Transformimi urban i Shkodrës është tashmë një rrugë e hapur. E zgjuar nga agonia e një harrese shumëdekadash, qyteti po rikthen përmes projekteve të reja, vlerat e vërteta të arkitekturës tradicionale të gërshetuar me elementët bashkëkohorë.
Kryeministri Edi Rama ishte sot në Shkodër, një muaj pas vizitës së mëparshme për të parë e ndjekur ecurinë e një sërë kantiereve të çelura dhe punëve transformuese për Shkodrën dhe gjithë qarkun.
Së bashku me Kryetarin e Bashkisë së Shkodrës Benet Beci, Kryeministri mori pjesë në takimin prezantues të dy projekteve të rëndësishme për qytetin; Rilindjes së Muzeut të Kujtesës, si dhe rindërtimit të hapësirës përreth Xhamisë së Madhe Shkodrës, – prezantim që u realizua në një takim të hapur me qytetarë të Shkodrës dhe përfaqësues të komunitetit fetar.
“Me mbështetjen e plotë nga qeveria dhe Kryeministri po hapim një faqe të re për qytetin tonë, për Shkodrën përmes ndërhyrjeve të mirëmenduara në infrastrukturën publike dhe në zhvillimin urban. Aktualisht në Shkodër po punohet në 10 kantiere dhe presim që shumë shpejt të hapim edhe kantiere të tjera.” – u shpreh Kryetari i Bashkisë Beci, i cili tregoi lidhur me projektin e Muzeut se “Vendi i dëshmisë dhe i kujtesës i vendosur në qendër të qytetit, në godinën që ka shërbyer si dega e brendshme, do të shërbejë si një memorial dinjitoz për të gjithë ata që kanë vuajtur, duke i dhënë qytetit një hapësirë për të kujtuar historinë e tij të vështirë.”
Ndërsa sa i përket projektit të dytë, Kryetari Beci tha se: “Një tjetër projekt i rëndësishëm do të jetë sheshi i xhamisë Ebu Beker apo Xhamia e Madhe e Shkodrës që do të krijojë një hapësirë dinjitoze për besimtarët dhe qytetarët e Shkodrës. Ky projekt do të kombinojë objektin e kultit me hapësira publike dhe do të sjellë mundësi të reja për një zhvillim të qytetit përfshi parkimin nëntokësor dhe hapësirat tregtare.
Rilindja e Muzeut të Kujtesës, si dhe rindërtimi i hapësirës përreth Xhamisë së Shkodrës janë vepra të arkitektit Jesus Hernandez, njëkohësisht hartues i projekteve të Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, qilimit të gurtë të Zogajt, si edhe hyrjes së re të Shkodrës.
Realizimi i tyre me mbështetjen e qeverisë shqiptare, do t’i kthejë këto dy godina, në dy pika kyçe referimi për qytetarët, vizitorët e turistët e kryeqytetit të Veriut, ku ekspozimi i krimeve të diktaturës komuniste, si edhe rrëfimi i historisë tragjike të fesë në Shqipëri, janë detyrim ndaj brezave, po edhe vlerë e shtuar e një destinacioni kulturor si Shkodra.
* * *
Kryeministri Edi Rama: Mirëdita të gjithëve! Shumë kënaqësi që sot jemi këtu në bashkinë e Shkodrës për përfundimin e një etape dhe për fillimin e një etape tjetër, qoftë me projektin e Muzeut të Kujtesës, qoftë edhe për projektin e gjithë parkut, hapësirës rrotull Xhamisë së Madhe. Janë dy projekte transformuese për Shkodrën, i pari në sensin e marrëdhënies me të shkuarën dhe të domosdoshmërisë për të pasur një ekspozim të hapur të gjithë atyre plagëve të tmerrshme që diktatura komuniste hapi në Shkodër dhe i dyti për të krijuar një situatë absolutisht të re brenda perimetrit të zemrës së Shkodrës duke e transformuar parkun, sot të mbyllur, të Xhamisë së Madhe në një hapësirë që sa e ngre lart në pah godinën domethënëse të Xhamisë, aq edhe i shërben komunitetit si një pikë takimi, ku ndërthuren të gjitha moshat dhe ku qoftë shërbimet e xhamisë nga njëra anë e qoftë edhe marrëdhëniet, ndërveprimet e panumërta të një qyteti të tërë gjejnë vendin e tyre.
Janë dy projekte shumë ambiciozë, por në radhë të parë dua të them që ia kemi besuar njeriut të duhur, pa asnjë diskutim. Hernandez është “shalqi me provë” kur i thonë fjalës sepse është autori i Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, arkitekti që transformoi një godinë të rrënuar në një xhevahir të çmuar të arkitekturës së re, të cilën ne po e promovojmë me të gjitha forcat dhe po ashtu është arkitekti i qilimit të gurtë në Shirokë, i cili është i jashtëzakonshëm për nga thjeshtësia, por edhe për nga bukuria e vet dhe jo rastësisht ka marrë edhe vlerësime ndërkombëtare dhe çmime ndërkombëtare shumë prestigjioze.
Në ndërkohë, së bashku me Hernandezin, Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe bashkia e Shkodrës po punojnë për hyrjen e re të qytetit, e cila është një projekt shumë ambicioz, ka filluar puna dhe kam bindjen që në momentin e përmbylljes së asaj pune gjithçka do të duket ndryshe në Shkodër sepse e dimë shumë mirë çfarë impakti të jashtëzakonshëm kanë hyrjet e qyteteve në jetën e qyteteve dhe në imazhin e tyre.
Unë kam bindjen që, nga ana tjetër, të dy këto projekte do të kenë dhe një impakt shumë të fortë në aspektin e promovimit të qytetit të Shkodrës, jo vetëm brenda për brenda, por ndërkombëtarisht. Nuk e dyshoj fare që Muzeu i Kujtesës do të jetë një tjetër hallkë domethënëse e zinxhirit të këtyre hapësirave që ne kemi filluar të krijojmë që me BunkArt në Tiranë apo me Muzeun e Gjetheve në ish godinën e përgjimeve të Sigurimit të Shtetit dhe që kanë krijuar goxha impakt edhe ndërkombëtarisht.
Muzeu i Gjetheve është vlerësuar, në mos gabohem, në vitin 2018 nga Këshilli i Europës si muzeu më i mirë i ndërtuar në Europë në 2017 dhe për nga ky efekt, pa diskutim që Shkodrës do t’i bëhet një promovim i mëtejshëm, duke bërë që të dalë nga kufijtë e Shqipërisë edhe përmes këtyre dy objekteve dhe patjetër që kjo do të sjellë shumë më tepër vizitorë dhe shumë më tepër turistë që do të thotë shumë më tepër të ardhura, por edhe shumë më tepër dije lidhur me Shkodrën në sytë dhe mendjet e shumë më tepër njerëzve.
Patjetër që ne jemi shumë të vetëdijshëm për barrën financiare që kanë këto dy investime, por me patjetër që do ta financojmë së bashku me bashkinë e Shkodrës, – por kuptohet që barrën kryesore do ta mbajë qeveria, – Muzeun e Kujtesës dhe do të bashkëpunojmë me Komunitetin Mysliman dhe Myftiun e Shkodrës dhe të gjithë ata që do të duan të bëhen pjesë e kësaj nisme për të siguruar financimin edhe të sheshit të madh të xhamisë, i cili do ta kthejë xhaminë e Shkodrës në një nga objektet më spektakolare të kultit, jo në Shqipëri, por botërisht sepse është si një xhami e vendosur në një libër të shenjtë, gjë që nuk e kam parë askund tjetër dhe patjetër që do të duhet të realizohet sa më mirë dhe sigurisht që do të ketë edhe nga pikëpamja ekonomike interes për komunitetin mysliman, në këtë rast për Myftininë e Shkodrës apo për Komunitetin Mysliman Shqiptar.
Kjo nuk është çështje e jona, kjo është çështje e komunitetit sesi do të administrojnë pjesën e tyre në atë projekt, ku siç e patë ka dhe shumë hapësira të mundshme për të krijuar të ardhura, gjë që asnjëherë nuk është mjaft për komunitetet fetare, por që është mirë që të zgjerohen burimet dhe akoma më e rëndësishme është që në bashkëpunim me bashkinë, Fondi Shqiptar i Zhvillimit patjetër mund të japë kontributin e vet siç po e jep në një sërë qytetesh të Shqipërisë, të ndërtohet dhe një parkim i madh nëntokësor, ku do të mund të çlirohet një pjesë e ngarkesës që ka mbi tokë, sidomos brenda në zemrën e Shkodrës, siç e bëri shumë të qartë dhe prezantimi i arkitektit.
Në ndërkohë ne jemi duke punuar me Fondin për një program të ri kombëtar ku patjetër përfshihet dhe Shkodra, por kombëtar për një infrastrukturë të re të parkimeve nën dhe mbi/tokësore që dëshirojmë të jetë një infrastrukturë që, jo vetëm të lehtësojë barrën e makinave mbi tokë, të vendqëndrimeve vend e pa vend, por edhe të krijojë një tjetër shtresë interesi arkitektonik sepse është një program që do të na japë mundësinë që me arkitektët, tanimë të shumtë, që kemi të angazhuar në Shqipëri, do të krijojmë objekte, të cilat nga pikëpamja arkitektonike të jenë një atraksion më vete.
Nuk ka diskutim që Shkodra ka hyrë në një fazë të re.
Kjo është e dukshme, e prekshme edhe për qytetarët e Shkodrës, edhe për vizitorët, por nuk ka asnjë diskutim po ashtu, që ky është vetëm fillimi i një transformimi që fatkeqësisht në Shkodër filloi me 30 vjet vonesë, por që tani nuk do të ndalet dhe të tjera gjëra të mira kemi në plan dhe të tjera projekte do të bëjmë mbi bazën e këtyre planeve në mënyrë që “kryeqytetit të veriut” t’i japim të gjithë rëndësinë të gjithë mbështetjen dhe të gjithë fuqinë që ka nevojë në aspektin ekonomik dhe patjetër për ta forcuar dhe për ta rritur sa më shpejt dhe sa më shumë edhe trendin e sapo nisur të një turizmi të qëndrueshëm në Shkodër.
Ju falënderoj shumë të gjithëve dhe dua ta mbyll edhe unë aty ku e mbylli Hernandez, tek nevoja që për Muzeun e Kujtesës të kemi një angazhim të drejtpërdrejtë të sa më shumë grupeve të interesit dhe patjetër të komuniteteve fetare sepse e dimë shumë mirë se çfarë tragjedie e papërshkrueshme ka qenë për komunitetet fetare ne Shkodër ajo fazë shumë e errët e historisë së qytetit dhe historisë së Shqipërisë.
Shumë faleminderit!