U nënshkrua sot Memorandumi i Mirëkuptimit për Rikualifikimin e lagjes Kala të Elbasanit, një projekt që mishëron bashkëpunimin dhe përkushtimin për të ruajtur trashëgiminë kulturore dhe për të nxitur zhvillimin ekonomik të qytetit.
Kryeministri Edi Rama ishte sot në Elbasan ku mori pjesë në ceremoni, së bashku me Ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja, Ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor Arbjan Mazniku, Kryetarin e Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja dhe përfaqësues të Fondit Shqiptar të Zhvillimit.
* * *
Përshëndetje të gjithëve! Duke ardhur sot këtu në kalanë e Elbasanit mu kujtua një mik i shtrenjtë i imi në Elbasan, Qazim Sejdini dhe mu kujtuan bisedat që kemi bërë me të kohë përpara për sesi Kalaja mund të hynte në rrugën e transformimit të Elbasanit, si një motor i vërtetë zhvillimi. Pastaj, e rimorëm këtë temë sëbashku me Evisin. Evisi si e lindur në Kala, si përfaqësuese e kësaj bërthamës qytetare të Elbasanit, që brenda mureve të kalasë ndjehet, si të thuash, shtresa e lartë e historisë së qytetit, ka insistuar gjatë gjithë kohës që ne të fokusohemi dhe të ecim më shpejt për transformimin e lagjes dhe pasaj edhe krijimi i partneritetit me Fondin Shqiptar për Zhvillim, i cili tanimë është i njohur për shumë më tepër njerëz sesa në fakt do të duhej të njihet, falë edhe fatit që ka që ka një stalker personal, një personazh kanarinë, në zooparkun e politikës shqiptare që këndon në mënyrë persistente, duke bërë në njëfarë mënyre “kukuvajkën” e punëve të Fondit dhe pasi ADF ka “grabitur me sukses Butrintin” dhe ia ka dalë që të vihet në zotërim të një pasurie kombëtare, duke “shkelur sovranitetin territorial të Republikës së Shqipërisë”, tani na është bashkuar për të “grabitur” edhe kalanë e Elbasanit, por ne kemi siguruar që “grabitja” do të realizohet këtu dhe nuk do ta marrin Kalanë e ta ccojnë në një tjetër territor të botës.
Përtej mënyrës sesi po e shpreh këtë “fatkeqësi” që i ka rënë Fondit mbi kokë që të ketë një stalker privat që nuk i ndahet, dua të them që tani jemi në kushtet kur të gjithë vizionin dhe përgatitjen paraprake të punës për transformimin e lagjes mund ta konsiderojmë të garantuar me këtë partneritet midis qeverisë, bashkisë dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit që ka një eksperiencë të gjatë tanimë në transformimin e këtyre realiteteve, që është një partner strategjik i qeverisë me të cilin kemi realizuar vepra që flasin vetë, që nga zonat e ashtëquajtura “beat” që siç e shihni edhe këtu janë në grupin e projekteve ku hyn edhe kalaja e Elbasanit, tek zona apo pika të tjera të zhvillimit që përfshijnë mbështetjen e edukimit të më të vegjëlve me teknologjinë me modelin Tumo që është një histori e bukur suksesi falë kontributit të Fondit dhe që do ta shtrijë edhe këtu në Elbasan ku tek ish materniteti do të krijojmë një vatër dijeje për teknologjinë digjitale për fëmijët, në partneritet me bashkinë dhe me Fondit dhe me shumë gjasa edhe me Fondin tonë të Zhvillimit dhe patjetër edhe tek Butrinti që është, në këndvështrimin tim, xhevahiri më i çmuar i kurorës pasi falë ekspertizës që sjell Fondi, falë kulturës së administrimit që sjell Fondi, gjë që po e shohim të na japë rezultat konstant tek Piramida e Tiranës, mund ta shohim të ardhmen e Parkut Kombëtar me shumë optimizëm dhe mund të shohim sesi që tani vlera të reja po shtohen. Projekti i qendrës së mikpritjes në Parkun Kombëtar, në kuptimin e qendrës së informacionit për vizitorët, i realizuar nga arkitekti i famshëm Kengo Kuma është konsideruar botërisht, jo nga ne, si një nga 25 projektet më influente të vitit 2024 nga organizata që bëjnë këto vlerësime ndërkombëtarisht.
Me Fondin po punojmë në Durrës, në zonën arkeologjike të Durrësit, pra në lagjen rreth Amfiteatrit që është një punë shumë e ngjashme për nga karakteristikat në punën që do të bëjmë këtu në Elbasan dhe presim sa më parë stalkerin e Fondit që të shfaqet në kala dhe që të këndojë këngën e kukuvajkës me pamjen e kanarinës në mënyrë që ta marrim dhe këtë bekim se na duhet.
Këtu në Elbasan ka një besim të palëkundur tek hudhra si një komponent i rëndësishëm të mbajtjes larg të syrit të keq, por nëqoftëse do të na nderonte me vizitën e saj këtu kukuvajka kanarinë, ne do të ishim shumë mirënjohës sepse do të na jepte mundësinë që ta forconim këtë marrëdhënie mafioze, korruptive, kriminale me Fondin Shqiptar të Zhvillimit dhe të vinim të gjitha paratë e krimit të përbashkët në dispozicion të qytetit të Elbasanit, të bindur që nuk do kishte sy të keq që do të na afrohej më sepse do të kishim një hudhër 2.0 në dispozicion.
Do më falni për këtë entuziazëm patetik që kam kur më kujtohet fakti që Fondi ka fatin e madh që të ketë një stakler, jo se mua më kanë munguar stalkerat, por nuk e kam pasur kurrë në këtë lloj trajte kaq cicëruese.
Për të ardhur tek kalaja dhe tek Elbasani, ka një fakt që duhet adresuar dhe duhet përmbysur. Ndërkohë që Berati, I cili e ka nisur procesin e rilindjes dhe transformimit në funksion të turizmit dhe e ka kthyer, faktikisht, turizmin në një motor të fuqishëm të ekonomisë vendore ku Fondi ka, patjetër, kontributin e vet në partneritet me ne dhe ka rritur në 800 mijë, Berati, 800 mijë vizitorë turistë. Elbasani është sot që flasim në rendin e 20-25 mijë vizitorë. Ndërkohë që vizitorët dhe turistët në kalanë e Beratit kanë kohë që kanë kapërcyer numrin 100 mijë të tillëve, në kalanë e Elbasanit janë rreth 4 mijë.
Këto shifra mund të përmbysen dhe do të përmbysen shumë shpejt me projektin e kalasë. Kalaja e Elbasanit ka një histori dhe ka disa përbërës që kanë një potencial të jashtëzakonshëm. E përmendi nënkryetarja aspektin e pranisë së religjioneve përmes simboleve të tyre brenda në kala, por ka dhe shumë elementë të tjerë edhe nëse ne do të arrijmë të bëjmë dhe do ta bëjmë patjetër në kohën dhe mënyrën e duhur, një projekt të “nivelit kriminal” të Fondit Shqiptar Zhvillimi, atëherë do të kemi absolutisht një, – juve u mpakët tani, (perfaqësuesit e Fondit Shqiptar të Zhvillimit) se juve ndërkohë që flas unë, juve po parashikoni se ç’do të ju dëgjojnë veshët. E po tani s’kemi ç’a bëjmë, ne mezi presim që të kemi edhe sa më shumë prurje të reja në këtë shoqatën tonë të viktimave të shpifjeve. Ne kënaqemi kur goditen edhe të tjerë që kujtojnë se jeta është kaq e lehtë, edhe kur na bashkohet në këtë shoqërinë e viktimave të shpifjes.
Kështu që besoj që duke shfrytëzuar gjithë këto komponentë që të fshehur që ka kalaja, ne do të arrijmë që të kemi një rritje shumë të madhe të numrit të vizitorëve brenda në lagje dhe kjo do të bëjë që vlera e pronës, vlera e shpive, në lagje të rritet eksponencialisht dhe këtu pastaj Evisi dotë marrë pjesën e vet të këngës së kanarinës për konflikt interesi dhe patjetër edhe me një kërkesë për heqje të mandatit në Gjykatën Kushtetuese dhe nga ana tjetër që në harmoni edhe me zhvillimin që vazhdon për automotoparkun, plus çfarë po bëjmë dhe më vjen shumë mirë që Arbi, i cili në këtë territor ka edhe një përgjegjësi të drejtpërdrejtë, tanimë edhe si përfaqësues i shumicës politike qeverisëse, i është bërë një partner i sigurt bashkisë për të kaluar në një fazë të re zhvillimi, edhe duke shfrytëzuar potencialin e madh në ish-Kombinatin Metalurgjik, të kemi praktikisht në Elbasan një pol të ri të Tiranës, metropol.
Faktikisht, Durrësi, Dibra dhe Elbasani janë tre krahë ose janë tre degëzime të natyrshme të metropolit të Tiranës dhe kështu me këtë zhvillim me këta komponentë, besoj që më herët se vonë të gjithë ata që jetojnë në Elbasan do të jenë faktikisht, jo thjeshtë nga pikëpamja e distancës, por dhe nga pikëpamja e integrimit ekonomik dhe social, pjesë e metropolit të kryeqytetit.
Dhe në mbyllje, dua të shtoj edhe diçka lidhur me ato që tha Ministri i Ekonomisë që kur vjen puna tek automotoparku, njësoj si tek Kalaja në fakt, nuk jemi në kushtet e një investimi për ato tre ditë të Formulës 1, që sigurisht është kalimi në një nivel tjetër komplet i Shqipërisë, siç po ndodh aktualisht. Ne për pak ditë do të jemi në Romë për prezantimin zyrtar më gjerë të pjesëmarrjes së Shqipërisë në xhiron e Italisë, si vendi ku do të bëhet nisja e madhe dhe kjo do të na sjellë në rastin e xhiros 200 sytë e 200 vëndëve, në tre ditë, në tre në tre zona të ndryshme, Durrës, Tiranë dhe Vlorë, ku praktikisht për gjithë periudhën e transmetimit live nga 200 televizione të botës do të shihet Shqipëria turistike dhe do të shihet vendi për t’u vizituar, ndërkohë që me Formulën 1 kalojmë në 1 miliard shikues që t’i kenë sytë në Elbasan në ato ditë, tre ditët e provave të garës, dhe ndërkohë Automotorparku do të funksionojë 365 ditë të vitit. Do të jetë një pikë që do të funksionojë si një pikë e shumë shërbimeve që do të performojnë si një pikë e edukimit të sigurisë rrugore, edukimit kombëtar të sigurisë rrugore, që do të përformojnë si pikë për gara të nivele të ndryshme motoçiklistike dhe që do të funksionojë edhe si një pikë për turizmin e përditshëm për shumë e shumë arsye me muzeumin, me zonat rekreative e të tjerë e tjerë.
Pra, shkurt fjala e ardhmja është, është aty, është përpara nesh, dhe nëse sot ne shikojmë horizontin e anëtarësimit në familjen europiane brenda kësaj dekade – që i bie brenda mandatit tonë të katërt, të jemi të shpallur gati për të hyrë në familjen europiane – me këtë periudhë përkon edhe ky transformim i Elbasanit dhe ky kapërcim i Elbasanit në një nivel tjetër. Në një nivel ku gjithë fluksi turistik që sot ka një përqendrim të madh në Tiranë, që askush nuk e imagjinonte deri jo shumë vite më parë që Tirana do të ishte një destinacion turistik, një qytet që në periudhën e verës ishte i vdekur faktikisht dhe që sot është plot dhe që ka një turizëm gjithëvjetor – të jetë pjesë Elbasani i kësaj historie transformimi.
Dua të falenderoj në mënyrë të veçantë Arbin për angazhimin, dua të falenderoj Gledin që e kemi si “ustain” e gjithë “martesave me shkuesi”, që është ka një kapacitet të veçantë për të lidhur partnerë të ndryshëm në nivele institucionale kuptohet.
Dhe dua të falenderoj edhe dy përfaqësuesit e “organizatës së strukturuar kriminale” të Fondit Shqiptar të Zhvillimit ADF, që janë këtu bashkë me ne.
Dhe dua t’ju falenderoj edhe të gjithëve ju nënkryetarin e bashkisë për prezantimin shumë simpatik që na bëri, edhe Borën që është këtu bashkë me ne dhe që ka detyrën të mbulojë pjesën ku hyn të rinia dhe fëmijët në gjithë këto procese dhe prandaj më kot e përmenda edhe hapësirën e re të Tumos në Elbasan. Shumë faleminderit të gjithëve!