Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 7 Maj 2025:
AKT NORMATIV
PËR
NJË SHTESË NË LIGJIN NR.8952, DATË 10.10.2002,
“PËR LETËRNJOFTIMIN ELEKTRONIK TË SHTETASVE SHQIPTARË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Neni 1
Në nenin 9/5, të ligjit nr.8952, datë 10.10.2002, “Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë”, të ndryshuar, pas fjalës “… vendbanim …” shtohen fjalët “… brenda dhe …”.
Neni 2
Hyrja në fuqi
Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
AKT NORMATIV
PËR
NJË SHTESË NË LIGJIN NR.8668, DATË 23.10.2000,
“PËR PAJISJEN E SHTETASVE SHQIPTARË ME PASAPORTË PËR JASHTË SHTETIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Neni 1
Në nenin 14/4, të ligjit nr.8668, datë 23.10.2000, “Për pajisjen e shtetasve shqiptarë me pasaportë për jashtë shtetit”, të ndryshuar, pas fjalës “… vendbanim …” shtohen fjalët “… brenda dhe ….”.
Neni 2
Hyrja në fuqi
Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
SHPALLJEN E ZONËS SË TEKNOLOGJISË DHE ZHVILLIMIT EKONOMIK DHE ZHVILLUESIT TË ZONËS ME VENDNDODHJE NË XHAFZOTAJ, SHIJAK
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 4, të ligjit nr.9789, datë 19.7.2007, “Për krijimin dhe funksionimin e zonave të teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpalljen “Zonë e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik” të territorit me sipërfaqe 135 215 (njëqind e tridhjetë e pesë mijë e dyqind e pesëmbëdhjetë) m2 dhe sipërfaqe ndërtimore 53 022.3 (pesëdhjetë e tre mijë e njëzet e dy pikë tre) m2, pjesë e zonës kadastrale 3852, në Xhafzotaj, Shijak, të përbërë nga parcelat me numrat e pasurive dhe sipërfaqet përkatëse, sipas listës dhe genplanit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Shtrirja, kufijtë, pikat e hyrjes dhe të daljes në “Zonën e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik” përcaktohen në genplanin që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Veprimtaritë, që do të zhvillohen në “Zonën e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik”, janë të llojit:
a) industri prodhuese;
b) industri e automjeteve dhe pjesëve të këmbimit;
c) industri e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (ICT);
ç) industri e pajisjeve elektrike dhe elektronike;
d) industri e produkteve të energjisë;
dh) industri e rëndë;
e) industri e lehtë dhe agropërpunuese;
ë) përpunim dhe magazinim mallrash;
f) tregtare dhe eksport-import;
g) shërbime;
gj) industri të tjera, në përputhje me legjislacionin shqiptar.
4. Periudha e funksionimit të zonës është 35 (tridhjetë e pesë) vjet, me të drejtë përsëritjeje deri në 99 (nëntëdhjetë e nëntë) vjet.
5. Ministria përgjegjëse për ekonominë vë në dispozicion, në funksion të zhvillimit të projektit, pasuritë e paluajtshme të llojit “arë”, të ndodhura në zonën kadastrale 3852, në Xhafzotaj, Durrës, me numra pasurie 345/55 (sipërfaqe totale 293 m2), 345/60 (sipërfaqe totale 367 m2) dhe 345/62 (sipërfaqe totale 760 m2), pjesë të zonës së teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik, me sipërfaqe totale 1 420 (një mijë e katërqind e njëzet m2), sipas legjislacionit në fuqi.
6. Zhvillues i “Zonës së teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik” shpallet shoqëria “VERTIGO”, sh.p.k.
7. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E LOGOS DHE TË SHENJAVE DALLUESE TË KANCELARISË SË URDHRAVE DHE MEDALJEVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 26, të ligjit nr.93/2022, “Për dekoratat në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e logos dhe të shenjave dalluese të Kancelarisë së Urdhrave dhe Medaljeve, sipas aneksit 1 që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Logoja dhe shenjat dalluese të Kancelarisë së Urdhrave dhe Medaljeve, për nga qëllimi i përdorimit, i përkasin vetëm strukturës së Kancelarisë së Urdhrave dhe Medaljeve.
3. Ngarkohet Kancelaria e Urdhrave dhe Medaljeve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.433, DATË 8.6.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR TRANSFERIMIN NË PRONËSI TË BASHKIVE TË PYJEVE DHE KULLOTAVE PUBLIKE, SIPAS LISTAVE TË INVENTARIT, DHE AKTUALISHT NË ADMINISTRIM TË MINISTRISË SË MJEDISIT E TË ISH-KOMUNAVE/BASHKIVE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 9, të ligjit nr.49/2016, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9693, datë 19.3.2007, “Për fondin kullosor”, të ndryshuar”, të nenit 39, të ligjit nr.57/2020, “Për pyjet”, si dhe të nenit 41, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.433, datë 8.6.2016, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
a) Në pikën 52, numri rendor “… 2545 (dy mijë e pesëqind e dyzet e pesë) …” zëvendësohet me “… 2546 (dy mijë e pesëqind e dyzet e gjashtë) …”.
b) Në shtojcën 50, që i bashkëlidhet vendimit, shtohet pasuria nr.734/2, zona kadastrale 1604, e llojit “pyll”, në pronësi “shtet”, me vendndodhje: njësia administrative Farkë, sipas formularit, kartelës dhe hartës kadastrale, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, Bashkia Tiranë të kryejë azhurnimin kadastral të regjistrit të fondit pyjor transferuar në pronësi të saj duke shtuar këtë pasuri, në përputhje me legjislacionin në fuqi për pyjet.
3. Ngarkohen Bashkia Tiranë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË NDRYSHIMEVE TË STATUTIT TË ROMËS PËR GJYKATËN NDËRKOMBËTARE PENALE PËR KRIMIN E AGRESIONIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10 të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të ndryshimeve të Statutit të Romës për Gjykatën Ndërkombëtare Penale për krimin e agresionit, bërë në Kampala, më 11 qershor 2010, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE REPUBLIKËS SË POLONISË, PËR SIGURIMET SHOQËRORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Polonisë, për sigurimet shoqërore, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E KUSHTEVE DHE TË MËNYRËS PËR MBROJTJEN E VEÇANTË TË PUNONJËSIT TË AGJENCISË SË MBIKËQYRJES POLICORE, TË CILIT I KËRCËNOHET JETA, FAMILJA DHE PRONA PËR SHKAK TË DETYRËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 75, të ligjit nr.128/2021, “Për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Punonjësit të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (në vijim AMP), të cilit, gjatë ushtrimit të funksionit ose për shkak të tij, i kërcënohet jeta, familja dhe prona nga veprime të paligjshme të të tretëve, i sigurohet mbrojtje e veçantë.
2. Me mbrojtje të veçantë kuptohen masat me karakter organizativ e profesional për sigurimin dhe ruajtjen e veçantë të jetës, familjes dhe të pronës së punonjësit të kërcënuar të AMP-së, si dhe çdo masë tjetër, që lidhet me këtë mbrojtje.
3. Punonjësi i kërcënuar i AMP-së përfiton mbrojtje të veçantë nëse plotësohen kushtet e mëposhtme:
a) Prania e rrethanave serioze që rrezikojnë jetën, familjen ose pronën e punonjësit të AMP-së;
b) Gjendja e punonjësit të AMP-së në një situatë që kërkon kryerjen e veprimeve apo marrjen e masave të menjëhershme për ta zgjidhur atë, si dhe për të shmangur çdo lloj dëmtimi të mundshëm;
c) Prania e lidhjes shkakësore ndërmjet rrethanave serioze dhe rrezikut të dëmtimit me ushtrimin e ligjshëm të detyrës.
4. Mënyrat e mbrojtjes së veçantë konsistojnë në:
a) ruajtjen apo shoqërimin fizik të punonjësit të AMP-së të rrezikuar;
b) ruajtjen apo shoqërimin fizik të familjarëve të rrezikuar të punonjësit të AMP-së;
c) ruajtjen e pronës së punonjësit të AMP-së të rrezikuar.
5. Mbrojtja e veçantë për punonjësin e kërcënuar të AMP-së bëhet me vendim të Komisionit për Vlerësimin e Kërcënimeve (KVK), i cili ngrihet dhe funksionon pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
6. Komisioni për Vlerësimin e Kërcënimeve përbëhet nga:
a) Zëvëndësdrejtori i Përgjithshëm, kryetar;
b) Drejtori i Hetimit, anëtar;
c) Drejtori i Forcës së Posaçme Operacionale, anëtar;
ç) Përgjegjësi i sektorit të analizës dhe informacionit, anëtar;
d) Drejtori rajonal i qarkut, ku banon personi i kërcënuar, anëtar.
7. Kërkesa me shkrim për mbrojtje të veçantë të punonjësit të kërcënuar të AMP-së i paraqitet Komisionit për Vlerësimin e Kërcënimeve nga:
a) punonjësi i AMP-së, që i kërcënohet jeta, familja dhe prona;
b) struktura të AMP-së, që marrin dijeni për praninë e rrethanave serioze, të cilat i rrezikojnë jetën, familjen dhe pronën e punonjësit të AMP-së;
c) çdo organ tjetër publik, që, për shkak të funksionit, merr dijeni për praninë e rrethanave serioze që rrezikojnë jetën, familjen dhe pronën e punonjësit të AMP-së.
8. Kërkesa për mbrojtje të veçantë përmban:
a) gjenealitetet e plota të punonjësit të kërcënuar të AMP-së;
b) një përmbledhje të fakteve e të rrethanave, që përbëjnë rrezik serioz për punonjësin e AMP-së, të cilat e detyrojnë atë të kërkojë mbrojtje të veçantë, si dhe burimin e provave, ku ato bazohen.
9. Komisioni për Vlerësimin e Kërcënimeve, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga paraqitja e kërkesës për mbrojtje të veçantë, vendos:
a) pranimin e kërkesës, duke përcaktuar edhe masat konkrete të mbrojtjes;
b) mospranimin e kërkesës.
10. Vendimi i Komisionit të Vlerësimit të Kërcënimeve miratohet nga drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe përmban:
a) pjesën hyrëse, ku pasqyrohen subjekti që ka bërë kërkesën, koha dhe vendi i marrjes së vendimit, si dhe përbërja emërore e komisionit;
b) pjesën përshkruese, ku jepen rrethanat që e kanë shtyrë subjektin për të bërë kërkesën, veprën penale të kryer, personalitetin e të kërcënuarit, rrezikshmërinë shoqërore të kërcënimeve dhe vlerësimet për të dhënat që zotërohen rreth një fakti të tillë;
c) pjesën vendimmarrëse, ku përcaktohen masat konkrete për mbrojtjen e veçantë, kohën, ekzekutuesin e vendimit, afatin e zgjatjes së masave, shpenzimet dhe subjektin që do t’i përballojë këto shpenzime.
11. Në vendimin e Komisionit për Vlerësimin e Kërcënimeve për sigurimin e mbrojtjes së veçantë përcaktohen mënyrat e mbrojtjes dhe kohëzgjatja e saj.
12. Krahas marrjes së masave mbrojtëse, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore bashkëpunon me institucionet e tjera për marrjen në vazhdimësi të informacioneve, në funksion të parandalimit të ngjarjeve të mundshme kriminale në drejtim të punonjësit të AMP-së të marrë në mbrojtje, familjes dhe pronës së tij.
13. Në rastet kur punonjësi i kërcënuar i AMP-së ushtron detyrën larg vendbanimit dhe familjes së tij, masat urgjente mbrojtëse merren sipas nevojës për të dhe për familjen, në funksion të mbrojtjes e në varësi të intensitetit që ka kërcënimi.
14. Në rastin e një rreziku serioz dhe të çastit, drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore urdhëron strukturat përkatëse në AMP të marrin masa të menjëhershme për të garantuar sigurinë e jetës, familjes dhe pronës së punonjësit të kërcënuar të AMP-së. KVK-ja, brenda 10 (dhjetë) ditëve, vlerëson masat e marra nga strukturat e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe vendos për vazhdimin ose jo të tyre.
15. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.331, DATË 31.5.2023, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE,“PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “NDËRTIMI I LINJËS 110 KV LUSHNJË-FIER””
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.331, datë 31.5.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i linjës 110 kV Lushnjë – Fier””, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “arë” dhe “truall”, me një vlerë të përgjithshme prej 2 199 890.48 (dy milionë e njëqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë e tetëqind e nëntëdhjetë pikë dyzet e tetë) lekësh.”.
b) Në pikën 4, togfjalëshi “… prej 363 875 (treqind e gjashtëdhjetë e tre mijë e tetëqind e shtatëdhjetë e pesë) lekësh” zëvendësohet me “… prej 2 199 890.48 (dy milionë e njëqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë e tetëqind e nëntëdhjetë pikë dyzet e tetë) lekësh.”.
2. Tabelës, që i bashkëlidhet vendimit nr.331, datë 31.5.2023, të Këshillit të Ministrave, i shtohet pasuria me numër rendor “68” dhe të dhënat sipas tabelës, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Shpenzimet procedurale shtesë, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a.
4. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave, Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a., Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Lushnjë dhe Drejtoria Vendore Fier, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Fier për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU