Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 28 Maj 2025:

 

P R O J E K T L I GJ
PËR

PËRPUNIMIN E INFORMACIONIT TË UDHËTIMIT NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1
Objekti

Ky ligj përcakton rregullat e transmetimit, përpunimit e të përdorimit të të dhënave të udhëtimit për të gjithë transportuesit e pasagjerëve dhe të ngarkesave me karakter ndërkombëtar në Republikën e Shqipërisë. Të dhënat e udhëtimit do të transmetohen, do të përpunohen dhe do të përdoren vetëm nga një autoritet që ky ligj e cakton si pikën e vetme të marrjes, të mbledhjes, të analizimit, të përpunimit, të shkëmbimit dhe të përdorimit të informacionit të udhëtimit për qëllimet e përcaktura në këtë ligj.

Neni 2
Qëllimi

Qëllimi i këtij ligji është rritja e sigurisë kombëtare, duke synuar rritjen e sigurisë së qytetarëve nëpërmjet përpunimit të të dhënave të udhëtimit dhe të informacionit inteligjent nga një strukturë e unifikuar.

Neni 3
Përkufizime

Në kuptim të këtij ligji, me termat e mëposhtëm nënkuptohen:

1. “Autoritete kompetente”, institucione të administratës shtetërore, të cilat kanë në strukturat e tyre agjenci të zbatimit të ligjit, me qëllim sigurinë kombëtare dhe sigurinë e qytetarëve dhe që kontribuojnë në mbarëvajtjen e punës së Sektorit të Inteligjencës së Udhëtimit (në vijim SIU).

2. “Autoritete operative”, institucione dhe/ose agjenci ligjzbatuese autonome apo në varësi të autoriteteve kompetente, që sipas legjislacionit të posaçëm, kanë objekt të veprimtarisë së tyre parandalimin, zbulimin, hetimin dhe ndjekjen penale të veprave, me qëllime terroriste apo krimeve të përcaktuara në pikën 1, të nenit 8, të këtij ligji.

3. “Autoritet kombëtar mbikëqyrës për mbrojtjen e të dhënave personale”, institucioni i pavaruar në Republikën e Shqipërisë, i emërtuar Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

4. “Bazë e të dhënave të udhëtimit”, të gjitha bazat e të dhënave që përmbajnë të gjitha të dhënat dhee informacione të udhëtimit dhe që administrohen nga SIU.

5. “Ekuipazh”, ata persona që udhëtojnë me mjetet e transportit ndërkombëtar dhe që nuk konsiderohen pasagjerë.

6. “Informacion i regjistrimit të emrit të pasagjerit (të dhënat PNR)”, tërësia e të dhënave të nevojshme për të mundësuar rezervimin dhe për të kryer kontrollet për çdo udhëtim të rezervuar nga/ose në emër të një personi, të cilat ruhen në sistemin e rezervimit të transportuesve ndërkombëtarë, sistemet e kontrollit të nisjes ose sisteme ekuivalente, që mundësojnë të njëjtat funksione dhe që përdoren për të kontrolluar/administruar/menaxhuar pasagjerët.

7. “Informacion paraprak për pasagjerin (të dhënat API)”, pjesë e të dhënave të rezervimit të pasagjerit dhe përfshin llojin, numrin, vendin e lëshimit dhe datën e skadimit të çdo dokumenti udhëtimi, shtetësinë, mbiemrin, emrin/emrat e tjerë, gjininë, datën e lindjes, linjën e mjetit transportues, numrin e udhëtimit, datën e nisjes, datën e mbërritjes, aeroportin, portin apo vendin e nisjes, aeroportin, portin apo vendin e mbërritjes, kohën e nisjes dhe kohën e mbërritjes, numrin e përgjithshëm të udhëtarëve që transportohen, si edhe çdo element tjetër të përcaktuar në këtë ligj.

8. “Manifest”, dokument, që përmban të dhënat që prodhohen nga transportuesit, si dokumentacioni i transportit që liston pasagjerët apo ngarkesa në hyrje, dalje apo transit në Republikën e Shqipërisë. Ai përfshin të gjitha të dhënat për pasagjerët dhe për ngarkesat, duke specifikuar për këtë të fundit llojin, peshën, masën, natyrën, origjinën, destinacionin, regjistrimet e udhëtimit e çdo element të domosdoshëm për të kryer udhëtimin, sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë.

9. “Metodë e transmetimit të sigurt”, “metodë push”, procesi i transmetimit të të dhënave të udhëtimit, i cili mundëson përcaktimin e saktë të periudhës së regjistrimit fillestar të të dhënave, si dhe mbrojtjen e përshtatshme të të dhënave gjatë transmetimit.

10. “Ngarkesë” nënkupton të gjitha ngarkesat e mallrave, që lidhen me transportin ndërkombëtar në hyrje, dalje apo transit në territorin tokësor, ujor apo detar të Republikës së Shqipërisë.

11. “Operator ekonomik”, një ofrues shërbimi i certifikuar, privat apo shtetëror, që mundëson transmetimin dhe leximin e të dhënave të udhëtimit në sistemet e përdorura nga SIU.

12. “Pasagjer” konsiderohet çdo udhëtar, i cili gjeneron ose ndaj të cilit gjenerohen të dhëna në sistemet e rezervimit të biletave, të cilat përdoren nga transportuesit e udhëtarëve në Republikën e Shqipërisë në hyrje, transit apo në dalje të saj.

13. “Punonjës i ngarkuar për mbrojtjen e të dhënave”, specialisti i SIU-t, i cili është edhe pikë konktakti me autoritetin kombëtar mbikëqyrës për mbikëqyrjen e përpunimit të të dhënave personale në SIU.

14. “Sistem rezervimi” nënkupton sistemin e brendshëm të transportuesve, në kuptimin e këtij ligji, të cilët gjatë veprimtarisë së tyre grumbullojnë të dhënat për rezervimin e udhëtimit.

15. “Sisteme të automatizuara të shënjestrimit”, sistemet e përdorura nga SIU për përpunimin e të dhënave të udhëtimit, përfshirë sistemet me inteligjencë artificiale.

16. “Sektor i Inteligjencës së Udhëtimit (SIU)”, autoriteti i vetëm në Republikën e Shqipërisë për përpunimin, marrjen, mbledhjen, analizimin dhe përdorimin e të dhënave të udhëtimit.

17. “Subjekt i të dhënave”, çdo person fizik, i identifikuar ose i identifikueshëm. Një person është i identifikueshëm nëse mund të arrihet në identifikimin e tij, duke iu referuar drejtpërdrejt ose tërthorazi një apо disa faktorë identifikues të veçantë, si emri, numri i identifikimit, të dhënat për vendndodhjen, një identifikues në internet ose një apo më shumë faktorëve specifikë, lidhur me identitetin e tij fizik, fiziologjik, identitetin gjenetik, mendor, ekonomik, kulturor ose shoqëror.

18. “Të dhëna të udhëtimit”, të gjitha informacionet, që lidhen me udhëtarët dhe ngarkesat në hyrje, dalje apo transit në hapësirën, tokësore, ujore dhe ajrore të Republikës së Shqipërisë.

19. “Të dhëna personale”, “regjistrim”, “përpunim i të dhënave personale” dhe “përdorim i të dhënave personale” kanë të njëjtin kuptim, siç përcaktohet në nenin 3 “Përkufizime”, të ligjit nr.124/2024, “Рër mbrojtjen e të dhënave personale”.

20. “Të dhëna të depersonalizuara” nënkupton të dhënat personale, të përpunuara në mënyrë të tillë, që ato nuk mund t’i atribuohen një subjekti specifik të dhënash, pa përdorimin e informacioneve shtesë, me kusht që ky informacion shtesë të ruhet veçmas dhe t’i nënshtrohet masave teknike dhe organizative të marra, me qëllim për t’u siguruar që të dhënat personale nuk mund t’i atribuohen një individi të identifikuar ose të identifikueshëm, përveçse kur diçka e tillë autorizohet në mënyrë specifike.

21. “Transportues” nënkupton çdo subjekt të licencuar, tokësor, ajror apo detar për kryerjen e transportit të pasagjerëve dhe të mallrave brenda dhe jashtë Republikës së Shqipërisë, të cilët regjistrojnë informacione të udhëtimit me karakter ndërkombëtar.

22. “Transport ajror i përgjithshëm” i referohet transportuesve ajrorë të të gjitha llojeve që kryejnë udhëtime me të gjitha mjetet fluturuese.

23. “Transport detar i përgjithshëm” i referohet transportuesve me mjete detare të të gjitha llojeve që kryejnë udhëtime me të gjitha llojet e mjeteve lundruese.

24. “Transportues tokësor” i referohet transportuesve me mjete të transportit tokësor për pasagjerë dhe ngarkesa.

25. “Transmetim”, dërgimi i të dhënave të udhëtimit nga transportuesit te SIU.

26. “Transformim”, procesi i ndërrimit të formateve dhe protokolleve të të dhënave të udhëtimit për t’i bërë të lexueshme në sistemet e përpunimit të informacionit të SIU-t.

27. “Transferim”, procesi i dërgimit apo i marrjes së informacionit nga një sistem, pajisje apo medium në një tjetër.

28. “Kod i përbashkët”, transportimi i pasagjerëve dhe i ngarkesave nga një apo më shumë transportues për llogari të transportuesve të tjerë.

29. “Rrezik”, një informacion që lidhet me një udhëtar ose një ngarkesë, që përbën kërcënim potencial për sigurinë kombëtare dhe për sigurinë publike.

30. “Rregullore e përpunimit të të dhënave të SIU-t”, akti nënligjor që përmban të gjitha detajet e rregullave e procedurave që do të ndjekë SIU dhe autoritetet operative, pjesë të tij, dhe që përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 4
Sektori i Inteligjencës së Udhëtimit dhe bazat e të dhënave

1. Sektori i Inteligjencës së Udhëtimit është një strukturë ndërinstitucionale, që caktohet në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, dhe ka detyrë përpunimin e të dhënave të udhëtimit.

2. SIU administron bazat e të dhënave të udhëtimit dhe regjistron në mënyrë automatike apo manuale, të paktën veprimet e përpunimit të të dhënave, që kanë të bëjnë me:

a) mbledhjen;
b) përpunimin;
c) transmetimin;
ç) shkëmbimin për përdorimin kombëtar dhe ndërkombëtar;
d) ruajtjen;
dh) fshirjen/shkatërrimin;
e) depersonalizimin;
ë) mbrojtjen dhe garantimin e të dhënave.

3. Regjistrimet e kontrollit dhe të transmetimit të të dhënave duhet të dokumentojnë arsyen e kryerjes së këtyre veprimeve, datën dhe identitetin e personit që është njohur ose ka shpërndarë të dhënat e udhëtimit, si dhe identitetin e marrësve të të dhënave.
4. Regjistrimet e të dhënave të pikës 3, të këtij neni, vendosen në dispozicion të punonjësit të ngarkuar për mbrojtjen e të dhënave dhe autoritetit kombëtar mbikëqyrës për mbrojtjen e të dhënave të udhëtimit për të mundësuar këshillimin dhe monitorimin e të gjithë veprimtarisë së përpunimit të informacionit nga SIU, sipas legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.

5. SIU është strukturë operative, që operon 24/7 dhe monitoron çdo të dhënë udhëtimi për të gjithë transportuesit në hyrje, dalje apo transit në Republikën e Shqipërisë.

6. Funksionimi, organizimi dhe rregullat për përdorimin e aksesin në bazat e të dhënave të udhëtimit, si edhe në të gjitha bazat e të dhënave të tjera në funksion të kryerjes së detyrave të SIU-t përcaktohen në rregulloren e përpunimit të të dhënave të udhëtimit, e cila do të miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 5
Transmetimi i të dhënave të udhëtimit

1. Çdo transportues, që operon në Republikën e Shqipërisë, në tokë, ujë apo ajër, në hyrje, dalje apo transit dhe që regjistron të dhëna të udhëtimit, duhet të transmetojë pranë SIU-t, nëpërmjet metodës së transmetimit të sigurt (push) apo në çdo mënyrë tjetër të sigurt, të certifikuar sipas standardeve ndërkombëtare, të dhënat e informacionit të udhëtimit, të mbledhura gjatë veprimtarisë së tyre.

2. Formatet dhe protokollet e dërgimit të të dhënave të informacionit të udhëtimit do të përcaktohen në manualet e udhëzimeve përkatëse, që SIU do t’u dërgojë transportuesve të pasagjerëve.

3. Të dhënat e regjistrimit të rezervimit të pasagjerit përmbajnë të paktën informacionin e regjistrimit të emrit të pasagjerit dhe të dhënat paraprake të pasagjerit, si më poshtë vijon:

a) Kodin e konfirmimit të rezervimit të pasagjerit;
b) Datën e rezervimit dhe të lëshimit të biletës;
c) Emrin/emrat dhe mbiemrin/at e pasagjerit;
ç) Datën/datat e planifikuar/a të udhëtimit;
d) Adresën dhe të dhënat e kontaktit, përfshirë numrin e telefonit dhe adresën e postës elektronike;
dh) Informacionin për biletën, përfshirë numrin, datën e lëshimit, mënyrën e pagesës, si dhe adresën e përdorur për faturimin e saj;
e) Të gjithë informacionin në lidhje me bagazhin;
ë) Informacionin paraprak të pasagjerit (API) të mbledhur, përfshirë llojin, numrin, vendin e lëshimit dhe datën e skadimit të çdo dokumenti udhëtimi, shtetësinë, emrin dhe mbiemrin, emrin/emrat e tjerë, gjininë, datën e lindjes, linjën e transportit, numrin e transportit, datën e nisjes, datën e mbërritjes, vendin e nisjes, vendin e mbërritjes, kohën e nisjes dhe kohën e mbërritjes, si dhe numrin në total të pasagjerëve që transportohen;
f) Itinerarin e plotë të udhëtimit;
g) Informacionin për pasagjerët që udhëtojnë shpesh;
gj) Agjencinë dhe agjentin e udhëtimit;
h) Statusin e udhëtimit të pasagjerit, përfshirë konfirmimin, statusin e check in-it, mosparaqitjen për check in-in, biletë pa rezervim;
i) Informacionin për kode të ndryshme apo të veçuara të konfirmimit të rezervimit;
j) Informacione për të mitur të pashoqëruar, nën 18 vjeç, si emri dhe gjinia e të miturit, mosha, gjuha/gjuhët që flet, emri dhe detajet e kontaktit të kujdestarit në nisje dhe lidhja/marrëdhënia e tij me të miturin, emrin dhe detajet e kontaktit të kujdestarit në mbërritje dhe lidhja/marrëdhënia e tij me të miturin;
k) Numrin e ndenjëses dhe informacione të tjera të lidhura me ndenjësen;
l) Informacionin për kodin e përbashkët të rezervimit të gjeneruar automatikisht nga sistemi;
ll) Numrin total të pasagjerëve, si dhe të dhënat identifikuese të udhëtarëve të tjerë, që rezultojnë në bazën e të dhënave të rezervimit të pasagjerit;
m) Të gjitha ndryshimet historike në të dhënat e pasagjerëve, të listuara nga shkronjat “a” deri në “ll”.

4. Të dhënat e regjistrimit të rezervimit të pasagjerit, të përcaktuara në pikën 3, të këtij neni, transmetohen për të gjitha udhëtimet e planifikuara me mjete detare, nëse ato posedohen nga transportuesit, përfshirë rastet e transportit detar dhe ajror të përgjithshëm apo udhëtimet me çarter, për qëllime joushtarake, që:

a) nisen nga Republika e Shqipërisë me destinacion vende të tjera;
b) nisen nga vende të tjera me destinacion Republikën e Shqipërisë ose transit në të gjithë hapësirën (ajrore, ujore dhe tokësore) nëpërmjet Republikës së Shqipërisë.

5. Kur transporti kryhet me kod të përbashkët, ndërmjet një ose më shumë transportuesve, transportuesi që kryen udhëtimin është i detyruar të transmetojë pranë SIU-t të dhënat, sipas pikës 3, të këtij neni, për të gjithë pasagjerët në udhëtim.
6. Të dhënat e ngarkesave në të gjitha rastet e transporteve përfshijnë të gjitha elementet e dokumentacionit detyrues për udhëtim, si edhe ato që do të përcaktohen në mënyrë të detajuar në manualet e udhëzimeve të SIU-t.

7. Kur transportuesi nuk mbledh të dhënat API dhe PNR-ja, por i disponon këto të dhëna në format tjetër, atëherë ai do të dërgojë të dhënat e pasagjerit sipas formatit të përcaktuar nga SIU në manualin përkatës të udhëzimeve, deri kur transportuesi të përputhë sistemet me ato të standardeve ndërkombëtare për një periudhë kohore të përcaktuar nga SIU.

8. Transportuesit duhet të informojnë pasagjerët për qëllimin e grumbullimit dhe të përpunimit të të dhënave të rezervimit të pasagjerit, në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale.

9. Transmetimi i të dhënave të regjistrimit të rezervimit të emrit të pasagjerit (PNR) nga transportuesit kryhet me mjete elektronike, sipas procedurave e formateve të përcaktuara në rregulloren e përpunimit të të dhënave të udhëtimit dhe në manualin e udhëzimeve të SIU-t. Në rast të një problemi teknik, të dhënat do të transmetohen sipas mënyrës së përcaktuar me udhëzimin e përbashkët të ministrit përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike dhe Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, që siguron nivelin e përshtatshëm të mbrojtjes të të dhënave.

10. Transmetimi dhe transformimi i të dhënave të udhëtimit kryhet te SIU në mënyrë të drejtpërdrejtë ose nëpërmjet një operatori ekonomik për të mundësuar leximin e formateve/protokolleve të të dhënave të udhëtimit, si dhe për t’i transmetuar në sistemet e përpunimit të të dhënave të SIU-T.

11. Përzgjedhja e operatorit ekonomik, që do të mundësojë transmetimin dhe transformimin e të dhënave nga transmetuesi te SIU, përbën përjashtim sipas përcaktimeve të nenit 5, të ligjit nr.36/2020, “Për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë”, dhe procedura përkatëse kryhet në përputhje me përcaktimet e atij neni dhe të aktit nënligjor në zbatim të tij.

12. Transportuesit nuk duhet të mbledhin, të përpunojnë dhe të transmetojnë të dhëna sensitive, sipas legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale. Në rast se transportuesit transmetojnë të dhëna të ndryshme nga ato të përcaktuara në pikën 3, të këtij neni, SIU kryen menjëherë fshirjen e tyre në mënyrë të pakthyeshme.

13. Forma dhe mënyra e transmetimit dhe transferimit të të dhënave të informacionit paraprak (të dhënat API), si edhe ato të regjistrimit të rezervimit të emrit të pasagjerit (të dhënat PNR) përcaktohen në rregulloren e përpunimit të të dhënave të udhëtimit.

Neni 6
Tarifa e transmetimit të informacionit të udhëtimit

1. Transportuesi ose operatori ekonomik i tij, që dërgon të dhënat në sistemet e përpunimit të të dhënave të SIU-t, paguan një tarifë për këtë qëllim.

2. Rregullat, masa, përjashtimet nga sanksionet dhe procedura për mbledhjen dhe administrimin e tarifës përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 7
Koha e transmetimit të të dhënave të udhëtimit nga transportuesit në SIU

1. Transportuesit ajrorë transmetojnë pranë SIU-t të dhënat e udhëtimit, sipas pikës 3, të nenit 5, të këtij ligji, si më poshtë vijon:

1.1. Të dhënat e regjistrimit të emrit të pasagjerit (të dhënat PNR):

a) 48 deri në 24 orë përpara kohës së planifikuar të nisjes së fluturimit;
b) menjëherë pasi kanë përfunduar procedurat e imbarkimit dhe është e pamundur që pasagjerët të hyjnë ose të dalin, si dhe mjeti ajror është në përgatitje për nisje, duke përditësuar kështu të dhënat e transmetuara, sipas shkronjës “a”, të kësaj pike.

1.2. Të dhënat paraprake të informacionit të pasagjerit (të dhënat API):

a) 180 minuta përpara nisjes së planifikuar të mjetit ajror;
b) 60 minuta përpara nisjes së mjetit ajror;
c) menjëherë pasi kanë përfunduar procedurat e imbarkimit dhe është e pamundur që pasagjerët të hyjnë ose të dalin, si dhe avioni është në përgatitje për nisje, duke përditësuar kështu të dhënat e transmetuara, sipas shkronjës “a”, të kësaj pike.

1.3. Të dhënat e ngarkesave:

a) 48 deri në 24 orë përpara kohës së planifikuar të nisjes së fluturimit;
b) menjëherë pasi kanë përfunduar procedurat e imbarkimit dhe është e pamundur që të ndryshojë manifesti dhe dokumentet e udhëtimit.

2. Transportuesit ujorë, subjekt të kontrollit kufitar dhe doganor, transmetojnë pranë SIU-t të dhënat e udhëtimit, sipas pikës 3, të nenit 5, të këtij ligji, dhe/ose të dhënat e pasagjerit, si më poshtë vijon:

2.1. Të dhënat e regjistrimit të emrit të pasagjerit (të dhënat PNR):

a) 48 deri në 24 orë përpara kohës së planifikuar të nisjes së mjetit ujor;
b) menjëherë pasi kanë përfunduar procedurat e imbarkimit dhe është e pamundur që pasagjerët të hyjnë ose të dalin, si dhe mjeti detar është në përgatitje për nisje, duke përditësuar kështu të dhënat e transmetuara, sipas shkronjës “a”, të kësaj pike.

2.2. Të dhënat paraprake të informacionit të pasagjerit (të dhënat API):

a) 60 minuta përpara nisjes së mjetit ujor;
b) menjëherë pasi kanë përfunduar procedurat e imbarkimit dhe është e pamundur që pasagjerët të hyjnë ose të dalin, si dhe avioni është në përgatitje për nisje, duke përditësuar kështu të dhënat e transmetuara, sipas shkronjës “a”, të kësaj pike.

2.3. Të dhënat e ngarkesave, menjëherë pasi kanë përfunduar procedurat e imbarkimit dhe është e pamundur që të ndryshojë manifesti dhe dokumentet e udhëtimit.

3. Transportuesit tokësorë, subjekt të kontrollit kufitar e doganor, transmetojnë pranë SIU-t të dhënat e pasagjerit, sipas pikës 3, të nenit 5, të këtij ligji, dhe/ose të dhënat e udhëtimit:

3.1. Të dhënat e regjistrimit të emrit të pasagjerit (të dhënat PNR):

a) 48 deri në 24 orë përpara kohës së planifikuar të nisjes së mjetit;
b) menjëherë pasi kanë përfunduar procedurat e imbarkimit dhe është e pamundur që pasagjerët të hyjnë ose të dalin, si dhe mjeti është në përgatitje për nisje, duke përditësuar kështu të dhënat e transmetuara, sipas shkronjës “a”, të kësaj pike.

3.2. Të dhënat paraprake të informacionit të pasagjerit (të dhënat API):

a) 60 minuta përpara nisjes së mjetit;
b) menjëherë pasi kanë përfunduar procedurat e imbarkimit dhe është e pamundur që pasagjerët të hyjnë ose të dalin, si dhe avioni është në përgatitje për nisje, duke përditësuar kështu të dhënat e transmetuara, sipas shkronjës “a”, të kësaj pike.

3.3. Të dhënat e ngarkesave, menjëherë pasi kanë përfunduar procedurat e imbarkimit dhe është e pamundur që të ndryshojë manifesti dhe dokumentet e udhëtimit.

4. Transportuesit, që mbledhin të dhënat e udhëtimit në formatet e përcaktuara në pikat 1, 2, dhe 3, të këtij neni, do të ndjekin rregullat e përcaktuara në rregulloren e përpunimit të të dhënave të udhëtimit.

Neni 8
Përpunimi i të dhënave të udhëtimit

1. Të dhënat e informacionit të udhëtimit, sipas pikës 3, të nenit 5, të këtij ligji, grumbullohen dhe përpunohen nga SIU, si dhe shpërndahen apo shkëmbehen me autoritetet operative, me qëllimin e vetëm parandalimin, zbulimin, hetimin dhe ndjekjen penale të veprave të parashikuara nga nenet 76, 77, 78, 78/a, 79, 79/a, 79/b, 79/c, 81, 82, 83, 86, 87, 88, 88/a, 89/a, 101, 102, 102/a, 103, 104, 109, 109/a, 109/b, 109/c, 110/2, 110/a, 110/b, 110/c, 111, 114, 117/2 dhe 3, 128/b/2 dhe 3, 138/a, 139, 140, 141, 141/a, 143, 143/a, 143/a/1, 143/a/2, 143/a/3, 143/a/4, 143/b, 144, 145, 146, 149/a, 164,164/a, 164/b, 186, 186/a, 187, 188, 189, 190, 192/b, 201, 202, 206/a, 206/b, 230, 230/a, 230/b, 230/c, 230/ç, 231, 232, 232/a, 232/b, 233, 234, 234/a, 234/b, 244, 244/a, 245, 245/1,257, 258, 259, 259/a, 260, 278/a, 282/a, 282/c ,283, 283/a, 284, 284/a, 284/c, 284/ç, 287, 288/a/2, 293/a, 293/b, 293/c, 295/a/2,298, 312, 319, 319/a, 319/b,319/c, 319/ç, 319/d, 319/e, 328, 328/b, 333, 333/a, të veprave penale me qëllime terroriste, që parashikohen nga kreu VII, i Kodit Penal, veprat penale të parashikuara në nenet 25, 26, 27, 28, 29, 30, 31, 32, 77, 78, 79, 80, 81, 83, 84, të Kodit Penal Ushtarak, si dhe krimet që përfshihen në juridiksionin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare.

2. Autoritetet operative, bazuar në parimin e mbrojtjes nga diskriminimi dhe mbrojtjes së të dhënave personale nuk duhet të marrin asnjë vendim që ka efekte të pafavorshme për subjektin e të dhënave, por vetëm mbi bazën e përpunimit të automatizuar të të dhënave të udhëtimit, nëse nuk ka informacione të inteligjencës rreth këtij subjekti apo një kërkesë specifike të autoriteteve kompetente dhe/ose gjyqësore.

3. SIU ka të drejtë t’u kërkojë në mënyrë të drejtpërdrejtë transportuesve apo autoriteteve kufitare e doganore ndalimin e imbarkimit apo refuzimin e lejimit të hyrjes, daljes apo transitit të pasagjerit apo të ngarkesës, bazuar në përpunimin e të dhënave të udhëtimit kur këto përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare apo sigurinë publike.

4. SIU ka të drejtën e aksesimit në të gjithë bazat e të dhënave në përdorim të Policisë së Shtetit dhe të autoriteteve operative, në përputhje me natyrën e punës së saj, për të kryer kontrolle të kryqëzuara të të dhënave në dobi të rritjes së sigurisë kombëtare dhe saj të qytetarëve.

5. Përpunimi dhe shpërndarja e rezultateve të përpunimit të të dhënave të udhëtimit kryhet sipas procedurave standarde të punës të miratuara nga autoriteti i SIU-t.

6. Rregullat dhe procedurat e përpunimit dhe shpërndarjes së rezultateve të përpunimit të të dhënave të pasagjerit nga autoritetet operative përcaktohen me udhëzim të përbashkët të drejtorit të Përgjitshëm të Policisë së Shtetit dhe titullarëve të autoriteteve operative.

Neni 9
Autoritetet kompetente

1. Autoritetet kompetente janë institucione shtetërore që kontribuojnë në mbarëvajtjen e punës së SIU-t dhe ato janë:

a) Ministria e Brendshme;
b) Ministria e Mbrojtjes;
c) Ministria e Financave;
ç) Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë;
d) Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale;
dh) Shërbimi Informativ i Shtetit.

2. Autoritetet kompetente përcaktojnë pikat e kontaktit që do të jenë pjesë e SIU-t dhe që kontribuojnë në mbarëvajtjen e punës së tij.

3. Rregullat më të hollësishme për mënyrën e ndërveprimit të SIU-t me autoritetet kompetente dhe pikave të kontaktit të tyre në SIU përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 10
Autoritetet operative

1. Autoritetet operative, të cilat kanë të drejtë të kërkojnë, të konsultojnë, të marrin të dhënat e udhëtimit ose rezultatet e përpunimit të tyre, me qëllim parandalimin, zbulimin, hetimin e ndjekjen penale të veprave penale, sipas nenit 8, të këtij ligji, janë:

a) Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit;
b) Shërbimi Informativ i Shtetit;
c) Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes;
ç) Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile;
d) Drejtoria e Përgjithshme e Doganave;
dh) Agjencia e Inteligjencës Financiare;
e) Byroja Kombëtare e Hetimit;
ë) Policia Ushtarake.

2. Autoritet operative, sipas pikës 1, të këtij neni, caktojnë përfaqësuesit e tyre pranë SIU-it për të përpunuar të dhënat e udhëtimit, por, në asnjë rast, nuk mund të marrin akses në sistemet e SIU-t jashtë mjediseve të saj.

3. Autoritetet operative mund të përpunojnë vetë ose nëpërmjet SIU-t të dhënat e udhëtimit, me qëllim përmirësimin e kontrollit kufitar e doganor, parandalimin e migracionit të paligjshëm, si dhe parandalimin, zbulimin, hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve, të parashikuara në pikën 1, të nenit 8, të këtij ligji, dhe sipas rregullave të përcaktuara në rregulloren e përpunimit të të dhënave të udhëtimit.

4. Rregulla më të hollësishme për mënyrën e ndërveprimit të SIU-t me autoritetet operative përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 11
Bashkëpunimi i Sektorit të Inteligjencës së Udhëtimit (SIU) me gjykatat dhe prokuroritë

1. Sektori i Inteligjencës së Udhëtimit bashkëpunon me gjykatat dhe prokuroritë për identifikimin, parandalimin dhe hetimin e veprave penale, që lidhen me lëvizjen e personave ndërmjet kufijve shtetërorë, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

2. SIU siguron informacionin, analizat dhe të dhënat e përpunuara për organet e drejtësisë, kur këto të fundit i kërkojnë për nevoja hetimore ose gjyqësore, duke respektuar parimet e konfidencialitetit dhe mbrojtjes së të dhënave personale.

3. SIU, në bashkëpunim me gjykatat dhe prokuroritë, ndihmon në hetimin e rasteve të terrorizmit, krimit të organizuar dhe veprave të tjera penale me lidhje ndërkufitare, duke shkëmbyer informacion në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi.

4. Procedurat dhe modalitetet e bashkëpunimit ndërmjet SIU-t dhe organet e drejtësisë përcaktohen në marrëveshje specifike ose protokolle bashkëpunimi, duke garantuar një koordinim efektiv dhe respektimin e kompetencave të secilës palë.

Neni 12
Shkëmbimi ndërkombëtar i të dhënave

1. SIU, në përputhje me legjislacionin kombëtar dhe ndërkombëtar në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale, kryen shkëmbim ndërkombëtar të të dhënave me vendet anëtare të BE-së, me Interpol-in dhe Europol-in, në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit operacional dhe me vendet joanëtare të BE-së, në zbatim të marrëveshjeve dypalëshe dhe të nivelit të sigurisë së të dhënave personale, në rastet kur:

a) autoritetet ligjzbatuese ndërkombëtare kanë paraqitur një kërkesë të arsyetuar që provon se shkëmbimi/marrja e të dhënave të regjistrimit të rezervimit të pasagjerit është i nevojshëm për të parandaluar kryerjen e veprave penale, të përcaktuara në pikën 1, të nenit 8, të këtij ligji;
b) të dhënat janë të nevojshme për parandalimin, zbulimin, hetimin apo ndjekjen penale të veprave, të cituara në pikën 1, të nenit 8, të këtij ligji.

2. Për çdo rast të shkëmbimit ndërkombëtar të të dhënave të pasagjerit ose rezultatet e përpunimit të tyre, SIU njofton punonjësin e ngarkuar për mbrojtjen e të dhënave në SIU.

3. Për shkëmbimin ndërkombëtar të të dhënave përsonale zbatohen dispozitat dhe rregullat e parashikuara në legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.

Neni 13
Autoriteti kombëtar mbikëqyrës për mbrojtjen e të dhënave personale

Autoriteti kombëtar mbikëqyrës në Republikën e Shqipërisë është Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, i cili këshillon, mbikëqyr dhe monitoron, në përputhje me ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale, veprimtarinë e grumbullimit, përpunimit, transmetimit, transferimit, pseudonimizimit, depersonalizimit dhe fshirjes së të dhënave të udhëtimt nga SIU-i, si dhe:

a) bashkëpunon me SIU-n për çështje të lidhura me mbrojtjen e të dhënave, sipas standardeve të lejuara;
b) trajton, në përputhje me legjislacionin në fuqi, ankesat e paraqitura nga çdo subjekt i të dhënave;
c) verifikon ligjshmërinë e përpunimit të të dhënave, kryen hetime administrative dhe inspektime, sipas legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale, me iniciativën e tij ose në bazë të ankesave;
ç) me kërkesë të çdo subjekti të të dhënave, jep rekomandime, me qëllim garantimin e së drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale;
d) mban kontakte të vazhdueshme me SIU-n nëpërmjet punonjësit të ngarkuar për mbrojtjen e të dhënave personale.

Neni 14
Punonjësi për mbrojtjen e të dhënave personale

1. Pranë SIU-t caktohet punonjësi për mbrojtjen e të dhënave personale, përgjegjës për monitorimin e përpunimit të të dhënave të regjistrit të rezervimit të pasagjerit dhe zbatimin e legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale.

2. Punonjësi për mbrojtjen e të dhënave personale i komunikon autoritetit kombëtar mbikëqyrës çdo rast të konstatimit të shkeljes së të drejtës së mbrojtjes së të dhënave personale.

3. Punonjësi për mbrojtjen e të dhënave personale gëzon pavarësi të plotë në ushtrimin e funksioneve të tij, sipas këtij ligji.

Neni 15
Ruajtja e të dhënave

1. Të dhënat e udhëtimit, të transmetuara pranë SIU-t nga transportuesit, ruhen në bazën e të dhënave në sistemet e automatizuara të SIU-t, për një periudhë pesëvjeçare nga transmetimi i tyre.

2. Me plotësimin e këtij afati, SIU fshin/shkatërron të dhënat e udhëtimit, si dhe rezultatet e përftuara nga përpunimi i tyre, në përputhje me parimet e legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.

3. Transportuesit ajrorë, ujorë dhe tokësorë i fshijnë të dhënat, sipas shkronjës “ë”, të pikës 3, të nenit 5, të këtij ligji, brenda 24 orëve nga momenti i mbërritjes së mjetit të transportit në destinacion.

4. Mënyra dhe procedura që ndiqet për fshirjen/shkatërrimin e të dhënave të pasagjerit apo rezultatet e përpunimit kryhet sipas legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale në Republikën e Shqipërisë.

5. Në të gjitha rastet procesi i përpunimit të të dhënave, duke filluar nga mbledhja e deri te fshirja e tyre, do të bëhet bazuar në legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale, si edhe në marrëveshjet dy apo shumëpalëshe, të cilat e parashikojnë këtë proces në mënyrë specifike.
6. Mënyra dhe procedura që ndiqet për fshirjen/shkatërrimin e të dhënave të udhëtimit apo rezultatet e përpunimit të tyre përcaktohen në rregulloren e përpunimit të të dhënave të udhëtimit.

7. Në të gjitha rastet, SIU do të ruajë, do të depersonalizojë dhe do të fshijë të dhënat, bazuar në legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave në Republikën e Shqipërisë.

Neni 16
Ruajtja e fshehtësisë së të dhënave

1. Të dhënat e udhëtimit, në rastet e ndjekjes për qëllime penale, pas kalimit të një periudhe prej gjashtë muajsh nga transmetimi, depersonalizohen ose pseudonimizohen përmes bërjes së padukshme për një përdorues të elementeve të mëposhtme të të dhënave, që mund të shërbejnë për të identifikuar drejtpërdrejt subjektin e të dhënave, si më poshtë vijon:

a) Emrin/emrat e tjerë, mbiemrin, përfshirë edhe të dhënat e pasagjerëve të tjerë, që udhëtojnë bashkërisht dhe rezultojnë në regjistrin e rezervimit të pasagjerit;
b) Adresën dhe të dhënat e kontaktit;
c) Të gjitha informacionet për mënyrën e pagesës, përfshirë adresën e faturimit, në masën që mund të shërbejë për të identifikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë pasagjerin, të cilit i referohet e dhëna dhe/ose kujtdo që ka kryer pagesën;
ç) Informacionin për pasagjerët që udhëtojnë shpesh;
d) Informacionet e përgjithshme, në masën që mund të shërbejnë për të identifikuar pasagjerin, të cilit i referohen të dhënat e regjistrimit të rezervimit të pasagjerit;
dh) Informacionin paraprak për pasagjerin, sipas shkronjës “ë”, të pikës 3, të nenit 5, të këtij ligji.

2. Pas kalimit të periudhës prej gjashtë muajsh, të përcaktuar në pikën 1, të këtij neni, depersonalizimi dhe/ose pseudonimizimi i të dhënave, zbulimi i të dhënave të plota të regjistrit të rezervimit të pasagjerit lejohet vetëm në rastet kur diçka e tillë i kërkohet SIU-t nga organi procedues, duke specifikuar arsyet e kërkesës dhe numrin e procedimit penal.

3. Për zbulimin e të dhënave të plota të të dhënave të udhëtimit, pas depersonalizimit apo pseudonizimit të tyre, informohet edhe punonjësi i ngarkuar për mbrojtjen e të dhënave, sipas rastit, i cili bën verifikimin e kushteve për zbulimin e plotë të të dhënave. Mendimi i punonjësit të ngarkuar për mbrojtjen e të dhënave përfshihet në përgjigjen që SIU i dërgon organit kërkues procedues.

4. Rregullat e hollësishme për ruajtjen e fshehtësisë së të dhënave do të parashikohen në rregulloren e përpunimit të të dhënave të pasagjerit.

Neni 17
Të drejtat e subjektit të të dhënave

1. Subjektet e të dhënave mund të kontaktojnë Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, si edhe punonjësin e mbrojtjes së të dhënave në SIU, në lidhje me çështjet për sa i takojnë përpunimit të të dhënave të tyre personale dhe për ushtrimin e të drejtave të tyre.

2. Subjekti i të dhënave të udhëtimit gëzon të gjitha të drejtat e subjektit të të dhënave, parashikuar në legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.

3. Procedurat më të detajuara të kontaktimit me punonjësin e ngarkuar për mbrojtjen e të dhënave personale në SIU do të përcaktohen në rregulloren e përpunimit të të dhënave të udhëtimit.

Neni 18
Mbledhja, përpunimi dhe përdorimi i të dhënave personale

1. SIU mund të mbledhë në mënyrë të drejtpërdrejtë të dhënat e udhëtimit, që janë subjekt i kontrollit kufitar, territorial e doganor dhe:

a) regjistron manualisht dhe/ose automatikisht të dhëna në sistemet e automatizuara të shënjestrimit;
b) shënon manualisht dhe/ose automatikisht të dhënat në sistemet kompjuterike të përpunimit të të dhënave në dispozicion;
c) identifikon dhe regjistron të dhëna, për qëllim dhe në kohëzgjatje të verifikimeve kufitare, doganore dhe territoriale të automatizuara, në rast të përdorimit të pajisjeve për verifikim të automatizuar;
ç) përdor ato për kërkime, në funksion të sigurisë së informacionit të udhëtimit dhe drejtësisë penale;
d) në raste dyshimi për një vepër penale, vendos në dispozicion të një autoriteti tjetër të sigurisë, për qëllime të zbatimit të ligjit, brenda kompetencës ligjore të atij autoriteti;
dh) përpunon të dhënat paraprake dhe ato të regjistrimit të pasagjerit (të dhënat API dhe PNR), si edhe ato të ngarkesave.

2. Vendimet për hyrjet dhe daljet në territorin e Shqipërisë depozitohen në sistemet kompjuterike të përpunimit të të dhënave të SIU-t.
3. Rregulla më të hollësishme për mbledhjen, përpunimin dhe përdorimin e të dhënave personale të udhëtimit përcaktohen në rregulloren e përpunimit të të dhënave të udhëtimit.

4. Formatet dhe protokollet e transferimit të të dhënave të udhëtimit do të përcaktohen në mënyrë më të detajuar në rregulloren e përpunimit të të dhënave të udhëtimit.

Neni 19
Procedurat e autorizimit të transferimit të të dhënave të udhëtimit

1. Transportuesit u nënshtrohen procedurave të verifikimit të plotësimit të kritereve, në lidhje me transferimin e të dhënave të udhëtimit.

2. SIU u komunikon autoriteteve përkatëse të ministrisë përgjegjëse për infrastrukturën procedurat e kontaktet, përmes të cilave transportuesit e identifikuar nga autoritetet përkatëse të kësaj ministrie, do të dërgojnë aplikimet për të filluar procedurën për t’u pajisur me autorizim.

3. Rregulla më të detajuara për procedurat e autorizimit, sipas këtij neni, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 20
Njësia e emergjencave kombëtare

1. Në Sektorin e Inteligjencës së Udhëtimit krijohet një njësi e posaçme për rastet e emergjencave kombëtare.

2. Njësia e emergjencave mblidhet me urdhër të ministrit të Brendshëm pranë SIU-t, sa herë që ngrihet një alarm për një emergjencë me natyrë kombëtare.

3. Njësia e posaçme e emergjencave kombëtare përbëhet nga pika kontakti të autoriteteve kompetente, sipas nenit 9, të këtij ligji, dhe drejtohet nga drejtuesi i SIU-t.

4. Pikat e kontaktit në njësinë e emergjencave kombëtare caktohen nga autoritetet kompetente për një periudhë njëvjeçare.

5. Rregulla më të detajuara për funksionimin dhe procedurat standarde të punës të njësisë së posaçme të emergjencave brenda SIU-t përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 21
Sanksionet

1. Përpunimi i të dhënave, në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji, nëse nuk përbëjnë vepër penale, konsiderohen kundërvajtje administrative dhe dënohen me gjobë, si më poshtë vijon:

a) Çdo person që hyn, komunikon ose i përdor të dhënat udhëtimit në kundërshtim me ligjin, nëse nuk përbëjnë vepër penale, konsiderohet kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë sipas parashikimeve të ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale;
b) Mostransmetimi i të dhënave të udhëtimit apo transmetimi i të dhënave të paplota apo të rreme përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë, nga 500 000 lekë deri në 1 000 000 lekë për pasagjer;
c) Në rastet e shkeljeve të përsëritura apo shkeljeve të rënda të detyrimeve, që rrjedhin nga neni 5, i këtij ligji, me kërkesën e SIU-it, ndaj transportuesit mund të vendoset pezullimi i përkohshëm ose heqja e së drejtës së kryerjes së veprimtarisë nga autoritetet përkatëse të Republikës së Shqipërisë, me propozimin e SIU-t.

2. Autoriteti i konstatitmit të shkeljes dhe aplikimit të gjobës për shkeljet e parashikuara në shkronjat “b” dhe “c”, të pikës 1, të këtij neni, është SIU.

3. Rregullat e hollësishme për procedurat e ndjekura nga SIU, në rastet e konstatimit të shkeljeve të transportuesve, si edhe aplikimin e sanksioneve, do të parashikohen në rregulloren e përpunimit të të dhënave të udhëtimit.

Neni 22
Ankimi

Ndaj dënimit administrativ me gjobë bëhet ankim në një nga gjykatat kompetente administrative në afatet dhe sipas procedurave që rregullojnë gjykimin administrativ në Republikën e Shqipërisë.

KREU II
DISPOZITA TË FUNDIT

Neni 23
Nxjerrja e akteve nënligjore dhe dispozita kalimtare

1. Ngarkohen Këshilli i Ministrave, që, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë vendime, në zbatim të pikës 6, të nenit 4, të pikës 2, të nenit 6, të pikës 3, të nenit 9, të pikës 4, të nenit 10, të pikës 4, të nenit 19, dhe të pikës 5, të nenit 20, të këtij ligji.
2. Ngarkohen ministri përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike dhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, që, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrin udhëzim të përbashkët, në zbatim të pikës 9, të nenit 5, të këtij ligji.

3. Ngarkohen drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe titullarët e autoriteteve operative, që, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrin udhëzime të përbashkëta, në zbatim të pikës 6, të nenit 8, të këtij ligji.

Neni 24
Shfuqizime

1. Pikat 9, 10, 11, 12, 13, 14, 15, 17, 18, 19, 20, 21 dhe 22, të nenit 2, të kreut I, dhe krerët II/1 e III, të ligjit nr.71/2016, “Për kontrollin kufitar”, të ndryshuar, shfuqizohen.

2. Aktet nënligjore, të miratuara në zbatim të ligjit nr.71/2016, “Për kontrollin kufitar”, të ndryshuar, mbeten në fuqi deri në miratimin e akteve të reja nënligjore, për sa nuk bien në kundërshtim me parashikimet e këtij ligji.

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I
ELISA SPIROPALI

###

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR PËRPUNIMIN E INFORMACIONIT TË UDHËTIMIT NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”

Në mbështetje të nenit 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për përpunimin e informacionit të udhëtimit në Republikën e Shqipërisë”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR FINANCIMIN SHTESË PËR “VEPRIMIN E OFRIMIT TË SHËRBIMEVE TË PËRQENDRUARA DHE GJITHËPËRFSHIRËSE TË PËRDORUESIT””

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, e 100, të Kushtetutës, dhe të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin shtesë për “Veprimin e ofrimit të shërbimeve të përqendruara dhe gjithëpërfshirëse të përdoruesit”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

###

P R O J E K T L I GJ
PËR

RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR FINANCIMIN SHTESË PËR “VEPRIMIN E OFRIMIT TË SHËRBIMEVE TË PËRQENDRUARA DHE GJITHËPËRFSHIRËSE TË PËRDORUESIT”

Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, shkronja “ç”, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Neni 1

Ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin shtesë për “Veprimin e ofrimit të shërbimeve të përqendruara dhe gjithëpërfshirëse të përdoruesit”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij ligji dhe ёshtë pjesë përbërëse e tij.

Neni 2

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I
ELISA SPIROPALI

 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.