Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në një takim të zgjeruar për prezantimin e paketës ndihmëse për industrinë  e përpunimit aktiv apo siç njihet ndryshe biznesi fason:

Përshëndetje të gjithëve!

Është dita e një kurorëzimi me sukses të plotë e një pune të përbashkët, pas një konsultimi intensiv me industrinë përmes shoqatave tuaja. Besoj se, ky proces do të vlejë edhe për të bashkuar dy shoqatat në një, sikundër kam dëgjuar ditët e fundit me shumë kënaqësi.

Kjo paketë e re përbën edhe paketën e parë të këtij lloji për industrinë e përpunimit aktiv në Shqipëri. Veçoria më e madhe e kësaj pakete është se kjo mbështetje që do të marrë formë me këtë paketë vjen në bazë të analizës, me shumë përgjegjshmëri, nga ana e Qeverisë të të gjitha kërkesave të industrisë dhe në bazë të bashkërendimit të vazhdueshëm të procesit të sintezës të këtyre propozimeve dhe jo në bazë të një diktati tradicional nga ana e qeverisë apo nga ana e ministrive të përfshira në këtë proces.

Hapi i parë, siç e dini, ka qenë ndërtimi i një konsultimi të gjerë me të gjithë ju dhe praktikisht ne kemi marrë një për një të gjithë listën e propozimeve të bëra ose nga shoqatat ose individualisht nga takimet që janë organizuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik. Sot jemi këtu për të thënë që jemi gati të çelim një kapitull të ri për industrinë dhe për vetë punësimin në vend falë mbështetjes që do t’i japim kësaj industrie dhe falë zhvillimit të mëtejshëm të industrisë mbi bazën e një eksperience të shkëlqyer që ju keni akumuluar, por edhe mbi bazën e rritjes së interesit ndaj vendit tonë në këtë fushë.

Dua të falenderoj – jo për formë, por për faktin se pa kontributin e të gjithëve ju kjo do të ishte praktikisht e pamundur ose do të ishte një vendimmarrje e radhës e qeverisë që do të rezultonte tërësisht e pamjaftueshme, – çdonjërin nga ju që u angazhua në këtë proces. Dua të falenderoj personalisht të gjithë ata që me shumë bujari kanë shpenzuar me ne kohë për të diskutuar dhe na kanë pritur në të gjitha mjediset ku zhvillohet përmes shumë energjish dhe njëkohësisht përmes shumë kurajoje, kjo industri nga ana juaj.

Pa dyshim, dua të falenderoj Ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, për dinamizmin me të cilin e ka udhëhequr këtë proces, Zëvendësministren që ka qenë drejtpërdrejt e përfshirë në ketë proces dhe të gjithë grupin e punës në bashkëpunim të ngushtë me Ministrin dhe Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe të Rinisë.

Paketa që ne prezantojmë sot vjen edhe si një produkt i parë dhe mjaft i dobishëm besoj i një domosdoshmërie për të kaluar me sa më shumë shpejtësi drejt një modeli të ri ekonomik të bazuar tek prodhimi dhe të bazuar tek eksperiencat, tek energjitë dhe tek idetë e sipërmarrjes këtu në vendin tonë. Sepse jemi të gjithë të vetëdijshëm që modeli i zhvillimit ekonomik të derisotëm, bazuar mbi remitancat e emigracionit, bazuar mbi industrinë e ndërtimit, bazuar mbi marrjen në mënyrë të dhunshme të kreditimit nga ana e qeverisë prej biznesit në formën e borxheve të pakthyera është një model i cili, praktikisht, ka shteruar.

Ne na duhet që të identifikojmë dhe të zhvillojmë burimet e reja të rritjes. E, tek burimet e reja të rritjes pa as më të voglin dyshim qëndron edhe ky sektor dhe qëndron sektori i manifakturës në tërësi.

Me shpejtësi do të mundohem të prek disa nga pikat pa hyrë në çdo pikë të paketës me të cilën të dyja shoqatat dhe me siguri e gjithë industria do të njihet siç janë njohur edhe shoqatat.

Kemi pasur një dialog shumë intensiv veçanërisht në ditët e fundit për ta finalizuar paketën në bashkëpunim të drejtpërdrejt me ju dhe kështu që pak a shumë paketa është e njohur për ju.

Unë dua të nënvizoj së pari akordimin e kontratës me vlerën vetëm një euro në vit për impiantet e përpunimit aktiv, një masë që do t’i kursejë industrisë një shumë të konsiderueshme; po ashtu rimbursimin brenda 30 ditëve për eksportuesit, të TVSH-së dhe 60 ditë për të gjithë të tjerët, duke u garantuar përmes kësaj pakete atë që është kërkuar me insistim nga ju dhe kam kënaqësinë t’ua them si një arritje të përbashkët; që gjithë kjo industri të kalojë në riskun zero dhe për këtë arsye edhe gjithë procedura doganore të kalojë nga një procedurë që ka shkuar në 3, 4, 5 ditë nga një herë edhe një javë në një procedurë që do të zgjasë vetëm 4-5 orë.

Nga ana tjetër kreditimi i menjëhershëm i TVSH-së së karburantit pa pasur nevojë për të dorëzuar dokumente apo pa marrë miratimin e Drejtorisë Rajonale Tatimore.

Po ashtu, përfshirja e kompanive fason në zonat e lira industriale si kompani të industrisë së përpunimit aktiv për të ulur kostot në kohë dhe në procedura në mënyrë edhe më të ndjeshme për ju.

Besoj, është shumë e rëndësishme që të gjithë ata që kontribuojnë në këtë industri të informohen dhe të bashkërendojnë përpjekjet e tyre për t’u zhvilluar me AIDA-n, që është Struktura e Promovimit të Investimeve, për të promovuar markën “Made in Albania” që praktikisht disa prej jush e kanë, përmes një fondi special për të garantuar kështu me shpenzime shumë të arsyeshme, që deri sot kanë qenë të pamundura, pjesëmarrjen në panaire ndërkombëtare.

Në të njëjtën kohë do të ndërtojmë edhe një “show room” për prodhuesit shqiptarë fasonë, gjë kjo e sugjeruar edhe prej jush.

Ajo që ka qenë një tjetër plagë e dhimbshme për ju ndër vite dhe që ka pasur të bëjë me deklarimin e punonjësve, me sigurimin e punonjësve, me proceset e kontrollit të punonjësve, me gjobat për shkak të këtyre kontrolleve, e me radhë dhe veçanërisht me kohëzgjatjen e papranueshme të këtyre procedurave që është konsideruar dhe është trajtuar ashtu siç ju keni sugjeruar dhe siç kemi rënë dakord.

Pra deklarimi do të bëhet online dhe koha do te shkurtohet në vetëm 10 ditë.

Ndërkohë, që nga ana tjetër trajtimi i industrisë do të jetë tërësisht i posaçëm për sa i përket edhe mënyrës së kontrolleve, për sa i përket dhe mënyrës se si do të shkojmë më përpara, duke bërë një dallim të qartë mes punonjësve që merren për tu trajnuar dhe punonjësve që pastaj merren si punonjës përfundimtarë.

Po ashtu ne duam që ta mbështesim shumë fort industrinë për zhvillimin e burimeve njerëzore, me kurse profesionale të drejtuara nga praktika në punë, siç kemi folur dhe këtu vjen edhe një pjesë e rëndësishme e  paketës që ka të bëjë me mënyrën se çdo do të përfitoni ju nga kontributi financiar i shtetit.

Kemi pasur një diskutim kur kaluam paketën e re fiskale, lidhur me tatimin mbi fitimin dhe kemi arritur në përfundimin që rritja prej 5 % e tatimit të fitimit në industrinë tuaj do të konsiderohet si kontribut për vetveten. Ashtu siç do të merren paratë nga kjo rritje ,ashtu do të vihen në dispozicion të industrisë me një proces që do të jetë tërësisht i hapur dhe transparent. E këto para do të shkojnë për të gjithë ato kompani që do të paraqesin plane konkrete zgjerimi, zhvillimi, dhe rritje të punësimit.

Pra, praktikisht nga një qasje pasive që do të ishte lënia në fuqi e të njëjtit nivel të tatim fitimit dhe që do të kishte konsekuenca të mëdha pastaj në të gjithë sistemin fiskal dhe në të gjithë strukturën  e përgjithshme të sistemit, –  ne kalojmë në një qasje aktive, që do të thotë se ai fond që krijohet nga të ardhurat e marra prej kontributeve tuaja prej fitimit, do të jetë në dispozicionin tuaj.  I bashkërenduar me fondin  e punësimit të vënë në dispozicion nga ministria e Mirëqenies dhe Rinisë, do të përbëjë një sasi të konsiderueshme prej 5 milion dollarësh në vitin e parë që do ti vihet në dispozicion të gjithë atyre ndër ju, që do të shtojnë vendet e punës.

Ndërkohë AIDA po përfundon projektin për hapjen e 3 shkollave profesionale në 3 qytete për industrinë fasone. Edhe këtu në këtë pikë siç kemi diskutuar shkollat profesionale do të jenë të lidhura ngushtësisht me fabrikën, do të jenë të lidhura me sektorin. Ka një defekt për të cilin ne të gjithë jemi të vetëdijshëm , por nuk vjen si rezultat i padijes apo i mungesës së aftësive për të shkuar më tej, por që vjen si rezultat i pafuqisë së industrisë që ka të bëjë me ciklin e mbyllur. Përpjekja për të shkuar drejt ciklit të mbyllur, është përpjekje e secilit prej jush, por që ju të shkoni drejt ciklit të mbyllur, keni nevojë nga njëra anë për një mbështetje që të garantojë rritjen e cilësisë së kapitalit njerëzor, -kur vijmë tek cikli i mbyllur, nuk bëhet më fjalë për punëtorë që të kualifikuar për një lloj pune apo për një pjesë të procesit, por bëhet fjalë për kualifikime që shkojnë deri tek nivelet më të larta.

Pikërisht për këtë lloj arsye, ne do të fillojmë të ndërtojmë dhe gjithë rrjetin e shkollave profesionale në dispozicion të industrisë, duke filluar me këto tre shkolla të para. Nga ana tjetër jemi duke negociuar, qoftë me KFV, qoftë me Kooperacionin Italian për të siguruar  një financim me një vlerë të konsiderueshme që është 39 milion euro të marra sëbashku, nga i cili ne duam që të përfitojë në radhë të parë industria fasone. Nga ana tjetër, kemi folur edhe për problemet që ju keni me listën  e makinerive të përjashtuara nga TVSH-ja dhe kemi rënë plotësisht dakord që të diskutojmë dhe të vendosim për një listë të finalizuar në bashkëpunim me ju. Ashtu sikundër kemi pasur një diskutim dhe një ballafaqim shumë konkret midis përfaqësuesve tuaj dhe doganave për atë çudinë që ju ndodh juve, kur sillni makina qepëse p.sh, që pjesa sipër quhet makineri që përjashtohet nga TVSH-ja, kurse pjesa poshtë quhet makineri që nuk përjashtohet nga TVSH-ja, sepse ato vijnë të ndara nga njëra tjetra që të  mos shkatërrohen nga transporti e kështu dogana kërkon për njërën TVSH e për tjetrën thotë “s’ka problem, merre pa TVSH”. Edhe këtë e kemi trajtuar dhe do ta fusim në proces.

Nga ana tjetër jemi në një diskutim të brendshëm për të gjithë industritë, lidhur me mënyrën se si do të trajtohen mbetjet apo firot dhe në kodin e ri doganor, kjo është një çështje e zgjidhur. Por Kodi i ri doganor do të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2015, ndërkohë që ne mendojmë që s’ka kohë për të pritur për industrinë fason, sepse nuk ka kohë për të pritur as për qeverinë për hapjen e vendeve te reja të punës. Kështu që do të bëjmë një ndërhyrje të menjëhershme ne kodin ekzistues për të trajtuar ekskluzivisht për industrinë tuaj çështjen  e mbetjeve dhe të firove. Kështu që në momentin që do të ndërhymë në Kod dhe kemi mundësi ta bëjmë këtë, ju do të përfitoni menjëherë një trajtim krejt tjetër të mbetjeve dhe të firove, gjë që e kemi kërkuar prej shumë kohësh dhe gjë për të cilën keni hequr të zitë  e ullirit prej shumë e shumë kohësh.

Kjo është një sallë shumë e veçante sepse është e mbushur me histori suksesi që provojnë se ne mund të shkojmë shumë përpara në rast se arrijmë të krijojmë sinergjinë e nevojshme mes qeverisë dhe industrisë. Në rast se bashkërisht ,ju industria dhe ne qeveria, i vihemi përballë burokracisë dhe i vihemi përballë gjithë problemeve që lindin nga zvarritja  e tmerrshme  e procedurave. Ne jemi të gatshëm ta bëjmë këtë betejë, por padyshim na duhet ndihma dhe mbështetja juaj aktive.

Kemi marrë një kërkesë dhe jemi gati që ta pranojmë këtë kërkesë që një përfaqësues i industrisë të jetë dhe pjesë e KEK për të pasur dhe një lidhje të drejtpërdrejtë me qeverinë dhe për të pasur kështu mundësinë që çdo problem, edhe individual që krijohet me një kompani, në raport me doganën, në raport me tatimet, në raport me inspektorate të ndryshme të mund të trajtohet menjëherë në nivelin më të lartë të qeverisë. Të gjithë nëpunësit, të gjithë llojet  e agjentëve tatimore e doganorë, ta marrin shumë qartë mesazhin që kjo është një industri, e cila mbrohet me mish e me shpirt nga shteti dhe se çdonjëri prej jush është një partner strategjik i qeverisë për rritjen e punësimit e prandaj trajtimi duhet të jetë jo vetëm konform ligjit, por edhe me dashamirësinë maksimale për ti zgjidhur në kohë sa më të shpejtë, të gjithë problemet që dalin rrugës.

Praktikisht, ne besojmë se më këtë paketë, Shqipëria vendoset zyrtarisht në hartën e prodhuesve për tregun evropian, jo vetëm si një pikë e afërt gjeografike, por mbi të gjitha si një pikë e rëndësishme e hapur për industrinë e përpunimit aktiv.  Kemi shumë kërkesa nga Italia në mënyrë të posaçme, por edhe nga vende të tjera, nga Franca, nga Gjermania e me radhë, për të ardhur e për të investuar në këtë sektor. Padyshim ne jemi absolutisht të hapur ndaj këtyre kërkesave, por ne jemi të vetëdijshëm për një gjë, që potencialin e zgjerimit të kësaj industrie dhe të rritjes së punësimit  përmes kësaj industrie, në radhë të parë ne e kemi këtu midis nesh, përmes jush.

Pra jemi të bindur që pjesa më e madhe  e kompanive tuaja sot janë të gatshme të zgjerohen. Jemi të bindur që pjesa më e madhe  e kompanive tuaja, sot janë të gatshme  që të krijojnë kushtet për të arritur në ato numra të punësimit që ne kemi objektiv. Për këtë arsye ne do të mbështesim fuqimisht çdonjërën prej kompanive tuaja me këto fonde të posaçme që ne vëmë në dispozicion e me këto masa të posaçme që përfshin paketa, në mënyrë që përmes jush dhe përmes zgjerimit tuaj, ne të mund të përfitojmë nga kjo konjukturë jashtëzakonisht e favorshme ndërkombëtare, në këto kushte për Shqipërinë në këtë industri. E nga ana tjetër të bëjmë të mundur në të jeni ju, pika  e referimit edhe për investitorë të tjerë që duan të vinë në Shqipëri nga jashtë. Sepse kemi shumë të qartë një gjë; që kjo industri është industria që krijon punësimin më të shpejtë dhe i përgjigjet në mënyrën më adekuate, në kohën që jetojmë sfidës sonë të përbashkët për të hapur sa më shumë vende të reja pune.

Duke  e mbyllur dhe duke ju falënderuar edhe njëherë që të gjithëve, dëshiroj të them vetëm dy gjëra;

E para, kjo është eksperienca jonë e parë konkrete  e bashkëpunimit intensiv dhe hap pas hapi me një industri për të realizuar një paketë të posaçme. Ishte një eksperiencë e shkëlqyer që provoi qartësisht se sa shumë kohë është humbur dhe sa shumë mundësi janë humbur në këtë vend, vetëm e vetëm për mungesë të aftësisë së qeverisë për të dëgjuar, për të reflektuar mbi ato që dëgjon dhe për t’ju përgjigjur në kohë kërkesave te kësaj industrie. Dhe se sa shumë mund të bëhet duke shfrytëzuar eksperiencën e territorit. Atë që ne kemi mësuar në këtë periudhë prej jush, me gjithë respektin për profesorët e ekonomisë, nuk munden dot profesorët e ekonomisë dhe as këshilltarët më të nderuar të na e mësonin dhe të na jepnin ato zgjidhje të thjeshta që ne kemi mundur tu japim atyre problemeve, në dukje të ndërlikuara, vetëm falë sugjerimeve tuaja. E ky ka qenë një mësim i shkëlqyer për ne, konkret dhe praktik për të bërë të njëjtën gjë dhe me industri të tjera. E këtë do të bëjmë sepse besojmë shumë që sipërmarrja për qeverinë është një partner edhe në këtë sens; në sensin e dijes, në sensin e zgjerimit të horizontit të qeverisë, të çdo ministrie linje për të kuptuar më shpejt dhe për të vepruar më saktë në raport me nevojat e një industrie, në raport me nevojat e një sektori.

Tjetra është, që siç e tha ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, më 1 maj ne do të hapim, Panairin e parë të punës, ku padyshim do të jenë të ftuar kompanitë nga të gjithë sektorët, padyshim do të jeni të pranishëm dhe ju dhe do të afishohen praktikisht 5 mijë vende pune, në panair, në dispozicion të punëkërkuesve të të gjitha niveleve; nga niveli më i thjeshtë, tek niveli më i sofistikuar. Është eksperienca e parë. Sigurisht që do të na japi shumë të dhëna se çfarë duhet të bëjmë më mirë 1 majin e ardhshëm. Por edhe këtu ne do të kërkojmë ndihmën tuaj, ndihmën e sipërmarrjes për garantuar që ditët e panairit të jene ditë, ku sipërmarrja të jetë në gjendje të vërë në dispozicion të punëkërkuesve , një kuadër të qartë të kërkesave dhe të mundësive që ka. Nga ana tjetër për të krijuar një edukatë të re në shoqëri që vazhdon ta shikojë shtetin si punëdhënësin më të madh dhe që vazhdon të mos ketë linjat  e duhura të komunikimit me sipërmarrjen. Prandaj mbi çdo ndihmë, çdo sugjerim, çdo moment i juaji dhe i të gjithë sipërmarrjes, lidhur me zhvillimin e këtij panairi është më shumë se i mirëseardhur. Ashtu sikundër përfitoj nga rasti ti them të gjithëve atyre që janë në kushtet  kur kërkojnë një punë, që në 1 maj, në pallatin e Kongreseve, në panairin e Punës, të drejtohen dhe të shikojnë se ka një mundësi tjetër përveç mundësisë që shikohet gjithmonë dhe me çdo kusht tek shteti. Kuptohet se përse kërkohet puna në shtet, por shteti nuk mund të jetë përgjigjja si punëdhënësi më i madh.

Faleminderit shumë dhe me shumë kënaqësi do t’ja jap fjalën Gjergjit, i cili ka qenë koka tjetër e shqiponjës së industrisë. Sepse ne kështu  e kemi, kudo e kemi me dy koka shqiponjën, një shoqatë majtas, një djathtas, një që sheh andej e një që sheh këtej. Megjithëse ju nuk jeni ndarë për arsye politike dhe me falënderimin që edhe Gjergji ka qenë një përçues i jashtëzakonshëm i të gjithë kërkesave të sipërmarrjes.

E më lejoni tu them, nuk më takon mua që ta bëjë këtë në kuptimin që është e drejta juaj, por të dyja kokat e shqiponjës kishin të njëjtat probleme, pothuaj të njëjtat kërkesa dhe pothuajse të njëjtat ide për ta zgjidhur. Kështu që nuk kuptohet pse duhet të jeni dy shoqata, kur problemet janë të njëjta, kërkesat janë të njëjta dhe idetë të njëjta. Megjithatë kjo është puna juaj dhe unë ju uroj suksese të dyja shoqatave.

Faleminderit!

***

Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në një takim të zgjeruar për prezantimin e paketës ndihmëse për industrinë  e përpunimit aktiv apo siç njihet ndryshe biznesi fason.

Kjo paketë është reflektim i një modeli të ri për ekonominë e vendit, i cili ndryshon kryekëput nga modeli i mëparshëm që bazohej tek remitancat apo borxhi publik. Modeli i ri ekonomik, i cili është duke u instaluar, po i zëvendëson këta faktorë, me faktorë të rinj ekonomikë.

Bazat kryesore të këtij modeli janë prodhimi vendas, investimet e huaja të drejtpërdrejta dhe kthimi në eficencë i ekonomisë për të siguruar një zhvillim normal të ekonomisë dhe bizneseve bazuar mbi partneritetin qeveri-sipërmarrje.

Paketa  e fasonit, është paketa  e parë e këtij lloji për industrinë  e përpunimit aktiv në Shqipëri. Veçoria e saj më e madhe është se kjo është paketa e parë e mbështetjes për një sektor, i  cili është zhvilluar në bazë të kërkesave të vetë sektorit. Hapi i parë i zhvillimit të paketës ka qenë mbledhja e opinioneve nga vetë grupet e interesit.

Në gjithësinë e tyre masat e kësaj pakete synojnë një përmirësim të dukshëm cilësor, si nga ana  e rritjes së eksporteve, duke synuar një rritje  me më shumë se 80 % në eksporte, brenda tre viteve.

Janë marrë në konsideratë 46 masa e propozime, disa nga të cilat janë implementuar ndërkohë, si kalimi i VKM nr. 54, që akordon kontratën me vlerën 1 euro për impiantet e përpunimit aktiv, një masë kjo që do të kursejë mesatarisht 2,5 milionë dollarë qira për sipërmarrësit.

Një fokus të rëndësishëm në këtë paketë zë lidhja e zhvillimit të këtij biznesi me rritjen e punësimit. Me anë të një sërë masash synohet që numri i të punësuarve të deklaruar nga 28 mijë të shkojë në 100 mijë  për tre vjet. Fondi i Punësimit për industrinë e përpunimit në fund të këtij viti do të jetë 5 milionë dollarë.

Kjo paketë është vetëm fillimi i një inovacioni të sektorit të përpunimit aktiv që do të shtrihet në të gjithë ekonominë, për të siguruar atë rritje të qëndrueshme ekonomike në nivelet e 5 apo 6%.

Me këtë paketë, Shqipëria vendoset zyrtarisht në hartën  e prodhuesve për tregun evropian, jo vetëm si një pikë e afërt, por mbi të gjitha si një pikë e rëndësishme e hapur ,për industrinë e përpunimit aktiv.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.