpamje dhe do të doja do të kuptoja, çfarë prezanton turizmi italian në vendin tua, duke njohur këtë lidhje të fortë midis vendeve tona që kanë një komunitet shqiptar shumë të mirë integruar në Itali? Faleminderit.

Kryeministri Edi Rama: Para së gjithash dua t’ju kujtoj që Shqipëria ka pritur për herë të parë, pas Luftës së Dytë Botërore një kryeministër për të kaluar disa ditë, pastaj erdhën të gjithë por ikën. Giorgia tashmë është një nga rreth 1 milionë italianët që kanë ardhur vetëm këtë vit, por numri është gjithnjë e në rritje. Shpresoj që nuk do t’ju sulmojnë pasi do t’ju thonë që na i solle turistët në Shqipëri, por na mungojnë në Itali, por të paktën ajo që ne marrim nga Italia, gjithmonë e kthejmë sepse udhëtimet e shqiptarëve drejt Italisë, jo vetëm të atyre që jetojnë, por edhe të të tjerëve, janë më shumë sesa ato të italianëve në Shqipëri, edhe pse Italia është shumë më e madhe në numrin e banorëve atje.

Sigurisht, po kalojmë një moment shumë të bukur sepse deri në nëntor, në aeroportin e Tiranës, kemi arritur ne 10 milionë udhëtarë. 10 milionë udhëtarë është një shifër shumë më e lartë sesa numri i udhëtarëve në Aeroportin e Beogradit që ka qenë gjithmonë aeroporti rajonal më i rëndësishëm në Ballkan dhe që tashmë, e kemi kaluar ashtu siç praktikisht kemi kaluar të tjerë, si aeroporti me rritjen më të madhe në Europë, krahasuar me 2019, që është pikënisja ku bazohet përllogaritja e rritjes nga ana e komisionit ndërkombëtar të aeroporteve të Europës.

Jemi përtej 230% në rritje këtë vit. I dyti pastaj është  më pas dhe të tjerët ndjekin atë. Megjithatë oreksi vjen duke ngrenë, siç thoni ju. Duam të kemi dhe më shumë, pse jo? Edhe pse paralelisht ka një lëvizje të madhe sa i takon investimeve për të rritur ofertën, jo vetëm nga pikëpamja sasiore, po kështu edhe ajo cilësore. Nuk po bëj emra, por gjithmonë e më shumë italianë, që kanë një emër, më kërkojnë se kur do të mund të blejnë një shtëpi në det apo në mal në Shqipëri dhe kjo është diçka që vetëm 10 vjet më parë, ishte e paimagjinueshme për të mos thënë edhe deri më vonë se aq. Jemi në rrugën e duhur për t’u shndërruar në një Itali e vogël e Ballkanit. Nuk duam të jemi Gjermania edhe pse na ofrojnë. Na mjafton të jemi një Itali e vogël në të gjithë gjeninë apo dhe mangësinë, në rregull, sepse nëqoftëse do të bëheshim kaq të disiplinuar, do të ishte edhe e bezdisshme, e mërzitshme. 

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.