Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e kryeministrit, mbajtur në Mbrëmjen Gala “ICT Awards”, dedikuar inovatorëve shqiptarë, në fushën e ICT:

Mirëmbrëma të gjithëve!

Po ju thosha miqve në tavolinë, se nga videoja e parë, progresi duket, pasi në takimin e parë kishte vetëm shishe uji dhe ishte ditë. Kurse sot, errësira mbulon shumëçka që ka nëpër tryeza që tregon që komuniteti i Inovacionit arrin t’ia dalë, jo vetëm me sukses teknologjik, por edhe me sukses financiar dhe për këtë unë ju përgëzoj.

Stefan Cvajgu shkruan se natën kur filluan trazirat në Paris, Luigji XVI po flinte, pavarësisht se e kishin sinjalizuar në mënyrë të përsëritur për gjendjen.

Në mëngjes, një nga Dukët afër Versajës vendos që të hyjë vetë dhe ta zgjojë Lartmadhërinë, për ti thënë mbretit të përgjumur se protestuesit e kishin marrë Asamblenë Kombëtare.

“Ah – reagoi Luigji XVI, -paska revoltë!?”

“Jo Lartmadhëri, ia kthen Duka – ka revolucion!”

Ishte revolucioni francez që formësoi politikisht, sociologjikisht e padyshim ekonomikisht botën moderne.

Besoj se zhvillimet në teknologji, dhe veçanërisht në teknologjinë e informacionit dhe të komunikimit janë si një revolucion, po aq formësues e transformues, për shoqërinë tonë.

Shtetet e qeveritë që nuk e kuptojnë këtë apo shoqëritë që nuk arrijnë të adoptohen, janë të destinuara të përfundojnë pak a shumë si ai Mbreti i përgjumur, të humbasin kohën dhe drejtpeshimin.

E pikërisht, sepse na rikujton e na vë mu në zemër të këtij revolucioni tashmë në ndodhje e sipër, që po transformon botën, jo më me vite, por me sekonda, – ky aktivitet ka një rëndësi fort të posaçme.

Puna e bërë nga Albanian ICT Awards përbën investim në vetvete në brendinë e këtij revolucioni për ti folur të ardhmes me kurajë aty ku të tjerët shohin thjesht dhe vetëm të tashmen. E për t’ju drejtuar të gjithë hapësirës shqiptare, duke i rikujtuar se inovacioni është një vlerë themelore e një kohe tërësisht të re të komunikimit e se në fakt bota është vetëm një fshat global.

Përmenda fjalën “rikujtoj” sepse kur hyra këtu dhe bashkë me të tjerët duartrokitëm, ata që u ngritën në këmbë, – shpresoj që vitin e ardhshëm ta organizoni që kur ata të ngrihen në këmbë dhe dritat të shkojnë tek ata, se nuk i pa njeri nga kamera po as nga ne, – mu kujtua Dritan Hoxha, i cili besoj është mishërimi më i shkëlqyer në jetën tonë kështu siç po jetojmë në hapësirën shqiptare, i asaj që tha folësi që hapi këtë ceremoni se inovatorët e mëdhenj lindin dhe rriten nëpër garazhe, duke iu referuar sigurisht Steve Jobs. Por jo vetëm kaq, se Shqipëria, Kosova, dhe hapësirat shqiptare nuk janë aspak të disavatanzhuara nga çdo hapësirë tjetër, kur vjen fjala tek inovacioni. E do të kishte qenë jashtëzakonisht e mrekullueshme që Dritan Hoxha të kishte qenë këtu me ne, për të parë se si pas gurit të themelit që ai vuri, aty ku askush nuk imagjinonte se mund të kishte një themel, – tani vit pas viti, janë të tjerë që në fusha të ndryshme, brenda botës së teknologjisë së informacionit, po krijojnë produkte të reja. E pse jo, nuk është aspak utopi që të besosh se ndër këta të tjerë, produkte po aq impresionuese sa ç’ishte produkti i Digitalit dhe audios, do të lindin në hapësirën shqiptare dhe do të bëjnë jehonë edhe përtej hapësirës shqiptare.

Unë dua ti përgëzoj sinqerisht iniciatorët dhe realizuesit e kësaj nisme sepse dëshmojnë për një Shqipëri tjetër. E tek Shqipëria tjetër nuk kam parasysh vetëm Shqipërinë këtu ku jemi mbledhur sot, por edhe Shqipërinë matanë, siç e quante Dritëro Agolli Kosovën, tanimë ka lindur dhe rritet e bashkuar në rrjetin e mirënjohur ndërkombëtar të çmimeve të Teknologjinë e komunikimit dhe informacionit që organizohen edhe këtu, njësoj, siç organizohen në Evropë dhe në SHBA.

Për të mos u zgjatur më tutje, duke iu referuar pikërisht çmimeve të kësaj natyre që sollën zëra të lartë në median amerikane vitin e kaluar, do të kujtoja çmimin e veçantë që iu dha një gruaje nga Ruanda për kontributin e posaçëm në përdorimin e teknologjisë nga gratë dhe mbështetjen dhënë grave për karrierë në fushën e teknologjisë dhe sipërmarrjes në komunikim.

E pra është një shembull jashtëzakonisht domethënës që provon për kushedi se të satën herë, edhe një here tjetër, se në këtë hapësirë ka një mundësi reale dhe të barabartë për gjithkënd, pavarësisht se ku lind, pavarësisht se ku rritet, mjafton që të vendoset në kontakt me rrjetin magjik të botës virtuale.

Është detyra jonë që ta vendosim shtetin dhe qytetarin në kontakt me këtë rrjet magjik. Ashtu sikundër me falënderimin dhe mirënjohjen që më ftuat e padashur t’ju marr më shumë kohë, dua tu përcjell një propozim insistues të skuadrës sonë që brenda qeverisë merret me problemet e inovacionit për të shtuar dhe një çmim tjetër përtej 5 çmimeve që jepen në këtë ngjarje të përvitshme nga Albanian ICT Awards, – një çmim të Kryeministrisë për “Gruan  e Vitit” në inovacion.

Aty nëpër errësirë nuk pashë asnjë siluetë gruaje, kur u çuan inovatorët. Por kjo nuk do të thotë që të vëmë një çmim për gruan e vitit dhe të gjithë çmimet e tjera ti marrin djemtë apo burrat. Madje do të ishte kënaqësi që ne ta rishikonim vendimin që të vinte dita që të 5-të çmimet ti merrnin gratë dhe pastaj të bënim çmimin “Burri i vitit në inovacion”

Ju faleminderit shumë!

***

Kryeministri Rama ishte sot i ftuar në Mbrëmjen Gala, “ICT Awards”, organizuar për nder të figurave të spikatura në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, gjatë vitit 2013.

“ICT Awards” është një event i përvitshëm, i cili identifikon dhe njëkohësisht shpërblen, profesionistë të shquar, udhëheqës të suksesshëm, inovatorë, profesorë, yje në ngritje, të cilët gjatë vitit kalendarik 2013 kanë arritur të lënë gjurmë pozitive dhe kontribut në sektorin e gjerë të ICT-së. Kjo iniciativë interesante mbarëkombëtare në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, në Shqipëri, mbështetet nga Raiffeisen Bank, ABCom, University of New York Tirana, Fondacioni Dritan Hoxha dhe Top Channel. Gjithashtu ajo mbështetet ne forme partneriteti nga një sere kompanish qe merren me ICT ne treg.

Në përshëndetjen drejtuar të pranishmëve, kryeministri Rama vlerësoi zhvillimet në teknologji, e veçanërisht në teknologjinë e informacionit, si të barazvlefshme me një revolucion formësues e transformues për shoqërinë tonë. Në përkrahje dhe inkurajim të inovatorëve shqiptarë, kryeministri propozoi dhënin e një çmimi të posaçëm nga Kryeministria për Gruan e vitit në ICT.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.